-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Homoseksualiteti mes damkosjes dhe “krenarisë”

Më të lexuarat

Nga: Dr. Muhamed El-Mehdij

Homoseksualiteti mes damkosjes dhe “krenarisë”

Sot jemi dëshmitar të rritjes së rasteve të homoseksualitetit, ose ndryshe perversitetit seksual. Këto raste i shohim të lulëzojnë sidomos në forume të ndryshme të internetit, dhomat e chatt-it dhe blogjet sociale. Ne ekspertëve na mbërrijnë raste të shumtë, të cilët flasin rreth një diversiteti në rritje të prirjeve seksuale në periudhën pas internetit dhe kanaleve satelitore. Asnjëherë nuk na kishte vajtur në mendje se numri i homoseksualëve është kaq i lartë në shoqëritë tona dhe ato të tjerat. Asnjëherë se kishim imagjinuar se zëri dhe entuziazmi i tyre do të ngrihet kaq lart. Kjo shtresë, aq sa është e damkosur nga shoqëria, po aq e teprojnë me orvatjet e tyre për tu shfaqur krenarë dhe për tu mburrur me prirjet e tyre. Njëri prej tyre, ka publikuar një sërë pyetjesh me të cilat, ndoshta, ka dashur ti përcjellë një mesazh shoqërisë dhe komunitetit ku jeton. Ato mund të shihen dhe si sfidë ndaj normave, traditave dhe etikës mbizotëruese, të cilat bien ndesh me prirjet e tyre. E rëndësishme është se këto pyetje duhen marrë në konsideratë dhe studiuar, në një kohë kur nuk ka më dobi kritika, qortimi dhe dhënia e komandave.
Për ty lexues i nderuar, po i sjell disa nga këto pyetje të ngritura, të cilat janë si më poshtë:
A e ka njohur njerëzimi homoseksualitetin para popullit të Lutit? A ishte gruaja e profetit Lut lesbike? Ç’faj kanë homoseksualët për ndjenjat dhe instinktet e tyre karshi të njëjtit seks, ndjenja të cilat në fakt u mungojnë karshi seksit të kundër? Përse të jetojnë të privuar nga përmbushja e nevojave seksuale brenda të njëjtit seks? Përse të detyrohen për marrëdhënie me seksin tjetër, gjë të cilën nuk e duan, duke iu nënshtruar kritereve të shoqërisë? Përse nuk u garantohet liria homoseksualëve në vendet tona, që të shprehin prirjet e tyre njëlloj siç ndodh dhe në Amerikë, Evropën Perëndimore, madje dhe në atë lindore? A nuk përmendet homoseksualiteti në Kuran, si një nga kënaqësitë e shumta të parajsës, në formën “djelmosha të përjetshëm”? Si mund të jetë përgjegjës një homoseksual për prirjet e tij, orientimin e të cilave nuk e ka ai në dorë? Nëse ai do të japë llogari, kjo llogari do të jetë për prirjet apo për veprimet sipas këtyre prirjeve? A është homoseksualiteti një sëmundje, devijim, pjesë e diversitetit të sjelljeve seksuale, apo një zgjedhje personale? A mund të trajtohet homoseksualiteti, apo shoqëria na ngarkon me përgjegjësi të cilat nuk i mbajmë dot, duke mos na ofruar alternativat dhe ndihmën e duhur? Si mund të shndërrohet një përjashtim në epidemi?
Sa për t’ia nisur nga fillimi, po sjellim disa pasazhe nga Kurani, ku Zoti thotë:“Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”. Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (Araf, 80-81)
Në tefsirin e Ibnu Kethirit, lidhur me versetet e mësipërme thuhet:”Zoti e dërgoi profetin Lut a.s tek populli i Sodom-it dhe rrethinave përreth. Ai i ftonte në besim tek Zoti, vepra të mira dhe distancim nga ligësitë që vepronin, ligësi dhe poshtërsi të cilat nuk ishin vepruar kurrë më parë në historinë njerëzore. Mes popullutës së Sodomit ishte përhapur homoseksualiteti, gjë e cila ndodhte për herë të parë që nga koha e Ademit a.s. Askujt më parë nuk i kishte vajtur ndërmend, e jo më ta vepronte, një akt i tillë. Amr ibnu Dinar, rreth versetit:” paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?” ka thënë:”Askush më parë nuk ka pasur marrëdhënie homoseksuale, derisa erdhi populli i Lutit.” Kurse kalifi Velid ibnu Abdul Velid, ndërtuesi i xhamisë omejade, ka thënë:”Sikur Zoti mos na e kishte treguar historinë e popullit të Lutit, nuk do më shkonte mendja që një mashkull të kishte marrëdhënie seksuale me një mashkull tjetër.”
“Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”. Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (Araf, 80-81)
Pra, ju keni hequr dorë nga gratë dhe kënaqësia e ndërsjellë me to, gjë e cila është një shpërdorim i mirësisë dhe injorancë e madhe, pasi e keni ndërruar me diçka jonormale.
Gjatë aktivitetit të tij propagandistik, Luti a.s u thoshte që tu kthehen marrëdhënieve të rregullta dhe normale me gratë. Sakaq ata ia kthenin se nuk ndjenin asgjë karshi seksit të kundërt, pra grave. Kështu, të dy gjinitë, burra e gra, kryenin marrëdhënie homoseksuale brenda të njëjtit seks.
Shohim që populli i Lutit ishte populli i parë që e shpiku një marrëdhënie të tillë, gjë e cila nuk ishte diçka individuale, por një fenomen kolektiv. Kur themi fenomen, nënkuptojmë që ishte përhapur në masë, por kjo nuk do të thotë se ishte në mënyrë absolute dhe se marrëdhëniet normale mes dy gjinive nuk ekzistonin. Përndryshe ata do të shuheshin si popull, pasi nuk do të riprodhoheshin.
Ajeti:” bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë” na lë të kuptojmë se fenomeni i homoseksualitetit nuk njihej para popullit të Lutit, ose mund të ketë ekzistuar por nuk është njohur për shkak të opinionit publik, i cili nuk lejonte që dikush ta deklarojë prirjen e tij homoseksuale. Kështu, ajo ka mbetur fshehur ose e izoluar në vende të mbyllura, gjë e cila e kufizon atë në raste të rralla individuale. Sakaq, tek banorët e Sodomit, marrëdhëniet e rregullta ishin përjashtim. Marrëdhëniet homoseksuale ishin shndërruar në traditë tek populli i Lutit, gjë e cila shihet qartë tek fakti që e gjykonin Lutin a.s si njeri të çuditshëm dhe të pazakontë.
“Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” (Araf, 82)
Mesa duket, epidemia e homoseksualizmit ishte përhapur aq shumë mes popullit të Lutit, saqë nuk bënte fajde me ta asnjë trajtim dhe reformë. Ajo ishte një sjellje jonormale që binte ndesh me natyrën njerëzore. Për këtë, ajo që ndodhi ishte shkatërrimi dhe shuarja totale e këtij populli, nga dënimi hyjnor, gjë e cila ceket në dy ajete:”Kështu, Ne e shpëtuam atë me gjithë familje, përveç gruas së tij. Ajo ishte nga ata që mbetën pas (dhe u ndëshkuan). Dhe mbi ta lëshuam rrebesh (gurësh), pra, shiko si përfunduan njerëzit e zvetënuar!” (Araf, 83-84)
Nga sa duket në këtë verset, kuptohet që e shoqja e Lutit a.s, nuk i përkiste besimit fetar të tij. Ajo i përkiste besimit dhe traditës së njerëzve të cilët u dënuan. Kurani nuk flet nëse ajo kishte të njëjtat prirje seksuale si ato të pjesës tjetër, prandaj dhe ne qëndrojmë këtu duke mos kapërcyer në aludime.
“Dhe mbi ta lëshuam rrebesh (gurësh)” shpjegohet me ajetin tjetër që thotë:”“Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu.” (Hud, 82)
Zoti i lartësuar e ka dënuar si një krim të rëndë marrëdhënien homoseksuale, për të cilën thotë:”Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.”
Imam Ebu Hanife, Zoti e mëshiroftë, mendonte se dënimi i një homoseksuali është i tillë që hidhet nga një vend i thepisur dhe të pasohet me hedhje gurësh, njëlloj siç ndodhi me popullin e Lutit. Kurse dijetarë të tjerë mendojnë se ai qëllohet me gurë derisa të vdesë, i martuar qoftë apo beqar. Ky është njëri nga dy mendime të imam Shafiut. Këtë mendim, ai e bazon në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhij dhe Ibnu Maxheh, se Profeti a.s a ka thënë:”Nëse gjeni dikë që vepron të njëjtin akt si populli i Lutit, vriteni si aktivin dhe pasivin!”
Ndërkohë, dijetarë të tjera mendojnë se dënimi i homoseksualit është njëlloj si ai që bën marrëdhënie jashtëmartesore, nëse është i martuar gurëzohet, nëse është beqar fshikullohet 100 kamxhikë.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit, volumi II)
Nga historia e popullit të Lutit, nxjerrim një mësim të rëndësishëm, i cili konsiston në faktin se pranimi i opinionit publik i kësaj shtrese, e zgjeron rrethin e homoseksualizmit, i hap rrugë dhe e stimulon ti shprehë prirjet e fshehta dhe ti dyfishojë ato. Kështu, prirjet homoseksuale fillojnë e përhapen si flaka në bar të thatë, kur nuk hasin në barriera dhe kufizime. Nëse një përqindje e homoseksualëve, e kanë prirjen karshi seksit tjetër të bazuar në faktorë biologjikë, kjo përqindje fillon e shumëfishohet nëse i lihet shtegu i lirë për tu shfaqur publikisht, mburrur dhe krenuar para shoqërisë. Kjo, në vend që të kufizohet dhe ti reduktohet hapësira si çdo devijim patologjik tjetër, derisa të maturohet dhe të korrigjohet.
Mesa duket, ajo që pati bërë populli i Lutit, po përsëritet në kohën tonë, ku shohim përpjekje gjigandeske për ta paraqitur homoseksualitetin si një sjellje të pranueshme në nivel individual dhe kolektiv. Madje, disa kërkojnë më shumë se një pranim, dalin dhe në protesta dhe marshime publike duke u mburrur dhe krenuar me këtë sjellje perverse. Rezultat i kësaj është përhapja e prirjeve homoseksuale të fshehta, duke u shndërruar në ushtrim praktik me të cilat mburren. Kështu zgjerohet hapësira e homoseksualizmit ditë pas dite, derisa të shndërrohet në fenomen si ai i popullit të Lutit, ku meshkujt mjaftoheshin me njëri-tjetrin dhe gratë me njëra-tjetrën.
Ndoshta dikush mund të pyesë:
Ç’të keqe ka nëse këto janë zgjedhjet dhe preferencat e vetë njerëzve? Një tjetër mund të thotë: Përse të mos ndryshojnë dhe transformohen traditat dhe zakonat, duke i bërë prirjet homoseksuale të pranueshme si pjesë e sjelljes seksuale e cila s’ka lidhje me fenë dhe moralin?
Disa mund dhe të thonë se homoseksualët janë njëlloj si njerëzit e tjerë, kanë jetën e tyre që e jetojnë sipas mënyrës së zgjedhur prej tyre, se nëse nuk e pranojnë homoseksualitetin e tyre, do të bëjnë një jetë plot vuajtje, se alternativa e tyre e vetme është ta pranojnë sjelljen e tyre seksuale dhe ta ushtrojnë atë, se që të jenë të lumtur, nuk duhet tu vijë turp dhe droje. Ata e kanë gjetur veten të tillë dhe nuk kanë në dorë ti ndryshojnë preferencat e tyre seksuale.
Të gjitha këto janë pretendime të gabuara nëse vihen në peshoren shkencore dhe objektive, larg rengjeve sociale dhe politike. Të themi të drejtën, homoseksualët nuk janë aspak të lumtur edhe pse e ushtrojnë lirshëm homoseksualitetin e tyre. Ekziston një dështim i thellë në marrëdhëniet mes tyre. Mesatarja e partnerëve që ndryshon një homoseksual gjatë jetës së tij është pesëdhjetë, ndërkohë që tek njerëzit me orientim seksual normal është vetëm katër. Përqindja e homoseksualëve që kanë vetëm një partner gjatë jetës së tyre është më pak se dy përqind, ndërkohë që tek personat me orientim seksual normal është mbi 86 %. Është fakt i ditur lidhja e fortë mes rritjes së partnerëve seksualë dhe prekjes nga sida dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme. Veç kësaj, njihen dështimet në marrëdhëniet mes partnerëve homoseksualë dhe vuajtjet e tyre edhe në shoqëritë ku janë pranuar dhe u janë dhënë të drejta edhe privilegjuese ndonjëherë.
Fiksimi dhe ngecja
Homoseksualiteti, sipas teorisë së psikodinamikës, është një ngecje në fazën fillestare të zhvillimit psikoseksual, pikërisht atë të stadit anal dhe oral. Mund të jetë një dështim edhe në kapërcimin e kompleksit të Edipit. Kështu, sipas Frojdit, sjellja homoseksuale është e kundërt me atë neurotike, pasi neurotiku vuan nga ndrydhja dhe represioni i instinktit seksual, ndërkohë që homoseksuali vuan nga shpërthimi i tij. Por, që të dy janë të gozhduar, të fiksuar dhe të pamaturuar.
Bazuar në eksperiencën time, homoseksualiteti është mohim i tjetrit, pasi homoseksuali nuk kërkon palën tjetër që e plotëson dhe me të cilën integrohet, por kërkon maskilitetin e tij të humbur tek një mashkull si vetja, ose kërkon feminitetin e saj të humbur tek një femër tjetër si vetja. Kjo e shpjegon dhe dështimin e homoseksualëve në realizmin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të mjaftueshme. Ata u ngjajnë të eturve që rendin gjithë kohës pas mirazhit të pakapshëm, ose atyre që pijnë ujë deti, i cili ua shton më shumë etjen. Studiuesja Elisabeth Moberly thotë:”Shkaku që i bën të paligjshme marrëdhëniet homoseksuale, është se ato në realitet, janë marrëdhënie seksuale mes fëmijësh.”
Sipas këtij perceptimi, marrëdhëniet homoseksuale janë të papjekura dhe të paafta për të ofruar lumturi dhe qetësi, edhe nëse i përjashtojmë kriteret sociale, morale dhe fetare. Marrëdhëniet homoseksuale janë marrëdhënie të pafrytshme pasi nuk janë marrëdhënie strukturuese psikologjike, familjare dhe sociale. Më shumë se marrëdhënie dashurie, ato janë marrëdhënie pronësimi. Prandaj nuk është për tu çuditur përhapja e çrregullimeve psikike dhe vetëvrasjeve mes homoseksualëve.
Bukuria, dashuria dhe seksi tek homoseksualët nuk janë të plotë dhe të integruar, pasi ata dashurojnë format. Ata nuk e njohin dashurinë në kuptimin e saj të shëndoshë, por njohin vetëm joshjen dhe tundimin fizik. Ai nuk bën seks me një tjetër të ndryshëm nga vejtja, por me veten e tij, ose me dikë të ngjashëm me veten.
Ajo çka e konfirmon dështimin e marrëdhënieve homoseksuale, është se 67 % e tyre, gjatë fazës së pjekurisë e cila ndryshon nga një person tek një tjetër, shndërrohen në heteroseksualë. 75 % e atyre që janë martuar me një seks të kundërt, janë shprehur se ndihen rehat me marrëdhëniet heteroseksuale në martesë. Disa prej tyre janë martuar edhe pse nuk kanë pasur asnjë ndjenjë për partneren e seksit tjetër, por është martuar me motivin e krijimit të familjes dhe lindjes së fëmijëve. Me kalimin e kohës, gjatë marrëdhënieve bashkëshortore, ata kanë filluar të ndjejnë dhe të joshen nga seksi i kundërt në një atmosferë plot qetësi, harmoni, dhembshuri dhe dashuri.
E dëshiruar dhe e ligjshme
Fakti që një homoseksual joshet në mënyrë të pavullnetshme nga një i të njëjtit seks, nuk e bën këtë një sjellje normale. Fakti që ai e dëshiron diçka të tillë dhe ndihet i relaksuar, nuk i jep legjitimitet këtij akti. Një narkotik dhe i varur nga pijet alkoolike, mund të ekzaltohet dhe të mos qetësohet veçse duke konsumuar substancat përkatëse, një bixhozçi mund të ndihet mirë duke luajtur bixhoz. Megjithatë, akush nuk thotë se këta persona duhet tu nënshtrohen dëshirave të tyre, se ato janë normale dhe u falin kënaqësi, pasi janë kundër ligjeve të jetës dhe normalitetit të saj. Sjellje të tilla shkatërrojnë dhe nuk ndërtojnë, izolojnë dhe nuk integrojnë. E njëjta gjë vlen dhe për homoseksualitetin. Nuk janë vetëm homoseksualët ata që u kërkohet të kontrollojnë instinktet e tyre. Të gjithë njerëzit kanë instinkte seksuale dhe agresiviteti në mënyra dhe forma të ndryshme. Një shoqëri e shëndoshë, është ajo ku këto instinkte mbahen nën kontroll dhe maturohen, në shërbim të jetës dhe lumturisë së gjithëve.
Mes damkës dhe krenarisë
Gabimi ndodh kur ndodh damkosja e homoseksualëve, përndjekja dhe përjashtimi i tyre, siç ndodhi në Amerikë kur presidenti Aizenhauer, nxorri dekretin e tij në vitin 1953, sipas të cilit të gjithë homoseksualët përjashtoheshin nga funksionet federale. Policët filluan ti përndjekin homoseksualët, i ngacmonin dhe i bastisnin klubet ku mblidheshin në Nju Jork në vitin 1969. Asokohe shpërthyen protesta të dhunshme si kundërpërgjigje e homoseksualëve ndaj këtij trajtimi. Që atëherë, filluan të shfaqen shoqata dhe organizata të cilat mbronin homoseksualët dhe të drejtat e tyre. Si çdo organizatë tjetër që themelohet në rrethana të nxehta të ngjashme, edhe këto e tepruan në kërkesat dhe presionet e tyre ndaj shoqërisë amerikane dhe bashkësisë ndërkombëtare për të drejtat e homoseksualëve. Në vitin 1973, numri i organizatave që ushtronin presion politik për të drejtat e homoseksualëve arriti në 800, kruse në vitin 1990 ishin me disa mijëra. Të gjitha bënin presion për të drejtat e homoseksualëve. Kjo bëri që ata të pozicionohen kundër shoqërisë dhe beteja tashmë nuk zhvillohej mes normalitetit dhe anormalitetit, mes shoqërisë dhe homoseksualitetit si fenomen, por mes shoqërisë dhe homoseksualëve.
Një i sëmurë me sida, nuk përndiqet, përjashtohet dhe persekutohet. I gjithë foksusi përqendrohet tek sëmundja dhe trajtimi i saj. Por kjo nuk do të thotë të shenjtërojmë sida-n, të bashkëjetojmë me të dhe të krenohemi që është mes nesh. E njëjta gjë vlen për narkomanët dhe bixhozçinjtë.
Thotë dr Eusem Vasfij në librin e tij:”Shërimi i dashurisë”, thotë:”Natyrisht ky është reagimi i pritur nga çdo sjellje sociale damkosëse dhe diskriminuese. Problemi qëndron në tendencën tonë njerëzore drejt damkosjes, përjashtimit dhe diskriminimit. Damkosja është një përzierje mes njeriut, sëmundjes dhe sjelljes së tij, duke u luftuar i sëmuri në vend të sëmundjes. Si reagim ndaj damkosjes, përjashtimit dhe diskriminimit, formohen lëvizje dhe organizata mbrojtëse dhe emancipuese, të cilat edhe ato bien në të njëjtin gabim, duke përzier të sëmurin me sëmundjen dhe sjelljen. Kështu, në vend të drejtave për të sëmurin, bëhet thirrje për të drejta për sëmundjen. Lobi i homoseksualëve arriti ta heqë homoseksualitetin si patologji nga DSM4. Kjo jo për shkak të bindjeve shkencore, por për shkak të presioneve mediatike dhe politike. Doktor Payer, në artikullin e tij me titull “Politikat e diagnostikimit”, në vitin 1981, thotë:”Këto ndryshime (heqja e homoseksualitetit nga lista e patologjive të DSM4) nuk buronte nga një perceptim më i drejtë i të vërtetave shkencore drejt të cilave anon logjika jonë, përkundrazi, u bë i shtyrë nga prirjet ideologjike të asaj periudhe të historisë.”
Komisioni i shëndetit publik, pranë akademisë së Nju Jorkut, në një raport të tij rreth homoseksualitetit, thotë:”Homoseksualiteti është një patologji e vërtetë. Homoseksuali është një person me çrregullime humori, të cilit nuk i është zhvilluar aftësia për krijim të marrëdhënieve normale me seksin e kundërt. Disa homoseksualë kanë shkuar më larg sesa mbrojtja e orientimit të tyre, duke thënë se homoseksualiteti është një mënyrë e fisme dhe e privilegjuar e të jetuarit.” (Çështja e politikave seksuale dhe logjikës shkencore, Revista e Historisë së Mendimit Psikologjik 10, nr 5, viti 1992)
Heqja e homoseksualitetit nga lista e patologjive të DSM4, pati një ndikim negativ, pasi u ndërprenë përpjekjet shkencore për ta ndihmuar këtë shtresë që të përballen me problemet e tyre për shkak të orientimit seksual. Kështu, ekspertëve nuk u mbetej rrugë tjetër veçse ti ndihmojnë ta pranojnë homoseksualitetin e tyre, ti mbështesin të ambientohen me këtë realitet dhe të bindin shoqërinë ta pranojnë homoseksualitetin.
Por kjo, edhe nëse është pranuar relativisht në Perëndim, është e papranueshme në shoqëritë arabe dhe myslimane, ose thuaj lindore në përgjithësi, për shkak të bindjeve dhe besimeve fetare. Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami e ndalojnë homoseksualizmin dhe nuk ka gjasa që këto besime të ndryshojnë me qëllim që të qetësojnë homoseksualët, të cilët nuk e kalojnë 3 %-shin e shoqërisë.
Nga njëra anë, profesionistët ndjehen rehat për shkak të vështirësive që hasnin me homoseksualët gjatë terapive dhe dështimeve në këtë fushë. Por nga ana tjetër, aktualiteti tregon se një numër i madh homoseksualësh e vuajnë orientimin e tyre seksual në mënyrë personale, larg presioneve shoqërore. Ata kërkojnë terapi nga profesionistët, por nuk gjejnë ndokënd që t’ua ofrojë këtë shërbim dhe ndihmë, pasi literatura dhe referencat perëndomore janë boshatisur nga teknikat e terapisë për këtë shtresë.
Shkencërisht, homoseksualët janë dy kategori: Ego sintonik, ky hyjnë ata që ndihen në harmoni me prirjen e tyre seksuale dhe nuk kërkojnë ndihmën e profesionistëve për ta ndryshuar; Ego distonik, të cilët kërkojnë ndihmë dhe e përjetojnë shumë keq orientimin e tyre seksual brenda të njëjtit seks. Ai ndjen se në brendësi të vetes ka një ndjesi të shpifur të cilën se duron dot. Tek disa, kjo dhimbje dhe vuajtje i çon gjer në vetvrasje. Pikërisht kjo shtresë dhe kategori ka nevojë për ndihmë, pasi vuan maksimalisht.
Djelmoshat e përjetshëm
Lidhur me pyetjen nëse banorëve të parajsës do u mundësohet kënaqësia brenda të njëjtit seks, vlen të dihet se, siç është përmendur dhe në shumë ajete Kurani dhe hadithe të Profetit a.s, atje, do të ketë gjëra që syri si ka parë, veshi si ka dëgjuar dhe si kanë vajtur në mendje ndokujt. Vetëm Zoti e di si do i shpërblejë njerizit e mirë. Prandaj, nuk është e pranueshme që standartet e kësaj jete t’ia faturojmë dhe jetës në parajsë, duke shtuar preferencat e një minorance. Vlen të cekim që homoseksualët meshkuj janë vetëm 2.8 %, kurse femrat lesbike 1.4 %. Disa njerëz kanë dhe mendime të devijuara, pasi “djelmoshët e përjetshëm” që ceken në Kuran, i imagjinon si njerëz me prirje homoseksuale. Nuk ka asnjë tekst sado të tërthortë në asnjë nga fetë qiellore, që e mbështet këtë fantazi të shthurrur. Gjithçka që thuhet rreth kësaj, është se këta djelmosha do tu shërbejnë banorëve të xhenetit. Asnjë nga shokët e profetit Muhamed a.s, nuk i ka interpretuar djelmoshët e përjetshëm, ashtu siç i interpreton imagjinata e disave.
Përse dhe si?
Disa homoseksual shtrojnë pyetjen: Çfarë faji kemi ne për instinktin dhe orientimin seksual brenda të njëjtës gjini, ndryshe nga të gjithë njerëzit e tjerë? Si ti shkarkojmë instinktet tona seksuale në drejtimin që do shoqëria, por që nuk e pëlqejmë ne?
Ne i nënshtrohemi urtësisë dhe drejtësisë hyjnore, i cili çdo gjë e ka krijuar në mënyrë të përsosur. Çdo krijesë ka një funksion dhe qëllim, të cilin mund ta kuptojmë por dhe mund të mos e kuptojmë. Kjo na ndihmon të kuptojmë krijimin e disa personave me të meta fizike apo mendore, krijimin e insekteve, egërsirave, tërmeteve, vullkanëve, vetëtimave dhe bubullimave. Të gjitha këto, në pamje të parë mund të duken të dëmshme, por pjesë e urtësisë hyjnore është krijimi i diçkaje me të kundërtën e saj, ku bën pjesë dhe ligji i përjashtimeve. Të gjitha këto, hyjnë tek ajo që njohim si sprovë. Thotë Zoti në Kuran:”Ne do u sprovojmë me të mira dhe të këqia.”
Prandaj, gjërat nuk peshohen vetëm me kandarin e jetës së kësaj bote, por peshohen dhe maten me ekzistencën e cila shtrihet në këtë botë dhe në tjetrën. Kjo çështje shfaqet qartë dhe fuqishëm në suren Kehf, në të cilën gjejmë ngjarje të papranueshme dhe të pakuptimta, por që thellë-thellë, ato ishin të kuptimta dhe të dobishme.
Prandaj, themi që nëse dikush përjeton ndjenja homoseksuale, pa i nxitur dhe stimuluar ato, kjo është një sprovë dhe Zoti jep shpërblim të madh për durimin në raste sprovash. Gjithçka vlerësohet sipas rëndësisë dhe padyshim që nuk ka dyshim në drejtësinë dhe mëshirën e Zotit. Ai është Krijuesi dhe ka të drejtë të vërë në sprovë kë të dojë me çfarë të dojë. Ai do i kërkojë llogari çdo personi si ka reaguar gjatë sprovës. Sprovë nuk ka përse të shihen vetëm ndjenjat dhe prirjet homoseksuale, sprovë është dhe fukarallëku, pasuria, suksesi, dështimi, shëndeti dhe sëmundja.
Dikush mund të pyesë: Përse është i ndaluar homoseksualiteti? A nuk është një alternativë e një marrëdhënie të rregullt? Cili është faji i atyre që nuk tërhiqen nga seksi i kundërt? Përse u dashka të detyrohen për marrëdhënie me një seks ndaj të cilit sillen ftohtësisht, e ndonjëherë edhe u shpifet? Përse lindin ndjenjat homoseksuale përderisa janë kundër ligjeve të riprodhimit dhe kundër institucionit të familjes?
Përgjigja e këtyre pyetje është se ndalesa nuk bazohet në logjikën njerëzore, por në urtësinë dhe vullnetin hyjnor. Ky ishte mësimi i parë në univers, ku Zoti i lartësuar i lejoi Ademit të shijonte të gjitha kënaqësitë në parajsë, përveç një peme, të cilën ia ndaloi. Në fakt, Ademi a.s e harroi besën që i kishte dhënë Zotit dhe i nxitur sa nga kureshtja dhe sa dëshira për pushtet dhe përjetësi, si dhe i tunduar nga shejtani, hëngri nga pema e ndaluar. Ndoshta, arsyeja e tij mund ti ketë thënë: Ku është dallimi mes këtyre pemëve? Përse mu ndaloka kjo, e jo të tjerat?
Të gjitha këto e shtynë të hajë dhe për pasojë iu zbuluan pjesët e turpshme dhe u nxorr nga xheneti. Zoti i mësoi disa fjalë me të cilat mund të shprehte pendimin e tij nga shkelja që kishte bërë, me qëllim që mëkati mos i ngjitej duke ia prerë shpresat dhe duke e bërë ta harrojë kthimin në rrugën e udhëzimit. Ky mësim i parë universal i cili flet për hallallin dhe haramin, e kapërcen logjikën dhe arsyen njerëzore. Është vetëm Krijuesi Ai që ndalon dhe lejon për urtësi të cilat i di vëtëm Ai, sakaq krijesat thonë; Dëgjuam dhe u bindëm. Por, ekzistojnë krijesa që thonë; Dëgjuam dhe kundërshtuam. Në fund, shpërblimi varet nga aftësia për të ndërvepruar me këto ligje hyjnore.
Nëse mekanizmat ndihmues dhe mbështetës për homoseksualët, janë pothuaj inegzistentë, kjo nuk do të thotë ta konsiderojmë homoseksualitetin si të pamundur për tu ndryshuar. Kushedi sa çrregullimeve dhe sëmundjeve u është vonuar gjetja e ilaçit për shekuj me radhë. Sot, nëse perëndimi e ka hequr homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve patologjike, kjo nuk vlen për shoqëritë arabe dhe myslimane, ku personi përjeton konflikt të ashpër me vlerat e tij fetare teksa praktikon ndjenjat e tij homoseksuale, apo qoftë dhe e ndjen atë. Një njeri i tillë në këtë gjendje, kalon një sprovë të vërtetë dhe i lipset mbështetje që të mund ta vërë nën kontroll pasionin e tij të cilin e refuzon, i shkakton dhimbje dhe që nuk e publikon dot.
Fetarisht, njeriu mban përgjegjësi për veprat e tij, ndërkohë që përsa i përket ndjenjave dhe mendimeve të cilat nuk i kontrollon dot, përfshihen nga falja e Zotit, i cili nuk e ngarkon njeriun më shumë se ç’mund të përballojë. Nuk pranohet për një homoseksual të thotë që nuk mund ta kontrolloj veten, pasi kontrolli i instinkteve kërkohet si nga homoseksuali ashtu dhe nga heteroseksuali në mënyrë të barabartë. Çfarëdo përpjekjeje dhe mundi që bën një homoseksual për t’iu afruar normalitetit, gjë e cila sipas parimeve fetare quhet luftë me nefsin, do të shpërblehet t ek Zoti. Çdo dhimbje për shkak të prirjes së tij të brendshme, burimin e të cilës nuk e kupton, që mund ti shkaktojnë ndjenjën e turpit dhe izolimit, do të shënohet në peshoren e veprave të mira, nëse arrin ta kontrollojë. Seksi është një energji e cila ndjek linjën e tij sipas kushteve përreth dhe me durim dhe maturi, mund të shndërrohet nga drejtimi i gabuar në atë të drejtë dhe pozitiv, nëse qëllimi është i mirë dhe vendosmëria e palëkundur.
Ti dorëzohesh prirjeve homoseksuale nuk është alternativë. Sipas sondazheve, përqindja e çrregullimeve psikike është shumë herë më e madhe në mesin e homoseksualëve, ashtu siç ësht përqindja e vetëvrasjeve dhe dështimit në marrëdhënie. Kjo është ajo që ndodh në shoqëritë që e kanë pranuar homoseksualizmin, madje krenohen me të.

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit