-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Indinjata moderne dhe sfidat e klerikëve

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Situata të papritura si tërmeti i fortë që shkundi Shqipërinë një muaj më parë, sjellin brenda diskursit të komunikimit në shoqëri edhe raportin me besimin në Zot. Fakti është se shumëkush i përfshirë apo jo në atë ngjarje, iu drejtua Zotit për ndihmë, edhe pse nuk e kishte përmendur më parë, ndërkohë që imamë dhe priftërinj u vunë në krye të thirrjeve për ndihmë ndaj të prekurve. Vetë Kryeministri shqiptar dukej se ishte më i sigurt kur në krahë kishte imam Elvisin, e në krahun tjetër Arbrin, si shenjë të fuqisë së madhe të bamirësisë dhe solidaritetit, ndërkohë që mjaft klerikë iu drejtuan qytetarëve që këtë gjendje ta shihnin si një mundësi për të falënderuar Zotin që kishin shpëtuar të gjallë.

Ky, në fakt, u duk si një rast i artë, për ata të cilët në këto vite kanë qenë në periferi të jetës publike. Kjo, për faktin se shoqëria, nën ethet e modernizmit, ka kohë që ka anashkaluar marrjen e mendimeve prej atyre që kërkojnë të na kujtojnë se njerëzimi ka nevojë për të shkuarën dhe përgjegjësi për të ardhmen. Nën pushtetin e tanishmërisë, shumë qytetarë duket se as nuk e mendojnë se ka diçka përtej dëshirave për të tashmen. Spektakli u ofron dhe pjesa më e madhe e njerëzve jepen pas asaj që u serviret, ndonjëherë edhe kur nuk është as e domosdoshme e as e nevojshme. Këtë fenomen, sociologu i famshëm Zygmunt Bauman e konsideronte “modernitet i lëngët”, ku paralajmëronte se konsumimi i pakufishëm është gjithnjë një ankth në ndryshim, që shkakton konceptin e “hedhurinave” për një pjesë të shoqërisë që nuk mund të ndjekë këtë trend të botës së modës dhe konsumit. Për studiuesin dhe shkrimtarin Umberto Eko, një botë e tillë, e pushtuar nga ankthi, krijon klasën e madhe të të indinjuarve, që vetëm kontestojnë, protestojnë në muret e tyre online, duke krijuar fushën e madhe të panikut, të mosbesimit në asgjë. Në një botë të tillë, e ardhmja nuk aplikohet, ndërkohë që poshtërimi dhe frika marrin dirigjimin e jetës publike.

Por, a mund ta mundin klerikët indinjatën e njeriut modern? Si do të mundin frikën dhe poshtërimin që ka devijuar përgjegjësinë publike për atë që na duhet të gjithëve, jo vetëm për sot? Kjo është një sfidë e vështirë. Thirrjet e fundit të Papa Françeskut në takimet e tij janë për të rinjtë, që “duhet të përflakin zemrën për të parë udhën e shpresës”. Ai ka kërkuar që të bëhet çmos që të gjenden rrugët për të mposhtur gjendjen e pasigurisë, që më pas devijon edhe fuqinë për të marrë përgjegjësi për të ardhmen. E nëse disa klerikë kanë folur me zë të lartë edhe në Shqipëri, mbetet ende të shohim në sy pengesat reale për këtë gjuhë. Pra, është vetëm faji i shoqërisë, apo klerikët nuk kanë mundur të flasin me gjuhën e duhur?

Më së pari, duhet që gjuha e atyre që thërrasin për vlera morale, të jetë një gjuhë që nuk përfshin vetëm betejën në të shkuarën, por të lexojë si duhet sfidat aktuale të një shoqërie sekulare. Nuk është e thënë që pjesëmarrja për thirrje të reagimit shoqëror të jenë fatkeqësitë. Nuk është e nevojshme të jetë në fokus vetëm rikuperimi i gabimeve. Thuajse të gjitha fetë kanë të përbashkët orientimin drejt shpresës, si e vetmja rrugë që jep vetësiguri për të ecur përpara. Por për këtë nevojitet një komunikim i drejtpërdrejtë, me zemër, duke marrë përsipër sfidat. Por, a mund ta bëjnë ata që janë jashtë realitetit? Pra, a janë reale komunikimet dhe shqetësimet e atyre që predikojnë për një pjesëmarrje më të madhe të gjuhës fetare në shoqëri?

Për fatin tonë të keq, gjuha përjashtuese, e ndonjëherë edhe poshtëruese, ka rrezikuar të krijojë një lloj getoje mes atyre që janë praktikues të besimeve. Por, për këtë, nuk mund të fajësohen vetëm keqkuptuesit e predikimeve fetare, por ata të cilët janë përgjegjës për këtë komunikim, të cilët kanë folur vetëm në situatën e vetëmbrojtjes dhe përballimit të fatkeqësive, duke krijuar idenë se besimtar mund të bëhesh vetëm nëse të ka zënë fatkeqësia, nëse je hallexhi, nëse ke nevojë që dikush duhet të të zgjasë dorën për ndihmë.

Sfida e klerikëve përballë indinjatës moderne është përflaska e zemrës me atë çfarë e bën njeriun t’i japë kuptim jetës. Për këtë, nuk kanë nevojë vetëm të rrëzuarit nga fati. Për këtë kanë nevojë të gjithë, për të kuptuar atë që kanë dhe atë që u mungon. Për të kuptuar se duhen dy duar për t’u takuar dhe se të dy kanë nevojë të kuptojnë njëri-tjetrin. Për të fituar këtë betejë duhet të jenë të qartë se çfarë prodhon kultura e frikës që ka përfshirë shoqërinë, të dinë pasojat e kulturës së poshtërimit, të dinë pasojat e mendësisë së modës, që i krijon njeriut një truall të paqëndrueshëm idesh dhe mendimesh.

Për ta bërë këtë, më së pari ka nevojë që ata vetë t’i bëjnë disa pyetje vetes, se si e kanë zgjidhur me vetveten. Askush nga klerikët nuk mundet dot të jetë garant për të mposhtur kulturën e poshtërimit, nëse nuk ka gjetur rrugët për të ditur se përse është krenar një njeri që beson….

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit