4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

FRUTI NË MJEKËSINË PROFETIKE

Më të lexuarat

Janë një sërë thëniesh të Profetit mbi vetë mjekësinë dhe posaçërisht lidhur me atë që quhet profilaksi. Fundja, një pjesë të madhe të mjekësisë e zë disiplina mjekësore e profilaksisë. Dhe duhet ta zërë! Sepse esenciale është të mbrohet personi nga sëmundja, gjë që është mjaft e lehtë, kurse mjekimi pasi personi të sëmuret është mjaft i vështirë dhe i shtrenjtë.

Dijetarët islamë e kanë përkufizuar mjekësinë profetike si “diturinë e cila bën fjalë mbi hadithet e Profetit (s.a.s.) mbi mjekimet e të sëmurëve”[1]. Në veprat lidhur me mjekësinë profetike, krahas haditheve mbi mjekimin e të sëmurëve, zënë vend edhe hadithet mbi bimët mjekësore, perimet dhe frutat. Të sëmurët që është dashur të mjekohen me barna të kombinuara ose me ndërhyrje kirurgjikale, Profeti i ka dërguar tek mjekët specialistë të fushës së tyre, të cilët kanë njohur metodat e mjekimit dhe zbatimin e tyre. Duke bërë të ditur se perimet, barërat shëruese dhe frutat, krahas ushqyeshmërisë, janë pretekste shërimi, na ka tërhequr vëmendjen mbi burimin e shërimit të krijuar nga Zoti tek ushqimet. Nëse nuk teprohet dhe nëse bëhet një ushqyerje e drejtë, çdo bimë e krijuar si ushqim është, në të njëjtën kohë, pretekst shërimi. Ushqimet dhe, posaçërisht, frutat kanë vend të rëndësishëm edhe në ushqyerje, edhe në zhvillimin e një jete të shëndetshme.

Frutat janë ndër dhuntitë më të mira të botës. Vërtet, orientimi tek fruti në mjekësinë tradicionale, i jep njeriut lumturi[2]. Frutat janë sa dhunti të botës, në të njëjtën kohë po aq edhe dhunti të xhennetit, parajsës. Në Kur’an (Dhuhruf, 43/73), duke deklaruar, “atje (në xhennet) ka për ju çdo lloj fruti që hahet ashtu si ta doni ju”, njoftohet se edhe në xhennet do t’u ofrohen njerëzve lloje-lloje frutash. Kurse në një ajet tjetër, dhuntitë e xhennetit janë përshkruar me shprehjen, “atje ka lloje frutash, drurë hurmash plot veshule, drithëra me bisht dhe gjethe si dhe bimë erëkëndshme[3]” (Kur’ani, Rahman, 55/11).

 

  1. Fruti në jetën e Profetit

Mesa dihet, në periudhën e Profetit (s.a.s.), në Mekë nuk rriteshin dhe nuk kultivoheshin fruta[4]. Mekasit njihnin frutat që vinin prej zonave përreth si Medina dhe Taifi. Në Medinë kultivoheshin hurmat, kurse në Taif, rrushi. Veç kësaj, në Mekë shkonin fruta nga zona si Jemeni dhe Siria. Kur Profeti emigroi në Medinë, i inkurajoi medinasit me jetesë të lidhur pas produktit të hurmës, të rritnin dhe kultivonin hurma, i njoftoi se personi që mbillte hurmë do të fitonte sevap sadakaje edhe sikur nga ajo pemë të hanin zogjtë[5], e ndaloi prerjen e drurëve të hurmës[6] dhe, kur sillnin një degë hurme me fruta për t’u përdorur në ndonjë punë, urdhëronte që, më parë, të vileshin frutat që kishte dega[7], duke tërhequr vëmendjen, kështu, që degët e hurmave nuk duheshin këputur.

Profeti (s.a.s.) i dha vlerë rritjes dhe kultivimit të frutave dhe, duke i lavdëruar disa lloje frutash, nxiti dhe inkurajoi posaçërisht mbjelljen e tyre. Kështu, sipas një hadithi profetik, duke thënë se “ulliri është një pemë e bekuar”, nxiti dhe inkurajoi mbjelljen e ullinjve[8].

  1. a) Fruti në gjuhë dhe letërsi

Rëndësia që u dha Profeti frutave, iu reflektua edhe stilit të shprehjes së tij. Ai fliste për gjërat e bukura që i pëlqenin, duke ua përngjasuar frutave. Për shembull, begatinë e besimtarit ia përngjasonte begatisë së drurit të hurmës. Duke ia përngjasuar besimtarin drurit të hurmës, që mbetet gjithmonë e blertë, që siguron përfitime nga frutat, gjethet dhe degët, shkurt, nga çdo gjë e tij, e ka përshkruar duke dhënë si shembull frutin, për të treguar se çdo gjë që ka për t’i ndodhur besimtarit, do të jetë në të mirë të tij[9]. Kështu, duke ia përngjasuar besimtarin që këndon Kur’an drurit të pjeprit me shije të mirë dhe aromë të këndshme, kurse besimtarin që s’këndon Kur’an, hurmës së thatë të ëmbël, por pa aromë, i ka nxitur besimtarët të këndojnë Kur’an[10].

 

  1. b) Fruti në dhuratat reciproke

Sahabet fisnikë që e dinin se sa i donte Profeti frutat, pothuaj bënin garë me njëri-tjetrin për t’i dhuruar Atij frutat që donte. Për shembull, Hz. Bilali (r.a.) që e dinte se Profetit i pëlqente hurmaja e llojit “barni”, i pati ofruar Atij si dhuratë hurma barni[11]. Sahabet fisnikë i dhuronin të Dërguarit të Allahut edhe frutat që piqeshin të parat. Profeti (s.a.s.) e merrte frutin e pjekjes së parë që ia kishin dhuruar, lutej si në vijim dhe ia dhuronte fëmijës më të vogël që i ndodhej pranë: “Allahu im! Begatoji frutat tona dhe qytetin tonë dhe jepu begati mbi begati masave dhe peshoreve tona!”[12]

Frutat që i dhuroheshin, i Dërguari i Allahut herë ua jepte sahabeve që i ndodheshin pranë, herë ua dërgonte si dhuratë zonjave sahabe. Një radhë, i dha një veshul rrushi nga dhuratat që ia kishin dërguar nga Taifi, sahabit të ri, Numan b. Beshir (r.a.) duke e porositur që t’ia çonte nënës. Duke mos e përballuar dot ngasjen, Numani e hëngri rrushin kokërr pas kokrre gjatë rrugës gjersa arriti në shtëpi. Disa ditë më vonë, kur e pa Numanin, i Dërguari i Allahut e pyeti: “A ia dërgove nënës veshulin me rrush?” Hz. Numan iu përgjigj: “Unë e hëngra vetë atë!”. Dhe Profeti e qortoi Numanin me shaka: “Hë, ti, i pabesë!”[13]

 

  1. c) Përmirësimi i varieteteve të frutave

Profeti (s.a.s.) donte që një punë të bëhej mirë e bukur dhe i lavdëronte ata që e bënin punën mirë. Lavdërimet e tij mbi frutat cilësore e të dobishme i kanë inkurajuar sahabet për t’i përmirësuar frutat. Profeti (s.a.s.) u jepte delegacioneve që shkonin në Medinë për ta dëgjuar, të dhëna mbi frutat që rriteshin në zonat e tyre. Në vitin e 8-të të Hixhrit Profeti (s.a.s.) u pati treguar pjesëtarëve të delegacionit të Abdulkajsit që kishin shkuar për t’i bërë vizitë, për llojet e hurmave që rriteshin në vendbanimet e tyre dhe u pati thënë: “Hurma barni është më e mira dhe më e dobishmja ndër hurmat tuaja!” Pasi qenë kthyer nëpër vendet e tyre, pjesëtarët e delegacionit i patën dhënë rëndësi mbjelljes së hurmave barni dhe, pas një kohe, të gjithë drurët e hurmave ishin bërë të llojit barni[14].

Në një hadith ku tregonte se ç’do të ndodhte në të ardhmen, duke përshkruar periudhën para kiametit, Profeti ka treguar se toka do të begatohet, se shegët do të bëhen aq të mëdha, sa nën hijen e një kokrre do të mblidhen një grup njerëzish që do të hanë së bashku një kokërr shegë e s’do ta mbarojnë dot[15]. Duke theksuar në këtë hadith profetik që, si rezultat i ndryshimeve në strukturën gjenetike të frutave dhe i përmirësimit të varietetit, sa do të mund të rriten frutat, në një drejtim Profeti (s.a.s.) ka nxitur dhe inkurajuar besimtarët të bëhen paraprijës dhe udhëzues në këto lloj punësh.

Lavdërimet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) mbi frutat i kanë nxitur dhe inkurajuar njerëzit për të rritur dhe kultivuar fruta të dobishme dhe shëruese dhe në këtë mënyrë është penguar humbja e disa lloje frutash cilësore të vështira në kultivim. Profeti e donte hurmën axhve që rritej sidomos në Medinë. Duke thënë se “hurma axhve është nga frutat e xhennetit” (Tirmidhî, Tibb 22; Ahmed b. Hanbel, 5/346), Profeti (s.a.s.) e ka lavdëruar hurmën axhve. Si rrjedhojë e lavdërimit të tij, hurma axhve është bërë gjatë gjithë historisë hurma e kërkuar më shumë.

 

  1. Dashuria e Profetit për frutat

Fruti kishte një vend të veçantë në jetën e Profetit (s.a.s.). Në sunnetin e tij të ngrënies së frutave ka për ne shembuj jo vetëm nga këndvështrimi mjekësor, por edhe nga këndvështrimi i ushqyerjes si dhe i respektit ndaj dhuntive të Zotit. Pa dyshim, hurma është fruti që Profeti (s.a.s.) donte më shumë.

 

  1. a) Hurmën e donte

Në jetën e të Dërguarit të Madh, Profetit (s.a.s.), hurma kishte një vend të veçantë. Ai e hapte agjërimin me hurmë të njomë. Kur nuk gjente dot hurmë të njomë, e hapte agjërimin me hurmë të thatë. Kur nuk gjente as hurmë të thatë, bënte iftar me ujë[16]. Foshnjave të porsalindura që ia çonin për t’u bërë lutje, Profeti ua ngjyente gojën me hurma të zbutura dhe pastaj u këndonte lutje[17].

Profeti nuk i refuzonte hurmat e njoma që ia sillnin në stinën e hurmave[18]. Kurse hurma e thatë ishte ushqimi më i rëndësishëm i të varfërve të Medinës. Hz. Aishe (r.anha) e ka shprehur me këto fjalë faktin se ato ditë nuk kishin gjetur gjë tjetër për të ngrënë: “Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndërroi jetë, qemë ngopur me hurma të thata dhe ujë.” (Buhârî, Et’ime 6; Muslim, Zuhd ve’r-Rekâik 30-31) Atyre që nuk gjenin dot ç’të hanin për gjellë darke, Profeti u rekomandonte të hanin hurma të thata dhe, duke thënë “mos e lini pa ngrënë darkën; po s’gjetët dot gjë për të ngrënë, të paktën hani një grusht hurma të thata” (İbn Mâxhe, Et’ime, 54), theksonte rëndësinë e hurmës në ushqyerje.

Profeti ka bërë të ditur se shtëpia ku nuk gjenden hurma, është si një shtëpi boshe ku nuk ndodhet asgjë për të ngrënë. Në një hadith tjetër, duke thënë se “njerëzit në shtëpinë ku nuk ndodhen hurma, duhet të kenë mbetur të pangrënë”, ka shënuar vendin e ngrënies së frutave në ushqyerje dhe rëndësinë e hurmës në jetën e medinasve[19].

I Dërguari i Allahut i cili i shihte frutat si dhuratë e Zotit për robtë e vet, i jepte vlerë çdo lloj fruti. Profeti donte më të mirën e hurmave, por nuk i hidhte hurmat e thara dhe të krimbura, i zgjidhte ato më të mirat dhe i hante.[20] Ai nuk e shihte me miratim as braktisjen në kalbje të frutave të rëna përtokë dhe, kur gjendej në tokë ndonjë frut, thoshte se është më e përshtatshme të merret, të pastrohet dhe të hahet. Një ditë kur po kalonte në rrugë bashkë me sahabet, pati parë përtokë një hurmë të thatë dhe pati thënë: “Po të mos dyshoja se do të jetë nga hurmat për sadaka, do ta merrja e do ta haja!” (Muslim, Zekât, 164).

 

  1. b) Profetit i pëlqenin frutat e bëra

Në mjekësinë tradicionale është këshilluar të hahen frutat e bëra. Kur mjeku i famshëm arab Harith b. Kelede i cili pati jetuar në kohën e Profetit, po vdiste, e patën pyetur se cilat ishin këshillat dhe porositë e tij lidhur me mjekësinë, pati thënë se frutat duheshin ngrënë në stinën e pjekjes së plotë të tyre[21]. Profetit i pëlqente t’i hante në kohën e pjekjes së plotë frutat që bëheshin në vendbanimin e vet. Allahu i Lartë i ka bërë frutat e çdo vendbanimi të dobishme dhe shëruese veçanërisht për njeriun e asaj zone. Ngrënia me shumicë e frutave që rriten në një zonë të caktuar, sidomos në kohën e pjekjes së plotë, është pretekst për t’u mbrojtur nga sëmundjet dhe për të patur shëndet të mirë[22]. Po kështu, në një ajet kur’anor, Zoti ka bërë të ditur se tek frutat, edhe në kohën e lidhjes së parë, edhe kur arrin pjekja e plotë e tyre, për njerëzit ka shembuj mësimdhënës[23].

I Dërguari i Madh ka porositur të hahen frutat e bëra. Duke porositur të mblidhen kokrrat e bëra të frutit të pemës erak që rritet në male dhe që e hanë më shumë çobanët, ka thënë se kokrrat e bëra janë më të ëmbla[24]. Ensari Ebul Hejsem (r.a.) pati pritur si miq në kopshtin e tij të hurmave të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) bashkë me shokë dhe i pati gostitur me hurma të nxjerra në një tabaka. Atëherë, Profeti i cili vuri re se ndër frutat e nxjerra për ta kishte edhe të pabëra, pati thënë: “Sikur të kishe zgjedhur vetëm të bërat!” Me këto fjalë, ai tërhiqte vëmendjen që të këputeshin vetëm hurmat e bëra[25].

 

  1. c) Profetit i pëlqente të hante fruta të ndryshme së bashku

Ibni Kajjimi që na informon mbi shprehitë e Profetit në ushqyerje, thotë se ai nuk hante vazhdimisht të njëjtat ushqime, se nga gjërat që haheshin zakonisht në vendin e tij, hante, qoftë edhe me pakicë, nga të gjitha, pa zgjedhur. Sipas tij, ngrënia nga pak prej gjërave të ndryshme është shprehi ushqyerjeje jashtëzakonisht e dobishme[26]. Kështu, Profeti (s.a.s.) këshillonte ngrënien në sasi të pakët dhe, duke thënë se “ena më e keqe që mbush njeriu, është stomaku i tij”, ka theksuar rëndësinë që ka ngrënia në sasi të pakët për shëndetin[27].

Sipas mendësisë së mjekësisë tradicionale, ushqimet janë klasifikuar, nga këndvështrimi i ndikimeve që ushtrojnë në trupin e njeriut, në të njoma, të thata, të nxehta dhe të ftohta. Mjekët i kanë grupuar edhe frutat sipas këtyre cilësive dhe kanë sqaruar se është më e dobishme për shëndetin që ushqimet dhe frutat e të njëjtit grup të mos merren së bashku. Mjeku i famshëm Galeni nga Bergama[28] ka pretenduar se nuk është sëmurë ngaqë ka ngrënë pak dhe se ka ngrënë ushqime të përputhshme me njëri-tjetrin[29]. Megjithëse mjekësia e ditëve të sotme është braktisur (në këtë drejtim) sepse i ka klasifikuar frutat me natyrë të nxehtë dhe të ftohtë dhe se ka bërë edhe klasifikime më të ndryshme, edhe në mjekësinë moderne pranohet se marrja e vitaminave dhe mineraleve të domosdoshme për trupin, nga ushqime të ndryshme, është e rëndësishme nga këndvështrimi i ushqyerjes së shëndetshme.

Edhe nëse vëzhgimi i harmonisë midis të ngrënave shprehet në forma të ndryshme në çdo periudhë, është shumë i rëndësishëm përsa i përket ushqyerjes së shëndetshme. Profeti (s.a.s.) i ka ngrënë frutat së bashku me fruta të tjera ose me ushqime të ndryshme. Në një shtëpi ku pati shkuar si mik, i patën nxjerrë kajmak dhe hurma të thata të cilat i pati ngrënë së bashku[30]. Ka rrëfime sipas të cilave ka ngrënë hurma të njoma me marule (sallate) dhe hurma të njoma me shalqin[31]. Dhe, në një rrëfim (rivajet), arsyen e ngrënies së hurmës së njomë me shalqin e ka shpjeguar kështu: “Nxehtësinë e kësaj (hurmës së njomë) e thyejmë me ftohtësinë e këtij (shalqinit) dhe ftohtësinë e këtij (shalqinit) e thyejmë me nxehtësinë e kësaj (hurmës së njomë)”[32].

Fruti, veçanërisht hurma, ka një vend të rëndësishëm në ushqyerjen e shëndetshme të personave me strukturë trupore të dobët që nuk shtojnë në peshë. Eshtë pranuar se kur hahet pak prej saj, hurma është ose vepron si frut, kurse kur hahet me shumicë, është ose vepron si ushqim. Siç bëhet e ditur në hadithet profetike, Profeti (s.a.s.) e ka ngrënë hurmën me marule (sallatë jeshile)[33]. Hz. Aisheja (r.anha), duke u mbështetur në përvojën e saj, ka thënë se ngrënia e hurmës së njomë bashkë me sallatën e forcon trupin, se bën mirë për dobësinë[34].

Profeti (s.a.s.) ka porositur që hurma e thatë të hahet së bashku me frutat e ngrënshme të pabëra ose me bërthamat e tyre[35], si edhe së bashku me hurmën e njomë. Në shpjegimin e kësaj çështjeje, autorët e mjekësisë profetike thonë se mjekët nuk e shohin të përshtatshme ngrënien së bashku e dy të ngrënave me natyrë të nxehtë ose e dy të ngrënave me natyrë të ftohtë. Prandaj Profeti ka porositur të hahen bashkë hurma “çağla” me natyrë të ftohtë dhe të thatë me hurmën me natyrë të nxehtë dhe të njomë me qëllim që dëmi i njërës të ekuilibrohet me tjetrën dhe anasjelltas[36].

 

  1. d) Profeti nxiste dhe inkurajonte mjekimin me fruta

Në disa hadithe, i Dërguari i Allahut ka porositur përdorimin e frutave për mjekim. Ua ka mësuar të tjerëve ilaçet e përgatitura me hurma. Një herë, një sahabi të sëmurë që ankohej nga dhimbje të gjoksit, e ka dërguar në Taif tek mjeku Harith b. Kelede duke e porositur kështu: “Ai e njeh mjekësinë. Le t’i shtypë bashkë shtatë hurma axhve të Medinës së bashku me bërthamat dhe të ta fërkojë gjoksin!”[37]

Profeti ka porositur që hurma axhve të hahet në mëngjes pas ngritjes nga shtrati. Duke e përcaktuar edhe numrin e hurmave që duhen ngrënë, ka nxitur ngrënien e shtatë hurmave axhve në mëngjes: “Personit që ha shtatë kokrra hurma axhve në mëngjes, atë ditë nuk i bën dëm as magjia, as helmi!” Profeti ka tërhequr vëmendjen mbi dobitë mjekësore dhe shpirtërore të hurmës axhve[38]. Në disa variante rrëfimesh të këtij hadithi ka tërhequr vëmendjen posaçërisht mbi dobitë mjekësore dhe shpirtërore të hurmës axhve që rritej në zona të caktuara. Profeti ka rekomanduar rritjen e kësaj hurme në bjeshkët e Medinës dhe ka thënë: “Ka shërim në hurmat e rritura në bjeshkë” dhe “Ato janë ilaçe, janë kundërhelme!”[39].

Profeti u nxirrte fruta shokëve që i shkonin, u tregonte për dobitë mjekësore të frutave që u nxirrte për t’i gostitur dhe i nxiste ata të hanin fruta. Kur Talhai (r.a.) kishte hyrë te Ai, ia kishte zgjatur ftoin që kishte në dorë dhe i kishte thënë: “Talha, merre këtë. Ftoi ta qetëson dhe ta fuqizon zemrën!”[40]

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk ia rekomandonte çdo njeriu ngrënien e hurmës. Ai nuk i pati lejuar të sëmurët e periudhës së konvaleshencës të hanin nga hurmat çağla – ndoshta se dyshonte për vështirësi tretjeje[41].

 

  1. e) Profeti i pëlqente pijet me lëngje frutash (musht-hoshaf)

Si në çdo gjë, Profeti ka pëlqyer dhe zgjedhur atë që ishte e thjeshtë (e papërzier) dhe natyrore. Profetit i pëlqente të pinte qumësht. Madje, kur natën Isra i patën ofruar dy kupa, njërën me qumësht dhe tjetrën me musht, pati parapëlqyer të mbante kupën me qumësht. Xhebraili (a.s.) e pati komentuar këtë si pëlqim të natyrores[42].

Profeti ka pirë nga të gjitha pijet joalkoolike, si sherbet mjalti, musht, ujë, qumësht, etj. Nga sahabet, Enesi (r.a.) i cili ka patur nderin për t’u ndodhur në shërbim pranë Profetit, pati thënë: “Ja, me këtë enën time ia kam dhënë Profetit (s.a.s.) të gjitha pijet: sherbet mjalti, musht, ujë dhe qumësht!”[43]

Profetit i pëlqente të pinte një lloj mushti që i thoshin “nebz”. Brenda një ene uji të bërë prej lëkure apo prej guri, hidheshin hurma dhe liheshin në prehje. Pasi liheshin një natë në ujë, lëngu pihej, kurse kokrrat haheshin brenda tri ditëve. Pritja më e gjatë si dhe përgatitja e mushtit nebz në enë uji prej druri, kungulli e të tjera që e përshpejtojnë thartimin, nuk është parë e përshtatshme. Nëna jonë, Hz. Aishe, tregon: “Ne i përgatitnim musht të Dërguarit të Allahut në një enë uji duke i hedhur kokrrat e frutit në mbrëmje. Ai e pinte mushtin në mëngjes. Kur e përgatitnim enën në mëngjes, e pinte mushtin në mbrëmje. Profeti ka thënë për këtë se ka pirë nebz, por se frutat nuk janë lënë shumë në pritje[44]. Ndërkaq, Profeti nuk e pati parë të përshtatshme përgatitjen e mushtit duke përzier fruta të ndryshme ose hurmat e thara me hurmat e njoma, siç duket, ngaqë e kishin të ndryshme kohëzgjatjen e fermentimit[45].

 

PËRFUNDIM

Në ditët tona, fruti pranohet si një ushqim i rëndësishëm dhe i pamënjanueshëm në ushqyerjen e shëndetshme. Autorët e librave të hadithit dhe të mjekësisë profetike nuk e kanë trajtuar frutin në një kapitull më vete por kanë parapëlqyer t’i vlerësojnë frutat së bashku me ushqimet e tjera.

Vihet re se, në Shekullin e Lumtur kur kultura e ngrënie-pirjes praktikohej në mënyrë të thjeshtë, fruti, veçanërisht hurma, ishte një ushqim i rëndësishëm. Jashtë hurmës, fruta të tillë si rrushi dhe ftoi, meqë vinin nga qytete të ndryshme, qenë pranuar si produkte për dhuratë, në shkëmbimet e dhuratave qenë dërguar këto lloj dhuratash.

Nga hurma është përfituar jo vetëm si produkt ushqimor, por, në të njëjtën kohë, edhe si ilaç. Kur hurma përdorej si ilaç, parapëlqeheshin hurmat e llojeve të caktuara të rritura në vende të larta. Për mjekim dhe shëndet është këshilluar ngrënia brenda një disipline të caktuar në vartësi të numrit të kokrrave dhe kohës. Duke u parapëlqyer lloje të caktuara hurmash, është tërhequr vëmendja mbi rëndësinë e kultivimit të llojeve të mira dhe të përmirësimit të llojit. Kështu, ata që dëgjonin se hurma e llojit barni është më cilësore, kur ktheheshin në vendet e veta, i kthenin të gjitha hurmat në barni.  Gjatë gjithë historisë, muslimanët i kanë dhënë rëndësi përmirësimit të drurëve frutorë, kanë bërë përpjekje me rëndësi për përmirësimin e llojeve të drurëve frutorë dhe të procesit bujqësor.

Hurma është në krye të frutave që pëlqente Profeti. Fakti që frutat dhe perimet e çdo vendbanimi kanë qenë jashtëzakonisht të shëndetshme për banorët e atij vendbanimi, është njëra nga specifikat mbi të cilën mjekësia tradicionale ka qëndruar me këmbëngulje. Veç kësaj, është bërë e ditur se ngrënia e frutave mu në stinën e pjekjes së tyre të plotë është më e dobishme përsa i përket shëndetit. Profeti nuk ka lejuar të mblidhen hurmat pa u bërë, por ka parapëlqyer ngrënien e hurmës bashkë me perime dhe fruta si marulja e sallatës dhe shalqini.

Prof. Dr. Ayhan Tekinesh 

[1] Taşköprüzâde, Ahmed b. Mustafa, Miftâhu’s-se’âde ve misbâhu’s-siyâde, Bejrut 1985, 2/344.

[2] İbn Kayyim, et-Tibbu’n-Nebevî, Bejrut 1982, f. 323.

[3] Për informacion mbi frutat që përmenden në Kur’an, shih. Davut Aydüz, Kur’ân-ı Kerim’de Besinler ve Şifa, İzmir 2006, f. 92-113.

[4] Buhârî, Megâzi 28.

[5] Ahmed b. Hanbel, 4/61.

[6] Muvattâ, Cihâd 10.

[7] Muvattâ, Hudûd 12.

[8] Tirmidhî, Et’ime 43; İbn Mâxhe, Et’ime 43.

[9] Buhârî, Et’ime 42, 46.

[10] Buhârî, Fedâilu’l-Kur’ân 17.

[11] Buhârî, Vekâle 11; Muslim, Musâkât 96.

[12] İbn Mâxhe, Et’ime 39; Tirmidhî, De’âvât 53.

[13] İbn Mâxhe, Et’ime 61.

[14] Ahmed b. Hanbel, 3/432.

[15] Muslim, Fitn, 110. Hz. Aliu e ka nxitur ngrënien e shegës dhe ka porositur të hahet së bashku me cipat ndarëse që ka brenda: “Hajeni shegën së bashku me cipat, se ato e pastrojnë stomakun”. Ahmed b. Hanbel, 5/382.

[16] Ebû Dâvud, Siyâm 21.

[17] Muslim, Edeb 23-28.

[18] Buhârî, Et’ime 41.

[19] Për hadithet, shih.: İbn Mâxhe, Et’ime 38.

[20] Ebû Dâvud, Et’ime 43; İbn Mâxhe, Et’ime 42.

[21] İbn Kayyim, po aty, f. 319.

[22] İbn Kayyim, po aty, f. 171-172.

[23] Kur’ani, En’am, 6/99.

[24] Buhârî, Et’ime 50.

[25] Tirmidhî, Zuhd 39.

[26] İbn Kayyim, po aty, f. 169.

[27] Tirmidhî, Zuhd 47; İbn Mâxhe, Et’ime 50.

[28] Aelius Galenus ose Claudius Galenus (shek. III sipas Krishtit), i njohur më shumë si Galeni i Pergamonit (Bergama e sotme në Turqi), me etnicitet romano-grek, fizikan, kirurg dhe filozof. Përkthyesi.

[29] İbn Kayyim, po aty, f. 321.

[30] İbn Mâxhe, Et’ime 43.

[31] İbn Mâxhe, Et’ime 37.

[32] Ebû Dâvud, Et’ime 45.

[33] Buhârî, Et’ime 45.

[34] İbn Mâxhe, Et’ime 37.

[35] 1) Për vlerësimet mbi mbështetjen bibliografike të hadithit, shih poshtëshënimin İbn Mâxhe, Et’ime 40. 2) Në origjinal: Çağla hurma; angl. Green almond. Përkthyesi.

[36] İbn Kayyim, po aty, f. 222. Shemsuddîn ez-Zehebî, et-Tibbu’n-nebevî, Kajro 1961, f. 34-35.

[37] Ebû Dâvud, Tibb 12.

[38] Muslim, Eşribe 156.

[39] Buhârî, Et’ime 43; Tibb 52.

[40] Për pikëpamjet mbi mbështetjen bibliografike të këtij hadithi, shih poshtëshënimin Ibni Maxhe, Et’ime, 61.

[41] Ebû Dâvud, Tibb 2.

[42] Muslim, Eshribe 91, 92.

[43] Muslim, Eshribe 89.

[44] Tirmidhî, Eshribe 7.

[45] Muslim, Eshribe, 16, 86.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit