9.5 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Fragmente të zgjedhura nga bota e Gajbit 2

Më të lexuarat

Nga: Muhamed El-Ivedij

Fragmente të zgjedhura nga bota e Gajbit 2

Falenderimet janë për Zotin e madhëruar, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë për profetin Muhamed a.s, familjen dhe shokët e tij të nderuar.
Në emisionin e kaluar thamë njeriu përbëhet nga trupi, shpirti dhe arsyeja dhe se secili prej tyre ka nevojë për ushqim. Nëse plotësojmë nevojat e shpirtit me ushqimin e besimit të bazuar në parime dhe doktrina të pranuara për arsyen, atëherë ekuilibrohen gjërat për njeriun. Ky ekuilibër është i domosdoshëm, pasi nëse ana shpirtërore dominon anët e tjera, atëherë lindin bestytnitë dhe besimet e kota.
Me shpalljen e Kuranit famëlartë, erdhi dhe besimi në të padukshmen dhe të fshehtën. Thotë Zoti në Kuran:”Ky libër, në të cilin nuk ka dyshim aspak, është udhëzim për të devotshmit, Të cilët besojnë në të padukshmen…” (Bekare 2)
Besimi në gajbin, është diçka e domosdoshme, sidomos në akutalitetin tonë, ku dominon kultura e konsumit, ku vëmendja i kushtohet vetëm epsheve dhe kënaqësive trupore, në llogari të shpirtërores, vlerave morale dhe lidhjeve shoqërore. Këto fenomene, e largojnë njeriun nga mendimi mbi pasojat dhe vlerat njerëzore dhe morale.
Në një ambjent të tillë, njeriut i duhet të shkundet dhe të goditet nga një rrufe me ngarkesë të kufizuar, që t’i kthehet besimit, vlerave njerëzore dhe sociale.
Tregon Profeti a.s:”Më erdhi Xhibrili a.s dhe më tha:”O Muhamed! Jeto sa të duash, por një ditë do të vdesësh. Duaj kë të duash, por një ditë do të ndahesh prej tij. Vepro ç’të duash, pasi sidoqoftë do të shpërblehesh. Dije se fisnikëria e besimtarit qëndron në namazin që ai fal natën, kurse krenaria e tij është kur mjaftohet me atë që i ka dhënë Zoti dhe  nuk kërkon pasuritë e njerëzve.”
Këto janë tre realitete me të cilat përballet secili prej nesh.
E para është:” Jeto sa të duash, por një ditë do të vdesësh.” Sado të përpiqesh të jetosh mirë dhe t’i shtosh ditët e jetës, një ditë do të përballesh me vdekjen që e urreje.
E dyta:” Duaj kë të duash, por një ditë do të ndahesh prej tij.”  Vdekja i ndan miqtë, të afërmit dhe të dashurit.
E treta:” Vepro ç’të duash, pasi sidoqoftë do të shpërblehesh.” Ky është një realitet të cilin e kemi harruar. Për çdo vepër, sado e vogël apo e madhe qoftë do të japësh llogari për të dhe do të shpërblehesh.
Më pas, Profeti a.s thotë:”Dije se fisnikëria e besimtarit qëndron në namazin që ai fal natën.”
Me këtë, Profeti a.s na paraqet një nocion të ri mbi fisnikërinë. Ajo nuk ka lidhje me farefisin dhe pasurinë. Burimi i fisnikërisë është adhurimi i Zotit, namazi i natës, lutjet me përkushtim të drejtuara Zotit dhe angazhim të plotë ndaj Zotit të madhëruar.
Ky është edukimi shpirtëror të cilin e kemi trashëguar nga profeti Muhamed a.s.
Thotë Ibnu Ataullah:”Zemra nuk ka dobi, siç ka dobi me një tërheqje dhe vetmi, e cila e fut në botën e meditimit.”
Për shkak të angazhimeve të shumta, ne nuk po na jepet rasti të veçohemi dhe të përjetojmë çaste vetmie. Kjo vetmi dhe veçim, i ngjan më së shumti itikafit në xhami, veçse kjo mund të bëhet dhe në shtëpi, ku të bëjmë vetëkritikë, të reflektojmë për gabimet e bëra, të korrigjojmë qëndrimet e gabuara, të forcojmë vullnetin për rezistencë kundrejt epsheve dhe të shtrijmë lidhjet edhe me ata me të cilët kemi pasur fërkime.
“kurse krenaria e tij është kur mjaftohet me atë që i ka dhënë Zoti dhe  nuk kërkon pasuritë e njerëzve”
Qëllimi këtu është që të vetëmjaftohet me të mirat e tyre materiale, duke mos e ulur veten duke kërkuar të përfitojë nga privilegjet e tyre. Kurse përsa u përket vlerave morale, bashkëpunimin me njerëzit e mirë, konsultimi me ta etj… janë gjëra të domosdoshme.
Kjo ishte një hyrje, për të vazhduar në rrjeshtat në vazhdim, me temën tonë mbi gajbin.
Imam Aliu thotë në një hadith:”O biri i Ademit, mos u mbështet në jetën e kësaj bote. Ajo fillon me të qara, mesi i saj është sfilitje, kurse fundi i saj është shuarje.” Kur i dëgjoi këto fjalë, dikush e pyeti imam Aliun:”Po cila është alternativa tjetër o imam?” Ai i tha:”Puno dhe mbështetju asaj bote, fillimi i të cilës është takim (me Zotin dhe miqtë), mesi i saj është shpërblim dhe fundi përjetësi.”
Ky ishte një krahasim mes kësaj bote dhe botës tjetër dhe gjëja më e bukur është që jetën e kësaj bote, ta përdorësh dhe shfrytëzosh për të fituar xhenetin në botën tjetër. Adhurimi i vërtetë në këtë botë është kur të ecësh me trup mbi tokë, kurse me shpirt të përjetosh xhenetin e Zotit.
Le të jetojmë me disa fragmente të tjera nga bota tjetër.
Kurani famëlartë përshkruan dhe fragmente nga zënkat e banorëve të zjarrit me njëri-tjetrin. Kjo ndodh pasi të kenë hyrë në xhehnem.
Zoti i madhëruar i përshkruan momente të tilla, me qëllim që të kesh një nocion mbi atë që do u ndodhë atyre që nuk respektojnë ligjet e Zotit dhe nuk e vlerësojnë Krijuesin e tyre që i krijoi nga asgjëja dhe i furnizon çdo ditë.
Doktor Umer El-Eshkar është autor i një seri botimesh, të cilat kanë të bëjnë me botën tjetër, duke filluar me Ditën e Kijametit si ndodhi dhe duke përfunduar me xhenetin, zjarrin, botën e engjëve, xhindëve, shejtanëve etj…
Grindja dhe zënka mbi të cilën do të flasim në rrjeshtat në vazhdim, do të jetë mes njerëzve të dobët dhe mbretërve, qeveritarëve, princërve, kryetarëve të fiseve, kryetarëve të partive dhe klaneve të ndryshme etj…  Është fakt që shumë qeveritarë dhe udhëheqës janë zullumqarë, tiranë dhe e shtypin popullin e tyre. Njerëzit që i rrethojnë i përkrahin këto qeveritarë me pasuri dhe ndihmë morale, gjë që i ndihmon të mbajnë pushtetin.
Le të shohim se si e përshkruan këtë moment, Kurani famëlartë.
Thotë Zoti në Kuran:”dhe kur dolën para Zotit, të dobëtit u thanë atyre që ishin treguar kryeneçë:”Ne ishim ndjekësit tuaj, prandaj a do të na bëni dobi ndaj ndëshkimit të Zotit?” Ata thanë:”Nëse do na kishte udhëzuar Zoti do u kishim udhëzuar juve, është njëlloj tashmë si të durojmë dhe si të shqetësohemi…”
Të gjithë tiranët, despotët, përgënjeshtruesit, mbretërit dhe udhëheqësit bashkë me personat që u shkonin pas, bashkë me shejtanët. Të gjithë dalin në një shesh, ku do të përballen me gjykatën e drejtësisë hyjnore.
Gjithçka që kishin vepruar në këtë botë, u zbulua dhe tashmë po përballeshin me realitetin dhe veprat e tyre. Kur panë se gjithçka u bë e ditur dhe e qartë, fillojnë zënkat dhe grindjet:” të dobëtit u thanë atyre që ishin treguar kryeneçë:”Ne ishim ndjekësit tuaj, prandaj a do të na bëni dobi ndaj ndëshkimit të Zotit?”
Ne ishim pas jush në çdo gjë, në punët e ulëta u ndiqnim juve, për të fallsifikuar ndiqnim porositë tuaja, për thirrje rreth të keqes ishim me ju, ne ishim vulë në gishtat tuaj dhe këpucë në këmbët tuaja. “a do të na bëni dobi ndaj ndëshkimit të Zotit?”
“Ata thanë:”Nëse do na kishte udhëzuar Zoti do u kishim udhëzuar juve”
Ata e pranojnë se rruga të cilën kishin përgënjeshtruar, ishte e vërtetë. Ata e kishin luftuar këtë rrugë dhe të vërtetë, duke u përpjekur të përhapin të keqen dhe degjenerimin.
Gjithashtu, ata pranojnë një realitet tjetër kur thonë:”është njëlloj tashmë si të durojmë dhe si të shqetësohemi…”
Ky është një mesazh nga Zoti i madhëruar, të cilin ia drejton çdo njeriu i cili ndjek një simbol. Mos u bëj si ai dhe mos vepro veprat e tij. Të qënit i dobët dhe fukara në një kohë që ai është i pasur dhe i fuqishëm, nuk do të bëjë dobi para Zotit Ditën e Kijametit. Ti ke mendje për të arsyetuar dhe dëshirë të lirë për të zgjedhur.
Ti o njeri je i dobët dhe ke prirje të tepërta për të rendur pas të keqes dhe për t’u bërë servil i këtyre pushtetarëve dhe njerëzve të fuqishëm.
O rob i Zotit! Deri kur do të vazhdosh t’ua dorëzosh shpirtin dhe të ardhmen tënde këtyre njerëzve? Deri kur do të vazhdosh o motër të imitosh verbërisht filan modele, artiste apo këngëtare? Deri kur do të vazhdosh të ndjekësh filanin, i cili të mashtron dhe ndjell me poste, pasuri dhe fuqi?
çdo person që do i dorëzohet plotësisht dikujt tjetër, një politikanë, kryetari, burri shteti etj…, ta dijë se ky do të jetë fundi i tij. Përgjigja e vetme do të jetë:” është njëlloj tashmë si të durojmë dhe si të shqetësohemi…”
Prandaj mos iu dorëzo forcës së pushtetit dhe pushtetarëve, pasi gjynahet dhe prapësitë e tua askush nuk do i mbajë. Secili prej nesh do të dalin para Zotit me gjynahet e tij.
Përgjigja e vetme e pushtetarëve dhe njerëzve të fuqishëm, do të jetë:”është njëlloj tashmë si të durojmë dhe si të shqetësohemi…”
Ata i janë dorëzuar plotësisht këtij realiteti dhe ndihen pa shpresë për veprat që kishin vepruar.
Tashmë gjithçka përfundoi dhe debati mes pushtetarëve dhe ndjekësve të tyre përfundoi. Secili pret vendin e tij në zjarrin e xhehnemit të dorëzuar dhe të nënshtruar.
Në këtë moment, shfaqet shejtani dhe del sërish në skenë për të marrë pjesë në debatin mes pasuesve dhe yllit të tyre. Ai do u drejtohet banorëve të zjarrit me fjalët:”
”Pasi të kryhet çështja (banorët e xhennetit të hyjnë në xhennet dhe ata të zjarrit në zjarr) shejtani (mban ligjëratën e shëmtuar), u thotë: “Vërtet, All-llahu u pati premtuar premtim të vërtetë. Unë u pata premtuar dhe nuk e mbajta premtimin. Por unë nuk pata asnjë lloj pushteti ndaj jush (që t’ju detyroj), unë vetëm sa u thirra (në rrugë të gabuar), dhe ju m’u përgjigjët. Atëherë mos më qortoni mua, por qortoni veten. Unë nuk mund t’ju shpëtoj juve, dhe as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që ma bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit). S’ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm.” (Ibrahim: 22)
Shejtani u thotë se ju me dëshirën dhe vullnetin tuaj e pranuat thirrjen time dhe iu përgjigjët asaj. Unë nuk u imponova, por vetëm sa u ftova dhe ju u përgjigjët. Unë nuk u çova me zor në punë të ulëta dhe degjenerim.
Një fragment tjetër është dhe grindja e banorëve të zjarrit me njëri-tjetrin. Këtë moment, e përmend vetë Zoti në Kuranin famëlartë, ku thotë:”Ja, kaq! Kurse ata që bëjnë keq i pret pozitë edhe më e keqe. Xhehennemi, ku do të digjen. Sa shtrojë e tmerrshme! Ja, kaq! Pra, le të shijojnë ujin e valë dhe të qelbur. Dhe mundime të tjera të ngjashme si këto të shumfishta. Ky grumbull bashkë me ju do të hyjë në zjarr pa komoditet, me siguri do të digjen. “Ju, – do t’u thonë ata – mos paçi qetësi! Ju na e keni përgatitur këtë. Sa vendbanime të tmerrshme!” “O Zoti ynë, – do të thonë: – Kush na e bëri këtë, shufishoja vuajtjen në zjarr”, Dhe do të thonë: “Çka u bë me njerëzit të cilët i konsideronim të këqinj që nuk i shohim, dhe që i kemi përqeshur. Mos na kanë humbur sysh?” Është e vërtetë e madhe se banuesit e xhehennemit do të polemizojnë ndërmjet vet.” (Sad: 55-64)
Përveç kësaj, do të jetë dhe një grindje tjetër, që askujt nuk do i shkonte ndërmend, do të jetë grindja mes organeve të trupit të njeriut.
Thotë Zoti në Kuran:”Që të vijnë aty e të dëshmojnë kundër tyre: veshët e tyre, sytë e tyre edhe lëkurët e tyre për atë se ç’kanë punuar.”
“Pse dëshmuat kundër nesh”? do t’u thonë lëkurëve të veta. Ata do të përgjegjen: “All-llahu i cili i ka dhënë aftësi për të folur çdo sendi, edhe neve na ka bërë që të flasim. Ai iu krijoi edhe juve herën e parë dhe te Ai po ktheheni. Ju nuk keni mundur të fshiheni që të mos dëshmojnë kundër jush veshët e tuaj dhe sytë tyaj, si edhe lëkurët tuaja, por keni menduar se All-llahu nuk do të dijë për shumë gjëra që i keni bërë. (Fussilet: 20-21)
Profeti a.s na kujton një moment tjetër Ditën e Kijametit, kur robi do të dalë para Zotit dhe Ai do i bëjë disa pyetje retorike, ku do i thotë:”O robi Im! A nuk të nderova dhe lartësova në dynja?! A nuk të dhashë epërsi mbi gjithçka tjetër dhe të nënshtrova çdo gjë?!” Zoti do vazhdojë t’i kujtojë mirësitë dhe privilegjet që i ka dhënë robit në këtë botë dhe njeriu do i pranojë të gjitha. Në fund Zoti do e pyesë:”A mendove se do të dalësh para Meje një ditë?” Robi do përgjigjet:”Jo o Zot.”  Zoti do i thotë:”Ashtu siç më ke harruar në dynja, Unë të harroj sot dhe të hedh në zjarr.”
Hadithi përshkruan dhe njerëz të tjerë, të cilët kishin besuar sa për sy e faqe, kurse me zemrat e tyre vazhdonin në besimin e vjetër, apo jobesimtarë. Këta janë munafikët të cilët gënjyen besimtarët në këtë botë dhe do të përpiqen të gënjejnë dhe Zotin Ditën e Kijametit. Kur të gënjejnë atë Ditë, Zoti do urdhërojë duart dhe këmbët e tyre që të dëshmojnë dhe ato do dëshmojnë të vërtetën, duke demaskuar gënjeshtrat e tyre. Munafikët të cilët hiqeshin sikur falen dhe luten, do u thonë gjymtyrëve të tyre:”Të mallkuara qofshi! Gjithçka që kemi bërë e kemi bërë për të mirën tuaj, kurse ju tani na demaskoni dhe dëshmoni kundër?!”
Fragmentet e Ditës së Kijametit do të jenë të shumta dhe të habitshme.
Megjithatë, akoma ka njerëz të cilët nuk falen, nuk agjërojnë, nuk japin zekatin. Ka njerëz që zhbirojnë të metat e të tjerëve, ka të tillë që përgojojnë dhe nëpërkëmbin nderin e njerëzve pa të drejtë.
Ka eprorë të cilët nëpërkëmbin të drejtat e punëtorëve dhe vartësve të tyre. Ka njerëz që hiqen si besimtarë, por në krahun tjetër kryejnë veprat më të ulëta, konsumojnë alkolin, grinden me njerëzit e gjakut dhe tallen me krijesat e Zotit. Sytë e tyre janë të mbushur me imoralitet, veshët, gjuhët dhe zemrat janë ngarkuar me punë të fëlliqura. Ata kanë qëllime të mbrapshta, zemra të nxira, këmbë që nuk ecin veçse drejt haramit, sy që nuk shohin veçse haram, duar që nuk prekin veçse haram.
A nuk ka ardhur koha që t’i drejtohemi Zotit tonë dhe ta adhurojmë siç kërkon prej nesh? A nuk ka ardhur koha që t’i dëgjojmë fjalët e Tij, me të cilat na drejtohet duke thënë:”Ai që pendohet nga gjynahet, është njëlloj sikur nuk i ka vepruar ato” “Pendimi fshin çdo gjynah të mëparshëm.”
Dera e mëshirës është e hapur me dy kanatet e saj dhe gjithçka ka mbetur në dorën tënde o njeri. Mendohu dhe vendos para se të demaskohesh dhe turpërohesh Ditën e Kijametit.
E lusim Zotin të na udhëzojë drejt asaj që është më e mirë dhe paqja e Tij qoftë mbi ju.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit