0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Hapet zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”

Më të lexuarat

Në prani të krerëve të institucioneve të larta të Kosovës dhe mysafirëve nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Shqipëria, sot është inauguruar zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi” Prishtinë – Hani i Elezit.

Autostrada e re përbëhet prej 13 urave, duke përfshirë edhe urën më të gjatë në rajon, me gjatësi prej 5.7 kilometrash me mbi 1.400 trarë të vendosur në këtë urë. Punimet në ndërtimin e kësaj autostrade kanë nisur nga muaji korrik i vitit 2014.

Sipas ministrit të Infrastrukturës të Kosovës, Pal Lekaj, se autostrada i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 706 milionë euro, ndërsa, siç tha ai, “për pesë vjet ajo ka qenë gjeneruese e vendeve të punës, me 9.449 punëtorë”.

Në inaugurimin e autostradës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se autostrada moderne i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por edhe tërë rajonit.

“Rajoni ynë ka nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, po aq sa ka nevojë Kosova për zhvillimin e rajonit. Pra, jemi sot këtu bashkë për t’ju gëzuar kësaj vepre moderne që jep një pamje të re jo vetëm peizazhit të Kosovës, por edhe tërë rajonit tonë, si një hapësirë që e kemi dashur së bashku nëpër shekuj”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo autostradë është projekt madhor i Kosovës dhe një investim që ia ka vlejtur.

“Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re. Pra, kjo është Kosova e re, Kosova e zhvilluar, Kosova moderne, Kosova evropiane”, tha Thaçi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili po ashtu ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, tha se autostrada do të përshpejtojë dinamikën e marrëdhënieve mes qytetarëve dhe mes komuniteteve të biznesit të më shumë vendeve të rajonit.

“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ paraqet motivim edhe për ne që të përshpejtojmë procedurën. Edhe ne së shpejti do të shpallim tender për 14 kilometra rrugë nga Bllaca deri në Shkup, me çka rruga Shkup-Prishtinë do të përshkohet për 45 minuta”, tha Zaev gjatë përurimit të autostradës.

Po ashtu edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nga ana e tij tha se Kosova me këtë autostradë tregoi se është faktor stabiliteti që ndërton ura në rajon. Ai tha se është interes strategjik i Kosovës që të lidhet me autostradë edhe me Malin e Zi.

Për përfundimin e punimeve të autostradës “Arbën Xhaferi”, përveç konzorciumit amerikano-turk të kompanive ndërtimore Bechtel-Enka, kanë qenë të kontraktuara edhe 900 kompani vendore. Nga mbi 9 mijë punëtorë të angazhuar për ndërtimin e kësaj autostrade, 80 për qind e tyre kanë qenë punëtorë nga Kosova.

Në këtë inaugurim morën pjesë edhe anëtarë të familjes së politologut të ndjerë Arbën Xhaferi./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit