2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Gjykata e Apelit lë në burg përjetë Aldo Baren

Më të lexuarat

TIRANE – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Aldo Baren, verdikti i së cilës ishte mbyllja përjetë në qeli. Vendimi që pritej me një interes të jashtëzakonshëm u dha në një seancë më dyer të mbyllura, që nuk zgjati më shumë se pesë minuta. Pesëshja gjyqësore vendosi të mbyllë dyert për median e publikun, pa dhënë më herët një vendim, sikurse e detyron ligji.

Më herët po nga Gjykata e Apelit, vendimi për Baren ishte prishur për shkelje të rënda proceduriale dhe më tej Gjykata e Lartë e cila e riktheu sërish në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, kishte lënë disa detyra. Trupa gjyqësore, nuk i zbatoi asnjë nga detyrat e gjykatës supreme, por brenda dy seancash firmosi për fatin e të pandehurit.

Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm për të paktën pesë vrasje, të kryera në kuadër të bandës që themeloi në 1997-ën me qëllimin e vetëm për të ekzkekutuar kundërshtarin e tij, Artur Daja pasi e bënte përgjegjës për ekzekutimin e të vëllait, Ramadan Shkurti.

Banda e Bares veproi për vite me radhë, derisa vetë i shumëkërkuari u prangos pas shtatë vitesh në Turqi dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë ku ndodhet prapa hekurave.

VENDIMI I GJYKATES SE KRIMEVE TE RENDA
Gjykata e Krimeve të Rënda e gjeti fajtor Aldo Baren (Alfred Shkurtin) për katër vrasje, dy tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale. Për secilën nga këto akuza i pandehuri u dënua me 247 vite burg, por në bashkim të dënimeve, përfundimisht Aldo Bare u ‘kyç’ matanë hekurave përjetësisht.

Verdikti i trupës gjyqësore, e cilësonte fajtor Aldo Baren për katër vrasje në dëm të shtetasve, Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu. Në vendimin e saj, gjykata shprehej se vrasja e Genci Kasharit nuk është kryer në kuadër të organizatës kriminale, por shërbeu si pikënisje për krijimin e saj, pasi në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait, Aldo Bare nisi fushatën “shfarosëse” duke ekzekutuar kundërshtarët e tij.
Tri vrasjet e tjera, janë kryer në kuadër të bandës kriminale dhe vetëm për ekzekutimin e Xhevat Demirit, i pandehuri mori dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, pasi nga provat ka rezultuar se ka qenë dhe vetë i pranishëm në ngjarje.

Sa u përket dy ekzekutimeve të tjera, Aldo Bare është dënuar vetëm si urdhërues dhe është dënuar nga 25 vite për secilën prej tyre. Kapoja i bandës famëkeqe u cilësua fajtor dhe për tentativat për ekzekutimin e dy kundërshtarëve të tij më të fortë, Artur Daja dhe Gramoz Selmani, të cilët i bënte përgjegjës për vrasjen e të vëllait Ramadan Shkurti. Aldo Bare u shpall fajtor edhe për “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe u dënua 5 vjet; për “shkatërrim prone me zjarr” u dënua me 10 vite burgim, ndërsa për “krijim të organizatës kriminale” u dënua me 8 vite burgim. Përfundimisht, në bashkim të dënimeve Bare do të qëndrojë përjetë pas hekurave.

KAPOBANDA
Vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares në korrik 1997, shërbeu si pikënisje e një seriali të gjatë vrasjesh dhe shkatërrimesh. Aldo Bare së bashku me të vëllanë, Ramadanin, Enver dhe Bardhyl Rabinë, nisen në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me miqtë e tij Genci Kashari e Gramoz Selmani, si dhe të afërmit e tjerë. Sapo i afrohen lokalit, sipas prokurorisë, grupi i Bares qëllon në drejtim të Artur Dajës dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i vrarë Genci Kashari. Artur Daja vetëm sa plagoset. Plumbave nuk u shpëton as Ramadan Shkurti e Bardhyl Rabija, të cilët ndodheshin në makinë. Por nuk ishte e thënë që ndonjëri prej tyre të shpëtonte. Artur Daja mbërrin pranë tyre duke i qëlluar për vdekje. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Aldo Bare krijon bandën famëkeqe dhe ekzekuton të gjithë miqtë e Artur Dajës. Vetë këtë të fundit, kapobanda, urdhrat e të cilit ishin të padiskutueshme, nuk arriti ta vriste. Por “ushtarët’ e tij e vranë dhe i prenë kokën duke ia shëtitur mes përmes Lushnjës.

(er.nu/BalkanWeb)kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit