– Një grup ekstremistësh kanë sulmuar një xhami në Holandën juglindore, e cila gjendet në ndërtim e sipër, raporton Anadolu Agency (AA).
Lëvizja e ekstremit të djathtë, “Identitair Verzet” vuri flamuj anti-islam në çatinë e xhamisë Tevhid e cila po ndërtohet në qytetin Venlo.
Kryetari i xhamisë Tevhid, Ahmet Dursun, në një prononcim për AA, dënoi incidentin në fjalë, për të shtuar se përkundër pranisë së madhe të ekstremistëve të djathtë në lagjen e tyre, ata nuk kanë pritur një sulm të tillë.
“Kemi biseduar me kryetarin e komunës dhe disa zyrtarë të tjerë. Ata na mbështesin”, tha ai për të shtuar se po ndërmarrin masat e nevojshme që një gjë e tillë të mos përsëritet.
Grupi i cili mori përgjegjësinë për incidentin, kishte ngjitur banderola në të cilat shkruante “Qëndro larg. Holanda na përket neve. Nuk duam xhami dhe muslimanë në lagjen tonë”, të shkruara në holandisht dhe turqisht.
Ata shpërndanë imazhin e parollës në mediat sociale bashkë me flamurin e ngjitur mbi çatinë e xhamisë duke pohuar se pushtuan xhaminë.
Në dy muajt e fundit, PEGIDA, një tjetër lëvizje anti-muslimane e ekstremit të djathtë, kishte në objektiv xhaminë Selimije në qytetin Veghel dhe një shkollë fillore islame në Leiden.