Shenja dalluese e besimtarëve jo vetëm të Mitrovicës por edhe të Kosovës.
“Vdekja është rehatia e besimtarit” (hadith)
Me 22.03.2011, u bën tre muaj që u nda nga jeta e kësaj dunjaje h. Hamzë Mehmeti. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që të jem fqinj I rahmetliut mbi 45 vite. Prandaj e ndiej si obligim që me disa rreshta ta përkujtoj këtë figurë emblematike, këtë besimtarë shume modest por me vlera dhe merita kolosale.
Ndarja nga jeta e h. Hamzës, për të gjithë ata që e kanë njohur, paraqet një humbje të madhe.
Ai ishte një njeri, I cili tërë jetën e tij afër 100 vjeqare I shërbeu dinit të Allahut xh. sh. dhe ishte në shërbim të popullit ku duhej dhe kur duhej. Kaloi një jetë tejet të begatshme, por rrallëherë ndokush e kishte parë të qeshte. E kishte këtë veti te mu’minit. Ndoshta I vetëdijshëm se besimtari pak qesh, ose pse mërzitej për gjendjen e muslimanëve në botë, vazhdimisht me lotë në sy thoshte “gjersa nuk ta marrim Kudsin, ne nuk mund të jemi rahat, ose ndoshta rrallë qeshej, për shkak që e dinte se Israfili ishte një ditë më afër fryerjes së surit ?
Kishte lindur, sipas tij në v. 1912. Thoshte: “jam lindur me t’ 12-tën, kur ka shku Turku dha ka ardh shkau, por inshalla nuk ma merr Allahu shpirtin pa shku shkau”. Dhe me të vërtetë Allahu ia plotësoj duanë, dhe rahmetliu e përjetoj largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Pas luftës pyeste, se a është ushtria jonë e madhe apo jo? Thonte “nëse nuk kemi ushtri të madhe nuk mundemi me pas shtet të fortë”.
Jeta e tij, në aspektin Islam ka pasur shumë bereqet, sepse për afër 100 vite, ai ka qenë vazhdimisht me abdes, afër 100 vite me namaz, afër 100 vite me lexim të Kur’anit, afër 100 vite salavate, afër 100 vite dhikër, afër 100 vite fjalë vetëm të mira nga gjuha e tij, afër 100 vite ruajtje nga haramet, afër 100 vite dert për Islam, afër 100 vite I lidhur gjithmonë për xhaminë dhe xhematin edhe pse ka pasur rast që vet ta hapi xhaminë, vet ta thirte ezanin, vet të bëhej imam, pa pasur asnjë xhematë pas tij. H.Hamza kishte qenë ne haxhillëk 7-8 herë!. Ky mu’min, Allahu e shperbleftë, vertet ne kohët me te veshtira e kishe mbajtur Islamin sikurse gacën ne dorë. Imami I tij në xhaminë “Isa Beg”, prof. Asllan Murati tregon se kishte rast që, rahmetliu pas namazit të jacisë, shkonte në vendlindjen tij në Lubavec, (afër 30 km. në të dy drejtimet) kurse për namaz të sabahut kthehej këmbë në Mitrovicë, që ta hapë xhaminë dhe ta thëriste ezanin e sabahut. Para afër 40 viteve, treni ia kishte goditur për vdekje një djalë. Pasi që haxhia shkon në vendin e ngjarjes, atij I mbushen sytë me lot. Dikush duke dashur ta ngushëlloj, I kishte thenë: “Haxhi Hamzë, mos u mërzitë, bën sabër”. Ndërsa ky ia kthen: “Nuk po mërzitna për kaderin e Allahut, por po mërzitna që ezani po thërret , kurse unë nuk po mundem me shku në Xhami”!
Ne, të cilit kemi qenë fqinjë të tij, duke e dëgjuar kërroqin e tij, 5 herë në ditë, e kemi ditur se haxhia po shkon në xhami. Jo rallë ecte mu në mes të rrugës pa shikuar anash ose mbrapa. Shikimin e mbante vazhdimisht poshtë, sikurse ka porositur Allahu xh.sh. në Kur,anin famëlartë, dhe pothuajse asnjëherë nuk shikonte përpara. Edhe komunikacioni ndalej në shenjë respekti, madje edhe sërbët e njihnin dhe respektonin. I tillë është ligji I Allahut xh.sh. në tokë. Kur Ai e don dikë, urdhëron Xhibrilin a.s. që edhe ai ta dojë, pastaj e urdhëron që edhe njerëzit në tokë ta dojnë dhe ta respektojnë. Kështu h. Hamza me dekada të tëra e kreu detyrën e muezinit.
Këto kanë qenë kohët e mëhershme kur fatkeqësisht nën udhëheqjen komuniste xhamitë kanë qenë të zbrazëta pothuajse krejtësisht. Mirëpo deshti Allahu xh. sh. dhe atë sistem e përmbysi dhe xhamitë filluan prapë të mbushem me të rinjë. Haxhia gëzohej shumë për këtë rizgjim të islamit, por kur dilte nga xhamia dhe falej ndonjë xhenaze, revoltohej shumë kur shihte masën në oborr të xhamisë ose jashtë saj, që qëndronin pa u falur, dhe iu drejtohej me tërë zërin që kishte “Hajdeni qka po tutëni se u dekë edhe Tita edhe Stalini edhe Enveri, e mos u tutni se edhe Milloshi ka me dekë”.
Ai kishte qenë luftëtar dhe trim I pashoq, dhe kishte mbrojtur pragun e shtëpisë. Mirëpo këtë prag ai e mbrojti shumë më larg se shtëpia e tij. Së bashku me Shaban Polluzhën dhe luftëtarët e shumtë, I kishte ndjekur Çetnikët e Drazha Mihajlloviqit, gjer në Novi Pazar, dhe kishte mbrojtur vëllezërit musliman nga masakra e Çetnikëve. Prandaj ai gëzonte një respekt të madh edhe tek boshnjakët, të cilët e vizitonin edhe në shtëpinë e tij. Për trimërinë e tij të rallë, ai asnjëherë nuk fliste, madje as për luftërat në të cilat kishte marrë pjesë. Disa herë kanë ardhur disa historian në shtëpinë e tij që të merrnin shenime nga ai për këtë luftë. Haxhia edhe përkundër insistimit të tyre nuk kishte dëshirë të fliste, dhe shumë herë I kishte refuzuar. Edhe nëse ndonjëherë jepte disa informata, ai asnjëherë nuk fliste në vetën e parë dhe të përmendte veten. Si duket ishte zotuar se meritat dhe fshehtësitë e tija do t’iu linte në kompetencë vetëm Kiramen Katibinëve- meleqëve, shkruesve të ndershëm, gjer në Ditën e Gjykimit. Pas luftës në Kosovë, haxhia ishte shumë I lodhur dhe kur dikush shkonte ta vizitonte, ai qante. Kur e pyesnin pse po qan, ai përgjigjej,: “Qysh mos me kajtë, jom plakë dhe nuk kom mujtë me luftu, e me ia jep hakun ksaj toke”. Për trimërinë e tij, kemi dëgjuar nga të tjerët, edhe pse kemi jetuar afër 50 vite me te. Dy ditë pasi që kishte ndërruar jetë haxhia, në të pame kishte ardhur haxhi Hilmia nga f. Kqiq. Ky haxhi I cili kishte rreth 90 vite, tregon se “haxhi Hamza ka qenë një trim dhe luftëtar I pashoq, me të cilin kemi luftuar së bashku në luftën e Kolashinit” , dhe vazhdon duke e treguar një betejë në hyrje të Novi Pazarit duke thenë se: ”një grup prej 7-8 çetnikëve e kishin zënë një vend strategjik, dhe ne nuk mund të depërtonim. Mirëpo, haxhi Hamza duke mos na treguar asnjërit, ka shkuar I vetëm dhe I ka vrarë të gjithë grupin”. Pra, siç ka porositur Allahu xh.sh., I mëshirshëm ndaj besimtarëve dhe I ashpër ndaj jobesimtarëve. Është shumë interesant se pasi që e tregoj këtë rast haxhi Hilmiu, fjalën e ka marrë një mysafir tjetër I cili na tha se h. Hilmiu në vitet e 90-ta kur shqiptarët ishin larguar nga objektet shkollore, kishte sjellur ndihma për arsim në vlerë prej 20.000, Marka Gjermane ! Këtë pohim të këtij dëshmitari e kishte vertetuar edhe një tjetër mysafir në të pame. Elhamdulilah se çfarë myslimanësh ka.
Haxhi Hamza duke e ditur vlerën e hajrateve, kishte vendosur që edhe në këtë drejtim të investoj për ahiret. Ai kishte ndërtuar dhjetëra qeshme-kroje në Shalë dhe gjetiu, të cilat edhe sot fuksionojnë!
Në vitet e 70-ta, haxhia, ne shtëpinë e tij kishte filluar ta ndërtoj edhe një dhomë, sepse e kishte vetëm një. Ai vet e ndërtonte, krahas detyrës së myezinit të cilën e kryente. Në atë kohë, për herë të parë tek ne në kinemanë e qytetit shfaqej filmi “Nën flamurin e Muhamedit a.s.” Haxhi Hamza pasi kishte shikuar filmin, erdhi te shtëpia e tij, dhe në shenjë dashurie ndaj Muhamedit a.s. e rënoi murin dhe filloi ta ndërtoj prej qerpiqëve (tulla të papjekura). Kjo ishte vetëm në shenjë të dashurisë së madhe ndaj Muhamedit a.s. Ishte e njejta dashuri të cilën e kishin edhe as’habët ndaj Pejgamberit a.s. Ishte dashuri e njejtë sikur ajo që Aliu r.a. qante sa herë që kalonte në një vend të caktuar , në të cilin vend kur kishte kaluar së bashku me Muhamedin a.s. i Dërguari I Allahut kishte qajtur. Më vonë sa herë që Aliu r.a. kalonte atypari, edhe ai qante. Kur e pyesnin Aliun.r.a , pse po qanë, ai ishte përgjigjur: “në këtë vend e kam parë Muhamedin a.s duke qajtur dhe në shenjë dashuri ndaj tij edhe unë po qaj”.
Haxhia, jo vetëm që praktikonte krejt ate që e dinte nga Kur’ani dhe syneti I të dërguarit a.s., por ai edhe me veshmbathje të përkujtonte as’habët e Muhamedit a.s. Një mik imi së voni më kishte thenë se kur e shikoja haxhinë, I shihja as’habët e Muhamedit a.s. Të njëjtat tesha I vishte edhe nëse ishte temperatura + 40 gradë, dhe të njëjtat I kishte edhe në dimër, nëse temperatura ishte minus 20-30 gradë! Kur e pyesnin, haxhi a po nerth, përgjigjej “Jo jo, tamon e kom Elhamdulilah” , kurse gjatë verës e pyesnin haxhi a e ki nxet, përgjigjej “jo jo, tamon e kom Elhamdulilah”. Gjithashtu edhe dhomën e kishte të tillë që ta përkujtonte kohën e muslimanëve të parë, në mure kishte disa levha, kishte një Kur’ran arabisht që vazhdimisht e lexonte, dhe një Zot e din se sa hatme I ka bërë gjatë jetës së tij. E mbante një kasetofon të vogël, në të cilin e lëshonte një kasetë të cilën ia kishte dërguar personalisht muhadithi I njohur nga Siria shejh Abdylkadër Arnauti me derset e tija, Allahu e mëshiroftë. Abdyl Kadër Arnauti kishte qenë mysafir I haxhi Hamzës dhe e respektonte aq shumë, sa që gjithmonë kur shkonte dikush te ai në Siri, e pyeste personalisht për haxhi Hamzën dhe I dërgonte haxhisë ndonjë selam, Allahu e shpërbleftë. Haxhia në dhomën e tij asnjëherë nuk ka pasur televizion, madje edhe nëse ishte dikund mysafir, ai nuk e shikonte ate, përveq nëse kishte ndonjë emision ose inqizim me përmbajtje Islame. Për këtë haxhia e kishte vizionin aq të pastërt, sepse ai nuk e kishte kontaminuar trurin me dezinformata të shumta nga televizioni.
Pas lufte e kishte goditur një veturë, dhe haxhisë, pasi që I kthehet vetëdija e pyesin haxhi qysh je? Ai përgjigjet “Unë jom mirë Elhamdulilah, por a po më qoni te ai njeri që më ka shkel”. Kur e pyetën pse haxhi? Tha:” Me shku me e pa, se ai I ngrati mërzitet ma shumë se unë”. Kohën e fundit ai shumë pak hante, të pamurit e kishte humbur gati krejt dhe ishte lodhur mjaft shumë. Kur e pyesnin haxhi a po mundesh me hongër, ai përgjigjej “tona të mirat e Zotit po i ha”, të tjerët e pyesnin haxhi a po sheh, ai përgjigjej “Boll po më bojnë idare sytë”. I tillë ishte haxhi Hamza, I cili as nuk gëzohej shumë e as nuk pikëllohej shumë, sepse e dinte që të dyjat janë të përkohshme. Ishte një njeri, të cilin ajo që e shihte nuk e largonte nga ajo që e dinte.
Duke parë njeriu devotshmërinë e haxhi Hamzës, bindej më tepër në fjalët e Imam Shafiut r.a., I cili kishte thenë: “E kam lutur Allahun që të ma shtoj diturinë, dhe Ai ma ka shtuar, por sikur ta dija, do ta kisha lutur që të ma shtoj devotshmërinë”.
Kur filluan shpërnguljet e shqiptarëve, viteve të 90 –ta, për në perëndim, haxhi Hamza mërzitej tepër. Ai duke I shikuar proceset me syrin e besimtarit-me syrin e zemrës, gjithnjë I porosiste ata që shpërnguleshin: “Ruajini fëmijët se për juve nuk po tutna por, kqyrni fëmijët se atje I bojnë për veti. Fëmijët I keni amanet”. Dhe fatkeqësisht, të gjithë jemi dëshmitarë se vizioni dhe zemërimi I haxhi Hamzës kanë qenë me bazë. Rahmetliu shpesh thonte: “Çuditem me njerëzit, shenjat e Allahut xh.sh. I shohin gjithkun dhe prap nuk po e ndëgjojnë, kurse shejtanin nuk pe shohin kurkun dhe sa shumë po shkojnë pas tij”. Pas lufte thonte: “Prej shkijeve nuk tutna se shqiptarët I njohin shkijet, po tutna prej qytyne t’huajve, se kta I mashtrojnë shqiptartë”. Përkundër dertit që e kishte ai prap ishte optimist për Islamin dhe myslimanët dhe se ishte I bindur kur thoshte “Vallahi e mira ka filluar edhe ka marrë fund kjo punë, dhe se myslimanët me emër të Allahut kanë me fitu”
E tillë ka qenë jeta e haxhi Hamzës në pika të shkurta. Jeta e tij e gjatë dhe e begatshme mund të studiohet në aspekte të ndryshme si: njeri shumë I devotshëm, humanist I madh, durimtar I cili pothuajse tërë jetën e kaloj me sprova të ndryshme, asket, luftëtar-muxhahid, etj. Dikush me siguri inshalla do të shkruaj në të ardhmen për këtë figurë komplekse, më gjërësisht. Po të ishte ende në mesin tonë, ai një gjë të tillë nuk do t’ia lejonte ta bënte asnjë njeri në botë. Mirëpo, ai e meriton të shkruhet për te. Së paku për ne të tjerët, që të nxjerrim mësim nga jeta e tij. Fjalët e tija të pakta të përcjella me vepra të mëdha, do të jetojnë gjatë, gjersa shumë të tjerë që ende marrin frymë do të jenë të vdekur.
Duhet theksuar se një ditë pasi që është varrosur haxhi Hamza, hoxha I nderuar mulla Fatmir Latifi, imam në xhaminë e Shipolit, kishte folur për rahmetliun, gjatë namazit të xhumasë, në xhaminë e cila gjithmonë është e stërmbushur. Mulla Fatmiri, I revoltuar në mes tjerash kishte thënë se, në varrimin e rahmetliut ka qenë dashur të marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë shtetëror, duke filluar që nga Kryetari i shtetit, Kryeministri, Kryetari i Komunës, etj, sepse kemi humbur një njeri që ka kontribuar afër 100 vite për këtë popull, ka qenë një njeri që qielli dhe toka qajnë për vdekjen e tij, dhe se për shkak të ibadetit të tij Allahu xh. sh. banorët e këtij nënqielli, ndoshta i ka kursyer prej ndonjë fatkeqësie. Fjalët e tij ishin përcjellur me emocione të mëdha nga I gjithë xhemati, ku shumica prej tyre nuk mund t’I ndalnin lotët.
Por, do të shtoja, çka din farkatari se çka është ari.
Haxhi Hamza ka qenë një besimtarë unikat në kohën në të cilën ka jetuar, dhe si I tillë mund të konsiderohet se ka qenë shenjë dalluese e besimtarëve jo vetëm në Mitrovicë, por shumë më gjërë.
Duke e falënderuar Allahun xh.sh. që ma ka mundësuar që ta kem një fqinjë të tillë, I lutem Atij që ta ketë marrë rahmetliun nga ngushtica e kësaj dunjaje në gjerësitë e xhenetit Firdeus, Amin.
Mr. Saad R.Gashi