1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Fjalamanët e zhurmshëm i lënë në hije veprimtarët e pagojë

Më të lexuarat

Nga Driton Arifi

Në konceptin e tyre, njerëzit që nuk janë të gatshëm të arrijnë suksese dhe të rriten në karrierë me veprat dhe djersën e tyre, zgjedhin që ta bëjnë këtë përmes një mjeti tjetër, i cili është më i lehtë për ta. Ata meqë s’patën mundësi që të bëhen “mjeshtër” në diçka tjetër, zgjodhën të bëhen mjeshtër të fjalës. I pushtojnë skenat, dominojnë në debate dhe shtrëngohen fuqishëm në karriget luksoze, kudo nëpër studiot e famshme televizive. Janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për t’u dëgjuar vetëm zëri i tyre. E kanë gjetur veten mirë, aty ku janë, në mesin e turmave të “dishepujve” të tyre, pranë mikrofonit dhe gjithnjë në foltore. Janë të pakompromisë në monopolizimin e fjalës dhe këdo tjetër e shohin si vogëlsirë, që s’duhet lënë ta thotë të tijën. Këta njerëz kanë aset kolosal të tyre “gjuhën e gjatë” dhe të folurit e pandalshëm. Janë oratorë dhe të zotët e fjalëve, edhe në qoftë se ato që i flasin janë thjesht fjalë boshe. E kush është ai që flet shumë dhe pa pushim, e të mos thotë kotësira?!

Po tjetër, çfarë mjeshtërie kanë ata!? Kaq! Asgjë më shumë! Tek e fundit, kjo u mjafton këtyre njerëzve për të mbetur gjallë, për të mbijetuar e për të triumfuar në betejën e egër të konkurrencës së (pa) vlerave, duke përdorur armën e fushqishme e tejkohore, fjalën dhe oratorinë. Megjithatë, s’duhet harruar fakti se “një pjesë e elokuencës (oratorisë) është njësoj si magjia (që magjeps njerëzit)”, tërhiqte vëmendjen profeti Muhamed (a.s.).
“Të dish të flasësh për të mbrojtur interesat e tua, të dish të flasësh për të bindur tjetrin për të drejtën tënde, është aq e domosdoshme, pothuaj sa të dish të marrësh frymë, meqenëse rron në shoqëri njerëzore”, do të na thoshte Harry Box. Por të flasësh, sa për të folur, sa për të mbuluar të gjitha veprimet jo të duhura që ke kryer, dhe mosveprimet që kanë qenë të duhura e ti s’i ke kryer, kjo s’hyn fare e as nuk ka të bëjë me atë për çfarë na fliste H. Box-i.

Njerëzit do të vazhdojnë të flasin e të diskutojnë për të fituar betejën jetike për të gjithë, atë të fitimit të besimit. Besimi sot e përgjithmonë do të ketë kredon më të lartë dhe do të mbetet valuta më e shtrenjtë në shoqërinë njerëzore. Tek kjo gjë e vente theksin edhe sociologu francez, Gustav L. B. ku thoshte “…Veprimtarët e revolucionit i magjepsën turmat, vetëm atëherë kur arritën të krijonin në shpirtin e tyre atë fuqi të tmerrshme e cila quhet besim, dhe e cila ndihmon në shndërrimin e njeriut në skllav absolut të ëndrrës së tij”. Të shndërrohen njerëzit në skllevër është ëndërr e çdo llafazani (oratori), i cili është këmbëngulës që pellgun në mes të fjalëve dhe veprave të tij, ta mbajë gjithmonë sa më të thellë. Të tjerët, kushdo qofshin ata, ndoshta munden edhe të jenë të tillë, por besimtarëve të sinqertë nuk iu bie tamam asnjëherë një petk i tillë. Ata në joshjen provokuese, që të bëhen oratorë të zhurmshëm, e jo veprimtarë, frenohen nga fjala e Krijuesit: “ O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni? Është neveri (mëkat) i madh te Zoti të thoni atë që nuk e punoni!” ( Es Saff, 2-3). Madje, edhe kur ti vepron në përputhje me atë që e ke folur, nga modestia jote, shpeshherë është më fisnike që t’i mbash sekret disa nga punët e tua madhore. Por, kush e bën këtë sot?!

Njerëzit, të shurdhuar nga zhurmat e llafazanëve, që s’ndalen asnjëherë, ranë në një mëkat që nuk falet lehtë. Ata i harruan dhe nuk iu bie ndërmend fare, për gjthë ata veprimtarë e aktivistë të heshtur e të pafjalë, që vendosën të mos flasin asnjëherë me gjuhët e tyre, të shtyrë nga fisnikëria dhe çiltërsia shpirtërore. Për ta flasin veprat e tyre, nëse ka mbetur dikush që ende e kupton “fjalën” dhe “oratorinë” e veprës.
Ne pajtohemi që shumicën e begative e vlerave që ne i gëzojmë, na erdhën falë Zotit, pikë së pari, pastaj falë veprës e punës së atyre që s’ua dëgjuam asnjëherë zërin e tyre. Prej tyre nuk mbajmë mend ndonjë fjalim mahnitës e as debat në të cilin ata dolën triumfues. U përmalluam t’i dëgjojmë, por ata s’folën dot. Kishin vendosur që të flisnin me një gjuhë ndryshe. Me një gjuhë që sot nuk kuptohet dot, e as nuk vlerësohet. Ata jetuan e ikën nga këtej pa thënë për ne asnjë fjalë. Ata s’ishin njerëz të fjalëve, por e mbanin fjalën. Ishin njerëz që lanë gjurmë me veprat e tyre. Fjalë le të thonë e të lejnë pas vetes, fjalamanët e krekosur e oratorët e pagdhendur, që u mahnitën edhe vet me aftësinë e tyre magjepsëse për t’i mashtruar të tjerët.
Atyre që jetuan, e ikën nga kjo botë e zhurmshme pa na e thënë se bënë diçka për ne, këto vepra i kuptuam vetëm pasi u dhamë atyre lamtumirën e fundit. Shkuan për të mos u kthyer më asnjëherë, mirëpo gjurmët e veprave të tyre, na bëjnë që të kuptojmë më së miri dallimin. Veprimtarët e vërtetë, qofshin dijetarë, shkencëtarë, luftëtarë ose humanistë, e aspirojnë veprën dhe frytin e saj, ndërsa e neglizhojnë namin dhe thurjen e lavdeve nga kushdo qoftë, e në veçanti nëse këto i thurin për ta llafazanët e oratorët, të cilët janë mësuar që ngrejnë godinën e famës e të autoritetit të tyre në kurrizë të veprimtarëve të vërtetë. Është përshkruar bukur nga një njeri i mençur musliman i kohëve të mëhershme, kjo kategori e veprimtarëve. “Dijetarët e vërtetë nëse dinë diçka, veprojnë me atë që e dinë, e nëse veprojnë ata angazhohen (e s’kanë kohë të flasin), e kur angazhohen, ata humbin nga sytë e njerëzve, e kur të humbin, kërkohen, e kur të kuptojnë se po kërkohen, ata ikin”.

Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë që t’i mbyllim veshët tanë për llafazanët e pacipë, e të dëgjojmë së paku një fjalë nga veprimtarët e pagojë, të cilët mbetën në hije dhe s’iu dëgjua kurrë zëri. Jemi të mallëngjyer për zërin e tyre, ndaj i presim me padurim. Kjo aspiratë duket e vështirë që të realizohet, por është e vetmja gjendje, që na jep shpresë për një zgjim e këndellje në mesin tonë, si dhe paralajmëron lindjen e një shoqërie të vetëdijësuar, e cila nuk mahnitet me manovrat dhe fjalimet magjepsëse të llafazanëve “gojëartë”.
Revista “Familja”, Janar 2019

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit