-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Femra mes shpresave dhe sfidave!

Më të lexuarat

Rovena TUJANI-KLINAKU

Çdo të enjte, kur ndjek seancat parlamentare, sheh një numër të madh deputetesh femra që janë ulur të bisedojnë apo negociojnë, dhe në fund votojnë. Disa prej tyre meritojnë çdo lëvdatë, pasi po luftojnë me një ambient maskilist paragjykues, ku është e vështirë të mbijetosh me nder. Gjithashtu, në media, në debate dhe analiza, shfaqen femra të cilat transmetojnë një realitet optimist. Ato duken të arsimuara, të pavarura, të suksesshme dhe me vizione të qarta. Siguria që transmetojnë është befasuese dhe dyshuese. Të jepet ideja që femrat po arsimohen, po punësohen, po arrijnë të tejkalojnë shumë barriera dhe të ecin me vite shpejtësi drejt së ardhmes. Pastaj, kur sheh auditoret e universiteteve, që kanë përqindje të madhe dominuese femërore, atëherë mendon dhe thua, “Me të vërtetë ka shpresë për të ardhmen!”

Por…

Kur hedh sytë në pjesën tjetër të shoqërisë, sheh një realitet tjetër. Shumica dërrmuese e femrave janë amvisat e shtëpisë. Roli i tyre është lindja dhe rritja e fëmijëve. Detyra e tyre është kujdesi për anëtarët e familjes. Ato jetojnë në një ambient urdhërues dhe dhunues. Këto femra dhunohen fizikisht, ekonomikisht, emocionalisht. Ato nuk vlerësohen për punën që bëjnë, por degradohen, ofendohen, fyhen, nga mëngjesi në mbrëmje. Prej tyre kërkohen të gjitha angazhimet familjare, dhe për shpërblim marrin ofendime dhe kritika. Dita e tyre fillon në orët e para të mëngjesit, deri në orët e vona të natës. Dhe për falënderim marrin gjykimin standard: “Gjithë ditën rrini kot në shtëpi!”

Këto femra dhunohen fizikisht për çdo rezistencë apo kundërshtim. Rrihen dhe keqtrajtohen, sepse mbi to ka pushtet absolut bashkëshorti, dhe gruaja nuk ka të drejtë e zë ta kundërshtojë. Madje konsiderohet turp nëse e denoncon dhunën në familje. Këto femra nuk kanë të ardhura ekonomike, dhe çdo shpenzim i tyre minimal numërohet, madje dhe kafshata e bukës.

Këto femra nuk komplimentohen, nuk falënderohen, nuk motivohen. Mendoj se mënyra si trajtohen këto femra nuk tregon sa vlejnë ato, por tregon sa vlejnë personat që sillen në atë formë. Mos harrojmë shprehjen e lartë, “Gruan e nderon i nderuari dhe e poshtëron i poshtri.”

Në Drenas të Kosovës është e ngritur prej kohësh Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, ku merren posaçërisht me rastet e viktimave seksuale të luftës. Kjo qendër prej muajsh nuk kishte fonde, dhe punonte në frymën vullnetare. Rastet e regjistruara jo vetëm që janë nga më të dhimbshmet dhe më të rëndat, por janë njëkohësisht nga më fatkeqet në historinë e njerëzimit. Ato çdo ditë vdesin nga pak. Vdesin kur dëgjojnë gjykimet dhe paragjykimet e njerëzve, që drejtojnë gishtin ofendues dhe nuk shohin se sytë e tyre pikojnë lot gjaku.

Por sërish, dhe pse deri vonë Kosova është drejtuar nga një presidente femër, rasti i tyre ka mbetur në harresë. Edhe pse parlamenti i Kosovës është i mbushur me femra, përsëri rasti i tyre mbetet i patrajtuar.

Tani unë pyes: për çfarë duhet një presidente femër kur femrat e tjera vazhdojnë të jenë po aq të mjera si gjithmonë? Çfarë ndikimi kanë kuotat gjinore në parlament apo në administratë kur akoma jeta e femrës dhe dhuna mbi të mbetet e njëjtë? Këto strategji politike, nëse nuk vlejnë për popullin, atëherë për çfarë vlejnë?

Ndërkohë, në Prishtinë organizohen festa birre dhe festa të ndryshme, ku fonde marramendëse ndahen dhe shpenzohen për organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të tilla, ndërsa dosjet dhe rastet e këtyre grave lihen për vitin tjetër, për aktivitetin tjetër, deri në harresë./Tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit