1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

HYSEN BERISHA-ZYMBERAJ (1908 – 1985)

Më të lexuarat

Vehbi SHATRI

NË PËRKUJTIM TË ATDHETARIT EDUKATORIT PATRIOTIT DHE HOXHES TONË NGA LUGU I DRINIT

HYSEN BERISHA-ZYMBERAJ
(1908 – 1985)

3

Roli dhe kontributi i ulemasë shqiptare për çështjen kombëtare dhe shtetformim gjatë historisë ka qenë i madh, si dhe përcaktues në ngjarjet e mëdha por popullin tonë. Ulematë shqiptarë nuk ishin politikanë me profesion, por ishte vetëdija e tyre morale e politike si sintezë e dy komponentëve kryesorë: patriotizmit dhe besimit, e që ata i vuri në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit. I ngritur nga botëkuptimi islam, botëkuptim që e respekton lirinë dhe lufton për të, mulla Hyseni, gjithashtu i mbrojtur me dashuri për kombin, u aktivizua në shërbim të Komitetit për Çlirimin Kombëtar të Kosovës, dhe bëri pjesë në partinë politike Nacional Shqiptare.

Lindja dhe fëmijëria
Hoxha Hysen Azem Berisha–Zymberaj, ka lindur në fshatin Ruhot të Pejës, në familjen e Azem Jahirëve. Kjo familje ishte me nam dhe shumë e madhe, ndërsa deri në vitin 1958 numëronte rreth 72 anëtarë. 1
Babai, Azem Berisha, ishte bujk dhe zot shtëpie, ndërsa kishte një gjendje ekonomike shumë të mirë. Nëna, Fate Maksutaj, ishte nga fshati Orroberdë e Istogut. Këtë çift Zoti e kishte begatuar me katër fëmijë, Musliun, Isufin, Januzin dhe Hysenin.
Ky i fundit, qysh si fëmijë ishte i shkathët, intelegjent, guximtar dhe i dalluar nga vëllezërit e tij, si për gjallëri ashtu edhe në edukatë.
Rinia dhe arsimimi
Hysen efendiu mësoi në mejtep, tek imami i xhamisë së fshatit të tij, imam Berlajolli, dhe natyrisht mësimet i merrte edhe nga mësuesit që mbanin mësim në kullën e familjes së hoxhës, që ishte shkolla e parë në anën e lugut të Drinit, e cila u hap në fshatin Ruhot, përkatësisht në kullën e Azem Jahirëve. Pasi Hysen efendiu i mbaroi mësimet në mejtepin e fshatit, ai vijoi mësimet në Medresenë e Vjetër në Pejë, ku qendroi për dy vjet.
Numri i medreseve në territorin e Kosovës atëherë ishte tetë: në Prizren dhe në Prishtinë-nga dy medrese, Vuçitërn (Vushtrri), Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj-nga një medrese. Të gjitha këto medrese mbeten të pareformuara, dhe financoheshin nga popullata myslimane. Lëndët mësimore që shtjelloheshin në këto shkolla ishin kresisht fetare, si: mësimi i Kuranit, itikadat, ibadat-ahlak, gjuhë arabe, shkrim arab, histori e islamizmit dhe ilahi.
Pas mbarimit të Medresesë në Pejë mësimet i vazhdoi në Medresenë e Madhe në Gjakovë, e cila veçohej për kontributin e dhënë në përgatitjen profesionale të hoxhallarëve të ardhshëm. Medreseja e Madhe e Gjakovës ishte shkollë e rangut të shkollës së mesme – tetëvjeçare (në atë kohë të gjitha shkollat e mesme vepronin me kohëzgjatje tetëvjeçare, p.sh.: gjimnazi vepronte si gjimnaz i ulët katërklasës, dhe si gjimnaz i lartë katërklasës). Vijuesit e Medresesë së Madhe ishin të sistemuar në konvikt, shpenzimet e të cilëve i hiqte Vakëfi3. Në Gjakovë mulla Hyseni pati mundësi të takohet me shumë të rijn që ishin vijues të kësaj medreseje.
Në Medresen e Madhe në Gjakovë ishte bashkë me mulla Hysenin nga Juniku, mulla Musa Gashin nga Dubova e Pejës, mulla Isa Haxhijajn nga Dubova e Pejës, Mulla Ramë Spahijajn nga Dubova e Pejes, Mustaf Balën, mulla Ragipin, mulla Zekë Byrdynën nga Radafci i Pejes, mulla Ramushin nga Tomoci i Istogut etj. Këta, përveçse ishin bashkë në studime, ishin shokë por edhe imamët më të daluar në këto anë, me edukatë e patriotizëm.
Gjatë kohës sa ishin duke i ndjekur mësimet, mulla Hyseni bashkë me mulla Zekë Byrdynen marrin rrugë për në Tropojë, të takohen me Sali Mon Bajraktarin (krah i djathtë i Enver Hoxhës-për Malsi kishte qenë kryesor). Këta dy kontaktojnë me të, dhe kjo pastaj vazhdoi rregullisht, pra për çështjen kombëtare. Gjatë shkollimit mulla Hyseni tregoi sukses të shkëlqyeshëm. Në këtë medrese mori mësim nga mësuesi i famshëm i fesë Fahri ef. Iljazi, djali i Iljaz efendiut, i cili kishte diplomuar në fakultetin e Stambollit. Ligjërues i kësaj medreseje ishte edhe Hasan ef. Nahi dhe Bajram Agani4.
Në Gjakovë qëndroi dy vjet. Në vitin 1937 e mbaroi Medresenë e Madhe në Gjakovës. Pas diplomimit në medrese të Gjakovës Mulla Hyseni shërbeu si imam Ramazani për pak vite në fshatin Ruhot të Pejës dhe Saradran të Istogut.

Puna dhe patriotizmi
Me frymëzimin që e kishte nga familja e tij, dhe po ashtu njohuritë fetare që i kishte mësuar nga mësuesit e tij për fenë e atdhen, si dhe tolerancën fetare të popullit shqiptar e cila mbështetet në vetëdijen kombëtare dhe në faktin se të gjithë shqiptarët, të cilitdo besim qofshin janë të një gjaku dhe të një gjuhe, kanë origjinën truallin dhe traditën e përbashkët, mulla Hyseni do të bëhet imam fetar dhe kombëtar i rajonit ku shërbeu. Ky frymëzim Hysen efendiun e nxiti për synime dhe aspirata më të larta. Ai vendosi të marrë detyra të mëdha për çështjen kombëtare.
Në vitin 1937 zgjedhet kryetar i Këshillit Nacional të Fashizmit në Ozdrim të Pejës. Në atë kohë komuna ishte në Dubovë. Në vitin 1941-1942 ishte në luftën e Novi Pazarit, bashkë me mulla Zekë Byrdynen, në frontin e Rozhajës dhe Novi Pazarit, duke iu kundërvënë çetave çetnike. Pasi përfundoi lufta në Novi Pazar, më 1943, tani ishin organizuar për të filluar luftën në Kosovë, bashkë me ushtarët që luftuan në Novi Pazar. Këta shkuan përsëri te Sali Man Bajraktari, në Tropojë të Shqipërisë. Mirëpo Saliu u thotë të mos hyjnë në luftë se vendin e kishte kapluar një turbullirë. Meqë mulla Hyseni dhe mulla Zeka këmbëngulin, Saliu u thotë se mund ta fillonin, por ndihmë nga ai s’do të merrnin. Kështu që ata u kthyen të dëshpëruar dhe pa përkrahjen që mendonin se mund ta gjenin.

2
Kur filloi lufta Nacional Çlirimtare, në Drenicë hynë brigada e Mal Sadikut nga Shqipëria, e kjo ndodhi në vjeshtën e vitit 1944. Tërë dimrin brigada e kaloi duke luftuar në Drenicë. Edhe Hoxha futet në brigadën e Mal Sadikut. Për të mos e lënë vetëm dhe nga frika se mos po e tradhtonte ndokush atij i bashkëngjiten edhe djemtë e axhës së tij, Qerimi dhe Rexha. Hoxha dinte mirë shkrim-leximin e gjuhës shqipe dhe serbokroate, kështu që shkruanin letra dhe i transportonin përmes disa grave të moshuara, të cilat ua dërgonin brigadave të Drenicës, të cilat informoheshin për gjendjen dhe pozicionet e tyre, pra që të mos sulmoheshin mes vete në rast se takoheshin. Megjithatë, grupet takohen një natë, dhe të dy palët sulmojnë njëra-tjetrën pa e ditur, me çrast vriten 9 persona, 7 të brigadës se Mal Sadikut, dhe 2 të Drenicës. E gjithë kjo ndodhë për shkak të keqinformimeve dhe keqkuptimeve, ndërsa kjo mëvonë çoni edhe në hasmëri.5
Në të dalë të dimrit mbaroi edhe lufta, dhe brigada e Mal Sadikut u nis për në Prizren, (aty ishet tentuar të tradhtoheshin dhe të dërgoheshin për në masakrën e Tivarit). Kur shkojnë në Prizren, aty i zë nata në fshatin Krushë e Madhe, me çrast edhe shpërndahen për të fjetur në disa shtëpi. Korrier i komandës ushtarake kishte qenë Brahim Ukë Kabashi nga Gurrakoci, i cili ishte djali i madh i Ukë Kabashit, nga dera e Ukë Bajramit. Në mbrëmje komandanti e thërret Brahimin dhe e pyet nëse dinte shkrim dhe lexim. Brahimi mohoi se dinte shkrim dhe lexim. Më pas nga ai kërkojnë që të presë në livahane (korridor). Ai del në korridor, ndërsa dera e dhomës mbetet pak e hapur, dhe kështu ai arrin t’i dëgjojë duke biseduar se si i bëhet që brigada e Mal Sadikut prej 30 ushtarëve, vetëm 7 të vrarë, ndërsa brigada e Sal Myderrizit prej 300 vetave, të ketë të shpëtuar vetëm 7 veta! Brahimi i dëgjoi fjalët që diktoheshin për t’u shkruar, se kur të hyjnë brigada e Mal Sadikut në Prizren, 40 veta, ndër më të mirët, të ekzekutoheshin! Më pas e thërrasin Brahimin, dhe i thonë që letrën ta dorëzojë në komandën e Prizrenit, sepse ata paskëshin punë në Gjakovë. Ky ishte një pretekst që letrën t’ia linin Brahimit e vetë të tërhiqeshin për në Gjakovë, për të humbur gjurmë. Brahim Ukë Kabashi, si njeri i mençur, shtiret se kinse po shkonte për të fjetur, sepse kishte nevojë për pushim para se ta merrte rrugën ditën e nesërme, por ai nuk fjeti aspak por doli derë më derë, duke e kërkuar mulla Hysenin në shtëpitë e Krushës së Madhe. Kur e gjen hoxhën, atij i tregon hallin, e Hoxha i thërret ushtarët, se kush ishte i brigadës së Mal Sadikut, e kush tjetër kishte dëshirë të shkonte jani pas tij. Natën nisen, dhe nga Krusha e Madhe arrijnë deri te Kroni i Lebures, në fshatin Ruhot, në Podaroll. Hoxha e dërgon Qerimin (djalin e axhës) për në shtëpi. Atëherë i zoti i shtëpisë ishte Zeqiri, por i thoshin “Bac”. Hoxha i thotë: “Shko tregoji Bacit se 300 veta jemi këtu, e ne duam bukë!” Qerimi shkon e i tregon, dhe kështu tri ditë e tri net qëndrojnë në llugë (vend në male). Ditën e katërt, në mëngjes marrin vendimin për shpartallim të brigadës.
Jovan Bogdani kishte qenë fqinj, dhe kishte tokë në Ruhot. Ai i thotë Zeqirit që ta dorëzojë hoxhën, sepse veç e dinin se ku ishte. Atëherë familja e hoxhës ofroi një vlerë të madhe të hollash për mbrojtjen e hoxhë Hysenit, dhe e dorëzoi atë bashkë me dy kushërinj. Pas gjithë ngjarjeve hoxhën e lirojnë me këshillën që më të mos merrej me çfarë ishte marrë, e kjo ndodhi në vitin 1945. Mulla Hyseni, si shumë herë bashkaktivist me mulla Zekë Byrdynen, vazhdon të takohet me Qerim Ukën e Ozdrimit, përsëri për organizim të aktiviteteve.
Burgosja

Në nëntor të vitit 1953 hoxha burgoset, ndërsa me 17 dhe 19 janar 1954, ditë e shtunë, dënimi nuk i bëhet në sallën e gjyqit por në sallën e filmit, për arsye që të ketë sa më shumë audiencë. Kur është gjykuar, një nga shokët (i mbetur anaonim deri sot), kishte treguar se ku e kishte fshehur armatimin hoxha. Kështu që, kur e kuptoi se si ishte puna, vetë hoxha e tregoi vendin, ndërsa Muzliu kishte shkuar dhe i kishte nxjerrë nga toka: sëndukun me 1000 copë fishekë, pa e hapur fare, një strajcë (mbajtëse nga shtufi) plot bomba, mazerren, një revole dhe dylbitë. Gjithë këto ishin në bahçen e hoxhës, të cilin e kishin dërguar aty për ta treguar vendin e saktë. Hoxha nuk kishte pasur mundësi që të mos tregonte, sepse në gjyq kishin filluar t’ia tregojnë edhe vendin se ku i kishte fshehur armët. (Një nga shokët që bashkë i kishin fshehur kishte treguar, e ky shok na mbetet anonim.)6.
Në Gjyq kishin marrë pjesë shumë dëshmitarë. Një e kishin sjellë edhe nga burgu i Goliotokut, që të dëshmonte për hoxhën. Ky dëshmitar ishte Zymer Halit Shala nga Ozdrimi, dhe ishte i vetmi që doli dëshmitar dashamirës, sepse të tjerët të gjithë e akuzuan hoxhën. Mulla Hyseni në gjyq të gjitha përgjegjësitë ia la vetes. Askënd nuk e akuzoi dhe askënd nuk e përmendi. Mulla Hysenin e dënuan me burgim.
Pasi që u bë dënimi i hoxhë Hysenit, komiteti mblodhi fshatin që të marrë vendim për internim të familjes së hoxhës. Kishte prej bashkëfshatarëve që thoshin: “Këta meritojnë të hidhen në det”, e të tjera fjalë jo të hijshme. Përveç Bekë Hysenit, një rugovasi që jetonte në Ruhot, ku familja e tij ende vazhdon të jetojë, i cili ngrihet dhe thotë: “Ju po doni me e largu familjen që po e mban fshatin. I tanë fshati kan pagu 1800 qese tatim, e shpija e Azemjahirëve vet i ka pagu 1850 qese, edhe 50 qese më shumë se fshati krejt. Atë qe e ka ba veprën e keni dënu, e ju lutna lirojeni e mos i merrni në qafë, se i tanë fshati varen prej tyne!”
Pas këtij fjalimi lirohen tërë familjarët që ishin përgatitur për t’u larguar nga shtëpia e tyre. Haxhiu ishte djalë axhe me hoxhën, dhe shkonte për vizitë në burgun e Pejës. Herën e parë u takua me hoxhën, por kur shkoi herën e dytë hoxhën nuk e gjeti aty. I thanë se e kishin transferuar diku tjetër. Kaluan tre muaj e familja nuk dinin gjë për hoxhën. Menduan se e kishin ekzekutuar, ashtu siç ndodhte me shumë shqiptarë. Hoxha, duke qenë se u pa si i rrezikshëm për shtetin, u dënua me vdekje, e pastaj dënimi iu zbrit në 20 vjet burgim.
Pas tre muajsh familjes i vjen një letër nga burgu i Nishit, se prej Pejës hoxha ishte transferuar në burgun e Nishit. Në burgun e Nishit nuk kishin lejuar që ai të kishte vizitorë. Nuk kishin lejuar as edhe familjarët. Nga burgu i Nishit pastaj u transferua në burgun famëkeq të Goliotokut. Thonë se hoxha dy herë ka rënë në peshë deri në 35 kg.: një herë në burgun e Nishit, dhe një herë në burgun e Goliotokut.
Mulla Hyseni në burgun e Goliotokut ishte bashkë me mulla Zekë Byrdynen, Ramiz Rexhë Buleshkajn etj. Puna në Goliotok ishte bartja e një lese (sanduk me gurë të mëdhenj) për tërë ditën, herë andej e herë këndej. Këtë edhe para se të lirohej hoxha ia kishte treguar një haxhiu që e kishte vizituar hoxhën në burg. Haxhiu në fillim nuk e kishte njohur hoxhën, ngase ishte dobësuar shumë. Në burgun e Goliotokut mulla Hyseni qëndroi deri në vitin 1962. Ishte prilli i vitit 1962 kur mulla Hyseni kthehet në fshatin e tij të lindjes, në gjirin familjar.
Hoxha gjatë kohës që qëndroi në burg ishte njohur me shumë të burgosur, e një prej tyre kishte qenë edhe një person të besimit katolik, të cilin, më vonë, komiteti e dërgoi në shtëpinë e hoxhës, me pretekst se hoxha e kishte shok të burgut. Meqë katoliku s’kishte ku të rrinte, njohja në burg ishte arsyetim që ai të rrinte te hoxha. Ky ishte Anton Stavri, që hoxha e thërriste “Sali”, që me kalimin e kohës ndihej sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ky u shndërrua në bari, por kur hoxha e hetoi se ai po interesohej për gjendjen politike, e ktheu në komitet dhe i tha se s’kishte vend më për të. Pas gjithë këtyre vuajtjeve, pas kësaj situate, hoxha kishte nevojë për pak pushim e qetësi, kështu që filloi të merrej me bujqësi. Një kohë 2-3 herë doli në bjeshkët e Istogut, në Bojshe.

1
Tani Hysen efendiu po i kthehej profesionit për të cilin edhe kishte mësuar e studiuar. Në vitin 1967 pranohet si imam xhamie në fshatin Trubuhofc, ku shërben afër shtatë vite.
Pastaj, në vitin 1975 mulla Hyseni transferohet nga xhamia e Trubuhofcit në xhaminë e fshatit Ruhot, ku shërben deri në vdekje. Hoxha merrte pjesë në martesa e pajtesa, por kurrë nuk i zmadhonte problemet.
Mulla Hyseni ishte i martuar me Mire Muçajn nga fshati Jabllanicë e Madhe, dhe kishte vetëm një djalë, Azemin.
Mulla Hysen Berisha vdiq në vitin 1985, dhe pas vetes la familjen, xhematin dhe veprën e tij të përjetshme ndaj atdheut dhe mirëqenies së popullit të tij.
Allahu e shpërbleftë me xhenetin Firdevs hoxhën e nderuar mulla Hysen Berishën!

Referenca:
1. Më 02.05.2015, në Ruhot, në odën e Ruzhdi Azem Zymberajt, ora 21 deri 22. Intervistë me Hajdin Haxhi Zymberajn, në moshën 60 vjeçare.
2. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike, XII-1982, faqe 164. Haki Kasumi.
3 Intervistë me nipin e Hoxhës, Ruzhdiu. Më 02.05.2015, në Ruhot.
4.Hafizët e Gjakovës, krenaria e Kosoves, nga Mexhid Yvejsi.
5. Më 02.05.2015, në Ruhot, në odën e Ruzhdi Azem Zymberajt, ora 21 deri 22. Intervistë me Hajdin Haxhi Zymberajn, në moshën 60 vjeçare .
6. Po aty.
Për Hoxhë gjendet dosje edhe në Arkivin e Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit