2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Hoxhë Isuf Gorishova shëmbëlltyrë e fetarit dhe e qytetarit të mire

Më të lexuarat

Isuf Gorishova ishte një shembull virtuoziteti në familje, në fshat, në krahinë.

Karakteristikat e tij kryesore ishin:

-Besimi i patundur tek Zoti.

-Korrektesa me njerëzit.

-Dashuria për diturinë dhe për shkollën.

-Urrejtja për gënjeshtrën dhe gënjeshtarët.

-Respektimi i pushtetit dhe bindja ndaj tij.

Lindi më 21 mars 1863 në një familje fshatare që ishte marrë më tepër me blegtori. Babai, Rustemi e kishte lënë të vogël dhe nëna Aishja, e kishte rritur vetë i tretë vëllezër pa asnjë motër. Vëllezërit i quanin Hasan dhe ishte më i madh se Isufi dhe Aliu që ishte më i vogël. Isufi filloi dhe përfundoi një shkollë fetare në Berat ku jepte mësim Babë Dudë Karbunara. Mbas përfundimit të kësaj shkolle ai shërbeu si hoxhë në fshat.

Hoxha –siç e thërrisnin fshatarët e tij, ishte mjaft i rregullt në shërbesat fetare, në mirëmbajtjen e xhamisë, si dhe në interpretimin apo shpjegimin e fesë islame. Shërbesat ai i bënte arabisht, por dhe në shqip. Atë e gjeje kryesisht në xhami, por edhe në ngjarjet e ndryshme që zhvilloheshin në fshat. Atë e vinin në “qoshe” dhe fjala e tij zinte gjithmonë vend. Njerëzit thoshin: “Hoxhën tonë e kemi të zgjuar”.

Ai gjithmonë predikonte idenë që njerëzit s’duhet të merren me ato gjëra që po të skllavëruan, është shumë vështirë të të lëshojnë dhe këtu numëronte: duhanin, alkoolin, bixhozin, etj.

Isufi lindi gjithsej pesë fëmijë: tre djem–Rustemin, Ramizin, Myfitin dhe dy vajza: Fatimen dhe Barien. Qëkur mbaroi shkollën dhe më vonë ishte hoxha i fshatit. Nuk merresh vetëm me predikime fetare, por edhe me përhapjen e diturisë dhe nxitjen për arsimim të fëmijëve të fshatit. Ai mori iniciativën që të hapte shkollën e parë në fshat dhe duke mos pasur ambient, ktheu ambientet që i përkisnin xhamisë, si klasa për nxënësit e kësaj shkolle. Po me kujdesin e tij mori e strehoi dhe e ushqente në shtëpinë e tij një mësues shumë të mirë nga Berati (me origjinë nga Sinja) të quajtur Vlash Prifti. “E mora z. Vlash që të sillte kulturë qytetare në fshatin tonë” – thoshte kur vinte fjala për shkollën e parë që u hap në Gorishovë me iniciativën dhe masat konkrete që mori vetë. Për të nxitur frekuentimin e shkollës jo vetëm nga djemtë por dhe nga vajzat, ai si njeri shumë i pasionuar pas arsimit, çoi vajzën e tij –Barien në shkollë duke qenë e vetmja vajzë nga fshati, pasi të tjerët nuk pranuan që të çonin vajzat e tyre.

Edhe pse vajza e tij nuk desh të vinte në shkollë se “dukesh si dhia në mes të dhenve” ai nuk u tërhoq, përkundrazi, me ata që takohej u thoshte: “Mos i lini qorr fëmijët, shkolla të hap sytë”.

Krahas shkollës fillore të Gorishovës ai bëri përpjekje të mëdha për hapjen e shkollës shtatë vjeçare në Cakran. Ai dërgonte shumë telegrame në qendër për të mundësuar ngritjen e kësaj shkolle dhe për këtë ka një kontribut të veçantë. Dashurinë për dijen dhe kulturën e tregojnë disa veprime të tij:

-Ai u martua me një vajzë Kutjote që i ati- Islami, i dha për pajë veç të tjerash dhe një libër si shenjë e dashurisë dhe e amanetit për të mësuar.

-Dërgimin e djalit të madh –Rustemit në Liceun e Korçës dhe më vonë në Bujqësoren e Fullcit në Golem, Kavajë.

-Dërgimin e djalit të dytë Ramizit në Normalen e Elbasanit.

-Shitjen e tokave të pakta që kishte për të mësuar fëmijët duke pasur konceptin që, “fëmijës mos i lër pasuri, por dituri”. Më vonë, kur u bë kooperativa, fshatarët I thoshin Isuf Hoxhës: “Ne u treguam budallenj, nuk i shitëm tokat para se të na i merrnin, kurse ti i shite dhe të paktën me to mësove fëmijët”. Ai nuk prononcohej, por vetëm qeshte me nënkuptim, se u ruhej shumë provokimeve që në atë kohë ishin të vazhdueshme.

Ai ndihmonte në mirëmbajtjen dhe në lulëzimin e shkollës. Mjaft drurë frutorë dhe dekorativë që qenë mbjellë në shkollën e Gorishovës dhe të Cakranit ishin fryt i duarve të tij. Po ashtu ai kujdesej që të instalonte në sheshin e shkollës dhe vegla gjimnastikore si paralele, hekur, si dhe shpesh kur shkonte në Fier apo Berat mundohej që të gjente mjete mësimore që i nevojiteshin shkollës. Nuk linte asnjë të diel pa marrë kazmën dhe pa shkuar në kopshtin e shkollës “për t’i bërë hyzmet gjithçkaje që kishte atje”. Punonte me shumë kënaqësi dhe kishte dëshirë që ata që kalonin pranë t’i thoshin: “Puna e mbarë, xha Isuf, të lumshin krahët, sa mirë që i ke bërë!” “Shkolla është kopsht dhe do mbajtur si kopsht”- thoshte shpesh. “Ajo duhet të shkëlqejë si jashtë edhe brenda, ajo është vend drite dhe s’mund të rrijë pa shkëlqim” – ishte një nga figurat e shumta që ai përdorte shpesh në bashkëbisedim.

Ti xha Isuf je fetar, po feja a e do shkollën? – e pyesnin shpesh njerëzit e ndryshëm ca me shejtanllëk, ca nga kurioziteti. Ai u jepte pothuaj të njëjtën përgjigje: “Feja dhe shkolla nuk kanë asgjë të ndarë, ato ndihmojnë njëra-tjetrën: njëra qëndron tek zemra, tjetra qëndron tek truri; zemra dhe truri janë të të njëjtit trup që ka aradisur Perëndia që është një dhe shoq nuk ka”, përgjigjej ai me bindje të plotë.

“Ai që nuk ndjek shkollën, është si një qorr pa sy”, – u thoshte shpesh fëmijëve që po t’i shihte në rrugë, i ndalte dhe interesohej për ecurinë e tyre në mësime; të njëjtat pyetje u bënte edhe prindërve kur i takonte – preokupimi i tij ishte shkolla dhe fëmijët.

Po të vinte një njeri nga qendra për t’u takuar me banorët e fshatit, do shkonte atje dhe do ngrinte të njëjtat halle që kishte fshati. Isuf Hoxha i Gorishovës merrej me kurimin e disa sëmundjeve që vetë mjekët u thoshin pacientëve: “Nuk jeni për ne, jeni për hoxhë!” Dhe faktikisht, tek ai vinin të sëmurë me depresion apo probleme të ndryshme. Ai tregohej i papërtuar dhe jepte gjithçka nga vetja që ata të përmirësoheshin. Ai thoshte që një gjë e tillë është trashëgimi, dhe Zoti këto cilësi ua jep njerëzve të veçantë.

Si i bënte këto punë?! Këto punë ishin reale, njerëzit shëroheshin dhe vazhdonin jetën e tyre normale; ata e bënin mik për

kokë Isuf Hoxhën e Gorishovës. “Duhet të dini se nuk sëmuret vetëm trupi, – thoshte hoxha i Gorishovës, por dhe shpirti, bile po u sëmur shpirti, do sëmuret patjetër dhe trupi, ndërsa e kundërta nuk ndodh; pra shpirti është gjithçka! E unë merrem me sëmundjet e shpirtit, me shërimin e tyre. Këto sëmundje duan njerëz që të merren vesh me atë që e ka krijuar shpirtin, me Zotin e pashoq. Dhe kështu bëj unë- thoshte Hoxha, i drejtohem Zotit dhe ai me të madh të Tij i shpëton shpirtrat që i ngacmon shejtani dhe ata që merren me shejtanin”.

Këtë punë ai nuk e bënte për interes. Asnjëherë nuk kërkonte shpërblim për punën që bënte, kurrë s’ishte dëgjuar që të thoshte: “Më jep kaq para”. Por ata që “gjenin derman” nuk kurseheshin mesa mundësi që kishin, pa asnjë detyrim, duke ndihmuar Hoxhën e Gorishovës që të mbijetonte.

Isuf Efendiu ishte tepër i hollë në muhabet dhe i pëlqenin shakatë. Ai për t’u mbrojtur nga të ftohtit vishesh shumë. E shoqja, Haxhireja nga Shehajt e Kutes I thoshte:

– Ore efendi, si je veshur kështu, do të qeshin me gjithë këto rroba. Ai qetësisht ia kthente:

-Është keq kur të qajnë, por për të qeshur të qeshin tërë ditën po të duan!

Isuf Rustem Hoxha ishte patriot i rrallë dhe shumë i lidhur me Atdheun. Ai i donte shumë kosovarët dhe çamët dhe shpesh thoshte: “Pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri!” Ai kishte shumë miq kosovarë që rrinin në Fier apo në rrethinat e Fierit të cilët i vinin edhe në shtëpi. Në kohën kur çamët u dëbuan nga trojet e tyre, një familje çame ndenji disa kohë tek Isuf Hoxha derisa u stabilizua. Me ta ai ndante edhe kafshatën e bukës!

Ai nuk bënte kurrë politikë të kundërt me ata që ishin në pushtet. Thoshte që politikën e bëjnë ata që kanë fuqinë, ne jemi të detyruar që të zbatojmë atë që thonë ata se janë më të ditur. Në gazetën Albania e Vogël, shkrimtari dhe nipi i Isuf Hoxhës, Faruk Myrtaj ka shkruar një tregim mjaft domethënës “Ne njerëzit këtu poshtë” për gjyshin e tij në lidhje me atë që regjimi komunist dhe ajo pjesë që e zbatonin atë me injorancë, e mbanin Isuf Hoxhën, njeriun shpirtëror të zonës që kishte lidhje me Zotin, nën vëzhgimin e atyre që kishin lidhje me shejtanin. Hoxhë Isuf Gorishova do të mbetet shembull i një imami që sillte paqe e përhapte kudo urtësi dhe dritën e diturisë.

Fatmir Shehu

Drita Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit