Pamje: asgjë e vjedhur, por shumëçka e shkatërruar
Xhamia e cila ishte gati të hapte dyert për falje këtë Ramazan në qytetin Wattignies, në veri të Francës, është dëmtuar ndjeshëm nga persona të panjohur.
Xhamia, e cila u ndërtua si pjesë e Fondacionit “El Emel”, u sulmua gjatë fundjavës nga një person ose grup personash të paidentifikuar, njoftoi media kombëtare.
Si pasojë e sulmit, ambientet e brendshme të xhamisë, përfshirë tavanet, janë bërë të papërdorshme dhe ka rezultuar se autorët kanë prerë më parë telat elektrike në objekt për të pamundësuar aktivizimin e alarmit dhe kamerës.
Megjithë shkatërrimin, xhamisë, e cila po përgatitej të hapte dyert për falje gjatë Ramazanit, nuk u vodh asgjë dhe ka nisur një hetim për sulmin.
Kryebashkiaku i Wattignies, Alain Pluss tha se ai besonte se sulmi ishte një akt islamofobik.
Përfaqësuesit e fondacionit gjithashtu deklaruan se mënyra se si u krye sulmi tregon se ai ishte planifikuar.
“E dënoj fuqishëm këtë vandalizëm islamofobik në Wattignies që ka kaluar kufijtë e tolerancës”, shkroi në Twitter deputeti francez David Guiraud. /tesheshil.com/