Imam Isa Hoxha ka qenë Imam i Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane në Brooklyn, për shtetet New York dhe New Jersey, e cila u themelue me 12 Nëntor 1972.
indi me 25 Maj 1918, në Bytyç, rrethi i Tropojës, në Malësinë e Gjakovës. Mësimet fillestare i kreu në Tropojë, ndërsa një vit ishte në Medresën e Madhe të Gjakovës, kurse vitet tjera i vazhdoi në Medresën e Tiranës.
Imam Isa Hoxha rrjedhë prej një familje fetare dhe atdhetare, e cila ka qenë në ballë të Lëvizjeve Kombëtare.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e madhe e hoxhëve të Bytyçit ka luftue për çlirimin e atdheut kundër pushtuesve fashistë-nazistë dhe pas lufte kundër regjimit komunistë.
Isa Hoxha, me kushërinin e tij, Ramizin, me pushkë në dorë ishin në Lëvizjen e Kryezive të Gjakovës, që përpiqeshin për çlirimin e Kosovës dhe për një Shqipëri Etnike, Demokratike.
Diktatura komuniste, pjesëtarëve të familjes Hoxha, në rrethin e Tropojës, u konfiskoi pasurinë, si të tjerëve në gjithë Shqipninë, i futi nëpër burgje e kampe përqëndrimi dhe kur erdhi përfundimi: dy prej tyre vdiqën në burg, ndërsa të tjerët vuajtën 132 vite internim dhe burgim.!
Në vitin 1949, Imam Isa Hoxha u detyrue të largohet nga Shqipnija. Jetoi në fillim në Gjakovë, mandej nëpër Kosovë, Vojvodinë dhe Slloveni, për t’u shpërngulur në vitin 1959 në Trieshtë, Itali.
Gjatë qëndrimit në Itali, në Trieshte gjeti shumë shqiptarë, që ishin shpërngulur nga trojet etnike për çështje politike dhe ekonomike. Këtu ra në kontakt me Imam Beqir Malokin nga Gjakova, i cili shërbente në Rromë si Imam i Qendrës Islame dhe menjëherë u mirëkuptuen, që bashkëpunimi të filloi sa më pare, në dobi të besimtarëve myslimanë shqiptarë.
Në kampet e Italisë, për rreth tri vjet, Imam Isa Hoxha u vue në shërbim të besimtarëve, duke iu lehtësuar dhimbjet shqiptarëve.
Prej vitit 1962, kur erdhi në Amerikë, Imam Isa Hoxha e vazhdoi veprimtarinë fetare-kombëtare, në dobi të çështje shqiptare.
Në vitin 1972, në Brooklyn, New York, u themelue Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, për shtetet New York dhe New Jersey, ku Imam Isa Hoxha shërbeu si imam në Xhami.
Xhamia madhështore u përurue me 12 Nëntor 1972, ku Salih Efendi Myftiu, nga Shkodra, me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut.
Pranë xhamisë ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e hershme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare, sipas krahinave shqiptare.
Në mesin e masës së tubuar dalloheshin disa personalitete të shquara si Imam Isa Hoxha, Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit-i, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, etj.
Aty dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane: Joseph Pascal nga “Zëri i Amerikës” në Washington, Robert Kessler i gazetës “The New York Times”, reporteri i gazetës “Dayli News”, etj..
Kushtrimi për themelimin e kësaj Xhamije madhështore u përhapë si vetëtimë në mbarë botën, nga Amerika në Australi, e dëshmojnë urimet e përgëzimet që vinin në vazhdimësi.Kjo ndezi ndjenjat fetare dhe kombëtare ndër shqiptarët e mërguar, në një kohë kur në Shqipërinë komuniste këto ndjenja ishin ndaluar.!
Veprimtaria e Imam Isa Hoxhës nuk kufizohej vetëm me çështjet fetare në Xhami, por ai përpiqej edhe për çështjen kombëtare, në veçanti, për Kosovë e Çamëri.Shpesh thoshte:
“Nëse s’jemi atdhetarë, s’mundë të jemi as besimtarë. Besimtari i drejtë duhet t’jetë edhe atdhetar i vërtetë. Pa Kosovë e Çamëri s’ka as Shqipni.!”
Për vite të tëra, Imam Isa Hoxha ishte në ballë të demonstratave madhështore pranë Pallatit të OKB-së në NewYork, para Shtëpisë së Bardhë në Washington dhe fjala, porosia e tij kishte peshë, kishte rëndësi, për Kosovë, Çamëri, për Shqipni.!
E kam njohur për së afërmi, Imam Isa Hoxhën, këtë burrë Malësije; në New York, ku banojsha, e kisha, më kishte, mik shtëpije. Nga banesa ime tek shtëpija e tij nuk kishte më shumë se 200 metra largësi.! Në New York-un e madh, në Amerikën e largët, nuk e kisha askend më të afërt.! Së paku, një herë në javë e vizitonim njëri tjetrin, kështu për më se dhjetë vite e vazhdonim muhabetin.!
Dy muaj pas përfundimit të luftës, pikërisht me 15 Gusht 1999, me vullnetin e Zotit (xh.sh.), na u dha rasti të takohemi mbas afër 20 vjetësh, në zyrën e Myftiut të Kosovës, Dr. Rexhep Boja, ku ishin të pranishëm edhe bashkëpuntorët e tij: Resul ef.Rexhepi, Mr. Qemajl Morina, Mr. Naim ef. Tërnava, Kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora e të tjerë.
Për dhjetë ditë, deri më 25 Gusht 1999, Imam Isa Hoxha, me një delegacion nga Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, me kryetarin z. Nijazi Tonuzin, ishte mysafirë i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Me 19 Gusht 1999, ditën e Xhumasë, në Xhaminë e Madhe, në qendër të Prishtinës, ku edhe oborri dhe rrugët ishin mbushur përplotë besimtarë e kurreshtarë, Imam Isa Hoxha mbajti predikimin, të cilin e përfundoi me këto fjalë:
” O Zot! Për hir të Dëshmorëve të Kosovës, mëshiroje gjithë njerëzimin, në veçanti popullin shqiptar, kudo që gjendet, ndriçoje mendjen e tyre dhe shpëtoje prej mjerimeve e fatkeqësive.!”
Imam Isa Hoxha, përveç veprimtarisë fetare, arsimore, atdhetare, kulturore, kombëtare, është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar, shumë punime, studime rreth çështjeve fetare, filozofike, të cilat janë botuar, kryesisht, në revistën “Përpjekja e Jonë”, që botohej në New York, nga Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, ka botuar edhe librin “Të mësojmë Islamin”..
Mbas një veprimtarie 50-të vjeçare, për çështje fetare dhe kombëtare, Imam Isa Hoxha ndrroi jetë në shtëpinë e tij, në qytezën Old Tapan, West Wood, në shtetin New Jersey, në Amerikë, me 20 Tetor 2001.
Varrimi i tij ishte madhështor, me 24 Tetor 2001, në praninë e dhjetëra hoxhallarëve, të qindra, mijëra, atdhetarëve, që kishin ardhur nga çdo anë, mes tyre edhe qytetarë amerikanë, u përcollë me fjalime, me nderime, Imam Isa Hoxha, burrë i Malësisë, që një jetë të tërë ia kushtoi Lirisë, Fesë, Shqipnisë.
Mexhid YVEJSI, Gjakovë