7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Definicioni kuranor i Ramazanit

Më të lexuarat

Ndër kuptimet e tjera që mund të është edhe: Definicioni kuranor i Ramazanit

Kurani e përshkruan Ramazanin në formën më të përsosur. Në fakt, ai tërheq vëmendjen. Çdo krijesë, materiale ose kuptimore, ka tipare me të cilat veçohet nga të tjerat. Prandaj, kur duam ta identifikojmë atë në formë të përgjithësuar, ne zgjedhim tiparin më të veçantë të saj ose diçka fisnike.

Për shembull:

  • siujdhesa arabe: aty gjendet Asiri, Nexhdi, Hixhazi e Shemali. Mirëpo, kur duam ta përmendim atë me nderim, ne themi: “Si mund të ndodhë kjo në shtetin e dy haremëve?” Pra, zgjedhim termin “dy haremët”, ngase këto janë dy vendet më me vlerë në të, prandaj vendosim ta identifikojmë këtë krahinë me këto dy vende.
  • mund të marrim si shembull Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai kishte virtyte të shumta, por u njoh mbi të gjitha me emrin “es-siddik” (i sinqerti). Madje, sa herë që përmendet emri “es-siddik” në formë të shquar, mendja të shkon menjëherë tek ai. Përse zgjedhim pikërisht sinqeritetin në këtë rast? Sepse sinqeriteti ishte virtyti më fisnik i tij. Vetë njeriu ka dëshirë të thirret me tiparin më fisnik që ka.

Allahu i Lartësuar, kur e përmend muajin Ramazan, e identifikon atë në formën më të përsosur dhe thotë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin ka zbritur Kurani…”. (Bekare, 185)

Shikoni se si Allahu e ka zgjedhur këtë muaj për zbritjen e Kuranit!
Në librin “Es-Sunen el-kubra” dhe në libra të tjerë përmendet një transmetim i Nesaiut, i përcjellë nga Ibn Abasi, ku thuhet: “Kurani ka zbritur i plotë në muajin Ramazan dhe ka qëndruar në qiellin e dynjasë. Kur Allahu donte të shpallte diçka, Ai e dërgonte atë nëpërmjet Xhibrilit.” Pra, e zbriti atë pjesë-pjesë sipas ndodhive.

Shikoni se si Allahu i Lartësuar ka bërë që tipari më fisnik i këtij muaji të jetë rrethanor kohe i zbritjes së fjalës më fisnike: Kuranit!

Kjo është vërtet një gjë e mrekullueshme! Allahu i Lartësuar fillimisht thotë: “Muaji Ramazan…”, pastaj e identifikon atë duke thënë: “… është muaji në të cilin ka zbritur Kurani…”.

Përse nuk e përshkroi Ramazanin me ndonjë tipar tjetër?

Përse Allahu zgjodhi që Ramazani të jetë rrethanor kohe për zbritjen e Kuranit?

Nuk ndodh që besimtarit t’i kalojë një referencë e tillë kuranore, e të mos i shkojë në mend kjo lidhje! Kurani lexohet edhe në muajt tjerë, por në Ramazan ka një veçanti dhe vlerë ndryshe. Kjo për shkak se ai është muaji në të cilin zbriti vetë Kurani dhe Allahu e ka nderuar Ramazanin pikërisht për këtë fakt.

Një shembull tjetër që e përforcon këtë që thamë, është ai i Xhibrilit ﷺ, i cili ia mësonte Kuranin Pejgamberit ﷺ një muaj në vit. Pra, ai zgjodhi muajin Ramazan për ta mësuar Kuranin me Pejgamberin ﷺ, madje për çdo natë, deri në përfundim të Ramazanit. Në dy përmbledhjet më të sakta të haditheve përcillet hadithi i Ibn Abasit, ku thuhet se: “Xhibrili takohej me Pejgamberin ﷺ për çdo vit në Ramazan, derisa mbyllej (muaji). Në këto raste, i Dërguari i Allahut ﷺ e lexonte Kuranin para atij.” Kështu thuhet në versionin e hadithit që gjendet në sahihun e Muslimit. Kurse në sahihun e Buhariut thuhet: “Takohej me të për çdo natë të Ramazanit dhe ia lexonte atij Kuranin.”

Këtu lindin dy pyetje, që mendjes së muslimanit nuk i kalojnë pa i shtruar:

e para: Përse Allahu i Lartësuar na njofton me Ramazanin duke përmendur zbritjen e Kuranit: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin ka zbritur Kurani…”? (Bekare, 185)

e dyta: Përse Xhibrili kishte zgjedhur muajin Ramazan, në mesin e gjithë muajve, për t’ia mësuar Kuranin Pejgamberit ﷺ? Përse nuk ia mësonte në muajin Dhulhixhe? Ose në muajin Muharrem? Përse zgjodhi pikërisht muajin Ramazan, e madje çdo natë të tij?

Kur besimtari mediton mbi këto dy pyetje, mahnitet tej mase për pozitën e Kuranit në muajin Ramazan dhe për faktin se ai nuk qenka vetëm Muaji i Agjërimit. Shpesh themi se Ramazani është Muaji i Agjërimit, duke e lidhur atë vetëm me këtë adhurim, gjë që është e vërtetë. Por jo vetëm kaq. Në të vërtetë, muaji Ramazan është muaji i agjërimit dhe i Kuranit.

Ramazani karakterizohet me Kuranin, ngase Allahu na njofton me të duke thënë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin ka zbritur Kurani…” (Bekare, 185)

Gjithashtu, Xhibrili zgjodhi që ta mësonte Kuranin me Pejgamberin ﷺ në çdo natë të këtij muaji.

Transmetimet që na janë përcjellë nga brezat e parë, — siç i përmend Ibn Rexhebi në librin “Letaif el-mearif” (لطائف المعارف) dhe disa të tjerë që kanë shkruar rreth vlerës së muajit Ramazan, — tregojnë se çfarë përpjekjesh bënin brezat e parë për leximin e plotë të Kuranit disa herë brenda Ramazanit. Nga këto transmetime vërejmë se ata e lexonin Kuranin më shumë se në muajt e tjerë. Tërë vëmendjen ia kushtonin atij, duke i lënë punët e tjera mënjanë; madje, disa prej tyre linin mënjanë edhe punët që kishin lidhje me diturinë, — gjegjësisht diturinë fetare, — dhe i kushtoheshin vetëm Kuranit gjatë muajit Ramazan. Këto rrëfime për brezat e parë dëshmojnë për largpamësinë dhe mendjemprehtësinë e tyre. Ata i perceptonin me shumë saktësi kuptimet e teksteve fetare, pastaj i jetësonin ato në praktikë.

Ibrahim Sekrani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit