2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Hafiz Safet Basha (1920-1987) – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Hafiz Safet Basha ishte myezin, imam, myfti, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren dhe anëtar i Kryesisë dhe Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame të Kosovës…

Lindja, shkollimi dhe diplomimi

Safet Basha lindi me 14 Qershor 1920, në Prizren, në kryeqytetin shpirtërorë të shqiptarëve, në qytetin me vlera të mëdha historike, në qytetin me pamje e frymë islamike…

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ndërsa në moshën 12-të vjeçare e filloi mësimin e Kur’anit të Shenjtë përmendësh, nën kujdesin e Hafiz Qamil Imamit, i cili ka qenë imam, mësues e predikues në Xhaminë kryesore të Prizrenit, në Xhaminë Bajrakli, aty ku u mbajtë Kuvendi Kombëtar, nga prijësit fetarë-atdhetarë, i Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)…

Djalë i vyeshëm, i urtë, besimtar, brenda dy vjetësh, Safet Basha, ky djalosh i zgjuar, pranë Hafiz Qamilit e mësoi përmendësh Kur’anin e madhëruar.

Menjëherë, si e fitoi titullin Hafiz, nxënien e Kur’anit përmendësh, Hafiz Safeti u regjistrue në Medresen e “Mehmed Pashës” në Prizren, ku edhe diplomoi dhe veprimtarisë për gjysmë shekullore ia filloi…

Fillimi, detyrat dhe shërbimi

Në fillim, qysh si nxënës, ka shërbye si myezin, në Xhaminë e Suzi Qelebiut, ku shërbeu me gëzimin, me vrullin e të riut. Ndërsa pas diplomimit, në vitin 1943, në moshën 23 vjeçare u caktue imam zyrtarisht, në Xhaminë e “Mahmud Pashës”, ku e filloi detyrën shumë seriozisht…

Ka shërbye me përkushtim kudo që e dërguen, kudo që e emëruen, si në Xhaminë e “Iljas Kukës”, të “Sinan Pashës”, në Xhaminë e “Terzi Mahallës” etj.

Duke e përcjellur veprimtarinë e tij, duke i parë aftësitë, sukseset, në çdo anë, erdhi dita kur Hafiz Safet Basha u emërue Kryeimam. Përveç që shërbeu si Kryeimam, në vitin 1969, emërohet Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren.

Hafiz Safet Basha ka qenë anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, në Prishtinë, si edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës, në Prishtinë…

Kam pasë rastin me e takuar, kam pasë rastin me e dëgjuar fjalën e tij – fjala e tij të bënte njeri…! Bisedat, këshillat, ligjërimet, predikimet e tij janë për antologji…!

Përcjellje e pa imagjinueshme – në jetën e amshueshme

Kështu veproi tërë jetën – derisa u ballafaque me të vërtetën. Ndrroi jetë në Prizren, me 5 janar 1987, në moshën 67 vjeçare. U varros, të nesërmen, me 6 janar, me një përcjellje të paparë. Kishin ardhur qytetarë, hoxhallarë, jo vetëm nga Prizreni e Gjakova, por nga tërë Kosova…

Me 6 janar 1987, pas namazit të drekës e para namazit të xhenazës, në Xhaminë Bajrakli, ku zhvilloi punimet Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit (1878), prof. Miftar Ajdini, n’emër të Bashkësisë Islame, mbajti fjalën lamtumirëse, ku ndër të tjera tha:

“Sot, Prizreni me pikëllim, qytetarit të tij të merituar po ia jep përshëndetjen e fundit…”

“Gjatë punës së tij shumëvjeçare, Hafiz Safet ef. Basha, organizoi dhe mbajti predikime të ndryshme, të shumta të cilat i kërkonte koha dhe besimtarët…”

“Puna organizative e Hafiz Safet ef. Bashës kryesisht ka qenë e përqëndruar në organizimin e jetës fetare dhe zhvillimin e mësim-besimit…”

Veprimtari dhe krijimtari

Veprimtaria dhe krijimtaria e Hafiz Safet ef. Bashës është për t’u admiruar, duke marrë parasysh kohën e komunizmit kur ajo është zhvilluar…

Veçori e veprimtarisë së tij është përpjekja e vazhdueshme për përhapjen e së Vërtetës, që për secilin besimtar është amanet i jetës…

Përveç veprimtarisë zyrtare, ai ka punuar shumë me nxënës dhe rininë universitare… Ka shpërnda, përhapë literaturë islame, e cila ju çelte sytë rinisë shqiptare, që komunizmi i kishte helmuar ashiqare…

Hafiz Safet Basha është marrë edhe me krijimtari… Për lexuesit e rinj, qe disa fjali nga një shkrim i tij:

“…E dimë të gjithë se ne nuk jemi të ngahershëm…

Në të vërtetë, ne jemi një krijesë, veprimet tona janë të kufizuara…

Të gjitha këto punë që po i bëjmë, nuk janë vetëm materiale…

Këto duhet t’i njohim si njerëz, ndërsa obligimi i parë logjik është ta njohim fuqinë, ekzistencën e Zotit, të besojmë se Ai është Një…”

(Revista “Edukata Islame”, Nr.9-10, 1974, Prishtinë.)

Për veprimtarinë e tij gjysmë shekullore, Hafiz Safet ef. Basha ende përmendet si një figurë e shquar shembullore…

Mexhid YVEJSI, Gjakovë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit