2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

HASAN TAHSINI “NDERI I KOMBIT” PËR DITURINË DHE ARSIMIN

Më të lexuarat

Në qoftë se do të jepnim me një fjalë thelbin e një njeriu si rilindësi Hasan Tahsini, atëherë do të thoshim se kjo është “Dituria”, ai ishte mishërim i dijeve.

Pra ai është një personalitet që si shprehet vetë: “e kërkoi diturinë kudo që ishte, prej djepit deri në varr”dhe kurrë nuk reshti për ta gjetur atë. Sipas Sami Frashërit: ‘Libri kurrë nuk i binte nga dora, vendi ku rrinte dhe shtrati ku flinte, ishin rrethuar me libra.

Leximin i ndjeri e linte vetëm përkohësisht, atëherë kur do të mësonte të tjerët… Fjalët e tij ishin leksion i një niveli të lartë dhe bisedat e tij kishin thellësinë e një deti të dijes. Ai ishte një dijetar kalibri të madh dhe për të kish vend fjala ALIM, si përdorej në Lindje edhe fjala SAVANT në perëndim. Shqip ne do ta thoshim njeri i dijes, diturak i gjithanshëm, një enciklopedist, një erudit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, një ‘pus’ i dijeve dhe shkencave. Fjala dituri për këtë figurë të rilindjes sonë kombëtare përbën kuptimin e jetës së tij. Ai mblodhi dijet tërë jetën e tij dhe i shpërndau pa kursim. Synimi i tij ishte arsimimi i popullit të vet. Ai ishte një iluminist, që për sa kohë i rrahu zemra, u përpoq të ndriçojë mendjet e njerëzve dhe sidomos të brezit të ri. Ai ishte dhe mbeti një personalitet i përmasave tepër të mëdha në rang perandorie dhe për krejt kombin e vet. Dimensionet e tij ishin europiane e pse jo edhe botërore.

Natyrisht të merresh me një rilindës si Hasan Tahsini në dy drejtime si për diturinë dhe arsimin, kjo do të shkonte gjatë. Në kuadrin e një shkrimi të thjeshtë ne u kufizuam të ndriçojmë disa nga problemet dhe idetë që ai ngre në një moment kulmor të jetës së vet, pikërisht në fjalimin e shkurtër që ai mbajti në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot. Ky moment si rektor i univesitetit të një perandorie të tërë shënon apogjeun e tij si personalitet.

Hasan Tahsini sikurse të gjithë rilindësit e tjerë, me anën e arsimit donin të zgjonin   popujt e perandorisë në përgjithësi. Kurse për sa i përket rilindësve shqiptarë dëshironin, duke i mësuar gjuhën shqipe, të shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndjenjën etnike, lartësimin kulturor dhe aftësimin e tij për jetën shtetërore të pavarur.

Dihet se rilindësit tanë përfshi edhe Hasan Tahsinin s’i ndërprenë kurrë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit si në rang perandorie, ashtu edhe në nivel kombëtar. Pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rilindësit zgjodhën fushën e arsimit dhe të diturisë, si rrugën që do të siguronte arritjen e pavarësisë kombëtare.

Edhe Hasan Tahsini në tërë veprimtarinë e tij u bë një ideolog i popullit të vet, një mësues që i ndriçoi rrugën drejt emancipimit të tij kombëtar e shpirtëror. Me arsimimin e kombit të vet rilindësit tanë, me në krye Prof. Hasan Tahsinin dhe Frashërllinjtë, synonin disa qëllime kryesore: të krijonin njerëz të mirë, qytetarë të mirë, profesionistë të mirë, por edhe atdhetarë të mirë. Ata synonin pavarësimin e kombit shqiptar dhe ndërtimin e një demokracie të re shtetërore si mjet, që do ta çonte atë drejt progresit.

Personaliteti i Hasan Tahsinit merr vlerë për faktin, se kulturën dhe diturinë e tij të gjerë e vuri në shërbim të atdheut dhe të njerëzimit.

Në shtator të vitit 1869, Hasan Tahsini u emërua si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi, bashkëpunëtorët që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për të dhënë njohuritë e reja shkencore perëndimore janë dëshmia më e qartë e nivelit të tij. Ai ishte një drejtues i aftë, një punëtor i palodhur, një përhapës i njohurive shkencore. Si autor i veprave shkencore, letrare, përkthyes e publicist, ai u shqua për vëllimin e madh të botimeve, larminë tematike, thellësinë e njohurive dhe karakterin funksional të tyre.

S’ka enciklopedi turke që të mos i kushtojë qoftë edhe disa rrjeshta këtij kolosi të arsimit.

Hasan Tahsini është nga ata heronj të mendimit, që ngjet si dy pika uji me dijetarët arabë të mesjetës si dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit 18-19. Sa për të ilustruar këtë po bëjmë një krahasim me një dijetar të famshëm të mesjetës arabe. Ebu Hanifeja (699-767) themelues edhe i një shkolle juridike në Bagdad me emrin e tij.

Dihet që Hoxha Tahsini ka qenë doktor në jurisprudencën islame dhe me dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. Bashkohësit për Ebu Hanifenë kanë thënë: “Sikur të matej dituria e tij me diturinë e gjithë bashkohësve të tij, do të peshonte më shumë dituria e Ebu Hanifesë.’ Kjo vlen edhe për Hoxha Tahsinin. Peshorja po të viheshin në kandar do të anonte nga rilindësi Tahsin.

Duke bërë këtë krahasim me dijetarë të mëdhenj të botës arabe nuk mund të mos na kujtohet cilësimi i Sami Frashërit që e quan Tahsinin tonë një Ibn-Sina shqiptar. Veç të tjerash, Hasan Tahsini në fushën e diturisë ngjet me dy filozofët e famshëm dhe figurat qendrore të kalifatit arab me Ibn Ruzhdiun në perëndim dhe Ibn Sinën në lindje, sidomos për qëndrimin që u mbajt ndaj veprës së tyre. Kështu vepra e Hasan Tahsinit u denigrua dhe u la në harresë për dekada të tëra. Edhe në qoftë se diçka lëvizi nga kjo i takon jointeresimit shtetëror por dashamirësve të tij dhe të veprës së tij. Njësoj u veprua pas vdekjes së Ibn Sinës dhe të Ibn Ruzhdiut. Ata u shpallën ‘mëkatarë’ në të gjallë të tyre e aq më tepër pas vdekjes dhe ajo që e pësoi më tepër ishte vepra e tyre. Sipas H. Koliqit mësimet filozofike të Ruzhdiut për kohën ishin shumë të avancuara, ndaj dhe ato fillimisht i dënoi Universiteti i Parisit (1240) dhe papa Leon (1519). Enciklopedia e madhe filozofike (logjike, fizike, metafizike) e Ibn Sinës me titull “ESH SHIFA”, në 18 vëllime me urdhrin e kalifit të kohës u dogj publikisht në Bagdad pas vdekjes së tij më 1160. Pra qoftë Avicena, qoftë Averroesi të dy filozofë e shkencëtarë të shquar kanë pasur pak a shumë fat të njëjtë me veprën e tyre me dijetarin, filozofin e shkencëtarin Hoxha Hasan Tahsini.

-II-

Disa dekada më parë na dukej si ëndërr se do të vinte një ditë që në duart tona do të kishim fjalimin e Hasan Tahsinit në inagurimin e universitetit të parë të Perandorisë Osmane. Po ja që koha bën të vetën. Botimet më të fundit të bëra në Republikën Turke na e bënë të mundur një gjë të tillë dhe sot unë kam fatin të shpalos disa nga problemet dhe idetë që parashtron rilindësi ynë në fjalën e tij para fidanishtes të arsimit të një shteti të madh që shtrihej asokohe në 3 kontinente. Eshtë në nderin dhe krenarinë tonë si shqiptarë që në krye të universitetit u vu si drejtor një shqiptar i madh si Hoxha Tahsini. Në vite kemi qenë në kërkim të ngjarjeve të universitetit, të cilat në shumicën e burimeve osmane kaloheshin me disa rreshta. As që mund të mendohej dhe shpresohej më shumë me gjendjen e kërkimeve studimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Turqisë gati gjysmë shekulli më parë.

I vetmi informacion në lidhje me inagurimin e universitetit osman ishin disa rreshta nga Mehdi Frashëri. Ai shkruante në një revistë të kohës së Zogut më 1934 se “Sami Frashëri disa vjet më vonë e kujtonte fjalimin e tij si një fjalim programatik që dëshmonte për dijenitë e gjera dhe shquhej për rrjedhshmëri mendimi”. Vite më vonë në kërkimet e mia të parreshtura rashë në gjurmë të fjalimit të ministrit të arsimit të asaj kohe, Safet Pashës që kish folur në çeljen e universitetit, po edhe ky jo i plotë. Do të kalonin vite e vite derisa të binte në duart e mia fjalimi origjinal i rilindësit tonë Hoxha Tahsini në ceremoninë solemne të kësaj ngjarjeje jo të zakonshme për të gjithë kombet e popujt e perandorisë përfshi edhe shqiptarët. Le t’ia lëmë fjalën Mehdi Frashërit dhe burimeve nga ndonjë enciklopedi në lidhje me fjalimin e Hoxhë Tahsinit në Universitet. Shemsedin Sami Frashëri Mehdi Frashërit i pati thënë ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideo-shkencor dhe ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.” Ishte një fjalim “i pashembullt” dhe me pak doreza – shkruan Mehdi Frashëri. Kuptohet s’kish si bënte ndryshe në mjedisin e kohës…

Në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me ceremoninë e inagurimit të universitetit kemi këto të dhëna nga një burim autoritar. Më 21 shkurt të vitit 1870, pranë mauzoleumit të sultan Mahmutit u bë përurimi i godinës së re të universitetit. Në lidhje me këtë rast në një nga enciklopeditë e fundit turke, (Turk Ansiklopedisi vol.12 Ankara 1964 faqe 320-322) lexojmë: “U bë një ceremoni madhështore ku morën pjesë mijëra vetë, kryesisht studentë të medreseve të Stambollit. Gjithashtu edhe personalitetet më të larta qeveritare si kryeministri, ministri i arsimit, personalitete të ndryshme të kulturës, gazetarë, klerikë te rangjeve të ndryshme… Në këtë ceremoni u mbajtën disa fjalime. E mori fjalën në fillim ministri i arsimit të asaj kohe Safet Pashai, pastaj foli kryetari i komisionit të lartë të arsimit turk Mynif Efendiu dhe rektori i Universitetit Hoxha Tahsin Efendiu. Këta të tre folën në gjuhën turke. Në miting u mbajtën fjalime edhe nga pedagogët Xhemaledin Afganiu në gjuhën arabe dhe Aristokli Efendiu frëngjisht”. Në një botim të fundit për universitetin në Republikën Turke jepet edhe fjalimi i Hoxha Tahsinit me këtë titull: “Ligjërata e drejtorit të universitetit të përndritshmit Tahsin Efendi”. Duke lexuar këtë fjalim apo ligjëratë publike njeriu nuk mund të mos ndjejë jehonën e mendimit të lashtë grek, mendimit të mesjetës arabe dhe mendimit iluministi francez, sepse Hasan Tahsin kishte jetuar vetë në Francë.

Në fjalën e vet para universitetit ai u ndal në mënyrë të koncentruar në disa probleme.

Së pari: Universiteti që sapo inagurohej ishte një portë, që po i hapej dijes më të përparuar në botë shkencës. Ishte një nivel i lartë i arsimimit që s’ishte arritur ndonjëherë.

Së dyti: ishte një mundësi më e madhe që iu jepej popujve që jetonin nën ombrellën e perandorisë osmane e sidomos brezit të ri.

Së treti: Ishte një shkallë më lart në rrugën drejt progresit e drejt qytetërimit. Këtu ai iu referua dijetarëve të lashtësisë në lidhje me rolin e dijes për të ngjitur njëra pas tjetrës shkallët e qytetërimit botëror.

Së katërti: Ishte një mundësi për të zbuluar kapacitetet mendore që kish perandoria dhe për të përgatitur kuadro të reja. Theksin e vuri në përgatitjen e nëpunësve që do të punonin në aparatin gjigant të kësaj perandorie.

Së pesti: Arsimimi deri në universitet krijonte mundësi të reja për të luftuar me injorancën, me analfabetizmin, për të shëruar një nga plagët e rënda të shoqërisë osmane.

Së gjashti: Duke u shtuar dhe shumëfishuar mundësitë e arsimimit i kufizohej terreni i veprimit të krimit, të dhunës, pakësohej sasia e tyre dhe sigurohej ecje përpara me njerëz të kulturuar.

Së shtati: I hapej rruga zhvillimit, përparimit, ecej me siguri drejt një të ardhmeje më të mirë. Bëhej e mundur përdorimi gjithnjë e më tepër i arritjeve të shkencës, teknikës e teknologjisë.

Së teti: Bëhej i mundur një zhvillim në gjerësi në të gjitha fushat që nga mjekësia e deri tek zhvillimi fizik e mendor i njerëzve. Ngritja e spitaleve e farmacive e kufizonte përhapjen e sëmundjeve. Zhvillimi i arsimit ishte dhe zhvillim i kulturës, çonte në ngritjen e bibliotekave, të muzeve e të tjera të ngjashme me këto.

Së nënti: Duke ecur me vendosmëri në rrugën e zhvillimit e përsosjes së arsimit bëhej e mundur edukimi i brezit të ri, i rinisë, për të ecur ajo në rrugën e përvetësimit të shkencës dhe të dijeve, të teorive më të përparuara të kohës. E armatosur me to rinia shkallë-shkallë i ngjitej rrugës së përparimit.

Së dhjeti: Hoxha Tahsini i bëri thirrje popullit të perandorisë që shekulli që jetonin ishte shekull i zhvillimit të shpejtë të dijeve. Koha nuk priste e të linte pas prandaj fuqishëm të rinjtë duhet t’u drejtoheshin dyerve të Universitetit të sapohapur. Në këtë drejtim për rrugën që do të ndiqej nuk kish e nuk mund të kishte dilema. Shekulli që po jetonin ishte koha e një zhvillimi të hovshëm e të vrullshëm të shkencave të vjetra e të reja.

Shekulli që po jetonin ishte një shekull i dritave jo vetëm në kuptimin e përhapjes së dijes, por ishte qindvjeçari i përhapjes së dritës, në kuptimin e mirëfilltë material që ka kjo fjalë. Zbulimi i elektricitetit në fund të shekullit të 19-të dhe i telegrafit etj, përhapnin dritën në kuptimin figurativ të arsimit, por dhe dritën reale, dritën e vërtetë. Prandaj kishte të drejtë kur ngrinte fuqishëm e me forcë nga ballkoni i universitetit profesori Hoxha Tahsin i armatosur me tre doktorata që duhet të hyjmë sa më parë në universitet në këtë tempull të dijes e të shkencës. Duhet të hyjmë krah për krah të bashkuar si një familje. E donte e mira vetjake, e familjeve, e kombit, e atdheut, e krejt perandorisë. Ndaj i drejtohet turmës prej disa mijëra vetësh që po e dëgjonte në përurimin e universitetit: “Ej mileti osmanije” Ej milet, o populli osman i Perandorisë osmane.”

Nuk harron të theksojë profesor Hasan Tahsini jo vetëm nevojën e arsimimit të përgjithshëm po shtron si një nevojë të domosdoshme dhe arsimin profesional në degët e ndryshme për të cilat shteti i madh perandorak kish aq shumë nevojë.

Është interesant ta shohim ligjëratën e profesor Hasanit, rilindësit tonë edhe në një pikëpamje tjetër: Çfarë fjale përdor ai më shumë në fjalimin e tij. Këtu duke e nisur nga numri i tyre por dhe nga përmbajtja do të dallojmë tre grupe apo tre kategori fjalësh.

Më shumë nga të gjitha që janë përdorur mbi 10 herë janë fjalët edukim, arsim, shkencë, përparim. Pastaj janë një grup fjalësh mbi 5 herë si: moral, qytetërim, universitet, shtet, popull, popullsi, kulturë, shoqëri, trup, zhvillimi fizik i njeriut, milet dhe kategoria e tretë janë fjalët: lëvizje, rini, rregull, pronë, atdhe, informacion, drejtësi, dritë, ndërtim, qeveri, mendje, dije etj.

Edhe nga kjo paraqitje sasiore e fjalëve që përdoren në ligjëratën e Hoxha Tahsinit njeriu nuk mund të mos konkludojë se tek rreh çekani i rilindësit tonë. Prioritet për të është arsimi, shkenca, përparimi i gjithanshëm e sidomos i rinisë. Së dyti, prioritet ka për të zhvillimi shpirtëror e fizik i individit në veçanti, por dhe i shoqërisë në përgjithësi. Dhe së treti në vëmendjen e tij janë puna që duhet të bëjë shteti, qeveria nëpërmjet ligjit dhe forcës së dijes për të çuar atdheun, vendin përpara, për të përgatitur brezin e ri, filizat e së ardhmes më të mirë.

Dhe tani le të ndalemi te disa ide që përshkojnë fjalimin për të cilat kemi përkthyer ‘mo ta mo’ nga origjinali disa pjesë, fragmente që flasin më së miri për parametrat e rilindësit tonë, për përkushtimin e tij ndaj diturisë e arsimit.

‘Në një komb (popull, milet) investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për vendin (atdheun) është pasuria më e madhe. Afërsisht kështu e fillon fjalimin e tij Hoxha Tahsini. Dihet qoftë për një njeri të vecantë, aq më tepër për një komb, investimi më i mirë me fitim të madh është investimi në dije dhe vlerat si njeri mund t’i rrisësh duke marrë jo thjesht sa më shumë dije, por dije cilësore. Një fjalë e urtë thotë se ‘boja e penës së dijetarëve peshon më shumë se gjaku i shehidëve (dëshmorëve). Aq e vlefshme është dija sa me të drejtë thuhet ‘Kërkoje diturinë qoftë dhe deri në Kinë.’ Dituria është tipar sidomos i intelektualit. Me të drejtë miku im profesor, Ahmet Osja thotë: ‘Njeriu në radhë të parë prodhon mendim, por mendimi i shkruar është pasuri.’ Do të shtonim që kjo pasuri e madhe janë veprat e dijetarëve, shkencëtarëve e filozofëve etj.

Prapë le t’i referohemi ligjërimit të Tahsinit në inaugurimin e universitetit:

“Siç del nga shumë vepra që kanë lënë në fushën e politikës Aristoteli dhe Platoni kanë thënë që për përparimin e një shteti, pikëmbështetja më e fortë për këtë është edukimi i mirë. Dihet që Platoni në veprën e tij ‘Republika’ si qeverisje ideale konsideronte atë që në krye të ishin njerëz të dijshëm, filozofët, dijetarët, kurse Aristoteli ka qenë ‘princi’ i dijeve të antikitetit, zotëruesi dhe ‘mendja më universale’, midis grekëve. Platonit i takojnë edhe këto fjalë që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit. Ushtrimet fizike të bëra me detyrim ndikojnë mirë tek trupi, por dijet e marra me detyrim nuk mbeten në mendje.

Një mendje e hapur si profesor Hasan Tahsini nuk mund të mos u referohej dy korifejve të diturisë në lashtësi veprat e të cilëve u rezistuan shekujve dhe erdhën deri në ditët tona në një pjesë të mirë të tyre. Se ç’rëndësi ka edukimi i mirë e jep dhe akademiku rumun me origjinë shqiptare Nikolla Jorga. “Fëmija nuk i detyron prindërve jetën, por edukatën.”

Ecim më tej. Në paragrafin e gjashtë të ligjëratës së tij, Hasan Tahsini më pas shkruan kështu: ‘Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje (d.m.th. pas hapjes së universitetit L.B), duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mendjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë.’ Në këtë pasazh të shkurtër ke dhe ideologun dhe shkencëtarin dhe letrarin të shkrirë në një. Nuk mund të shprehen më mirë vlerat e një institucioni të lartë të dijeve siç qe hapja e universitetit dhe rrezatimi i tij me to (d.m.th. dijet).

Është interesante se sa qartë e shkurt e shpreh vlerën e këtij rrezatimi në disa drejtime. Ja ç’thotë iluministi ynë: ‘Arsimi duke u shumëfishuar, dhuna pakësohet.’ Këto fjalë të arta të tij, ai i sqaron më përpara e më pas. Me arsimin e njerëzve, bie analfabetizmi, ulen shifrat e krimit etj. Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës. Më poshtë kam dy shprehje që në mënyrë të goditur japin rolin e arsimit në përparimin e vendit. Ai flet për arritjet më të fundit në shkencë e teknikë ‘Është e nevojshme – thotë Hoxha Tahsini – që progresi të bëhet shkallë-shkallë dhe flet për atë që e quan ‘vapori i perparimit’

Hoxha Tahsini me këtë ligjëratë e idetë që përçon në të si rektor i një universiteti perandorak, hyn në radhën më të lartë të llojeve të mësuesve. ‘Mësuesit mediokër tregojnë, mësuesit e mirë shpjegojnë, mësuesit superiorë demonstrojnë, mësuesit gjenialë frymëzojnë’ ka thënë një i ditur. Hasan Tahsini është në radhën e këtyre të fundit. Me figurën e tij u bë burim frymëzimi si në brezat bashkëkohës të tij, ashtu dhe për ata që erdhën më pas deri në ditët tona.

Hasan Tahsini mendonte se përhapja e diturisë përbënte një mision të lartë jo vetëm shoqëror, por dhe kombëtar. Ai synonte si rilindësit e tjerë që nëpërmjet dritës së diturisë e arsimimit, të zgjohej e të forcohej ndërgjegja kombëtare. Çështja e alfabetit unik për të cilën ai punoi me mish e me shpirt, kishte të bënte me interesat shpirtërore të kombit tonë, si të shkruhej mirë gjuha e si të përparonte dituria. Ai kishte njohuri të jashtëzakonshme për alfabetet që nga lashtësia siç thotë albanologu Niko Stillo: ‘Shkronjat këmbët e milingonës janë vërtet të vogla por shumë të fuqishme për përparimin, për përhapjen e diturisë.” “Alfabeti është armë e diturisë dhe e progresit’, thoshte vazhdimisht profesor Tahsini.

Do të doja ta mbyllja këtë shkrim me paragrafin e fundit me të cilin e mbylli Profesor Doktor Hasan Tahsini ligjëratën e vet në inaugurimin e Universitetit Osman dhe me dy poezi që shkroi ai me këtë rast. Të duket, ndonëse ka kaluar rreth 150 vjet sikur ai po na drejtohet ne të gjithëve sot. Fjalëve të tij s’mund t’u heqësh asnjë presje.

“Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë!

Ej, bijtë e atdheut, vatanit!

Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qenë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vend të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën: Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje!

Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë (sa më parë) në Universitet!’’

Fill pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve që po u fliste i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë Prof.Dr. Hasan Tahsini lexoi dhe të dyja poezitë e krijuara prej tij. E para kish të bënte me datën e inaugurimit të Universitetit ndaj e shkroi si distik (dyvargësh) e cila në bazë të një teknike të caktuar, të ebxhedit jepte datën e çeljes së universitetit. 21 shkurt 1870, atë ditë që foli Tahsini. Kjo u shkrua e gdhendur në një tabelë të mermertë dhe u var tek porta e hyrjes së Universitetit. Distiku ishte ky:

‘’Të lexohet data e ditës së inaugurimit të mësimit.

U çel me madhështi, Universiteti Darylfynun-i Osmani’’!

1286 H (1870)

Në fakt ky nuk ishte rasti i parë që poezitë e Hasan Tahsinit zbukuronin muret e ndërtesave të Stambollit, por në këtë rast kemi një institucion të rëndësishëm publik. Një autor turk Nexhip Asimi na bën me dije se që në vitin 1874 një nga poezitë e Hoxha Tahsinit, ajo për gjithësinë, strofa e saj e parë në formë tabele e gdhëndur, varej në muret e dyqaneve të mijëra zejtarëve të Stambollit.

Ndërsa strofa e dytë shprehte entuziazmin e vetë profesor Hasan Tahsinit për çeljen e Universitetit Perandorak, rektor i parë i të cilit ai pati nderin të jetë:

‘’Ej Tahsin, njerëzit e dijes,

Në këtë ditë të shënuar kanë pohuar

Drita e shkencës së Universitetit

Studentët ka për t’i ngazëlluar!’’

Urojmë që në një të ardhme sa më të afërt drita e dijes dhe e shkencës së rrezatuar nga një universitet të ketë vend edhe në Lisusin apo Lezhën sa të lashtë aq dhe të re!

 

Dr. Laurant Bica

Referencat:

  1. Mehdi Frashëri ‘Revista Minerva’, Tiranë 1934, Nr.23-24
  2. M.K Inal ‘Son asir turk sairleri’, Istanbul 1969, vol.2, faqe 1883
  3. ‘Universiteti’ Stamboll 2012 faqe 963-964
  4. Laurant Bica ‘Prof.Hasan Tahsini’ Ëestprint Tiranë 2009, Vol.2, fq 7-56, 322, 509-520
  5. Sami Frashëri ‘Revista Hafta, Hoxha Tahsin’ Stamboll 1881, Nr 5-6
  6. ‘Turk Ansiklopedisi’, ‘Darulfunun’ vol.12 Ankara 1964 faqe 320-322
  7. Historia e shkollës dhe e mendimit pedagogjik në Shqipëri Tiranë 2008
  8. Hajrullah Koliqi ‘Kur perëndia identifikohej me diturinë’Prishtinë 2011

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit