-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Idealist dhe materialist – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Sipas ideologjisë komuniste, forca lëvizëse që motivon njerëzit dhe shoqëritë njëkohësisht, në themel të saj është materialiste. Me këtë motiv i shpjegon komunizmi të gjitha revolucionet, luftërat dhe ndryshimet sociale. Ky këndvështrim i ngushtë materialist kundërshton motivimin idealist si pjesë themelore të mendësisë njerëzore edhe pse vetë, në mënyrë paradoksale, kërkonte idealen nga komunistët, që duhet të ishin të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime!
Ky konceptim thellësisht materialist e absurd mbi jetën e njerëzve, është ngulitur aq thellë në shpirtin e tyre, saqë edhe epoka e sotme e këtij kapitalizmi të egër dhe pa etikë, veçse ja ka shtuar bindjen, se është e vështirë apo gati e pamundur të ketë njerëz që në veprimtarinë e tyre motivohen nga ndjenja të larta idealiste, ku nuk ka në to asnjë synim për përfitim material. Në mes nesh dëgjohet rëndom fjala se, filani e bën këtë gjë se paguhet, se është kundra apo pro kësaj gjëje sepse merr para, madje edhe nga ambasada apo shërbime të huaja!
Padyshim që gjëra të tilla ndodhin, por ta thuash këtë vend e pavend, pa pasur prova dhe siguri për persona konkretë, madje edhe për praktikantët fetar e për hoxhallarë, që me fjalë dhe vepra dëshmojnë të kundërtën, është vërtetë trishtuese dhe tregon sesa thellë është ngulitur ky mentalitet materialist në këndvështrimin e njerëzve.
Nuk janë të rralla rastet absurde kur dëgjojmë të pohohet se njerëzit vijnë të falen në xhami, djemtë mbajnë mjekra dhe vajzat mbulesa, sepse paguhen për kaq apo aq të holla! Dëgjojmë edhe fjalë të tilla se filani paguhet nga filan ambasadë, shtet apo shërbim për të propaganduar këtë besim apo ideologji!
Nëse nuk je në një mendje me dikë apo i del kundra atij, patjetër duhet të kesh një motiv materialist që ta bësh këtë, sepse përndryshe kjo është e pamundur për bindjen e këtyre njerëzve. Kjo buron jo rrallë herë nga verbëria sektare, klanore apo edhe bindja individuale, që arrin deri aty, sa të besohet se çdo kush që del kundra tyre, e bën këtë në mënyrë të vetëdijshme dhe të qëllimshme për përfitim material, por jo se beson në vërtetësinë e qëndrimit të tij! Ka të tjerë që mendojnë aq mirë për vete sa nuk arrijnë dot të besojnë se nuk janë të vetmit ata që nuk përlyhen në vjedhje, mashtrime dhe abuzime financiare. A thua se vetëm ata e kanë frikë Zotin dhe gjyqin në botën tjetër?! Ndërkohë ka të tjerë që gjithë tymnajën materialiste që ngrenë ndaj kundërshtarëve e bëjnë për t’i delegjitimuar ata, duke përfolur motivin e kundërshtarëve si të shitur apo të blerë nga paratë e të tjerëve, në vend që të merren me saktësinë e provave dhe argumenteve të tyre. Të merresh me motivin dhe nijetin e kundërshtarit është gjëja më e lehtë dhe shpesh më e pasaktë, sidomos kur ajo reduktohet vetëm në motive thellësisht materiale. Një sulm i tillë ad hominem është kundër-argumenti më banal, më i dobët e i më i lehtë, por edhe më i pasaktë për të përballuar argumentet e kundërshtarit.
Ndërkohë jo gjithmonë, nëse qëllon që dikush të paguhet për diçka, kjo e zhbën idealizmin e tij, aq sa nëse ai nuk do të paguhej nuk do ta bënte atë, sepse të qenit idealist nuk e përjashton në mënyrë absolute që dikush të shpërblehet edhe materialisht për atë që bën. Dhe argument për këtë janë vetë shembujt e shumtë nga jeta njerëzore, por edhe argumentet fetare siç është p.sh. lejimi i plaçkës së luftës etj. Madje njerëzit që e bëjnë diçka me idealizëm e bëjnë atë edhe më mirë e me zell, edhe nëse për të paguhen, në dallim me ata që e bëjnë këtë vetëm për shkak të pagesës.
Shpesh disa njerëz i motivon edhe smira e zilia për atë të mirë që të tjerët kanë, e kjo i shtyn të hedhin baltë mbi motivin e veprës së tyre, duke e lidhur çdo të mirë që ata posedojnë me përfitimin material nga veprimtaria e tyre bamirëse apo fetare. Smira për pasurinë, statusin social apo arritjet e dikujt, janë shpesh tipar i zakonshëm dhe i pahijshëm i shoqërive me mendësi rurale.
Mes atyre që akuzojnë të tjerët për mungesë idealizmi në veprimet e tyre, ka edhe nga ata që janë vetë materialistë dhe që nuk mund ta imagjinojnë dikë të jetë idealist dhe të ketë një sjellje apo veprimtari të caktuar për hir të idealit që ai beson, por patjetër ai u dashka të paguhet për të. Ky njeri i mat dhe i krahason njerëzit e tjerë në mënyrë të gabuar me veten, duke rënë në të njëjtin përfundim të pasaktë, si ata që u duket vetja më të mirë se të tjerët.
Një mendësi tjetër e gabuar, që e has shpesh mes njerëzve, është edhe këndvështrimi që kanë për pasurinë që duhet të zotërojë një predikues fetar. Sipas opinionit të tyre nëse një person i tillë është i pasur, atëherë pasuria e tij është e dyshimtë dhe ka shumë gjasa të jetë fituar nga shfrytëzimi i statusit të tij fetar. Këta njerëz nuk e vënë ujin në zjarr për të verifikuar më parë këtë dyshim, duke mos marrë parasysh se kjo pasuri mund të jetë trashëgimi e ligjshme familjare, të ardhura nga tregtia ose investime personale apo edhe nga puna në aktivitete të ndryshme jofetare. Çuditërisht njerëzit janë të prirë pa e kuptuar t’i shohin klerikët vetëm si asketë dhe të varfër, a thua se pasuria dhe të mirat e kësaj bote janë haram për ta?! Sigurisht që çdo besimtar e aq më tepër një prijës fetar duhet të këshillohet madje edhe kritikohet, nëse ka prova se ai abuzon me fenë për të përfituar të mira materiale për veten dhe familjen e tij, por është absurde të dyshohet për të thjesht për shkak të pasurisë që ai posedon, pa ditur më parë burimin e vërtetë të saj.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit