4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Feja dhe arsimi, roli i tyre në transformimin e shoqërisë

Më të lexuarat

 

E ardhmja e një kombi varet nga rinia e tij. Çdo popull, që kërkon të sigurojë të ardhmen e tij, ashtu siç përkushtohet ndaj fushave të tjera, duhet të shpenzojë shumë energji për të rritur brezin e ri. Një komb që lë pas dore rininë e tij, që e braktis, vë në rrezik identitetin e tij.

Feja me rregullat e saj në tërësi përcakton qartë një infrastrukturë morale që njeriu duhet të ndjekë. Kjo gjë ravijëzohet shumë qartë në të gjitha aspektet e jetës individuale, familjare, shoqërore, etj. Njohja e Zotit dhe marrëdhënia Krijues-krijesë i përfton zemrës të vërtetën madhështore: dashurinë. Ndërsa po këto gjëra e largojnë atë nga urrejtja, mëria, dobësitë, etj.

Janë brezat e ushqyer me këto parime ata që do të ‘qëndisin’ qytetërimin e së nesërmes, ngjyrat e të
cilit do të jenë në gradën dhe cilësinë e lartësisë së këtyre njerëzve.

Këta breza të bekuar duhet të zotërojnë aftësinë e të konceptuarit të ngjarjeve siç duhet.

Vetë urdhri “Lexo”, që për veshët e shumë njerëzve tingëllon klasik, këtyre brezave duhet t’u hapë

shtigje të reja, horizonte të qarta.

Duhet të jemi të sigurt se nuk është feja ajo që e ka lënë mbrapa popullin tonë dhe popujt e tjerë, por është krejt e kundërta, është largimi nga parimet dhe morali i shëndoshë fetar.

Arsimimi njihet në mbarë botën si një tregues i rëndësishëm i zhvillimit kulturor, social e ekonomik, gjë e cila çon në përmirësimin e nivelit të jetesës. Pavarësisht nga ideologjia e modeleve të zhvillimit, arsimimi gjithmonë është vlerësuar si prioritar, që meriton vëmendje dhe investim të vazhdueshëm.

Në një hadith profetik thuhet: “Kush dëshiron një jetë të këndshme në këtë botë, le të arsimohet, kush dëshiron lumturi e kënaqësi në botën tjetër, le të arsimohet. Kush i dëshiron të dy botët, patjetër le të arsimohet.”

Si edukimi, ashtu edhe arsimimi janë baza, themeli dhe jeta e Islamit. Ato janë shtyllat themelore të kulturës e të civilizimit islam e, në të njëjtën kohë, janë bazë dhe rrënjë e çdo qytetërimi si dhe mjet përparimi për individët dhe popujt.

Islami është e para fe dhe i pari sistem në botë, që të parin parim që obligoi ishte të lexuarit – të mësuarit, duke bërë kështu që kërkimi i diturisë t’i paraprijë kultivimit të besimit. Në Kur’an thuhet:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”. (Alak, 5)

Kjo thirrje i drejtohet fillimisht profetit Muhamed a.s. e pastaj nëpërmjet tij, mbarë njerëzimit pa dallim. Ndërkohë është vetë profeti Muhamed a.s. që shprehet: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo mysliman e myslimane”.

Nuk ka ndryshim mes mashkullit dhe femrës kur kemi të bëjmë me kërkimin e dijes. Është obligim i të dyve që të kërkojnë diturinë, e cila është e nevojshme për të njohur si obligimet islame, ashtu edhe ato sociale.

Falë strategjisë së tij të pastër, Profeti a.s. arriti të eliminojë shumë dukuri negative si prostitucioni, alkooli, kamata, mitmarrja etj., pasi ato për një kohë të gjatë kishin qenë pjesë e pandarë e jetës
së atëhershme. Pejgamberi a.s. i zhduku këto vese pa pasur nevojë për kurrfarë force të mobilizuar.

Në fillimet këtij mijëvjeçari të ri shoqëria botërore dhe, për rrjedhojë, edhe ajo ballkanike, po ndeshet me një sfidë të re: globalizimin. Globalizimi natyrshëm është konceptuar si mundësi
për përfitim, por edhe si kërcënim dhe kjo varet nga specifikat e vendeve të veçanta dhe nga reagimi i vetë shoqërive të këtyre vendeve. Kuptohet që globalizimi prek shumë aspekte të ndryshme, që janë: ekonomike, politike, ushtarake, kulturore, shoqërore e fetare.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për larminë kulturore e fetare, pasi çdo kulturë paraqet një univers më vete.

Kulturat i japin fesë gjuhën e tyre dhe fetë një kuptim të fundmë çdo kulture.

Në këtë kuptim, pa pranimin e pluralizmit dhe pa respektimin e dallimeve nuk mund të ketë paqe. Por, as paqja dhe as feja nuk mund të reduktohen në koncepte unike dhe të ngurta, ashtu si tërë eksperienca njerëzore nuk mund të shprehet vetëm përmes një gjuhe.

Feja dhe edukimi fetar, për vite të tëra, në shumë vende që përjetuan regjimin komunist, ishin zëvendësuar me edukimin komunist, ndërsa besimi në fe u tentua të zëvendësohej me besimin te partia. Marksizmi u kthye në besim më vete.

Sot rajoni po kalon një situatë kritike dhe vëmendja duket e përqendruar në hullinë e përditshmërisë, në çështje që duket na shtien më shumë në pesimizëm dhe gjenerojnë një dembelizëm kolektiv. Në një aspekt tjetër, vihet re një predispozitë për t’u marrë me çështje periferike dhe jo me ato thelbësore për ecjen përpara të shoqërisë.

Në një situatë të tillë, duhet kuptuar që e vetmja mënyrë për të ndryshuar rrjedhën e shoqërisë sonë është përgatitja e një brezi të ardhshëm që ka vetëdije kombëtare dhe njohuri shkencore të mjaftueshme për ta shpënë vendin përpara. Një brez që, nga ana tjetër, të jetë i frymëzuar nga edukimi fetar.
Ka ardhur koha që vlerat dhe parimet e larta të shpallura në mesazhet hyjnore të jenë pjesë integrale e programeve mësimore, sepse edukimi fetar bazohet në parime shumë të rëndësishme. Së pari, synon të kontribuojë në zhvillimin njerëzor dhe edukativ të të rinjve, duke i bërë ata të aftë të kuptojnë diçka nga besimet dhe të zhvillojnë ndjenjat e tyre për vlerat e jetës. Të jenë të moralshëm e të dobishëm. Kjo do të rrisë ndër ta shkallën e ndërgjegjësimit për të punuar dhe djersitur për një të ardhme më të mirë.

Është e rëndësishme përfshirja e edukimit fetar në sistemin arsimor publik, pa cenuar laicitetin e shtetit, sepse feja është rregullatori i parë hyjnor dhe mund të zbusë shumë nga efektet negative të shoqërisë. Për këtë është e nevojshme të hartohet një program mësimor, ku nxënësit të marrin informacionin e duhur për besimet kryesore fetare, që të kenë njohuri të sakta rreth botës
moderne e të zhvillojnë sensin kritik për vlerat sociale.

Edukimi fetar synon t’i ndihmojë ata të zhvillojnë aftësinë e të menduarit, të dëshmojnë vlerat dhe të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne, të kenë prirje kritike për vlerat e shoqërisë, në
mënyrë që të zhvillojnë qytetarinë brenda një shoqërie multikulturore.

Përvetësimi nga fëmijët dhe adoleshentët i njohurive të drejta për një besim fetar, njohuri gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese për besimet e tjera fetare, e bën brezin e ardhshëm garant për tolerancën fetare aq të nevojshme për rajonin ku jetojmë.

Njeriu i edukuar me një moral të lartë karakterizohet për qëndrim, sjellje e veprime të vullnetshme pozitive, që rrisin personalitetin e tij.

Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm.

Redaksia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit