6.2 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Intimja përballë Publikes – Sumea Ramadani

Më të lexuarat

Intimja përballë Publikes
Sumea Ramadani

Që një psikoterapist të marrë në trajtim intimen dhe publiken, kjo përbën atraksion sfidues, sepse psikoterapia është bisedë intime. Në dhomën e bashkëbisedimit të dyja palët lënë mbi tryezë superegon – pra zërin e shoqërisë – zërin e publikes brenda tyre dhe shpeshherë, krejtësisht të zhveshur nga ajo, portretizojnë id-in (instinktet biologjike) me qëllim arritjen një egoje (baraspeshë e id-it dhe superegos) të shëndoshë. Pas përfundimit të bashkëbisedimit psikoterapeutik, të dy bashkëbiseduesit ndihen të mpirë nga realiteti. Këtu na shfaqen pyetjet: Çka është intimja e çka publikja? Në çfarë forme vazhdon të mbetet e jona ajo që ndahet me dikë? Ç’kemi marrë nga publikja e tjetrit dhe kemi vendosur mbi supe si zbukurim për t’u ndjerë më të pranuar në publiken e cila na rrethon?

Në literaturën psikologjike kjo shfaqet në formën: A e formëson gjenetika ambientin, apo ambienti formëson gjenetikën? Pra a e formëson intimja publiken, apo publikja formëson intimen? Këtu gërshetohen shumë hipoteza nga shkenca të ndryshme, si p.sh. antropologjia, e cila shpjegon se janë njerëzit që ndërtojnë qytetërime e pastaj ato qytetërime ndërtojnë njerëzit. Çdo qytetërim konstrukton personalitete të ndryshme, intime dhe publike. Sot në epokën e globalizmit, ku e kemi luksin e llastimit se kufiri ndarës me gjithçka është vetëm një klikim në internet, intimitetit i jep një dimension shumë më ndryshe sesa prizma në psikoterapi. Ekziston një dualizëm i prerë.

Në aspektin ezoterik, koncepti intimitet në aktualitet mbërthen në vete një dozë të madhe të pesimizmit. Intimiteti për individin sot vjen në kuptimin e izolimit në vetminë e brendësisë së vet, proces apo ndodhi që tingëllon i tmerrshëm për qenien sociale në postmodernitet. Mbase qëllimi primar i njeriut postmodern është ikja nga intimiteti për të cilin ka dëgjuar se shkakton dhimbje. Kjo ndoshta rrjedh nga ngjyrimet e errëta të shekullit të kaluar mbi natyrën njerëzore. Sot duhet të flitet më tepër për lidhjen mes individualitetit dhe intimitetit. Punonjësit e shëndetit mendor vazhdimisht propagandojnë individualizmin e skajshëm si çlirim nga çdo dhimbje sociale, këtu intimitetit i jepet një kontekst tjetër, po ashtu dualist.

Humanizmi, duke u munduar ta vendosë njeriun në qendër të gjıthçkaje, e ka larguar atë nga qendra e vet. Ky është paradoks shumë i madh. Ne nuk mund t’i ikim përgjegjësive shoqërore nën pretekstin e intimitetit, sidomos jo në emër të shërimit psikologjik. Vetja ishte e veçantë në mënyrën se si njeriu mund ta identifikonte veten me shqetësimet e përgjithshme të shoqërisë. Shërimi çdoherë kërkohet në vendin e plagosjes. Ballafaqimi është rruga më e shëndetshme dhe më e guximshme për ta gjetur shërimin. Brohoritja gjithandej për natyrën e mirë njerëzore duket tepër false. Nëse ne si shoqëri, në veçanti ose globalisht, do të ishim të mendimit që njeriu ka natyrë të mirë pozitive, atëherë mes intimes dhe publikes nuk do të kishte dualizëm kaq të prerë. Pa intimitet njeriu nuk do mund të zbulonte trajtat e veta, mirëpo ato trajta mund të zhvillohen vetëm duke i provuar në publik. Perspektiva prej ku e shohim intimen dhe publiken ka rëndësi të madhe.

Intimiteti, si koncept, lidhet ngushtësisht me kulturën. Në kulturën tonë, intime është diçka e fshehur, qoftë pjesë e trupit, lidhje fizike dhe emocionale me një person apo edhe vend. Intime është gjithçka që nuk pëlqehet të ndahet me publikun. Ky term vjen në kuptimin antonim me gjithçka që i takon superegos, moralit, etikës, gjithçka që nuk të bën të skuqesh, gjithçka që nuk është speciale veç përballë dikujt, por ndahet me disa të tjerë, dhe që quhet publike.

Me paraqitjen e filmave, serialëve e më pastaj me reality show-t ndodhi një tërmet social mes intimes dhe publikes. Çka duhet të mbetet intime? Pse është intime? Cili është çmimi i intimitetit? Kujt i publikojmë çka? Çka është dallimi mes intimes dhe publikes?

Në zhargonin e internetit është paraqitur përkufizimi ‘intimitet publik’. Intimiteti publik vepron në bazë të një procesi ku subjekti kërkon pranim social duke ftuar të tjerët në rrugëtime të ndryshme psikologjike. Këto rrugëtime që mund të ishin shumë pozitive për të mirën e përgjithshme, tingëllojnë shumë joshëse nëse nuk do të ekzistonin dallimet ndërnjerëzore. Në parimet e psikoterapisë dallimet ndërnjerëzore zënë vend kyç. Ankthi i një njeriu kurrë nuk është i njëjtë me ankthin e një tjetri edhe në qoftë se të gjitha simptomat janë pikë për pikë të njëjta. Rrethanat, temperamenti që bart ankthin, kushtet socio-ekonomike dallojnë ankthin e dikujt me atë të një tjetri. E njëjta vlen për depresionin ose çrregullimet e tjera psikologjike. E njëjta vlen për përvojat e studimeve universitare. E njëjta vlen për përjetimet e binjakëve njëvezorë. Njeriu ekziston si një qenie unike në rruzullin tokësor dhe përvojat e tij janë të pakrahasueshme. Intimiteti publik potencialin e plotë e tregon në lidhjet romantike. Rrjetet sociale kanë krijuar gjithandej hapësira ku mund të ekspozohen momente intime të partnerëve romantikë. Dashuria është vlera jonë më e madhe dhe kur ajo është e veshur me atraksionim romantik, është shumë e bukur.

Mirëpo pse është e rëndësishme që bota të njihet me dashurinë që është menduar të ndahet vetëm mes dy personave? Pse romanca, që supozohet të jetë një emocion shumë intim dhe personal, kërkon një ekspozim publik? Padyshim që partneri romantik do të marrë pjesë të rëndësishme në murin e postimeve të rrjeteve sociale nëse kjo e bën partnerin më konfıdent në lidhje romantike, mirëpo përmbajtja e shpërndarjes duhet të jetë e censuruar. Censura! Sa term konservator që ka filluar të tingëllojë! Jemi në huti globale për të censuruar jetët tona pa qenë ndoshta të vetëdijshëm që censura dhe intimiteti janë të qëndisura njëra me tjetrën.

Një takim i planifikuar në mënyrë perfekte mund të marrë për keq nëse telefoni nuk aq bateri për ta dokumentuar të gjithin. Nëse nuk ka dëshmi të mjaftueshme të ngjarjes në galerinë e fotove, subjekti pyet veten a ka ndodhur vallë ai takim? Fokusi përgjatë një lidhjeje përqendrohet në anën e jashtme, e gjitha kjo për t’i dëshmuar publikes se subjekti është në një lidhje, madje në një lidhje shumë të lumtur. Në shumicën e rasteve e gjithë shpërndarja në rrjet, e shoqëruar me dhuratë, shërben për të përçuar mesazhin: “unë (ose i dashuri im) mund ta afordoj këtë”, akt ky kryesisht për t’u ndjerë i vlefshëm kundër një bindjeje negative të brendshme e cila shqetëson egon: “unë nuk jam i mirë mjaftueshëm”.

Nevoja për ta pohuar lidhjen përmes shfaqjes publike të dashurisë është ndoshta strategji e mendjes njerëzore për ta bindur veten se jeta plot me sfida, në fakt, është e përsosur.

Duket se ndërsa numri i madh i pëlqimeve dhe komenteve në mediat sociale mund të kenë një ndikim pozitiv në nivelet e besimit të dikujt, mungesa e vëmendjes virtuale nga ana tjetër mund të ketë gjithashtu një efekt të madh negativ. Paramendo sa e dhimbshme duhet të jetë të mbetesh pa asnjërën, as intimitetin, as publiken! Privatësia e ekspozuar në skenën publike përmban në vete rreziqe të mëdha psikologjike dhe sigurie. Rrjetet sociale kanë grabitur nga njeriu modern shumëçka të shenjtë për të. Shpërndarja e intimes me të huajin nuk është gjë e re për njeriun. Ai kishte njohur një përvojë të tillë në kishën katolike, në dhomën e rrëfimit, ku i rrëfente mëkatet priftit; më pas kemi dimensionin e sekularizuar dhe të futur në parime shkencore siç ishte rrëfimi tek psikoterapisti. Njeriu gjithmonë kërkon një hapësirë publike për të miratuar intimitetin e vet qoftë ky psikoterapisti, një mik apo një partner romantik. Mirëpo shndërrimi i rrjeteve sociale në mjet për të ushtruar intimitetin publik nuk është aspak e njohur për njeriun. Njeriu mund të bëjë gabime fatale kur investohet totalisht në diçka të panjohur. Emocionet e individit dalin në hapësirën publike dhe kthehen në temë serioze sociale. Ai nuk di ç’të bëjë me aq shumë vëmendje të fituar për disa minuta dhe me intensitetin që paraardhësit e tij nuk e kishin marrë për dekada me radhë. Në psikologji ka vëzhgime shkencore për ata që kanë fituar lotarinë kombëtare, të cilëve u mjaftojnë vetëm disa ditë për t’iu shkatërruar jeta.

Ata nuk dinë ç’do të thotë të kesh shumë para, nuk e kanë idenë si t’i shpenzojnë ato.

Qenia njerëzore është programuar në mënyrë të shkëlqyer për t’iu përshtatur kushteve klimatike, ndryshimeve gjeografike, kulturave dhe statuseve të ndryshme sociale. Përshtatja është një proces në vetvete. Fundja njeriu, nga qëllimi ekzistencial prej gjuetari kaloi në përjetimin e hierarkisë së Masllowit; ai tash, duke mos u brengosur për nevojat fizike të cilat i ka të garantuara, brengoset për të arritur majën e hierarkisë: vetëpërbushja e vetëvlerësimi. Nocione shumë abstrakte. Kur njeriu kërcen nga një realitet në tjetrin pa mundur të informohet nëpërmjet mjeteve të shëndetshme, kjo mund të sjellë pasoja të rënda. Në rastet më radikale kjo mund të shkaktojë traumë, mirëpo nëse do t’u kthehemi rrjeteve sociale, ato mund të shndërrohen në një kaos global i cili do të sjellë vetminë, pasigurinë, mungesën e vetëvlersimit, mungesën e vetëpranimit e të respektit si për një njeri në një fshat të Bishkekut, ashtu dhe për atë në një lagje elitare të New Yorkut. Rrjetet sociale startojnë shkëputjen e njeriut nga realiteti. Realiteti që shumica e njerëzve promovojnë në rrjetet sociale dhe realiteti që në të vërtetë zotërojnë janë dukshëm të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo tematikë ka qenë atraktivisht e lehtë për hulumtim të studiuesve të psikologjisë dhe ka rezultuar me artikuj të cilët nuk kanë iniciuar pothuajse asnjë ndryshim në shoqëri. Si i perceptoi njeriu rrjetet sociale? Si u bë jeta e pamundur pa to për ndoshta më pak se një dekadë?

Rrjetet sociale e vendosën privatësinë në skenën publike. Ne nga telefoni mund të kyçemi në shtëpinë e shumë të tjerëve, mund të jemi në vende të ndryshme të botës në të njëjtin moment, mund të mësojmë privatësinë e shumë njerëzve, njëjtë sikurse ata mësojnë privatësinë tonë. Nëpërmjet rrjeteve sociale, sidomos nëpërmjet Instagramit, ne kemi futur publiken në shtëpinë tonë, në dollapin tonë, në lidhjen tonë, më keq akoma, ne kemi futur publiken në brendësinë tonë dhe kemi lejuar që publikja ta modifikojë intimitetin tonë. Ne nuk dimë si të sillemi me veten në privatësi, nuk dimë si ta zhvillojmë veten pa instruksionet e rrjeteve sociale. Rrjetet sociale, duke ofruar shërbim në informim të shpejtë dhe network, kanë ndërhyrë në mënyrë shumë tinëzare në intimitet. Nevojat psikologjike dhe ekonomike shkojnë paralelisht me nevojat e masës në Instagram. Vendet e frekuentimit, lokalet për ushqim, zgjedhja e dhuratave, mënyrat propozuese të martesës deri te mënyra e shprehjes së dashurisë, perceptimi i dashurisë dhe realizimi i saj janë drejtpërdrejt të dirigjuara nga publikja. Vlera më e madhe njerëzore, dashuria, shitet me çmim shumë të lirë në ankandin e kapitalizmit, paguhet me trëndafila të kuq, unazë me gurë të shndritshëm dhe darka luksoze. Vendosen dhe datat e gatshme që priten si lehtësim shumë i madh. Dita e Shën Valentinit, lokali me pamje nga sheshi, të gjitha tavolinat e rezervuara për çifte, me nga një trëndafil i kuq në të gjitha, letrat e dhuratave (sipas klasës sociale), menyja e standardizuar, dhjetëra foto të shkrepura në një tavolinë sepse argumentimi mban rëndësi jetësore. Të gjitha këto vetëm për një qëllim, bindja e publikes për ekzistencën e intimitetit. Kështu krijohet një publike intimitetesh. Shkrirje në imitim shoqëror. Secili si të gjithë, të gjithë si secili.

Intimiteti është gjithçka që buron prej natyrës së brendshme njerëzore, gjithçka që është origjinale e njeriut. Gjë të cilën ndoshta e ka imagjinuar me sytë mbyllur, ndoshta ka ndjekur shenjat e kreativitetit të pjesës së djathtë të trurit e ndoshta vetëm ka ndjekur rrugën të cilën ia ka hartuar truri. Njeriu ka të drejtë që këtë ta shprehë nëpërmjet artit: pikturës ose poezisë. Gjithsecili duhet ta vendosë vetë se sa shpërndarje të intimitetit mund të përballojë. Gjithsecili duhet të njohë mirë publiken dhe arsyen se pse ndan nga intimiteti i vet me to.

Unë duhet ta di se sa rezistent, sa i fortë dhe sa i vlefshëm është intimiteti im përballë publikes.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit