2.3 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

HAFIZ HALIT BUSHATI

Më të lexuarat

HAFIZ HALIT BUSHATI
( ? – 1916)

Koha ka vënë murin e heshtjes për këtë personalitet, që me jetën e veprën e tij prej kleriku mysliman jo vetëm përtëriu traditën e përmendur të fisit të Bushatlinjve, por për Shkodrën, qytetin e tij të lindjes, mbeti një emër i nderuar. Themi murin e heshtjes, sepse kohëve nuk iu kanë munguar kronikanët, por prapseprapë mbetetjo i ndriçuar në mënyrë të plotë, ndonëse asokohe zotësia e tij si jurist në jurisprudencën islame i kapërceu kufinjtë e vendlindjes dhe ishte fort i përmendur.

Ashtu truppakët, i kërrusur dhe i hajthëm në fytyrë merrte rrugën, kapërcente urën dhe drejtohej për në Xhaminë e Kuqe të Perashit. Mendohet se lidhja me këtë xhami ishte fort e madhe, aq sa gjithherë i ka refuzuar ofiqet që i janë bërë për hierarkinë myslimane. I ndershëm,- virtyt që e shoqëroi tërë jetën, po tërë jetën edhe besimi tek islami.

Mori ixhazet prej Hasan Podgoricës. Me një vullnet të madh u specializua në jurisprudence për dhënien e fetfave në bazë të sheriatit. Kjo fetfa u evidentua jo vetëm në bashkëqytetarët e tii, por edhe në ushtarakë të huaj apo kronikanë të kohës.

Halit Bushati në vitin 1870 mori dëftesën e lirimit në Ruzhdije, më pas, në vitinl 898 izaxhetnamen dhe fitoi të drejtën të bëhej Myderriz.

Interes paraqet edhe jeta e tij e mësuesisë. Në vitin 1893 është mësues filloreje në mejtepin e Fushë-Çelës. Në vitin 1898 është mësues në shkollën Ruzhdije me 300 grosh në muaj.1

Përvoj a pedagogjike e Hafiz Halitit ka pasur një shkallëzim të natyrshëm, në rritje, në përputhje me ngritjen e tij, me shtimin e aftësive, të autoritetit e të popullaritetit në masat e rinisë e të popullit.

Si mësues mejtepi ai u njoh me fëmijët dhe prindërit e tyre, me përmbajtjen e programit e të tekstit, me metodat tradicionale të mësimit dhe të edukimit në atë kohë. Mësues Haliti u përpoq të bëjë përmirësime, shfaqi cilësi personale për krijimin e marrëdhënieve të drejta me fémijët e frymë bashkëpunimi me familjèn, fitoi një emër të mirë që e ndihmoi për të ecur përpara. Pozitive përmësuesin e ri qe përdorimi i gjuhës shqipe gjatë procesit të mësimit e të edukimit, si dhe kujdesi i tij i vazhdueshëm që nxënësit të fitonin jo vetëm njohuri, por edhe aftësi, shkathtësi e shprehi praktike për edukimin shpirtëror e për zbatimin e tyre në jetën e përditshme.

Rezultatet në këtë detyrë, përfundimet e shkëlqyeshme si nxënës i shkollës Ruzhdije, si dhe studimi i vazhdueshëm individuel krijuan një opinion të tillë në popull e në organet administrative civile e fetare të kohës, sa Halitin e cktuan mësues në shkollën Ruzhdije. Ky ishte një rast i rrallë në praktikën e emërimit të kuadrit në kategoritë e ndryshme të shkollave, gjë që tregonte formimin e mësuesit të ri. Një ngjarje e njëjtë pat ndodhur edhe me djalin e tij Hysniun, që, porsa përfundoi Medresenë e Përgjithshme të Tiranës më 1932, për rezultatet e shkëlqyeshme qe caktuar mësues i saj.

Shkolla Ruzhdije ishte shkollë qytetëse. Ajo ishte hapur në Shkoder në vitin 1858, erdhi gjithnjë duke u rritur nga pikëpamja e kontigientit e duke u përmirësuar nga pikëpamja e pasurimit të përmbajtjes me lëndë të reja që siguronin një formim më të gjërë të nxënësve. Numri i nxënësve i kaloi 100 vetët. Drejtor i kësaj shkolle qe patrioti i madh i Rilindjes Kombëtare, “Mësuesi i Popullit” Daut Boriçi.

Në dëftesat e kësaj shkolle pasqyrohen lëndët, si: Dituri fetare, arabisht, persisht, turqisht, ortografi e sintaksë, aritmetikë, gjeometri, gjeografi, histori, kontabilitet, vizatim e lloje të ndryshme shkrimi.

Është për t’u shënuar se në këtë shkollë mësonin shumë të rinj myslimanë shkodranë dhe pas përfundimit të saj ata qenë intelektualët e parë të kohës. Veçori e kësaj shkolle është se këtu mësonin edhe nxënës të besimeve të tjera. Kjo ndodhte nga emri i mirë që kishte fituar shkolla në popull, nga përgatitja e mirë e nxënësve, nga mundësia që u jepej atyre për të marrë arsim më të lartë në profile të ndryshme, nga lehtësia që siguronin për t’u emëruar në punë, si dhe përtë ndjekur studimet e lartajashtë shtetit.2

Në këtë përgatitje kuadrosh aq të nevojshme për kohën kishte meritë edhe mësuesi i kësaj shkolle Halit Bushati, i cili Me përkushtim arriti të punojë aty deri në vitin 1905, të arrijë rezultate të dukshme, derisa largohet për të marrë detyrën pranë Myftinisë.

Në vitin 1905 jep dorëheqjen nga arsimi, sepse myftiu dhe ulematë e qytetit e zgjedhin zysevvdi (teknik i deshifrimit dhe i nxjerrjes së fetfave), detyrë të cilën e mbajti deri në fund tëjetës së tij.

Me gjithë veprimtarinë e tij Hafiz Haliti fitoi një nderim të posaçëm në popull. Tek ai drejtoheshin qytetarë për të pyetur, për te marre pergjigje për shqetësimet, për të marrë udhezime, porosi e këshilla për zgjidhje problemesh, për të shkëmbyer mendime për veprime, sjellje, qëndrime, detyra etj. Urtësia, maturia, autoriteti, kompetenca e drejtësia e tij, të bazuara në mësimet islame, ujepnin rrugë nevojave e halleve të nierëzve, bëninjehonë, rritnin figurën e tij fetare, qytetare e qjerëzore.

Krahas kësai Hafiz Haliti gjatë veprimtarisë së tij ka pasur shumë kontakte me të huajt, me vizitorë nga Lindja e Perëndimi, të cilët i bënin vizita, i kërkonin shpjegime, i drejtonin pyetje dhe merrnin sqarimet e përgjigjet e duhura në sajë të horizontit të tii të gjerë fetar e kulturor. Paralelisht me këto ata diskutonin me mirëkuptim e me përfitim të ndërsjelltë për çështje që ishin në interes të përbashkët apo individual.

Gjithashtu shënojmë se Hafiz Halit Bushati qe kandidat për myfti në vend të Jusuf Tabakut që vdiq në vitin 1904. Emërimi i pasardhësit të tij u dha shkas shumë ngatërresave e mosmarrëveshjeve në qytetarët myslimanë të Shkodrës. Myftinjtë nuk zgjidheshin nga populli, por qeverisë turke i interesonte se nga anonin simpatitë e besimtarëve për kandidatët e këtij ofiqi të rëndësishëm, që deri para vitit 1944 ka luajtur një rol kryesor në klerin e lartë, sidomos me raste zgjedhjesh, emërimesh, trasnferimesh e zgjidhjesh të problemeve shqetësuese jo vetëm të qytetit, por të krejt juridiksionit të madh që përfshinte ushtrimi i detyrës në fjalë. Për zgjedhjen e myftisë në atë periudhë populli i Shkodrës u nda në dy grupe kryesore: njëri në favor të Adem Vehbiut e tjetri në favor të Halit Bushatit.

Mosmarrëveshjet mes dy grupeve u acaruan aq tepër, sa mund të shkaktohej një gjakderdhje vëllazërore. Disa qytetarë të matur e paqedashës, duke parë rrezikun e pasojat e këtij konflikti, e këshilluan Adem efendinë që të hiqte dorë nga kërkesa e tij, por ai refuzoi energjikisht.

Qëndrimi i Hafiz Halit Bushatit qe i kundërt. Ai nuk dëshironte të emërohej myfti dhe ngulmonte në këtë vendim të tij. Kjo i dha shkas arritjes së një kompromisi në mes të dy grupeve në konflikt. Marrëveshja përcaktoi që Adem Vehbiu të emërohej myfti, ndërsa Hafiz Halit Bushati mysesvvid, sekretar-teknik i asaj zyre, që do të merrej drejtpërdrejt me fetfana (komente juridike në bazë të Sheriatit-ligjit islam), për nxjeitjen e të cilave ishte shumë i specializuar.

Gjesti i Halit Bushatit flet për humanizmin e për ndjenjën e përgjegjësisë qytetare, për mungesën e qëllimeve karrieriste, për pastërtinë e tij shpirtërore.

Në veprimtarinë arsimore të Hafiz Halit Bushatit një vend me rëndësi zë edhe ushtrimi i detyrës së myderrizit (profesorit). Në atë kohë krahas myderrizëve që punonin në medrese, kishte edhe myderrizë privatë. Këtë titull ata e kishin fituar nga komisione të posaçme teologësh të përinendur e të autorizuar për një detyrë të tillë. Ata mësonin të rinj që dëshironin t’u kushtoheshin detyrave fetare, të bëheshin hoxhë. Myderrizë të tillë ishin të paktë, kishin një përgatitje të thellë fetare e kulturore, dinin shumë gjuhë të huaja, kishin fituar përvojë, ishin të specializuar në disa fusha të degëve të teologjisë. Në këtë bërthamë myderrizësh të njohur e të nderuar ishte edhe Hafiz Halit Bushati, ai i kishte të gj itha cilësitë dhe aftësitë për të qenë një myderriz i këtij kalibri.

Pranë myderrizit Hafiz Halit Bushati mësonin të rinj të shumtë, me një plan afatgjatë për lëndë fetare e gjuhë të huaja. Mësimi i këtyre të rinjve ishte i gërshetuar me punën individuale e në grup, si dhe me studimin personal të vet. Në këtë mënyrë gjatë nje periudhe 20-vjeçare ai përgatiti dy breza hoxhallarësh të rinj. Në përfundim të studimeve, këta kuadro të rinj merrnin diplomën (ixhazetin). Gjatë karrierës së tyre e nderuan emrin e mësuesit të tyre Halit Bushati, zbatuan dituritë teorike e praktike që kishin fituar prej tij, u bënë vazhdues të denjë të misionit të tyre fisnik për edukimin e formimin shpirtëror, islam të fëmijëve, të rinisë e të popullit. Këta hoxhallarë të rinj mburreshin se kishin mësuar, ishin edukuar dhe përgatitur tek myderrizi Halit Bushati.

Gjatëjetës së tij si myderriz e sijurist qe zotërues i arabishtes, turqishtes e persishtes. Si dijetarët e tjerë islamë pati një bibliotekë shumë të pasur me libra shqip e të huaj, me tematikë fetare, shkencore e letrare. Një pjesë e këtyre librave janë ruajtur deri në ditët tona. Ata dëshmojnë për përdorimin e kujdesshëm nga ana e myderrizit dhe për kulturën e lartë të tij. Në mjaft prej këtyre librave vërehen nënvizime, shënime, përkthime e detyra që tregojnë aftësitë e tij për t’i shfrytëzuar në drejtime të ndryshme.

Jeta e tij është e ngjashme si një pikë uji me atë të të birit, Hysniut, që i kultivoi në shpirt fenë islame dhe ky me shumë dinjitet e ndershmëri përdorte emrin e nderuar të babait të tij, Halitit. Edhe Hafiz Halitit i vdiq një djalë, i quajtur Ahmet, në moshën 27-vjeçare, gjë që e ligështoi shumë. Edhe Hysniut i vdiq një djalë, i quajtur Halit, në moshën 27-vjeçare, gjë që e tronditi tepër.

Hafiz Haliti la edhe disa vjersha në gjuhën shqipe, të shkruara me alfabet arab e me përmbajtje fetare. Hafiz Haliti ka lënë të shkruara me dorën e tij edhe një libër, që me siguri do të plotësojë edhe më mirë figurën e tij, me më shumë dritë do të ndriçojë atë kohë.

Vdiq me 27 dhjetor të vitit 1916. Me nderimet e duhura e të merituara është varrosur pranë minares së Xhamisë Plakë. Më vonë, shumë më vonë, do të vinte një vit, kur diktatura komuniste do ta shkatërronte çdo kult e institution fetar. Ajo shkatërroi edhe Xhaminë Plakë, humbi përgjithmonë edhe varrin e Hafiz Halit Bushatit, emër, që i ngjan një guri xhevahiri që ndriçon në errësirë dhe e sfidon atë.

Vitet e fundit Hafiz Halit Bushati është kujtuar si duhet në veprimtaritë e shumta që janë organizuar në raste të ndryshme, si: për dekorime, perurime faltoresh, përkujtime personalitetesh etj.

Në një mbledhje solemne kushtuar disa figurave të shquara fetare, në referatin e mbajtdr me temë : “Nderim për dijetarët, edukatorët dhe hoxhallarët e shquar të Shkodrës” theksohet ndër të tjera se “Disa prej tyre kryen funksione të veçanta … Hafiz Halit Bushati, personaliteti më i specializuar në jurisprudencën islame për interpretimin e fetfave dhe një nga myderrizët më të shquar në përgatitj en e hoxhallarëve të rinj … Disa nga këta dijetarë, edukatorë e hoxhallarë u shquan edhe në fushën e studimeve e botimeve … Hafiz Halit Bushati ka lënë dorëshkrim një libër vjershash fetare, të shkruara shqip me alfabet arab, studimi i të cilave paraqet interes, pasi ka qenë një hoxhë shumë i përgatitur, me horizont fetar e kulturor, me autoritet e popullaritet të madh në kohën e tij.”3

Me rastin e përurimit të xhamisë “Ebu Bekr” në Fushë-Çelë të qytetit të Shkodrës, në fjalën përshëndetëse të myftiut Haxhi Faik Hoxha nënvizohet edhe se “Dijetarët dhe edukatorët si Halit Bushati … e të tjerë ju përkushtuan tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar e atdhetar të popullit, duke qenë shembull i devotshmërisë, i ndërgjegjes së lartë, i forrnimit intelektual si mësues dhe edukatorë të nderuar”. 4

Vlerësim për Halit Bushatin është shprehur edhe në një skicë-portret për të birin e tij “Profesor Hysniu..Në kujtim të profesorit të nderuar të Medresesë së Përgj ithshme, Hysni Bushatit. Kudo la kujtime të bukura, kudo krijoi miq e dashamirës, kudo siguroi falënderime, mirënjohje e urime” është shkruar për të. “Hysni Bushati, një figure që nuk i bie pluhuri i harresës. Të huaja për të zbehtësia e indiferenca. Ëndrra e tij-besimi islam. E giithë jeta e tij aty mbeti e skalitur … Këtë traditë si një gurrë të pashterrshme ia ushqeu i ati, Haliti, një klerik mysliman në zë në qytetin e Shkodrës, i përmendur veçanërisht në fushën e drejtësisë islame. E ushqeu..dhe për Hysniun figura e të atit, “Lita begu”, siç i thoshin, mbeti një idhull, një mit.”5

Studiuesi Hamdi Bushati në dorëshkrimin e tij të gjatë “Shënime për Shkodrën” shprehet plot nderim për të: “Ky personalitet asht një pinjull i fisit të Bushatllinjve. Për zotësinë e tij ai punoi në legjislaturën islame. Meriton të radhitet në vargun e specialistëve ma të njoftun të kohës.'”6

Për ndihmesën e dhënë me veprimtarinë e tij Hafiz Halit Bushati është dekoruar nga Presidenti i Republikës Sali Berisha me Urdhrin “Naim Frashri” të Klasit I.7

Referenca

1. Hamdi Bushati,”Shënime për Shkodrën”, Hafiz Halit Bushati (doreshkrim), fq. 557-558.
2. Niazi Kazazi, Zhvillimi i arsimit të mesëm ne Shkodër (Nga fillimet e deri ne vitet ’20 te shekullit XX”, teme disertacioni, dorëshkrim, Shkodër, 1992, faqe 32-34.
3. Faik Luli – Islam Dizdari, “Nderim për dijetaret, edukatoret dhe hoxhallarët e shquar të Shkodrës”, në gaz, “Drita Islame”, Viti IV, Nr. 10 (71). qershor 1995, fq.4.
4. Faik Hoxha, “Dëshirë e plotësuar dhe ngjarje e shënuar për Shkodren e për besimtarët islamë”, në gaz. “Drita Islame”, Viti IV, Nr. 1 (80), tetor 1995, numer special, përgatitur nga Faik Luli e Islam Dizdari.
5. Faik Luli, “Profesor Hysniu – Ne kujtim të profesorit të nderuar të Medresesë së Përgjithshme Hysni Bushatit”, në gaz. “Rinia Islame”, Nr.3, prill 1996, fq.4.
6. Hamdi Bushati, art. i cituar, fq. 557.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit