18.4 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Gjuha arabe nuk është thjesht mjet komunikimi gjatë thirrjes së Ezanit dhe për faljen e Namazit

Më të lexuarat

Jo në pak raste dëgjojmë zëra, ku adresojnë kritika në lidhje me thirrjen e ezanit (ritual fetar islam që përdoret për të lajmëruar besimtarët për të falur namazin), dhe kryerjen e obligimit të namazit, në përdorimin e gjuhës kuranore (arabe) gjatë praktikimit të tyre. Këto ide për të nacionalizuar ritualet fetare në gjuhën përkatëse (tek rasti ynë gjuha shqipe), janë të kahmotshme dhe ekziston tendenca (qëllimi) që përmes kësaj forme, edhe të bëhet zhvlerësimi i islamit burimor, ashtu siç ka zbritur në kohën e profetit Muhamed. Kjo ide në vazhdimësi gjen terren në territoret shqiptare, sidomos gjatë kohës së prezencës së ideologjisë komuniste, ku bazament të saj kishte edhe ateizmin (mohimin e ekzistencës së Zotit).

Nga pikëpamja fetare, është e pa kontestueshme, që ezani dhe namazi të përdoren në formën origjinale, siç na vjen në praktikën profetike, ku gjuha arabe në këtë rast nuk përdoret thjesht si gjuhë komunikimi në namaz, por edhe si gjuhë përmbajtjesore, pasi në namaz thuhen pjesë origjinale nga Kur’ani (fjalët e Zotit). Besimtarët muslimanë e kanë obligim fetar që ta pasojnë në mënyrë korrekte (origjinale) praktikën fetare të namazit të zbatuar nga profeti Muhamed. Gjithashtu në shumë vargje kuranore, Allahu iu drejtohet besimtarëve për kryerjen e obligimit të namazit dhe të këndojnë pjesë të caktuara nga Kur’ani. Në fakt, Kur’ani ekziston vetëm në gjuhën arabe dhe jo në gjuhët e tjera prezente nëpër botë. Çdo ndryshim që i bëhet Kur’anit, qoftë edhe në aspektin gjuhësor, ai libër zhvlerësohet nga pozita e Kur’anit dhe konsiderohet sikurse librat e tjerë të zakonshëm. Shembull, mund të ketë përkthim të Kur’anit në gjuhën shqipe, por ai libër i përkthyer nuk konsiderohet Kur’an, por libër me referencë fetare. Esenca e Kur’anit është mosndryshimi, pasi çdo ndërhyrje do e bënte atë të zhvlerësuar nga forma origjinale.

Si përfundim, muslimanët nuk duhet të bien viktimë e idesë së ndryshimit gjuhësor të ezanit dhe namazit, pasi në këtë rast ata do ta zhvlerësonin vetveten në çështjen e besimit dhe do të largoheshin konsiderueshëm nga parimet fundamentale islame dhe nga praktika profetike. Kur’ani duhet të përkthehet në gjuhën shqipe, të lexohet, të mësohet dhe të studiohet, me qëllimin e mirë për të kuptuar fjalët e Zotit, por pa e cenuar origjinalitetin e tij.

Shpejtim Morina

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit