Kjo botë është e përkohshme për të gjithë ne, e thënë me gjuhën e produkteve të sotme që na rrethojnë, është njëpërdorimshe, mall konsumi për tu përdorur dhe hedhur, njëlloj si një gotë kartoni me të cilën pimë kafenë në udhëtim e sipër, apo kur duam të jemi më të sigurt për higjienën e saj dhe më të mbrojtur nga çdo virus i mundshëm.
Edhe pse një filxhan porcelani do të ishte më i këndshëm për syrin dhe do t’i jepte estetikës së pirjes së kafesë më shumë shije, një njeri i nxituar drejt punës me timonin e makinës në dorë, apo me kujdesin e madh për shëndetin e tij, nuk do t’i kushtonte aspak rëndësi vlerës së pakët të enës që mbart kafenë dhe as përkohësisë së saj. E gjithë vëmendja dhe shija është e përqendruar tek përmbajtja e gotës.
Sigurisht që gota është e rëndësishme, qoftë edhe prej kartoni a plastike, pasi ajo mbart një pijë a një ushqim të rëndësishëm për trupin dhe jetën e njeriut, mirëpo përtej kësaj ajo nuk ka asnjë vlerë tjetër.
E tillë është edhe kjo botë dhe sendet e saj, një gotë kartoni që do të tretet dhe venitet për secilin prej nesh për tu ricikluar për të tjerë që do të pinë pas nesh në të. Ajo që ka rëndësi është përmbajtja e saj.
Një jetë pa përmbajtje dhe kuptim, pa një kauzë dhe ideal, është si një gotë e zbrazët, qoftë kjo edhe prej ari a kristali. Ndaj a ja vlen të çohet kot jeta për hatër të kënaqësisë së përkohshme që të jep pamja e enës, ndërkohë që brenda saj mund të ketë edhe lëtyrë që kundërmon të gjitha të ligat dhe veset e kësaj bote?!