1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Fragmente të zgjedhura nga bota e Gajbit 1

Më të lexuarat

Nga: Muhamed El-ivedij

Fragmente të zgjedhura nga bota e Gajbit 1

Falederimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Zotit, qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Një ditë më erdhi një telefonatë nga një vajzë e cila pasi më përshëndeti më tha:”Kam parë një ëndërr dhe dua të ma komentosh.” Unë i thashë se nuk jam ekspert dhe nuk kam njohuri mbi këtë fushë, por unë njoh disa rregulla të përgjithshme mbi ëndrrat dhe si duhet të reagojmë me ëndrrat e gëzueshme dhe anasjelltas. Por ajo insistoi në të sajën dhe kërkonte komentin e ëndrrës, edhe pse unë u përpoqa ta bind se nuk kam njohuri në komentin e ëndrrave. Në fund, ajo më kërkoi që të paktën t’a dëgjoja ëndrrën e saj…
Vallë çfarë do të thotë diçka e tillë?
Kjo do të thotë që natyra e njeriut  e ka të pamundur të qëndrojë vetëm tek trupi. Ai është i bindur se gjithçka nuk përfundon brenda kufijve të këtij rrethi të ngushte materiesh dhe lëndësh të prekshme…  Ai është i bindur se përtej materies, ekziston një botë e gjerë, ajo e shpirtit dhe energji të tjera të brendshme.
Mos mendoni se unë do të flas mbi ëndrrat! Jo, kjo nuk do të ndodhë….
Ushqimi dhe ajo që e ngop trupin, janë pijet dhe ushqimet e ndryshme. Kurse ushqimi i mendjes dhe arsyes së njeriut, janë nocionet, ideologjitë, besimet etj… Por cili është ushqimi i shpirtit? Padyshim që edhe ai ka nevojë për ushqim. Nëse shpirti – i cili është qendra e anës emocionale – merr ushqimin e duhur, por të pambështetur në arsyen e cila kontrollon ndjenjat, atëherë lindin mitet dhe bestytnitë e kota.
Për këtë, shohim që edhe në shoqëritë e zhvilluara, gjejmë intelektualë dhe të arsimuar që besojnë në bestytni dhe paganizma! Kjo, pasi ai është edukuar dhe karrikuar shpirtërisht me diçka që nuk ka lidhje me arsyen dhe që nuk është element i arsyes.
Prandaj, duhet që njeriu  ushqimit psiqik dhe mendor t’i shtojë dhe atë të besimit, d.m.th atë të mistershmen dhe të panjohurën, atë që në islam e njohim me emrin gajb. Gajbi është një nevojë shpirtërore, të cilën nëse nuk e plotëson në mënyrën e saktë dhe të duhur, do e plotësosh në rrugë të gabuara. Për ta vërtetuar këtë, le të shohim fetë, bestytni, sekte dhe mite të ndryshme që janë përhapur sot në Amerikë. Këtu hyjnë horoskopi, leximi i pëllëmbës, i filxhanit dhe bestytni të ndryshme. Vetë familja e presidentit Regan, besonin në bestytni të tilla, si ajo e leximit të filxhanit, magjisë etj… 
Perëndimi, kur besoi në gajbin, besoi në atë mënyrë e cila i shkon për shtat laicizmit pragmatik. Ai është një gajb i zhveshur nga përgjegjësitë morale. Kurse muslimani – këtu hyjnë dhe të krishterët dhe hebrenjtë si besim – nëse janë praktikantë dhe besojnë në gajb, ata vihen para përgjegjësive dhe obligimeve. Kështu, ata nuk duhet të konsumojnë alkolin, duhet të ruhen nga imoraliteti, nuk duhet të marrin pasuri pa të drejtë…
Në këtë emsion, ne nuk do të flasim mbi gajbin mitologjik dhe as atë laik. Edhe pse laikët hiqen sikur nuk besojnë në gajb, ka vite që ata e lodhën njerëzimin pikërisht me teori dhe çështje që kanë të bëjnë me gajbin. A nuk është teoria e Darvinit, një teori plotësisht e ndërtuar mbi gajb dhe diçka e paprovuar? A nuk është i çuditshëm përgënjeshtrimi i tyre mbi gajbin që solli Muhamedi a.s dhe para tij Isai a.s me Musanë a.s? Përse e besojnë misterin e Darvinit që babai ynë i parë ka qenë një majmun dhe nuk besojnë gajbin dhe besimin tonë të palëkundur që babai ynë ka qenë Ademi a.s dhe nëna Havaja? A nuk e ka vërtetuar vetë shkenca në kohët moderne se teoria e Darvinit dhe misteri i saj, nuk është gjë tjetër veçse një legjendë dhe një mit i fryrë?
Besimi në të panjohurën (gajb) është një faktor shumë i rëndësishëm në promovimin e vlerave më të larta morale.
Për ta konkretizuar më shumë, në vazhdim ne do të flasim dhe rrëfejmë disa fragmente nga jeta e Botës tjetër. Është kjo Botë të cilën e besojnë besimtarët dhe e përgënjeshtrojnë ateistët dhe të cilës nuk i kushtojnë vëmendje dhe kujdes shumë njerëz sot. Janë të shumta ata që as nuk e përgënjeshtrojnë Jetën Tjetër dhe as nuk e besojnë. Ata janë të dhënë pas aktivitetit dhe angazhimeve të tyre të përditshme dhe nuk duan të dinë më shumë.
Rëndësia e besimit në gajb, shfaqet dhe në Kuran, ku Zoti i madhëruar thotë: “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” Cilësia që i bashkon këta të devtshëm është:
“Të cilët e besojnë të fshehtën…” (Bekare 2-3)
Fragmentet mbi jetën e Botës tjetër, i kemi përzgjedhur nga Kurani dhe nga tradita profetike.
Në një hadith të cilin e transmeton imam Muslimi, Profeti a.s na tregon mbi personin e fundit që do të dalë nga zjarri i xhehnemit dhe do të hyjë në xhenet. Ai është një musliman dhe besimtar, por që obligimet ndaj Zotit i ka neglizhuar dhe ishte mbytur në gjynahe të pafundme.
Thotë Profeti a.s:“Ai që do të hyjë i fundit në xhenet, është ai njeri që do të dalë i fundit nga zjarri duke ecur këmbadorasi. Ai përpiqet të dalë nga zjarri, por gjithmonë e tërheq flaka dhe e përpin, deri sa një herë arrin të dalë me zor. Me të dalë, ai kthehet nga zjarri dhe i thotë: “Falenderoj Zotin që më shpëtoi prej teje! Me këtë, Zoti më ka privilegjuar ashtu siç nuk ka privilegjuar asnjeri para dhe pas meje.” Ai ndjehet njeriu më i privilegjuar në botë, pasi sapo ka shpëtuar nga zjarri. Të shpëtosh dhe të dalësh nga zjarri i xhehnemit është fitore e madhe. Nëse dikush prej nesh do të ndodhej në mes të shkretëtirës i përvëluar dhe i djegur për një gotë ujë, të cilën do ia ofronte dikush në ato çaste, për të kjo gotë uji është pasuria dhe fitorja më e madhe. Ai e pin atë me ndjenjën se sapo i është dhënë gjëja më me vlerë në botë. Nëse kjo ndodh me një gotë uji, në çastet e etjes, ç’mund të mendosh për dikë që shpëton nga zjarri i xhehnemit? A nuk thotë vetë Zoti në Kuran:”dhe ai që shpëton nga zjarri dhe hyn në xhenet, ka fituar.”
Në vazhdimësi të hadithit, Profeti a.s thotë:”Në atë çast, këtij personi i shfaqet një pemë. Ai i thotë Zotit:”O Zot, më afro pranë kësaj peme që të përfitoj nga hija e saj dhe të pij ujë nga burimi pranë saj!” Zoti do i thotë:”O biri i Ademit, nëse unë ta jap atë, kam frikë se do të kërkosh diçka tjetër.” Njeriu i thotë:”Jo o Zoti im” dhe i jep besën se nuk do i kërkojë gjë tjetër. Zoti e shfajëson për këtë sjellje, pasi ai sheh gjëra ndaj të cilave nuk mund ta përmbajë veten.  – ne sot shohim të rinj që kur shohin një femër të bukur, marrosen pas saj, saqë mund të përplasen me shtyllat rrugës. Nëse kjo ndodh me bukuritë e kësaj bote, ç’mendon mbi bukuritë që Zoti ka përgatitur në botën tjetër?” –  
Zoti i jep leje të afrohet tek pema dhe njeriu ulet në hije dhe pin ujë nga burimi pranë saj. Më pas, atij i shfaqet një pemë edhe më e bukur se e para. Ai thotë:”O Zoti im, më lejo të afrohem pranë asaj peme, që të përfitoj nga hija e saj dhe të pij ujë nga burimi i saj. Unë nuk do të kërkoj gjë tjetër përveç asaj. Zoti do i thotë:”O biri i Ademit! A nuk më dhe besën se nuk do të kërkosh gjë tjetër? Unë kam frikë se po të lejova, do të më kërkosh diçka tjetër më të mirë.” Njeriu i jep besën se nuk do i kërkojë gjë tjetër. Zoti e shfajëson për këtë sjellje, pasi ai sheh gjëra ndaj të cilave nuk mund ta përmbajë veten.  Pasi ulet në hijen e pemës dhe pin ujë nga burimi i saj, i shfaqet një pemë tjetër më e bukur se dy të parat dhe që ndodhej pranë derës së xhenetit. I mahnitur nga bukuria e kësaj peme, njeriu thotë:”O Zoti im! Më lejo të afrohem pranë asaj peme, që të përfitoj nga hija e saj dhe të pij ujë nga burimi i saj. Zoti i thotë:”O robi Im. A nuk ma dhe besën se nuk do të kërkosh gjë tjetër përveç asaj peme?” Pasi Zoti e lejon përsëri, ai afrohet tek pema dhe fillon të dëgjojë zërat e lumtur të banorëve të xhenetit. Ai i kërkon Zotit të hyjë në xhenet dhe Zoti do i thotë: “O robi Im, shko dhe futu në xhennet!” Por kur shkon atje, i duket sikur është i mbushur dhe nuk ka vend për të, dhe do t’i thotë Zotit: “O Zot, shkova dhe nuk gjeta vend se ishte i mbushur”. Do t’i thotë Zoti: “O robi Im, a nuk të mjafton sikur të kesh pasurinë dhe të mirat e mbretit më të madh që ka ekzistuar në dynja?!” “A po tallesh me mua, o Zot?” – do t’i thotë njeriu. Por Zoti do i thotë:“Unë nuk tallem me ty, pasi kam mundësi të bëj ç’të dua. Në xhennet do të kesh të mirat e mbretit më të madh që ka qenë në dynja,  dhe dhjetë herë më shumë, do të kesh çfarë të të dojë qejfi, çfarë të të shohin sytë dhe do të jesh i përjetshëm.” 
Ky ishte shpërblimi i njeriut që do të hyjë i fundit në xhenet dhe personit të fundit që del nga zjarri. Ç’mund të thuhet për shpërblimin e profetëve dhe njerëzve të mirë e të ndershëm?
Ata do të përjetojnë kënaqësi që kurrë syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe askujt nuk i ka vajtur në mendje.
 
Një fragment tjetër mbi Botën tjetër, ma kujtoi një artikull i bukur, i shkruar nga Halid Hamdij në revistën “El-islah”. Ky artikull titullohet “Dyfaqësia hallall” Dyfaqësia në islam është haram dhe ajo është kur një njeri, fsheh të kundërtën e asaj që vepron, ose kur vepron diçka për të lëvduar të tjerët. P.sh, nëse dikush është duke u falur dhe dëgjon dy të tjerë që e lëvdojnë për përkushtimin dhe qëndrimin gjatë në sexhde, ai e shton më shumë përkushtimin dhe qëndron akoma më gjatë në sexhde. Kjo është dyfaqësi dhe është e dënueshme në islam, ku kërkon që qëllimi (nijeti) të jetë i pastër vetëm për Zotin dhe diçka e tillë kërkon mund dhe përpjekje.
Pyetja që lind është: A mund të ekzistojë dyfaqësi hallall dhe kur?
Halid Hamdij shkruan në artikullin e tij dhe thotë:”Një burrë i mirë do të qëndrojë Ditën e Kijametit në vendin ku janë grumbulluar të gjithë njerëzit. Shumë prej tyre i kanë marrë librat e veprave nga dora e majtë dhe të tjerë nga dora e djathtë. Atë ditë, shumë njerëz do i shohësh të hidhëruar dhe të dëshpëruar, kurse shumë të tjerë të lumtur dhe të gëzuar. Ata që janë të gëzuar e mbajnë me të djathtën librin e tyre dhe me fytyra që ndrisin nga gëzimi thërrasin:” “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” (Hakka 19-20)
Po çfarë mund të ketë të shkruar në librin e tij?
Ai libër është i mbushur me veprat e tij të mira që veproi në dynja, në atë libër gjendet namazi i tij, lotët që kanë rrjedhur për hatër të Zotit, në çaste vetmie. Në librin e tij gjen lëmoshë të dhënë në fshehtësi dhe me sinqeritet për Zotin, në librin e tij gjendet qëndrimi (itikafi) në xhami për hatër të Zotit, në librin e tij gjenden hapat që ka hedhur gjatë rrugës për në xhami, në librin e tij gjenden puthjet e kokës së nënës. Në librin e tij gjenden shumë punë të mira, mbi të cilat nuk kishin dije shumë njerëz. Ai kishte shpresë të madhe që këto punë dhe vepra të mira, do i siguronin shpëtimin në Ditën e Kijametit, dhe ashtu ndodhi. Të gjithë këto vepra që janë të regjistruara në libër, besimtari dhe muslimani i mirë kërkon që t’ua tregojë të gjithë njerëzve të tjerë. Ai është krenar që shpëtoi nga ndëshkimi i Zotit. Më pas, ai do të dojë që këto vepra t’ia tregojë dhe profetit Muhamed a.s. Me ta takuar ai do i thotë:”O Profet i dashur. Unë jam një nga ndjekësit e udhës tënde. Unë jam një besimtar i mesazhit me të cilin të dërgoi Zoti. Shikoji veprat e mia o i dërguari i Zotit. Unë kam hequr shumë vështirësi, pasi njerëzit më luftonin për shkak se ndiqja traditën tënde. Ata talleshin me mua, sepse të imitoja ty. Ata më përbuznin, ngaqë të doja dhe doja rrugën tënde.” Dhe Profeti a.s do të gëzohet me suksesin dhe shpëtimin që ky rob arriti. 
Ai ka të drejtë që në këtë Ditë të gëzohet dhe t’ua tregojë të gjithëve veprat e tij. Sot ai nuk mund të quhet dyfaqësh. Madje, atë Ditë të gjithë ata që e marrin librin e veprave nga dora e djathtë, do të krenohen dhe mburren me këtë. Ata ishin njerëz që e kishin shfrytëzuar siç duhej muajin e Ramazanit. E kishin shfrytëzuar natën për të falur namaz për Zotin e tyre. E kishin shfrytëzuar siç duhej librin e Zotit, Kuranin duke e  lexuar atë natën dhe ditën. Libri i veprave të tyre është i mbushur me drejtësi, të mira, lëmoshë, fjalë të buta, respekt të prindërve, përkrahje të vobektëve etj…
 
Fragmenti tjetër i përket një njeriu me fytyrë të zymtë, zemër të errët, që dorën e majtë e fsheh pas shpine nga frika. Është ajo dorë mëkatare që ka prekur të drejtat e njerëzve të tjerë. Edhe pse përpiqet ta fshehë dorën e majtë, libri i veprave të këqia do i jepet në këtë dorë. I dëshpëruar dhe i hidhëruar, ai thërret:”Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!.” (El-hakka 25-29)
Një njeriu të tillë nuk i bëri dobi pasuria e mbledhur, as eskorta që e shoqëronte, as shërbëtorët dhe familja, as vilat e bukura dhe as postet e larta. Të gjithë e braktisën. Libri i ishte i mbushur me imoralitet, konsum alkoli, vepra të ulëta, përgojim, shfrytëzim i njerëzve të dobët dhe të varfër… Libri i tij nuk përmban veçse vepra të ulëta dhe të errëta. Këtij njeriu do i refuzohet të takohet me të dërguarin e Zotit a.s. Thotë Profeti a.s:”Ditën e Kijametit, do të vijnë disa njerëz për të pirë nga burimi i Keutherit, por melekët do i dëbojnë. Unë do u them:”Umeti im, umeti im.” Por ata do më thonë:”Ti nuk e din çfarë kanë sajuar pas teje.”  Melekët do i thonë Profetit a.s që këta njerëz kanë vepruar vepra të ulëta dhe janë tallur me fenë e Zotit, madje janë tallur dhe me vetë ty. Nën emrin e lirisë së veprimit, ata nuk lanë gjynah pa vepruar. Këta njerëz janë ata që do të humbasin atë ditë.
E lusim Zotin e Madhëruar që të na udhëzojë drejt leximit dhe kuptimit të librit të Zotit dhe thënieve të Profetit a.s, mbi këto fragmente tronditëse. E lusim Zotin që të na udhëzojë drejt adhurimit me bindje të sinqertë.
Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin me ju.
 

Rating: 1.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit