-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Gaboni – Përhapja e fesë islame në Gabon

Më të lexuarat

Të dhëna statistikore(1):

* Emri ndërkombëtar anglisht: Gabon.

* Emri zyrtar: Gaboni.

* Sistemi i qeverisjes: Republikë.

* Sipërfaqja: 267,745 km2,

* Numri i banorëve: 1.485.832 (2009).

* Dendësia: 5.5 (banorë në 1 km2).

* Feja: muslimanë 12%, të krishterë 73% (pasues të kishave të ndryshme), besime vendëse 10% dhe ateistë 5%.

* Kryeqyteti: Librevil, që konsiderohet qyteti më i madh në vend.

* Qytetet e tjera: Port Gentil, Masuku, Oyem dhe Moanda.

* Grupet etnike: Bantu, Afrikanë, Fanxh, Ashire, Babunu, Batikë dhe Evropianë (Shumica e tyre francezë).

* Gjuhët kryesore: Frëngjishtja (gjuhë zyrtare) dhe dialektet vendëse Bantu.

* Njësia monetare: Frangu i Afrikës së Mesme (1.00 XAF = 0.002 EUR).

* Data e pavarësisë: 17 Gusht 1960.

* Festa kombëtare: 12 Mars 1968.

Pozita gjeografike

Gaboni si shtet afrikan, shtrihet në pjesën qendrore të Afrikës Perëndimore dhe ka dalje në oqeanin Atlantik. Vendi, nga veriu kufizohet me Guinenë Ekuatoriale, me një gjatësi prej 350 km, dhe me Kamerunin në një gjatësi prej 298 km; nga jugu dhe lindja me Republikën e Kongos, me gjatësi prej 1903 km; kurse, në bregdetin e oqeanit Atlantik Republika e Gabonit ka shtrirje me një gjatësi prej 885 km. Pyjet me të reshura të mëdha atmosferike, e mbulojnë tërë vendin, me përjashtim të një fushe të ngushtë bregdetare. Pjesët veriore, lindore dhe jugore janë të mbuluara me kodra, ndërsa pjesët qendrore dhe juglindore janë të mbuluara me male. Lumi më i gjatë në Republikën e Gabonit është lumi Ogoue, i gjatë 1200 km, i cili, së bashku me degët e tij, mbulojnë shumicën e rajoneve të vendit. Vendi bie pikërisht në zonën ekuatoriale. Gaboni konsiderohet njëri prej shteteve afrikane më me prosperitet, e meritë për këtë kanë sasia e konsiderueshme e pasurive natyrale, investimet e huaja dhe zhvillimi i programeve të Qeverisë.(2)

Shteti i Gabonit ka mbi 53 aeroporte, por vetëm 10 prej tyre janë të asfaltuara. Vendi posedon edhe disa porte detare, si porti Gamba, Liberville, Lucinda dhe Port Gentil.(3)

Republika e Gabonit ka disa institucione të larta mësimore, si: Universiteti i Shkencave të Shëndetësisë, Universiteti i Shkencës e Teknologjisë dhe universiteti Umer Bungu, etj.(4)

Librevil: Si kryeqytet i Gabonit, ka një popullsi prej 578,6 banorësh (sipas statistikave të datës 1 janar 2005). Ky qytet bie në grykën e lumit Gabon, pikërisht në bregdetin e oqeanit Atlantik. Si kryeqytet i Republikës së Gabonit, Librevili konsiderohet prej qendrave më të rëndësishme në vend. Qyteti llogaritet edhe nga portet më të famshme tregtare në vend, për eksportimin e kafe së, kakaos, orizit dhe misrit. Gjithashtu është i njohur edhe për portin e tij të veçantë, për peshkimin, anijendërtimtarinë dhe mirëmbajtjen e anijeve. Në rrethinat e këtij qyteti ka sasi të konsiderueshme bananeve dhe pasuri minerale, më të njohurat prej tyre janë miniera e manganit dhe e hekurit. Vlera e qytetit shtohet edhe më, sepse në rrethinën e tij posedon drurë të çmuar tropikalë. Në këtë qytet ka zona të rëndësishme dhe me ndërtesa gjigante. Gjithashtu në kryeqytet ka fabrika të shumta, si sosh tradicionale ashtu edhe kimike, fabrika për rafinimin e naftës, hekurit, çelikut dhe të artizanateve. Të gjitha këto, në aspektin ekonomik, ngrenë edhe më shumë rëndësinë e kryeqytetit dhe të vetë shtetit. Kjo veçanërisht pas zbulimit të naftës dhe të gazit natyror. Në kryeqytet ka edhe shumë xhami dhe qendra islame, ku mësohet gjuha arabe dhe mësohet përmendsh Kurani.(5)

Historia e gabonit

Historia e Gabonit është pak e njohur, ajo më shumë transmetohet edhe në mënyrë gojore. Megjithëkëtë, mendohet se banorët autoktonë të vendit janë Bejxhemijtë (Akzam), sa kohë që sot në Gabon ka shumë grupe fisesh, nga të cilët më i madhi është fisi Fanxh, i cili përbën një të tretën e banorëve të vendit.

I pari që vizitoi Gabonin nga të huajt, konsiderohet të ketë qenë detari portugez Dejxhu Kam, në shekullin xv. Në vitin 1839 francezët ngritën kolonitë e tyre të para

në bregun e majtë të Gjirit të Gabonit. Mandej, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, francezët okuponin gradualisht zona të reja brenda Gabonit. Më pastaj, portugezët Gabonin e quajtën me fjalën “Gabo”, e cila në gjuhën portugeze domethënë “lloj veshjeje e gjatë dhe e gjerë”, ngase zona e bregdetit ka formën e një rrobe të gjatë e të gjerë. Në vitin 1840 kryetarët e fiseve të bregdetit të vendit, u pajtuan që ata të kalonin nën sundimin e francezëve. Mandej në vitin 1910 vendi u bë pjesë e Afrikës Ekuatoriale Franceze, e cila përfshinte edhe Kongon, Çadin dhe Republikën e Afrikës së Mesme. Me datën 17 gusht 1960 vendi fitoi pavarësinë e plotë dhe u bë Republika e Pavarur e Gabonit, me Lion Meba-n kryetar të parë të vendit. Në vitin 1967 vdiq kryetari i vendit dhe atë e trashëgoi aleati i tij Albert Bernard Bonxhu, ndërsa në vitin 1973 kryetari i vendit Bonxhu, që deri atëherë kishte qenë i krishterë katolik, përqafoi Fenë Islame dhe menjëherë ndërroi emrin e tij të parë nga Albert në Umer. Njëkohësisht Fenë Islame, e pranuan të gjithë anëtarët e familjes së tij dhe disa nga ministrat e tij. Në historinë bashkëkohore të Republikës së Gabonit nuk bën pa u përmendur edhe kryetari i saj i dytë, Umer Bunxho, sundimi i të cilit deri tash ka mbushur dyzetë vjet. Sundimi i tij shumëvjeçar e radhit atë ndër kryetarët e njohur botërorë, që sunduan më së shumti. Kryetari Umer Bunxho i ka siguruar vetes lëvdatat e Organizatës së Unionit Afrikan, ashtu siç gëzon autoritet të konsiderueshëm në nivelin ndërkombëtar.(6)

Historia e perhapjes se islamit ne gabon

Feja Islame, nga lindja në Gabon kishte arritur përmes dy rrugëve. Duke kaluar nëpër vende të ndryshme, Feja Islame përmes brigjeve lindore të myslimanëve, depërtoi edhe në zemër të kontinentit afrikan. Ndërkaq, Islami zuri të përhapej veçanërisht kur u formua principata islame vendëse, si ajo e Hamed ibn Muhammed Er-ruhbi në lindje të Kongos. Nga veriu Islami depërtoi përmes rrugës së tregtarëve, që ishin edhe thirrës të mirëfilltë në Fenë Islame. Ata vinin kryesisht nga Egjipti dhe udhëtonin në drejtime të ndryshme të Afrikës si dhe në pjesën qendrore të kontinentit. Banorët e këtyre zonave ranë shumë shpejt nën ndikimin e tregtarëve myslimanë, të cilët hapnin shkolla kudo shkonin. Banorët vendës në Fenë Islame gjetën besimin e mirëfilltë, që përkonte me kërkesat e tyre. Pikërisht për këtë arsye si dhe për shkak thjeshtësisë së mësimeve fetare dhe të sqarimit të denjë të tyre, ata pranuan Fenë Islame. Gjithashtu banorët e këtyre rajoneve u magjepsën shumë nga barazia vëllazërore e myslimanëve dhe nga vëllazërimi i tyre i njerëzishëm. Konkretisht, për këto shkaqe Feja Islame depërtoi dhe u përhap ngado, pavarësisht nga përpjekje të misionarëve të krishterë, që kishin vërshuar në kontinentin afrikan. Po ashtu, në këto vise Feja Islame hyri përmes kontributit të marokenëve, në kohën e murabitëve, të cilët i kishte dërguar udhëheqësi i tyre i njohur Jusuf ibn Tashfini, si thirrës në Fenë Islame nëpër zona të ndryshme të kontinentit të Afrikës, gjatë periudhës 493 h / 1100 m.(7)

Klima

Klima në Gabon është kryesisht klimë tropikale, e nxehtë dhe me lagështi gjatë tërë vitit. Nxehtësia në vend rritet përgjatë zonave fushore, të cilat kanë shumë të reshura atmosferike. Për këtë arsye, zonat fushore mbulohen me pyje të pasura ekuatoriale. Kurse shira të rrëmbyeshme bien në të gjitha pjesët e vendit, veçanërisht përgjatë bregdetit verior. Temperaturë arrin në afro 26 gradë Celsius. Natyra e përgjithshme e Gabonit i ngjason natyrës së Ekuatorit, sepse Gaboni ndodhet në pjesën ekuatoriale. Pika më e lartë e terrenit të vendit konsiderohet ajo që gjendet në malin Iboundji, deri në 75 m.(8)

Gjendja ekonomike

Republika e Gabonit gëzon një mesatare të lakmueshme të të ardhurave për kokë banori, që është katër herë më e lartë, krahasuar me shumicën e vendeve në Saharën Afrikane. Megjithëkëtë, një pjesë e madhe e popullsisë, për shkak të mosekuilibrit në të ardhurat e popullit, ende vuajnë nga varfëria. Ekonomia e Gabonit mbështetet kryesisht në sasinë e madhe të drurit, manganit dhe naftës, që është zbuluar në fillim të vitit 1970, pikërisht në ujërat e brigjeve të Gabonit. Sektori i naftës aktualisht kontribuon me 50% për prodhimin vendor në tërësi. Republika e Gabonit vazhdon të vuajë nga luhatshmëria e çmimeve të eksporteve të saj themelore, si të naftës, drurit, manganit dhe uraniumit. Me gjithë bollëkun e burimeve natyrore të Republikës së Gabonit, prapëseprapë ekonomia e vendit, për shkak të keqadministrimit financiar, vuan nga varfëria. Ngritja e çmimit të naftës në vitet 1999/2000, ka ndihmuar rritjen ekonomike të vendit. Prej burimeve më të rëndësishme natyrore të Republikës së Gabonit, dallohen edhe këto: nafta, gazi natyror, diamanti, mangani, uraniumi, ari, druri, hekuri i papërpunuar dhe hidrocentralet.

______________

(1) Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 67. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f. 123. Logos-A, 2009, Shkup.

(2) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 71, 72. www.almoqatel.com

(3)almoqatel.com.Amir B. Ahmeti; f.123.

(4) 4icu.org

(5) wikipedia.org

(6) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 72, 73.

(7) Amine Ebu Haxher; f. 345, 346.

(8) ankawa.com

Mr. Samir B. Ahmeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit