14.3 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

Ibrahimi a.s dhe familja besimtare

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Ibrahimi a.s dhe familja besimtare

Hyrje
 
Një familje fetare dhe e formuar në baza të shëndosha – sipas Islamit – është bërthama e një shoqërie të mirë dhe të shëndoshë. Prandaj, shihet si diçka me shumë rëndësi qënia e të dy bashkëshortëve fetarë dhe besimtarë praktikantë.
Përgjatë historisë së Ibrahimit a.s me bashkëshorten e tij Haxheren, do të shohim  mënyrën si ndikon feja në familje dhe tek fëmijët më pas. Do të flasim mbi tiparet dalluese tek një çift fetar, duke mos neglizhuar anët negative të një familjeje jofetare.
 
 
Historia e Ibrahimit a.s dhe gruas së tij Haxhere
 
Transmeton imam Buhariu në koleksionin e tij të haditheve se Abdullah ibnu Abasi ka thënë:”Ibrahimi a.s e solli Haxheren dhe djalin e saj Ismailin të cilin e kishte për gjiri dhe i la tek Shtëpia e shenjtë (Qabeja) pranë një peme të madhe, sipër ujit të Zemzemit. Asokohe, Meka ishte e pabanuar dhe rreth saj nuk gjeje pikë uji. Ibrahimi a.s vari një torbë të mbushur me hurma tek një degë e pemës, një kacek të mbushur me ujë dhe u nis të kthehej andej nga kishte ardhur.
E habitur, Haxhereja e pyeti:”A Zoti të ka urdhëruar të na lësh këtu?!”
Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Po.”
Atëherë Haxhereja i tha:”Atëherë nuk do na lërë pas dore Zoti.” Dhe u kthye tek i biri.
Ibrahimi a.s vazhdoi rrugën, derisa arriti tek një kthesë ku nuk e shihnin më. U kthye me drejtim nga Qabeja dhe filloi të lutej me duart e ngritura nga qielli:”
“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37)
Vazhdoi Haxhereja t’a ushqejë djalin e saj me qumësht gjiri, ndërkohë që vetë ushqehej me hurmat dhe ujin, derisa këta të fundit u mbaruan. Kur u përfundoi dhe uji, djali i saj, Ismaili a.s, filloi të përdridhej dhe të qajë nga etja. Duke mos dashur t’a shohë në atë gjendje, u nis pa ditur ku të shkojë. Duke qenë se kodra Safa ndodhej më pranë, u ngjit mbi këtë kodër. Pasi u ngjit, u drejtua nga lugina me shpresë se do të dallojë ndokënd, por nuk dalloi askënd. Zbriti nga kodra Safa, kaloi luginën dhe u ngjit mbi kodrën Merva. Edhe atje qëndroi pak, me shpresë se mos dallon dikë. Duke mos parë njeri, zbriti nga kjo kodër, kaloi luginën dhe u ngjit sërish mbi Safa. Këtë gjë e bëri për shtatë herë rresht.
Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Thotë Profeti a.s:”Këto lëvizje janë riti i Sajit gjatë Haxhit.”
Kur Haxhereja u ngjit në Merve për të shtatën herë, dëgjoi një zë. Nga kodra pa melekun që hapi tokën derisa doli uji i Zemzemit. Menjëherë vajti tek vendi dhe duke parë ujin që rridhte, filloi të mbledhë rërë rreth tij me qëllim që të mos humbasë në tokë.
Thotë Profeti a.s:”Zoti e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur të mos e kishte rrethuar ujin e Zemzemit me rërë, do të kishte rrjedhur si lum.”
Pasi shoi etjen dhe i dha të pijë dhe djalit të saj, meleku i tha:”Mos u shqetëso se nuk të harron Zoti! Këtu pranë ndodhet shtëpia e Zotit, të cilën do e ndërtojë ky djalë (për Ismailin) dhe babai i tij. Dije se Zoti nuk i lë pas dore njerëzit!” (Buhari 3/1227, kapitulli i profetëve, hadithi 3184)
 
 
Karakteristikat e duhura tek çdo bashkëshort dhe bashkëshorte
 
–          Përsa i përket bashkëshortit:
Transmeton Ebu Hatim El-muzenij, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”
Dikush e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Edhe nëse ai person ka të meta..?”
Profeti a.s iu përgjigj:” Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.” Dhe këtë e përsëriti tre herë.” (
–          Përsa i përket bashkëshortes:
Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe!” (Tirmidhij, 3/393, hadithi nr 1085)
Fjalët ” t’u mbushshin duart me dhe” janë një lloj mallkimi. Nëse nuk pranon të martohesh me një vajzë fetare, qofsh gjithmonë fukara. Por, arabët e përdornin këtë shprehje, për të stimuluar dikë në një çështje të caktuar. Për këtë, e përdori dhe Profeti a.s këtë shprehje. Me anë të këtij hadithi, Profeti a.s i nxit të rinjtë që prioritet për martesë, të kenë vajzat fetare dhe të përkushtuara.
 
 
Tiparet e një fetari
 
Zoti e din më mirë, por mendoj se një person, nuk mund të konsiderohet fetar, veçse nëse plotëson këto krietere:
–          Të sillet mirë me palën tjetër.
–          T’a pranojë kaderin e Zotit me qetësi.
–          T’i shohë problemet familjare, si sprovë nga Zoti.
–          Të ketë një vizion të qartë dhe të saktë për këtë botë, të jetë elastik dhe të dijë të komunikojë me të gjithë.
–          T’a adhurojë Zotin në familje.
–          Nëse e urren palën tjetër, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dhunon. Nëse e divorcon, këtë e bën në formën më të mirë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se i dërguar i Zotit a.s ka thënë:”Një besimtar nuk e urren një besimtare (të shoqen). Nëse nuk i pëlqen tek ajo një moral, do i pëlqejë një moral tjetër.” (Buhari 5/1958, hadithi 4802)
–          Të tregojë kujdes të veçantë që fëmijët të mos ndjekin rrugë të keqe.
 
 
 
Metoda e ndjekur nga Profeti a.s në edukimin e fëmijëve
 
1 – Që në çastet e para pas lindjes, i pëshpëriste në vesh emrin e Zotit dhe shehadetin. Këtë e bënte duke i kënduar ezanin në veshin e djathtë dhe ikametin në veshin e majtë. Transmeton Ebi Rafi se i dërguari i Zotit a.s thirri ezanin në veshin e Hasanit dhe Husejnit kur lindën.” (Muslim 2/1091, hadithi 1469)
Në një transmetim tjetjër, Ebi Rafi thotë:”Kur Fatimeja lindi Hasanin dhe Husejnin, Profeti a.s u thirri në vesh ezanin e namazit.” ((Muxhem El-kebir, Taberani. 1/313, hadithi 926)
2 – Kultivimin dhe rrënjosjen e dashurisë për Zotin dhe Profetit a.s.
Që kur fillon të llogjikojë, derisa praktikat e fesë islame t’i duken të lehta dhe të dashura.
3 – T’i mësohet fëmijës Kurani famëlartë, duke filluar me suret më të shkurtëra. Veç kësaj, është mirë që edhe të dëgjojë leximin e Kuranit. Thotë imam Hasan El-benna:”Kurani është si ora. Disa njerëz e neglizhojnë dhe luajnë me të. Disa të tjerë e rregullojnë dhe përfitojnë prej saj. Ndërkohë që disa të tjerë e shfrytëzojnë sipas qëllimit për të cilin është prodhuar. I tillë është dhe Libri i Zotit. Disa njerëz e varin tek dera e shtëpisë ose e vendosin poshtë jastëkut. Disa të tjerë nuk e prekin me dorë, veçse në rast vdekjesh ose kur shkojnë tek varrezat. Ndërkohë që disa të tjerë e lexojnë, e mësojnë, e komentojnë dhe i zbatojnë këshillat dhe udhëzimet e tij. Njerëz të tillë, e sistemojnë jetën sipas ligjeve të Kuranit dhe sakrifikojnë në ngritjen e shtetit që do të gjykojë sipas këtij Libri.”
4 – Të mësohen të falin namazin që në moshën shtatëvjeçare. Thotë Profeti a.s:”I urdhëroni fëmijët tuaj të falin namazin në moshën shtatëvjeçare. I rrihni për këtë qëllim në moshën dhjetë vjeçare dhe i ndani nga njëri-tjetri në shtrat.” (Sunen Ebu Daud, 1/187 hadithi 459)
5 – T’u mësohen moralet dhe edukata islame.
Transmeton Abdullah ibnu Abasi se ka thënë:”Isha me të dërguarin e Zotit një ditë dhe më tha:”“O djalosh, unë do të të mësoj disa fjalë. Ruaje Zotin (në zemër) të të mbrojë (nga të këqiat). Ruaje Zotin (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Zotit. Nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Zotit. Dije që sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë dobi, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti dhe nëse do të mblidheshin të të dëmtonin, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti. Është tharë boja dhe janë mbyllur rregjistrat.” (Sunen Tirmidhij 4/667, hadithi 2516)
6 – Të edukohet me dashurinë për të afërmit. Kjo, duke caktuar një ditë në jave ose në muaj, ku të mblidhen njerëzit më të afërt, gjyshërit, xhaxhallarët etj…
 
 
 
 
Përfundim
 
Fakti që burri dhe gruaja janë fetarë dhe besimtarë praktikantë, është një ndër faktorët më të rëndësishëm për një martesë dhe familje të suksesshme. Ai është shkaku kryesor që e bën një familje të lumtur dhe të dashur. Tek familjet jofetare, ne dallojmë shumë anë negative si:
1 – Dhuna bashkëshortore, braktisja dhe keqtrajtimi.
2 – Padrejtësi të të gjitha llojeve dhe divorce pa shkak.
3 – Tradhëti bashkëshortore perversitet seksual.
4 – Konsumimi i alkolit dhe drogave të ndryshme.
Nëse hasim një nga këto fenomene tek një familje që mendojmë se është fetare dhe besimtare, e vërteta është se kjo familje i ka keqkuptuar shumë parime të fesë dhe urdhërat e fesë nuk i zbaton siç duhet. Gjithësesi, Zoti e di më së miri.
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit