Ganushi theksoi se Gadishulli Arabik është orientim i muslimanëve dhe muslimanët duan që tokat e shenjta të jenë në paqe dhe mirëqenie
TUNIS (AA) – Lideri i Partisë Lëvizja Nahda në Tunizi, Rashid el-Ganushi, përsëriti thirrjen e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan që kriza diplomatike mes Katarit dhe disa shteteve arabe të zgjidhet para festës së Bajramit, duke ftuar mbretin e Arabisë Saudite Selman bin Abdulaziz t’i bashkojë sërish liderët arabë.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ganushi theksoi se Gadishulli Arabik është orientim i muslimanëve dhe muslimanët duan që tokat e shenjta të jenë në paqe dhe mirëqenie. “Shpresojmë që para përfundimit të muajit të Ramazanit, Gadishulli Arabik dhe vëllezërit tanë në shtetet e Gjirit t’i kthehen gjendjes së mëparshme”, thotë Ganushi.
Ganushi thekson se ndiejnë pikëllim të thellë nga ngjarjet në këto ditë të gjysmës së dytë të Ramazanit në të cilën ka zbritur Kur’ani, në tokat e zbritjes së revelatës hyjnore dhe në shumë vende të botës islame.
Lëvizja Nahda, siç thotë Ganushi, ka zgjedhur rrugën heqjes së bllokadës diplomatike dhe zgjidhjes së problemeve përmes dialogut.
“Sado që të jenë të mëdha mosmarrëveshjet, nuk ka nevojë për bllokadë dhe bojkot mes vëllezërve. Të gjithë ata janë vëllezërit tanë. Ata sërish duhet të bashkohen, madje t’i bashkojnë edhe zemrat. Urojmë që Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim të veprojë sërish jo vetëm për interesa ekonomike, por edhe për realizimin e interesave shpirtërore dhe politike”, shprehet lideri i Lëvizjes Nahda, Ganushi.
Ganushi thotë se përkrah përpjekjet e presidentit të Turqisë Erdoğan, ato të emirit të Kuvajtit Shejh Sabah al-Ahmed al-Xhabir al-Sabah dhe ato të Sulltanatit të Omanit, duke theksuar se Turqia ka shfaqur qëndrim parimor në zgjidhjen e krizës.
“I bëj thirrje Hadimu’l Haramejn-i Sherifejn-it (Kujdestarit të dy xhamive të shenjta – mbretit Selman), të bashkojë sërish bijtë e tij (liderët arabë) në vëllazëri dhe bashkëpunim. Edhe Erdoğan bëri thirrjen e njëjtë, kërkoi që mosmarrëveshjet të përfundojnë para ardhjes së Bajramit”, shtoi Ganushi.
Duke folur edhe për listën e terrorit publikuar gjatë krizës, në të cilën katër shtetet që bllokuan Katarin vendosën 59 persona dhe 12 organizata bamirëse, Ganushi është i mendimit se këto probleme do të largohen me rivendosjen e lidhjeve të dashurisë, siç thotë, mes vëllezërve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Ai po ashtu konsideron se shpallja e listave të terrorit nuk do të lë efekt të madh mbi rezistencën palestineze dhe Hamasin dhe thekson se në rast të zgjidhjes së mospajtimit mes shteteve, në fazën e dytë vetvetiu zgjidhen edhe këto probleme.
Ganushi thotë se ndërhyrjet e jashtme u hapin rrugën mosmarrëveshjeve të brendshme, ndërsa beson se kur të zgjidhen këto probleme, atëherë nuk do të ngelet nevoja për ndërhyrje të jashtme.
Ai njofton se edhe qeveria tuniziane ka bërë thirrje për pajtim, rivendosje të lidhjeve dhe arsye të shëndoshë.
Për fund, Ganushi rikujton se shoqëria e rajonit të Gjirit ka një strukturë fetare dhe sociale dhe se askund në botë nuk ka rajon të tillë me lidhje fetare dhe kulturore. Ai thekson se Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim ka lindur si rezultat natyror i kësaj strukture, e cila, sipas tij, duhet sërish të bashkohet.