-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Hixhabi është përulje ndaj Allahut dhe respekt ndaj të Dërguarit të Tij

Më të lexuarat

Përulja dhe dëgjueshmëria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë shenja identifikuese e muslimanit në jetën e tij të përditshme dhe organizimin e saj. Në kuptimin e përgjithshëm, është obligim i patjetërsueshëm që muslimani, mashkull apo femër të dëshmojë respekt maksimal për Allahun dhe të Dërguarin në zbatimin e urdhrave dhe largimin prej ndalesave.
“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin diçka, të zgjedhin diç tjetër përveç asaj (që ka zgjedhur dhe caktuar Allahu për ta. Ai që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka humbur në lajthitje të qartë.” (Ahzab, 36)
Kësisoj, me praktikimin e hixhabit – mbulesës, femra muslimane konfirmon përulësinë dhe nënshtrimin e saj ndaj Krijuesit Fuqiplotë dhe këtë ajo e bënë vazhdimisht gjatë jetës së saj. Tërë kohën, derisa ajo e praktikon hixhabin, ajo është në një ibadet dhe sakrificë shumë të çmueshme, ngase në kohën kur praktikimi i rregullave islame është një fenomen i rrallë që kërkon përkushtim e sakrificë, që sulmohet, luftohet e nuk stimulohet, ajo dëshmon se ka zgjedhur rrugën e përuljes dhe nënshtrimit ndaj Allahut edhe pse rrethanat nuk e përkrahin për këtë.
Është e rëndësishme të thuhet se motivi fetar i aplikimit në dukje, veshje dhe paraqitje është e drejtë elementare e besimit, si e këtillë edhe e drejtë e njeriut, andaj trajtimi gjatë debatit lidhur me këtë temë në shoqëritë bashkëkohore, duhet zhvilluar mbi këtë bazë. Shumica e këqkuptimeve lindin dhe zhvillohen pikërisht kur ndodh shpërfillja e motivit fetar të mbulesës dhe kur ajo trajtohet si modë, trend, imazh individual, shoqëror apo të ngjashme. Nëse në fillim të cdo debati dakordohemi se e drejtë elementare është manifestimi i besimit, atëherë, shumë natyrsgëm do të shmangim shumë debate shterpe dhe të pakuptimta, me manifestime jokompetente, shpeshherë edhe bajate e vullgare që ndikojnë në turbullimin e të kuptuarit të hixhabit si praktikë fetare.
Njeriu gjatë jetës dhe veprimtarisë së vet edhe mund të ndodhet në situata e komplikime, zgjidhja e të cilave nuk arrihet me ‘po’ ose ‘jo’, me ‘bën’ ose ‘nuk bën’, por kërkohet pozicionim dhe marrje e qëndrimit konform asaj që ka rekomanduar shpallja, që ka urdhëruar Zoti apo ka preferuar i Dërguari i Tij, edhe pse e gjithë kjo mund nganjëherë të vijë ndesh me atë që neve, shikuar nga një kornizë e ngushtë, na duket e saktë apo e dobishme. Lidhur me këtë, Kur’ani udhëzon:
“Pasha Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre e pastaj të mos ndjejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe derisa të mos nënshktrohen plotësisht.” (Nisa, 65)
Duke u renditur dhe pozicionuar në këtë mënyrë, femra muslimane i jep formë të qartë identitetit të saj, i cili, edhepse në shikim të parë, duket se bëhet pengesë në disa fusha të jetës, si: arsimimi, punësimi, avancimi në karrierë, e të ngjashme, megjithatë, ky identitet bëhet një kornizë mbrojtëse dhe imunizuese, me të cilën ajo bashkëjeton në rehati dhe komoditet brenda qenies dhe (në të shumtën e rasteve) familjes së saj, anipse rrethi dhe shoqëria shpeshherë nuk tregohen sa duhet tolerant dhe të mirëkuptueshëm. Ana pozitive e formësimit të këtij identiteti, pavarësisht rrethanave, është se ai nxit respekt prej të gjitha palëve: përkrahësve, neutralëve dhe kundërshtuesëve. Te përkrahësit shkakton, mes tjerash, edhe një ngrohtësi dhe afërsi mes anëtarëve të komunitetit gjë që njeriun e bën të ndjehet mirë kur sheh se ka edhe të tjerë që e jetojnë jetën sikurse ai, anipse me sfida e probleme. Aplikuesit e këtyre udhëzimeve në përgjithësi i bën më të afërt ndërmjet vete, i bën të ndjehen më të ngjashëm, e shpeshherë i bën borxhli që për të drejtën dhe interesin e vet të angazhohen kolektivisht. Dhe, natyrshëm, në shumë raste një angazhim i tillë bëhet më i frytshëm. Në anën tjetër, edhe tek ata që nuk praktikojnë këtë mënyrë të jetesës dhe veshjes e dukjes, me kusht që të mos mungojë korrektësia, ky identitet ngjallë solidarizim, bashkëndjenjë dhe përkrahje, sidomos kur për shkak të shkeljeve të të drejtave, duhet ngritur zëri.
Kulminacioni i kësaj mirësie identitare arrihet në botën e përtejme kur të jetësohet ajo që ka premtuar Allahu i Gjithëmëshirshëm:
“E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: me pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shoqëri e mirë që janë ata!” (Nisa, 69)
Kjo përulje dhe bindje ndaj Allahut si dhe respekti për Të dhe të Dërguarin e Tij, nuk është thjesht heqje dorë prej lirive, kënaqësive, dëshirave për jetësimin e ëndrrave të ndryshme në jetën e kësaj bote, por është rrugëtim në kërkim të vetvetes dhe identitetit, arritje e dinjitetit, mbrojtjes, imunitetit dhe respektit, ruajtje e vlerës së nderit dhe integritetit dhe, përfundimisht arritje e kënaqësisë së Allahut dhe atë, duke siguruar vend në elitat më të larta dhe më me vlerë të njerëzimit (pejgamberët, e të tjerët).

Hoxhē Ekrem Avdiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit