Pyetja:
Ekziston një aplikacion për baste, ku thuhej se nëse depoziton një shumë të caktuar, të jepet një shpërblim i madh. E depozitova shumën, dhe qëllimi im ishte të mos luaja asnjë bast, doja të merrja shpërblimin dhe t’ia dhuroja ndonjë spitali. Mendova, edhe nëse është haram, unë nuk do ta mbaj paratë për vete dhe nuk kërkoj shpërblim për këtë. E konsiderova se spitalet dhe pacientët kanë më shumë nevojë sesa aplikacioni i basteve.
Pasi depozitova shumën, nuk më dhanë shpërblimin. Për të tërhequr paratë e mia, ishte e nevojshme të luaja një bast. Luajta dhe humba disa herë, por vazhdova derisa rikuperova shumën që kisha depozituar, me një shtesë të vogël. Sidoqoftë, tërhoqa vetëm shumën që kisha depozituar, pa marrë asnjë fitim shtesë, dhe lashë shtesën në aplikacion. Më pas, e fshiva aplikacionin.
A është bërë haram kjo shumë që kisha depozituar? Deri tani nuk kam shpenzuar asgjë prej saj dhe e kam vendosur në një llogari të veçantë. Nëse është haram, çfarë duhet të bëj me këtë shumë?
Përgjigja:
Së pari:
Është e ndaluar të hysh në baste, edhe nëse qëllimi është që fitimet e tepërta t’u jepen të varfërve ose të sëmurëve, sepse kumari është i ndaluar, dhe ajo që është haram nuk bëhet e lejueshme për arsye të tilla. Përndryshe, do të legjitimonim marrëveshjet e ndaluara për të marrë fitimet dhe për t’ua dhënë të varfërve, gjë që askush nga dijetarët nuk e pranon. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ka urdhëruar të derdhet vera që ishte trashëguar nga jetimët dhe nuk e lejoi që të shndërrohej në uthull, e aq më pak të shitej për hebrenjtë apo të tjerët.
Transmetohet nga Enesi (radijAllahu anhu) se: “Ebu Talha pyeti Pejgamberin (paqja qoftë mbi të) për jetimët që kishin trashëguar verë. Pejgamberi tha: ‘Derdhe!’ Ai pyeti: ‘A mund ta kthej në uthull?’ Profeti u përgjigj: ‘Jo.’’
El-Khatabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kjo është një dëshmi e qartë që trajtimi i verës për ta shndërruar në uthull nuk lejohet. Nëse kjo do të ishte e lejueshme, atëherë prona e jetimëve do të kishte më shumë përparësi, për shkak të detyrimit për ta ruajtur dhe shtuar. Por Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ndaloi humbjen e pasurisë, dhe derdhja e saj përfaqëson humbje. Kështu, u kuptua që trajtimi i saj nuk e pastron atë dhe nuk e kthen atë në një pronë të vlefshme në asnjë rast.”
Për ndalimin e kumarit, Allahu në Kuran thotë:
“O ju që keni besuar, vërtet vera, bixhozi, altarët (e idhujve) dhe shigjetat (për short) janë ndyrësi prej veprave të djallit, ndaj shmanguni atyre që të jeni të shpëtuar.” (El-Maide: 90)
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) gjithashtu ka thënë:
“Kushdo që i thotë mikut të tij: ‘Eja të luajmë bixhoz, le të jep lëmoshë.”
Ibn Haxher el-Hejtemi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Kumari është nga mëkatet e mëdha, qoftë ai i pavarur ose i shoqëruar me lojëra të tjera të ndaluara. Arsyeja e ndalimit të tij është sepse përfshin përvetësimin e pasurisë së të tjerëve padrejtësisht, gjë që Allahu e ndalon në ajetin: ‘Mos e përvetësoni pasurinë tuaj në mënyrë të padrejtë.’’ (Bekare 186)
Përfundimisht, duhet të pendohemi tek Allahu për atë që është bërë dhe të marrim vendimin që të mos e përsërisim më kurrë.
Së dyti:
- Pasuria që ke humbur në kumar është e humbur dhe nuk mund të rikthehet.
- Pasuria që ke tani dhe që është fituar nga kumari konsiderohet si haram.
Çfarë të bësh me këtë pasuri?
- Kjo pasuri duhet të hiqet duke ia dhënë të varfërve, të sëmurëve ose duke e përdorur për interesa publike.
- Nëse ke qenë injorant për ndalimin e kësaj vepre dhe ke menduar se ishte e lejueshme, atëherë mund të mbash atë që ke rikthyer, bazuar në fjalën e Allahut:
“E kushdo që i vjen këshillë nga Zoti i tij dhe heq dorë, atëherë atij i takon ajo që ka marrë më parë.” (Bekare 275)
- Nëse je në nevojë të madhe për atë pasuri, atëherë lejohet të marrësh aq sa të mbulosh nevojat e tua bazike.
Përktheu dhe përshtati: Sejfulla Sejfuli / rizgjimi.com