“Me syze të errëta, kurrë nuk mund të shikohet e vërteta.” – Hafiz Ismet Dibra
Në vargun e hoxhallarëve dijetar, shkrimtar dhe atdhetar, pa dyshim, e ka një vend të nderuar edhe Hafiz Ismet Dibra, një vend të nderuar sepse e ka merituar…
Hafiz Ismet Dibra lindi në Dibër në vitin 1886, ku i kreu mësimet fillestare, pastaj Medresenë, ku e mësoi përmendësh Kur’anin e madhëruar, e fitoi titullin Hafiz, një titull e nderuar.
Studimet e larta i kreu në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë, por nuk qëndroi aty sepse kishte vendosur t’i shërbente Shqipërisë…
Shqipëria u bë qysh u bë, por duheshin të bëhen edhe shqiptarët, me edukim, arsimin fetar e atdhetar, me dituri bashkohore, me dije filozofike e shkencore…
Në muajin mars 1923 u zhvillue Kongresi i Parë i Muslimanëve Shqiptarë në Tiranë, duke e zgjedhur Kryetar të Bashkësisë Islame, Kryemyftiun Hafiz Vehbi Dibrën. Në tetor të vitit 1923 doli në dritë revista “Zani i Naltë”, organ zyrtar i Komunitetit Musliman Shqiptar.
Me 1 mars 1924 iu besue drejtimi i Medresesë në Tiranë z.Qamil Bala.
Qamil Bala, (1873-1933) një nga intelektualët më të shquar të kohës, i lindur në Gjilan të Kosovës, që kishte mbaruar studimet në Stamboll, kishte një përvojë të gjatë e të suksesshme pedagogjike. Ka shërbye si profesor në Gjimnazin e Janinës, të Manastirit, Selanikut, drejtor i Gjimnazit në Jerusalem të Palestinës, si edhe në Damask të Sirisë… Ka qenë pjesëmarrës në Kongresin Arsimor, në Tiranë, më 1922, anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, themeluar në Shkodër, në vitin 1918, nga Hoxha Kadri Prishtina…
Në vitin 1930, detyra e Drejtorit të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, pas prof. Qamil Balës, iu besue Hafiz Ismet Dibrës.
Në Medresenë e Tiranës, përveç lëndëve fetare si Kur’ani, Hadithi, Tefsiri, Fikhu…, aty mësohej historia, gjeografia, aritmetika, gjeometria, etj.
Hafiz Ismet Dibra, përveç detyrës së drejtorit, krahas myderrizëve të shquar si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Shejh Qazim Hoxha, prof.Haki Sharofi etj., jepte edhe mësim, ku ishte mjeshtër i mësimdhënjes.
Kishte një kulturë të gjerë, një qëndrim të devotshëm fetar e atdhetar, Zotëronte për bukuri gjuhën arabe, perse dhe atë turke. Fjalët, fjalimet, mësimet, ligjëratat e tij ishin frymëzim për brezin e rinj….
Hafiz Ismet Dibra predikonte edhe nëpër xhamitë kryesore të Tiranës, ku krahas mësimeve me frymë fetare dhe atdhetare, aty e zhvillonte e lartësonte ndërgjegjen kombëtare.
Ligjëratat e tij të vazhdueshme kanë lënë gjurmë të paharrueshme, sepse ato jo vetëm që dëgjoheshin me vëmendje, por edhe lexoheshin me ëndje. Ligjëratë e tij janë botue në revistën “Zani i Naltë” që botohej në Tiranë, që nga muaji tetor i vitit 1923, deri në muajin prill të vitit1939, kur Shqipnia u pushtue nga Italia….
Ligjëratat e tij patën për subjekt kryesor temën: “A ka dyshim në qenien e Zotit?”. Në këto ligjërata, Hafiz Ismet Dibra, gjithnjë bazohej në ajetet e Kur’anit të madhnueshëm, aty zbërtheu shumë teza dhe koncepte, që në ato vite ishin bërë objekt bisede në qarqet intelektuale.
Qarqet intelektuale shqiptare, mjerisht, veç kishin fillue m’u infektue me virusin komunist, materialist, ateist…
Gjysmë shekulli më vonë, ato ligjërata që u botuan në faqet e revistës “Zani i Naltë” në Tiranë, u përmblodhën në një libër të veçantë dhe u botuan nën kujdesin e Vehbi Ismailit, Imam dhe themelues i Qendrës Islamike Shqiptare në Detroit, Michigan të SHBA-s, më 1993.
Libri i Hafiz Ismet Dibrës “A ka dyshim në qenien e Zotit?, botuar në Amerikë më 1993, është një ese e fuqishme teologjike-filozofike. Vepra e tij është e gjerë, shtjelluese, jo vetëm për shtresën elitare, por e kuptueshme, e pranueshme edhe për shtresat e thjeshta shqiptare.
Ai, në këtë vepër, polemizon me shkencëtarët më shquar si – me Dekartin, Njutonin e Berksonin, Demokritin, Maks Mylerin e Volterin, Losipin e Spenserin, Aristotelin, Pirhonin e Platonin… Ai thoshte se shkenca nuk ka zbuluar më shumë se ç’thotë Kur’ani i madhëruar…
Hafiz Ismet Dibra në libër bën thirrje që të shihet e vërteta, të hiqen syzet e errëta. “Me syze të errëta, – shkruan ai, kurrë nuk mund të shikohet e vërteta.”
I tërë libri argumenton shkencërisht qenien e Zotit dhe na thotë se udhëzimin mund ta marrim vetëm nga Zbulesa e Zotit, nga Kur’ani.
Kur’ani nuk është as zbulim imi, shkruan Hafiz Ismet Dibra, e as thënia ime: çdo lexues e studiues serioz i Kur’anit ka kuptuar se sa më shumë që ecën në leximin e studimin e tij, aq më shumë do të gjejë (me një gëzim të brendshëm) se si ky kuptim i përgjithshëm rritet duke u rritur aftësia e tij për t’i rrokur gjërat. Është si rasti i një alpinisti që, sa më lart ngjitet në mal, aq më larg sheh…
Në fillim të muajit prill 1939, kur Italia fashiste e pushtoi Shqipninë, në shtator të vitit 1943, kur Gjermania naciste e zëvendësoi Italinë fashiste, Hafiz Ismet Dibra nuk pranoi asnjë dekorim as ndonjë post të lart si vendpunim…
Sikur nuk iu nënshtrue fashizmit e nacizmit, Hafiz Ismet Dibra nuk iu nënshtrue as diktaturës, komunizmit….
Diktatura komuniste e burgosi në vitin 1946, siç kishte burgosur në vitin 1945 Hafiz Ali Korçën, Hafiz Mustafa Varoshin, Hafiz Sherif Langun, Hafiz Musa Dërgutin, Hafiz Ali Krajën e shumë fetarë, dijetarë e atdhetar të tjerë….
Hafiz Ismet Dibra ndrroi jetë në Tiranë në vitin 1955, në moshën 69 vjeçare, duke mbetur shembull frymëzimi për botën shqiptare…
Mexhid YVEJSI, Gjakovë