2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Hafiz Pajazit Tafa

Më të lexuarat


Hafizi pa sy që u bënte dritë të tjerëve.

Pajazit Tafa është hafizi që kurrë nuk reshti së punuari, së mësuari e thirruri në besimin Islam deri në moshën 72 vjeçare kur ndërroi jetë. Ai ishte njeriu pa sy, që përpiqej t’u ndriçonte rrugën të tjerëve duke i ftuar ata në Islam. Ai ishte njeriu pa sy, që shihte më shumë se çdo njeri tjetër normal me shikim të plotë.

Nuk kishte mbushur akoma dy vitet e jetës së tij, kur një sëmundje e rëndë e kap Pajazitin, atëherë të vogël, duke i marrë gjënë më të shtrenjtë të jetës, shikimin, dritën e syve. Ishte vetëm dy vjeç e sapo hidhte hapat e para. Si do vente vallë jeta e tij pas kësaj? Populli thotë se për t’i bërë ballë jetës duhet t’i hapësh sytë fort e t’i bësh katër. Po fëmija i gjorë ç’do të bënte pa to? Por edne kishte mbetur një rrugë për të, një rrugë përmes së cilës eci deri në vdekje. Ajo rrugë ishte: Të kapej fort për litarin e trashë të fesë e të besimit Islam.

Dhe djali, që po rritej, pikërisht këtë bëri. Filloi të mësojë Kuranin me Osman Hoxhën e Cerjanit, hafiz Xhevdet Shehun e hafiz Ali Hatibin. Kjo vetëm sa i zgjoi dëshirën për horizonte të reja, i hapi atë perden e miopisë, e bëri që të ndihej njeri me shanse e mundësi gati si të tjerët.

Në vitin 1952, ai futet në medresenë e Tiranës, një vatër dijeje e edukimi për kohën. Me sjelljen e matur fiton respektin e shokëve që e ndihmojnë duke i lexuar vazhdimisht. Ashtu si pikat e shiut bashkohen në rrëke, përrenj, lumenj, dete e oqeane, ashtu bashkoheshin në trurin e Pajazitit rreshtat në ajete, ajetet në sure e suret në Kuran; për t’u bërë një det diturie brenda këtij njeriu të privuar nga shikimi. Me po kaq zell mëson dhe lëndë të tjera si fizikë, biologji, astronomi etj.

Vjen në qytetin e lindjes në Peshkopi ku përfundon hafizllëkun me hafiz Xhevdet Shehun e Sali Ferhatin. Por hafizi i ri e dinte që jo vetëm pasuria, por dhe dija ka “zekatin” e vet. Ashtu siç mori nga të tjerët duhet edhe t’u jepte të tjerëve, ndaj nuk përton t’ua japë dijen njerëzve që ia kërkuan atë.

Hafizë, mësues e dijetarë, në fillimet e tyre përfituan mjaft prej këtij njeriu të ditur e të palodhur. Hafiz Setki Vrazezi, Samet Shehu, Jusuf Salkurti e plot të tjerë kanë gjurmë të pashlyera nga takimet e konsultimet me të. As monizmi e as komunizmi nuk e përkulën dot këtë njeri. Përtej perdeve të hekurta të ateizmit, që kishte mbërthyer vendin, Lindjen dhe një pjese të botës, kur njerëzit me sy në ballë ishin verbuar, ai, njeriu pa sy, shihte dritën e Allahut e shihte me dritën e Tij. Sepse siç thotë ajeti kuranor: “Nuk verbohen sytë e ballit, por zemrat në kraharorë.”

Dy djemtë e Hafizit banojnë në një shtëpi dykatëshe, me një bahçe të bukur, në pjesën e sipërme të qytetit. Ata janë besimtarë të mirë e mekanikë të talentuar. Plot nipër e mbesa i jepnin Hafiz Pajazitit atë kënaqësi që vetëm gjyshërit e përjetojnë e askush tjetër. Sa herë hapat dhe bastuni i Hafizit trokitën në shkallët e shtëpisë, shkallët e rrugicës së gurtë. Sa herë ai shkonte e vinte në xhami ku thirrte ezanin me zërin e bukur e melodioz që do ta kemi gjithmonë në mendje!

Hafiz Pajazit Tafa nuk fliste kurrë për veten siç janë përherë besimtarët, modestë. Por, të tjerët tregojnë se Hafizi ishte anëtar i Këshillit të Myftinisë, ku shpesh merrej si pikë referimi me mendimet e tij të pjekura. Bënte pjesë në komisionin e pajtimit të gjaqeve e fjala e tij dëgjohej me shumë interes. Urrejtja mes familjeve në gjak zbutej e largohej nga fjalët si balsam të Hafizit, të myftiut e shokëve të tjerë. Merrte pjesë në të gjitha aktivitetet e Myftinisë e sidomos në muajin Ramazan.

Ne do të kishim dëshirë që Hafiz Pajazit Tafa të jetonte më gjatë, që gjeneratat e reja të përfitonin nga ky det e burim mirësie, por Allahu i di më së miri punët. Ndaj, nuk nga mbetet tjetër veçse ta lusim Allahun që ta bëjë Hafizin prej banorëve të Xhenetit, e nëse Ai ia mori dritën e syve në këtë jetë, ta mbulojë me nur dhe shkëlqim në botën tjetër.

Drita Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit