Viti 2019 në rrafshin politik u shoqërua nga një numër i madh zhvillimesh si djegia e mandateve të deputetëve nga opozita, zhvillimi i zgjedhjeve lokale njëpartiake (votimeve) të 30 qershorit dhe refuzimi për hapjen e negociatave me BE-në. Si do e konsideroni këtë vit jo vetëm mbi konfliktin e ashpër por edhe pasojave për vendin. A janë vënë në rrezik parimet themelore të demokracisë?
Ky ka qenë ndoshta një nga vitet më të këqija në këto 29 vite pluralizëm me përjashtim vetëm të vitit 1997. Këtë vit, Shqipëria u përfshi nga një krizë organike e cila preku në mënyrë të njëtrajtshme të gjithë jetën politike dhe sociale të vendit. Kjo krizë kishte kohë që rritej, ushqehej dhe këtë vit u bë shpërthyese. Shumica qeverisëse e kryeministrit Rama pas shkatërrimit të zgjedhjeve në vitin 2017, duke i blerë ato në një mënyrë kirurgjikale, duke përdorur burime të të mirave publike dhe para të krimit të organizuar, siç u dëshmua edhe nga përgjimet e gazetës “Bild”, nisi të jetësojë ambicien e saj që është kontrolli i plotë i pushteteve, nënshtrimi i shqiptarëve, sundimi i vendit duke e kthyer praktikisht atë në një autokraci. Kështu kryeministri Rama eci përpara me instalimin e kësaj autokracie, duke zhvilluar zgjedhje të njëanshme, me pjesëmarrje të papërfillshme të njerëzve në to, zgjeroi në mënyrë të pamendueshme mazhorancën e tij në parlament nga 73 mandate (mes të cilave mjaft ishin blerë) në 128 mandate, duke futur në Parlament njerëz që vinin nga listat e dorës së fundit të opozitës, njerëz pa integritet dhe pa vetëdije politike. Mjerimit në ekonomi, korrupsionit, klientelizmit, fuqisë së krimit dhe trafikut të drogës iu shtuan (në mënyrë të natyrshme) edhe degjenerime të tilla të sistemit si zgjedhjet lokale pa opozitën dhe kontrolli i gjithë parlamentit. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për demokraci apo parime të funksionimit të saj, por është në diskutim vetë pluralizmi, është në diskutim gjithçka e fituar në 29 vite. Ka mbetur vetëm diçka e pashkatërruar në institucionet politike të vendit, ka mbetur vetëm një entitet politik që është përballë kësaj gjendjeje dhe kjo është opozita. Ajo sigurisht që është e sulmuar, e anatemuar, e kërcënuar por është aty, është një lloj barrikade pas së cilës gjatë vitit u rreshtuan njerëz me shumicë për të mos lejuar këtë degradim të vendit. E sigurt që gjendja e rëndë do të vazhdojë, por e sigurt është që opozita do ta bëjë edhe më të qëndrueshme barrikadën pas së cilës numri i njerëzve do të vijë duke u shtuar. Kjo dikotomi barrikadë-autokraci, do të bëhet më e thekshme dhe dinamika e saj do të sjellë dendësim të barrikadës dhe dobësim të autokracisë. Ky dobësim do të shoqërohet me degjenerim edhe më shumë të qeverisë, me përkeqësim të saj. Nuk ka rrugë tjetër por ky është një çmim që do të paguhet nga njerëzit të cilët për fat të keq u zunë në kurth nga Partia Socialiste pak a shumë siç bëri ajo komuniste në vitin 1944.
Shqipëria pati probleme si me rënien ekonomike përgjatë vitit 2019, ashtu edhe me braktisjen e vendit nga shumë qytetarë. Përse kjo situatë?
Ekonomia shqiptare me thënë të drejtën nisi të hyjë në vështirësi që nga viti 2010, kur efektet e krizës financiare botërore të vitit 2008 filluan të japin efekt. Kështu, rritja ekonomike që shkoi në 8% në vitin 2007, ra në 2%. Partia Socialiste dhe kryeministri Rama në vitin 2013 kur morën pushtetin ndryshuan shumë gjëra në politikat ekonomike dhe në klimën e biznesit. Ata thelluan klientelizmin, dhanë koncesione duke rritur borxhin, futën taksën progresive që dekurajoi profesionistët e talentuar dhe ata që punonin shumë, ndërpreu investimet në rrugë dhe projekte të tjera në infrastrukturë, investoi në zbukurimet e qyteteve etj. Paralel me të, u forcua mbjellja e hashashit, trafiku i drogës, u hapën edhe laboratorë kokaine. Pra, degradimi i zbatimit të ligjit u bë dramatik, paraja kriminale u rrit duke shkatërruar çdo fondament të ekonomisë ndërkohë që politikat ekonomike ishin jo stimuluese. Në fakt, kështu do të ndodhte, sepse një qeverisje që kërkon të uzurpojë pushtet, që synon të bëhet autokratike duke bashkëndarë pushtet dhe vendimmarrjen politike me krimin në këtë drejtim do të ecë. E thashë edhe më lart kjo është një krizë organike, e gjithanshme, ka prekur njëlloj të gjithë sektorët dhe të gjithë jetën e vendit. Kjo krizë organike shoqërohet gjithnjë me depresion dhe humbje të shpresës. Atëherë kush mundet përpiqet të largohet. Kjo ka ndodhur dhe do të vazhdojë derisa të arrihet ajo pika kur barrikada dhe njerëzit në të marrin përpara qeverinë e cila do të degjenerojë edhe nga brenda.
Aktualisht vendi po kalon një krizë të rëndë për shkak edhe të pasojave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. A do ketë pasoja kjo situatë edhe në zhvillimet politike në vend, do rritet pakënaqësia për qeverinë, apo mendoni se gjendjen e krijuar po e menaxhon mirë?
Tërmeti shkaktoi pasojë të rënda dhe për fat të keq këto pasoja do të vijojnë gjatë. Kryeministri, i cili në kushtet e një qeverisjeje të dështuar dhe të një krize organike ka ndërtuar një Shqipëri plotësisht të paaftë për të përballur gjendje si kjo, për ditë me radhë qëndroi në televizione në një angazhim ekstrem propagande, për t’u shfaqur si një njeri i dhimbsur dhe që punon në mënyrë që të shpërthente dështimi dhe mungesa e plotë e papërgatitjes. Mirëpo kjo nuk mund të fshihet gjatë. Propaganda ka një kufi dhe më pas ajo nuk bën më punë. Njerëzit e prekur nga tërmeti janë në mes të hallit dhe ata do ta shkarkojnë dëshpërimin e lënies në mes të hallit tek ai që administron paratë publike dhe ka detyrën të kujdeset për njerëzit. Shumë shpejt qeveria do të përballet me këtë reagim të dëshpëruar. Kryeministri menaxhoi mirë vetëm veten e tij në televizor dhe asgjë më shumë.
Çfarë parashikoni për vitin e ardhshëm, ku opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme Parlamentare dhe lokale bashkë, ndërsa mazhoranca duket e vendosur për të mos lëshuar në këtë drejtim. Po faktori ndërkombëtar a do të ketë qasje tjetër ndaj qeverisë dhe klasës politike në vend, a do shtohet presioni për zgjidhjen e krizës? Kujtojmë që Bundestagu gjerman ka caktuar nëntë kushte që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë negociatat me BE-në.
Kryeministri Rama dhe kjo qeveri vazhdojnë për inerci, nuk kanë narrativë, nuk ngjallin optimizëm, nuk kanë burime, vendi është në krizë organike. Nuk gjendet ndonjë ilaç çudibërës për ta ngjallur më këtë qeveri. Rama po përpiqet të ngrihet duke shpresuar se mund të flitet sikur ai nuk ka qenë prej shtatë vitesh në pushtet, por është e kotë. Rama tashmë është si ai i dëshpëruari që ndonëse gjendet në gropë, vazhdon të gërmojë por kjo e zhyt më thellë. Opozita e ka mposhtur atë sepse ajo e deligjitimoi atë dhe bëri të mundur t’i rrëzojë propagandën duke e zbuluar Ramën dhe qeverinë para shqiptarëve dhe para botës. Ndërkombëtarët, sigurisht me shumë takt, e kanë hedhur duke i vënë kushte që ai kurrë nuk mund t’i plotësojë. Kështuqë është vetëm çështje muajsh, pra çështje kohe.