Presidenti Erdoğan, i cili gjendet në Tanzani në kuadër të vizitave në Afrikë, është takuar me presidentin John Pombe Joseph Magufuli në rezidencën presidenciale
DARUSSELAM (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se Organizata Terroriste FETO paraqet kërcënim të madh jo vetëm për Turqinë, por për të gjitha vendet ku zhvillon veprimtari, tha se “Ne i informojmë të gjithë miqtë tanë në lidhje me këtë organizatë në mënyrë që të mos rrezikohen nga problemet, dhimbjet dhe dëshpërimet të cilat i kemi përjetuar ne. I besoj mbështetjes së mikut tim të nderuar Magufuli në luftën që e zhvillojmë kundër kësaj organizate në tërë kontinentin. Ne jemi të gatshëm të marrim përsipër si përgjegjësi ta pastrojmë këtë rrjet terrorist nga Afrika përmes Fondacionit Maarif, TIKA-s dhe institucioneve tona të tjera”, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan, i cili gjendet në Tanzani në kuadër të vizitave në Afrikë, është takuar me presidentin John Pombe Joseph Magufuli në rezidencën presidenciale. Pas takimeve kokë më kokë, dy liderët kanë kryesuar edhe takimet mes delegacioneve. Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve mes Turqisë dhe Tanzanisë, Erdoğan dhe Magufuli kanë mbajtur konferencë për media.
Erdoğan gjatë fjalës së tij theksoi se takimet që kanë zhvilluar kanë qenë të dobishme dhe frytdhënëse. “Pamë se mes dy shteteve kishte potencial tejet të konsiderueshëm të bashkëpunimit. Në periudhën në vazhdim do ta thellojmë edhe më tutje bashkëpunimin me projekte të reja në fusha si ekonomia, tregtia, turizmi, bujqësia, komunikacioni hekurudhor, industria dhe ndërtimtaria. Marrëveshjet që nënshkruam tregojnë shumë qartë vendosmërinë tonë në këtë drejtim”, theksoi Erdoğan.
“FETO është e rrezikshme për të gjitha shtetet ku zhvillon veprimtari”
Duke rikujtuar se Turqia ishte goditur nga tentativë për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik, Erdoğan u shpreh: “Kjo organizatë është e rrezikshme jo vetëm për Turqinë, por për të gjitha shtetet ku zhvillon veprimtari. Këtë jam i detyruar ta them si në mik, si një vëlla. Për këtë arsye po e them këtë.”
Erdoğan më tej nënvizoi se Turqia ka realizuar projekte të rëndësishme në fushën e arsimit në tërë kontinentin e Afrikës. “Aktualisht, 4.500 studentë afrikanë vijojnë procesin arsimor në Turqi pa paguar asnjë shpenzim. Vetëm vitin e kaluar kemi dhënë bursë për 31 studentë nga Tanzania. Është e mundur që këtë shifër ta rrisim. Kjo mund të vazhdojë në periudhën para nesh. Kur këta studentë ta mbarojnë shkollimin, me lejen e Zotit, besoj që në mënyrën më të mirë do të shërbejnë si farmacistë, inxhinierë, mjekë, mësues, politikanë apo ministra. Ndihem tejet e lumtur që shoh edhe shoh shembuj konkret të kësaj”, tha Erdoğan.
Qasja e Turqisë në kontinentin e Afrikës është respekti reciprok dhe partneriteti
Presidenti Erdoğan tha se kornizat e qasjes së Turqisë në kontinentin e Afrikës janë “respekti reciprok dhe partneriteti”. Sipas tij, Turqia asnjëherë nuk aprovon një model në të cilin pasurohet vetëm një palë, ndërsa pala tjetër i shërben këtij pasurimi përmes resurseve njerëzore, punës dhe djersës.
“Ne, si shtet me normën e dytë më të madhe të zhvillimit në mesin e anëtarëve të OECD-së, jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat dhe njohuritë tona me Tanzaninë. Tanzania do të bëhet vend që forcohet vazhdimisht në saje të resurseve natyrore, qëndrimit stabil në rajon, popullsisë dinamike dhe qëndrimit të vendosur të presidentit të nderuar Mafuguli”, theksoi Erdoğan.
Presidenti i Turqisë ftoi presidentin Magufuli në hapjen e ambasadës së Tanzanisë në Ankara, e cila, siç tha Erdoğan, do të hapet së shpejti.