-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

HOXHA QË PËRHAPTE DRITË, DITURI DHE URTËSI

Më të lexuarat

Në këtë fundvit, paksa të acartë, ia mërsyem shtëpisë së hoxhë Rifat Jashari, në Zhegër të Gjilanit, ku gjetëm ngrohtësinë që ofrojnë shtëpitë e mëdha me nam. Aty, në një shtrat të dhomës së pritjes, prekëm mikpritjen tradicionale shqiptare të 100-vjeçarit, lapidarit të gjallë të shumë ngjarjeve me peshë të rrallë.

Shtëpia e këtij prijësi shpirtëror, sot i ngjante një muzeu dhe një biblioteke të pasur, sepse brenda saj ishte një arkiv, ose histori e lashtë e mbushur me plot shkrime kaligrafike islame, por edhe me libra shqip.
Edhepse, paksa lëngonte nga një lëndim i jashtëm, shpirtin e kishte të ngrohtë, të bardhë dhe të pastër. Kur e mori vesh se për çka kemi shkuar, sikur mori fuqinë për të na falënderuar dhe për të na përgëzuar që ja, neve nga Telegrafi, na është kujtuar për ta vizituar, një të moshuar në këtë rast, hoxhën e respektuar e të nderuar.
Në vazhdim, ua paraqesim intervistën, në formë integrale, ashtu, siç e zhvilluam me të, pa ndërhyrje gjuhësore, duke ruajtur origjinalitetin dhe sinqeritetin prej një burri, do të thoshim, shkëmb, që bëri shumë për popullin vet dhe në këtë vend.
Hoxhë, si ka qenë fëmijëria juaj dhe a mbani mend diçka nga ajo kohë?
Unë, me letra i kam 98 vjet, por i kam të jetueme më shumë se 100. Për tana këto vjet, kurrë nuk kam mbet pa shoqëri, pa zotni, e fukara.
Sefte, në shkollë kam mësu në gjuhën e huaj, pra në atë sllave. Unë, pas 4 vjetve shkollë, meniher vitin tjetër jam ba mësues. Mësues dhe nxanës, isha njikohsisht. Kam dashtë me e vazhdue gjimnazin në Gjilan, por nuk më kanë pranue ndonëse nuk ka vend. Një mësues që shumë më ka dashtë, më pat propozue me shkue në Nish, por komuna e Gjilanit nuk më ka lejue.
Pastaj kam shkue në Medrese, në Prizren, mirëpo pas dy vjetve na kanë përzanë, sepse aty hyni ushtria jugosllave dhe u ba lufta. Prej Prizrenit kam shkue në Gjilan, por edhe atje mu ndërpre rruga, hyni bugari deri në Moravë. Kështu, unë mbeta, as atje, as këtu. Nga Morava nuk mujsha me dalë, ndërsa në Shqipëri ishin italianët. Mbas ksaj, shkova në Preshevë, por atje na kërcnonin bugarët, kështu që u ktheva në shtëpi. Këtu, është kanë një xhami e vogël dhe unë aty kam hy në vjetin 1941. U bana imam, dhe bashkë me katunin në vitet e shtatdheta e ndërtuam një xhami të re.
Krejt feminia ime, ka kalu nëpër mundime e zahmete. Mësimet e para i kam marrë nga Mulla Kadrija i Llashticës, sepse shkollën e ka lanë Zoti edhe me fe.
Si jetohej atëherë kur dihet se përveç problemeve sociale, ju keni ndërruar edhe disa pushtete?
Po, i kam provu tana hyqymetet, por ma i keqi hyqymet, asht serbi. Shyqyr zoti që tash jemi ba shtet, por jo bash qysh kemi pas qef. Unë çka s’kam provu, e kam përcjellë bullgarin, komunizmin e serbin. Te gjitha pushtetet e huaja dhe të kqija. Te na erdh liria, por po më doket se po teprohet me do sjellje të pahishme. Shqiptarët duhet të jenë bashkë në të keqe e në të mirë.
A keni ndonjë kujtim nga prindërit dhe çka keni trashëguar nga ata?
Baba jem ndejke shpesh me Idriz Seferin, që njëherë ishte nip dhe kushëri, pasi që jemi të nji oxhaku. Unë isha ende fëmij, por më kujtohet kur Baba më thoshte : “biro, merr prej shokëve ndonjë fjalë të mirë që nuk e ke ndigjue në katund dhe ndaje me të tjerët”.
Urtësinë e kam trashëgue nga nana, e pajtimin nga baba.
A mbani mend sa nipër e mbesa keni?
Aiiii, Shumë…kadal le të menohem pak (Aga, po numëronte me gishtërinj nipërit dhe mbesat e tij, por duket se gishtat e dy duarve nuk i mjaftonin për t’i numëruar dhe qëlluar, v.j). Dhe, pasi bëri numërimin, atij i dolën “sipas hesapit tem, mu po më dalin 3 nipa, 5 mbesa, 10 stërnipa dhe 14 stërmbesa.
Opinioni ju njeh edhe si hoxhë përparimtar, por edhe atdhetar. A shkojnë bashkë feja e atdheu dhe në rastin tuaj cila është e para?
Atdheu, së pari e ka ba fetar dynjanë, pastaj njerëzit e kanë ba Tokën të hijshme, secilin në vendin e vet. Unë, thom se pa atdhe, s’ka fe.
Fshati juaj përmendet prej kohësh për tolerancë fetare. Çka është ajo që e ka ruajtur nëpër vite këtë virtyt ndër shqiptarë?
Zhegra asht katundi ma i njohur në Karadak, ku askush kërkun nuk e ka pas tullusum dhe kanë pasë një kojshillak për merak. Katuni jonë ka pasë shumë pari e luftëtar, dhe kjo ka ba që na mu përmend për të mirë si për burrni, ashtu edhe për adete fetare.
Ju keni ndikuar edhe në shkollimin e popullatës së këtushme dhe veçanërisht të femrave. A keni patur vështirësi t’i bindni bashkëfshatarët tuaj, apo ndoshta ju me shembullin tuaj konkret, keni thyer këtë tabu të ngulitur me qindra vjet?
Unë jam kanë imam dhe kur fëmijët vijshin me mësue mu falë në xhami, tinëz atyne ua msojsha alfabetin shqip dhe letrat e shkrueme shqip i mshefsha në Kuran. Atëherë (1955), në katun pak kush shkollohej. Djemtë tonë nuk e niqshin shkollën mas klasës së katërt për me “i rujt gjanë”, e qikat nuk i lejshin, sepse qysh në klasën e pestë ato rriteshin me trup.
Kam shkue shpi për shpi për ti angllatis prindërit e tyne për me i lanë vajzat me u shkollu. Ju thosha atyre se nëse duhet edhe zhag kom me i nxjerrë, e në shkollë kanë me shku. Unë isha dashamir i shkollës e pastaj vjen xhamia.
Mas pari ja kom nis me qikën teme, masanej kam lyp që edhe të tjerët ta bajnë këtë. Me kan ngu kur ju kom fol. Kajherë pritojshin, po me ma kthy fjalën rrallë s’ka ndodhë. Unë mësuesit ua njifsha. Çdo tre muaj shkojsha, pyetsha a po mësojnë a jo.

Mbaheni mend si bashkëveprimtar në pajtimin e gjaqeve. Sigurisht, mençuria dhe gjeturia kanë luajtur rolin kryesor në shërimin e kësaj plage shumë shekullore. A mund të na veçoni ndonjë rast delikat ku vetëm shkathtësia juaj, ka bërë që të shtrihej dora e pajtimit?
Po, kemi pajtue shumë bela, por ma shumë gjaqe. Ka ndodhë që deri në dy-tri ditë nuk jam kthye në shpi. Po e permeni vetëm rastin në Stubëll, për nji konflikt të papajtueshëm me katolikë për shkak të tokës që e kishin blerë, ndërsa mahalla nuk i lente. Dhe, na e kemi gjetë mënyrë më të mirë për me jetue ata si vllazër. Vetëm në një vend nuk kam mund me ba paqe edhepse jam munfuar disa hera, dhe aty ma vonë ka krisë pushka, dhe i kam ba me dije për të keqen që munet me i gjetë.
Të falësh është burrëri, ndërkaq të hakmerresh burracëri…
Pleqt gjithmon kan thanë se ma trim asht ai që shtrin dorën e pajtimit dhe fal se ai që shtrin dorën e krimit. Rand është me qu dorë në tjetrin. Vetëm Zoti ta jep dhe ta merr jetën, e askush tjetër.
Jeta juaj ka disa episode. Cilat prej tyre ju kanë mbetur më shumë në kujtesë?
Kam shumë, por e përmeni njanen prej tyne: një ditë Bajrami, gjatë Luftës së Dytë Botnore, u përhap haberi se shkijet po dojnë me i ra Preshevës. Njerëzve që kishin ardh krej kamos me e falë Bajramin, unë u kam dalë përpara dhe u kam thanë – shkoni e priteni Bajramin në Preshevë, se ma kabull ju bahet atje. Ata më kan ngu dhe shumica ka shkue.
Jeni marrë me tri shtyllat më të çmuara të shqiptarëve: me tolerancën tradicionale, mikpritjen dhe besën shqiptare. A mund të mburren shqiptarët me këto virtyte dhe sa po e përballojnë kohën?
Këtu në Karadak, ka të përziem, por edhe tash mundemi me u mburrë me të gjitha këto që i përmene. Ana jonë dallon për sene të mira dhe kështu asht edhe sot dhe sot kam ymyt se kshtu ka me kanë edhe masanej.
Zhegra ka një histori dhe kjo histori është përcjellë nga Idriz Seferi e deri te Agim Ramadani. Cilat kanë qenë rrethanat që ky fshat të mos mbetej i izoluar. Sigurisht edhe roli juaj është për t’u çmuar?
Zhegra gjithmon ka nxjerr burra e gra të zojat. Nuk ka shpi që nuk ka dhanë diçka të mirë për venin. Ky katun ka dhanë shumë dijetar, trima dhe atdhetar. Edhe unë jam mundua që ky vend të përmendet për shkollim, paqe, tolerancë dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.
Ju keni patur rastin të rrini me parinë e Kosovës. Sigurisht keni përfituar shumë nga mençuria e tyre dhe atë mençuri dhe urti e keni bartë në familje, fshat dhe kudo. A mund të na veçoni ndonjë figurë të kohës, i cili edhe kësaj dite përmendet për të mirë?
Jam njoftë me njerëz që kanë ec vetëm për të mirë dhe për paqe dhe që i ka nderue edhe populli si Qazimin, djalin e Idriz Seferit, Fazli Haxhën, Idriz Lladovën, Bejtë Llashticën, Ramiz Cërnricën, Fazli Ranatovcin, Isuf Pidiqin, mulla Mustafën, Januz Latifin, etj. Rahmet u pastë shpirti tanve që i përmenda dhe që kanë ba e kanë dhan për këtë vend. Unë sot krenohna me bijën tonë nga Cërnica, dr. Drita Statovcin, qikën e Kadri Halimit, që e njohim për itibar të madh.
Hoxhë, sa keni ndikuar që të ruhet myslimanizmi tradicional nga politizimi dhe radikalizmi i tij?
Ma shumë se 60 vjet kam shërbyer si imam në xhaminë e Zhegrës së Gjilanit. Kam pasë gjithmon shumë ndikim, por edhe në xhami gjithmonë ka pasë paqe dhe tolerancë ndërmjet njerëzve. Mundem me thanë se fjala jeme asht kanë vendimtare edhe në këtë moshë, më shkon fjala dhe më respektojnë.
A duhet të jenë edhe predikuesit fetarë një nga cytësit e bashkimit kombëtar mes shqiptarëve?
Qysh jo, bile ata duhet me kanë në ballë për të mirë. Populli lyp me ju pri dhe qebesa jemi popull i mirë vetëm duhet me ditë kah mi qu e mos me lanë me gabu.

Si e kaloni ditën në këtë moshë të bardhë me gjithë këtë barrë mbi supe, por me një shpirt të ri dhe plot harmoni? A keni ndonjë dëshirë të parealizuar?
Deri para dy muajve kur jam ra në shtrat, pesë herë në ditë kam shkue në xhami, kam lexue Kuran, libra dhe gazetat derisa kam ra me fjetë. Kam hec pa hesap, kam ba punët e shtëpisë…E marr shtagën, e qes shallin nkry dhe shkoj nëpër tpame sa herë që dikush vdes.
Më metet ixhram që nuk e kam pasë kitfar internetin përpara, se kushedi çka kisha ba.
100 vjet jetë: është e rëndë apo e lehtë. A jeni ngopur me jetë?
Jo more, kush ngihet ymer.
Cili është urimi juaj drejtuar shqiptarve për Vitin e ri?
Unë nuk jam kanë në luftë, nuk kam mujt me e kapë pushkën, por për Kosovën jam mundue të kultivoj paqen, tolerancën dhe respektin ndaj njani-tjetrit dhe kam insistu në shkollimin e fëmijëve, se pa shkollë nuk ka as ardhmëri.
Sot popullit tim i uroj bashkim të plotë si vllazëni e jo si kojshi.
Ju falënderojmë për këto rrëfime interesante, ju urojmë shëndet e sa më shumë fuqi që të ndriçoni edhe më tej këtë begati, e cila gjendet ende e shtresuar te populli ynë aq i hollë dhe aq i vyer. /Telegrafi/
Foto: Ridvan Slivova
Intervistoi: Gazmend Kajtazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit