0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Feja intime – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Njeriu është qenie shoqërore dhe ka nevojë gjithmonë për atmosferë kolektive për ta motivuar dhe nxitur atë, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as shumë prej adhurimeve, mes tyre edhe më i rëndësishmi prej tyre, që është namazi.

Namazi nafile që falet gjatë netëve të Ramazanit, është një praktikë e mirë në këtë drejtim e trashëguar që nga koha e sahabëve, dhe shpesh i motivon njerëzit të shtojnë adhurimin më shumë sesa nëse do të faleshin vetëm. Mirëpo krahas kësaj është tepër e rëndësishme që te njerëzit të ringjallet edhe kultura e namazeve individuale, në vetmi, vetëm për vetëm me Zotin dhe Krijuesin e tyre, sepse ky adhurim është më i sinqertë dhe më i dëlirë nga syfaqësia.

Një nga çelësat madhorë të suksesit individual dhe kolektiv të individëve dhe shoqërive muslimane është marrëdhënia e fshehtë me Zotin, janë adhurimet sekrete që nuk ia di askush veç Krijuesit dhe të cilat njeriu nuk ia tregon askujt, dhe namazi nuk ka sesi të mos jetë njëri prej tyre. Nuk ka vetëm sadaka të fshehtë, por ka edhe agjërim të fshehtë, kurban të fshehtë, umre të fshehtë, ndihmë të fshehtë, ndërmjetësim të fshehtë, shlyerje borxhi të fshehtë dhe mbi të gjitha namaz, dhikr, salavate dhe lutje të fshehtë, si dhe një mori bamirësish dhe veprash të fshehta e kontributesh që është e mundur të mos i dijë askush veç Zotit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i jepni lëmoshat haptazi, kjo është mirë; por, nëse ua jepni të varfërve fshehurazi, kjo është edhe më mirë për ju, sepse kështu Ai (Allahu) jua fal gjynahet tuaja. Allahu i di hollësisht veprat tuaja.” (2: 271)

Duke komentuar këtë ajet Ibn Abasi (radijaAllahu anhu) ka thënë: “Allahu sadakanë e fshehtë jo të detyruar e ka vlerësuar shtatëdhjetë fish më shumë sesa atë që bëhet haptazi, ndërsa sadakanë e obliguar (zekatin) të dhënë haptazi e ka vlerësuar më shumë sesa atë të fshehtë, thuhet njëzetë e pesë fish më shumë, dhe kjo vlen për të gjitha farzet dhe nafilet.” (Tefsir Tabari 5/583)

Zubejr ibn Auam (radijaAllahu anhu) thoshte: “Kush mundet prej jush që të ketë një vepër të mirë të fshehtë le ta bëjë.” (el-Musanef Ibn Ebi Shejbeh 35768)

Sigurisht që këtë e dinë shumë prej besimtarëve, por një nga problemet e sotme mes tyre është se nuk dallojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë në tendencën e tepruar për të ekspozuar çdo gjë që bëjnë nëpër rrjetet sociale. Padyshim që masivizimi dhe ekspozimi i së mirës e nxit dhe e promovon atë si vlerë në shoqëri, duke iu kundërvënë kështu së keqes masive që promovohet po ashtu në publik dhe rrjetet sociale, por besimtari duhet të gjejë një ekuilibër mes tyre dhe shumë nga veprat e tij të mira duhet të jenë sa më intime me Allahun dhe të shmanget sa të jetë e mundur ekspozimi i tyre. Në fund të fundit, qëndrueshmëria dhe themeli fundor i besimit të çdokujt është pikërisht forca e përkushtimit dhe devocionit individual intim me Zotin e tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit