0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Hytbja e edukimit

Më të lexuarat

Amër ibn Shuajb thotë: “Sapo një fëmijë nga fisi Beni Abd el-Mutalib fillonte të shprehej qartë profeti ia lexonte shtatë herë ajetin 111 të sures el-Isra derisa ta mësonte: “Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!”

Në qoftë se për kohën e profetit përzgjedhja e këtij ajeti qe e arsyeshme duke patur parasysh se prindërit e besimtarëve të parë qenë idhujtarë, dhe profeti donte që të mbillte në zemrat e tyre dashurinë për Zotin dhe të vërtetën, që idhujtaria e cila vinte si trashëgimi familjare dhe kulturore të mos kishte më ndikim tek ta, një gjë e tillë është tepër e arsyeshme edhe në kohën tonë, vetëm se ne krahas këtij ajeti duhet të gjejmë ajetin më të përshtatshëm për shoqërinë tonë që t’ia mësojmë fëmijëve tanë.

Dhe duke qenë se shoqëria jonë bën pjesë në shoqëritë moderne karakteristikë e të cilave është egoja, pëlqimi i vetvetes, dhe çdo njeri pëlqen mendimin e vet, mendoj se theksi duhet të jetë nënshtrimi ndaj Zotit, si qenia supreme që meriton madhërim dhe nënshtrim absolut, gjë e cila e çliron shpirtin nga egoja, pasionet dhe zotat e rremë.
Prej adhurimit të Zotit të vërtetë shpirti çlirohet nga prangat egos dhe lakmisë, vetëpëlqimit, dashjes së pasurisë dhe dëshirës për të qenë i famshëm, karakteristika këto të theksuara të shoqërisë sonë.
Në këtë kuptim unë mendoj se ajetet 23 dhe 24 në suren el-Xhathije, ekzaminojnë në mënyrë perfekte sëmundjet e kohës sonë dhe do të ishin shumë të përshtatshme t’ia mësojmë fëmijëve tanë.

“A ke parë atë njeri që për zot ka zgjedhur dëshirat e veta, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri?! A nuk po merrni vesh?!
“Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.”

Koha në të cilën jetojnë fëmijët tanë ka sfidat e veta prandaj ne duhet t’i edukojmë ata të jenë të fortë, të vetëpërmbajtur dhe durueshëm. Ta lidhin fatin e tyre me Zotin, të jenë të përulur dhe nënshtruar veç para Tij, sepse ai që ia dorëzon shpirtin Zotit në qiell nuk i fut në llogari zullumqarët e tokës.
Ky virtyt i lartë gati në zhdukje në shoqërinë tonë duhet të jetë prioritet në planin e edukimit të brezave, sepse është pikërisht ky virtyt i lartë që i mungon më së shumti shoqërisë sonë në këtë kohë. Mungojnë njerëz të edukuar me këtë virtyt të cilët refuzojnë zullumin dhe korrupsionin dhe e ngrenë zërin ndaj padrejtësisë, sepse ata që ia kanë shitur shpirtin pushtetit janë pa fund.

Edukimi i fëmijëve tanë duhet të jetë produkt i një filozofie, i një frymëzimi i cili i parasheh ata mëkëmbës të Zotit në tokë. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj një mëkëmbës në Tokë.”
Ne duhet t’i edukojmë fëmijët të jenë të frymëzuar nga besimi në Zot, të adhurojnë dhe t’i nënshtrohen veç Atij. Të kenë frikë veç Zotin dhe veç tek Ai t’i mbajnë shpresat. Ata fëmijë që gatuhen me këtë besim rriten burra dhe nuk frikësohen para asgjëje.
Qe pikërisht ky edukim që i dha zemër Aliut të bjerë të flejë në shtratin e vdekjes në vend të Muhamedit a.s. edhe pse qe veç 12 vjeç.
Paramendo sot një fëmijë 12 vjeçar, si edukohet ai, për çfarë i flasim ne, dhe për çfarë flet ai me shokët e tij.
Fëmijët sillen në shoqëri ashtu siç i edukojmë ne, ata ndjehen të lirë ose nënshtruar në varësi të sjelljes dhe edukimit që marrin.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se shoqëria ku bëjmë pjesë nuk ndan me ne të njëjtat qëndrime fetare dhe kulturore, për rrjedhojë edhe fëmijët tanë janë të ndikuar nga kjo kulturë ashtu siç jemi ndikuar edhe ne.
Sepse ne pa vetëdije reflektojmë sjelljen dhe edukatën që kemi marrë nga prindërit tanë, pjesa më e madhe e të cilëve janë formuar dhe edukuar gjatë regjimit komunist, dhe e përcjellim këtë frymë pa vetëdije edhe tek fëmijët tanë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm.
Në vend se t’u themi fëmijëve ashtu siç na këshillonin prindërit tanë; ke kujdes! shih hallin tënd! s’ke punë me njerëzit!, duhet t’u kujtojmë atyre gjithmonë se ata janë projektuar për të qenë mëkëmbës të Zotit në tokë, dhe mëkëmbësit të Zotit nuk i takon dhe as që i shkon përshtat të jetë indiferent ndaj problemeve dhe halleve të shoqërisë, aq më tepër frikacak, sidomos kur bëhet fjalë për më të Bukurën, besimin.

Ne duhet ta edukojmë të ushtrojë ndikimin e tij për përmirësimin e shoqërisë, duke mbajtur qëndrime të larta morale.
Dhe në vend se t’u themi ato fjalë të cilat i reflektojmë prej edukimit socialist i cili i ndrydhte njerëzit dhe i edukonte të ishin të nënshtruar dhe indiferentë, -sepse hallet e shoqërisë i zgjidhte veç partia-, duhet t’u kujtojmë fjalën e Allahut në Kuran:
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”

Ne duhet t’i edukojmë ata të ndjehen njerëz të lirë dhe të jenë të guximshëm, duke ju kujtuar këshillën e artë të profetit Muhamed:
“Kush sheh një të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse s’mundet atëherë me gjuhën e tij dhe nëse s’mundet atëherë me zemrën e tij, por le ta dijë që ky është niveli më i ulët i besimit.”

Ne duhet t’i edukojmë të jenë të përgatitur për sprovat, për t’i bërë ballë vështirësive të kësaj jete, në vend se t’i ledhatojmë pa arsye dhe t’i bëjmë të dobët.
Sepse shumë fëmijë sot vuajnë sepse nuk vuajnë, vuajnë nga mungesa e mungesës.
Ne duhet t’i frymëzojmë ata që të jenë njerëz të ndershëm, të guximshëm, të dashur, të sjellshëm dhe të moralshëm.
Ta duan, shoqërinë e tyre, ta duan dhe promovojnë të mirën, dhe ta refuzojnë të keqen dhe t’i qëndrojnë përballë asaj.

Hoxhë Dorian Dalliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit