Umerovi u dënua me dy vjet burg, ndërsa Chyigoz me tetë vjet
ANKARA (AA) – Figurat udhëheqëse tatare të Krimesë Ulmi Umerov dhe Akhtem Chyigoz të enjten falënderuan presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për përpjekjet në lirimin e tyre nga burgu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Hapat e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit ukrainas Petro Poroshenko janë me të vërtetë të rëndësishme,” u tha Chyigoz gazetarëve në ambasadën e Ukrainës në Ankara.
Umerov tha se lirimi ishte i mundur për shkak të përpjekjeve të Erdoğan, Poroshenko dhe Mexhlisi Tatar i Krimesë.
“Askush nuk më tha nëse mund të kthehem në Krime ose jo. Prandaj unë do ta diskutoj këtë me presidentin Poroshenko, deputetët dhe zyrtarët në Kiev,” tha ai.
Umerov shtoi se ka në plan të kthehet në Krime “sa më shpejtë që është e mundur”.
Umerov, nënkryetari i Mexhlisit Tatar të Krimesë, një trup përfaqësues, dhe zëvendësshefi i Mexhlisit Chyigoz u burgosën më 11 dhe 27 shtator, pasi u dënuan nga një gjykatë ruse në Krime për akuza për separatizëm.
Umerovi u dënua me dy vjet burg, ndërsa Chyigoz me tetë vjet.
Andrii Sybiha, ambasadori i Kievit në Ankara falënderoi Turqinë për qëndrimin e saj ndaj Krimesë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Sot, takimi me Chyigoz dhe Umerov ka një kuptim simbolik”, tha Sybiha.
Të mërkurën në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Poroshenko tha: “Faleminderit Presidentit të Republikës së Turqisë @RT_Erdogan për përpjekjet e tij për të liruar heronjtë tanë, siç kemi rënë dakord në New York dhe Kiev”.
Ukraina u përfshi nga konflikti që nga marsi i vitit 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia pas një votimi të paligjshëm të pavarësisë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar për të shpallur të paligjshëm aneksimin rus.
Së bashku me shumë vende të OKB-së, SHBA-të, BE-ja dhe Turqia nuk e njohin Krimenë si territor rus.
Që nga aneksimi i Krimesë, minoriteti tatar i rajonit është ankuar për represione, përfshirë edhe arrestimet arbitrare.