Një rast kontroversial terrorizmi në Kosovë, ku dy të akuzuar u gjetën fajtorë për pjesëmarrje në një organizatë të dyshuar terroriste, ‘Harausham’ – për të cilën BIRN ka zbuluar se mund të mos ekzistojë fare – vazhdon t’i vërë në siklet zyrtarët e lartë të drejtësisë.
Në një konferencë mbi gjyqësorin në Kosovë të premten, organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi iu përgjigj duke qeshur një pyetjeje mbi aktakuzën kontroversiale të ngritur nga kolegu i tij, Kryeprokurori Special Reshat Millaku.
“Këtij rasti s’kam çka me i thënë – u përgjigj Lumezi duke qeshur dhe duke ngritur duart – me rëndësi është që gjykata paska pru aktgjykim dënues”.