10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Farid Zakaria: Pse sot unë jam një musliman!

Më të lexuarat

Pasojat e retorikës së tij e kanë helmuar tashmë atmosferën. Myslimanët e amerikës janë më të frikësuar dhe do të izolohen më shumë. Komuniteti në tërësi do i njohë më pak dhe do t’u besojë më pak. Do të nisë një spirale segregimi. Tragjedia është se, ndryshe nga sa ndodh në Europë, myslimanët në SHBA janë të mirëasimiluar. Më kujtohet një bisedë me një imigrant maroken në Norvegji, vitin e kaluar, i cili kishte një vëlla në Nju Jork. E pyeta se ku dallonin eksperiencat e tyre. Ai mu përgjigj: “Këtu, unë do të jem gjithmonë mysliman, ose maroken, por im vëlla është tashmë amerikan”

Nga Fareed Zakaria

Unë e shoh veten time pikësëpari si amerikan. Jam krenar për atë identitet, për arsye se, si imigrant, e kam përftuar përmes bindjes së thellë dhe punës së madhe, dhe jo thjeshtë pse kam lindur këtu. E mendoj gjithashtu veten si bashkëshort, baba, indian, gazetar, njujorkez dhe (në ditët e mia) si intelektual. Por në klimën e sotme politike, më duhet të përqafoj një tjetër identitet. Unë jam mysliman.

Nuk jam një mysliman praktikues. Hera e fundit që shkova në një xhami, përveç se si turist, ka qenë disa dekada më parë. Bashkëshortja ime është e krishterë dhe ne nuk ikemi rritur fëmijët tanë si myslimanë. Pikëpamjet e mia për fenë janë të ndërlikuara – diku mes deizmit dhe agnosticizmit. Në pikëpamje të përgjithshme jam krejt laik. Por, teksa shoh mënyrën se si kandidatët republikanë po përçajnë amerikanët, e kuptoj se është e rëndësishme të pranoj fenë me të cilën jam lindur.

E megjithatë, ai identitet nuk më përfaqëson tërësisht mua, apo pikëpamjet e mia. Jam i tmerruar prej fanatizmit dhe demagogjisë së Donald Trumpit, jo sepse jam mysliman, por sepse jam amerikan.

Në ditarët e tij në vitet 1930, Victor Klempereri përshkruan se si ai, një laik, një hebre gjerman tërësisht i asimiluar, e përçmonte Hitlerin. Por ai përpiqej t’i bindte njerëzit se këtë e bënte si gjerman; se ishte identiteti i tij gjerman që e shihte nazizmin si farsë. E megjithatë, në fund, ai shihej vetëm si hebre.

Ky është rreziku i vërtetë i retorikës së Donald Trumpit: I detyron të izolohen njerëzit që duan të asimilohen, që e shohin veten me disa identitete. Pasojat e retorikës së tij e kanë helmuar tashmë atmosferën. Myslimanët e amerikës janë më të frikësuar dhe do të izolohen më shumë. Komuniteti në tërësi do i njohë më pak dhe do t’u besojë më pak. Do të nisë një spirale segregimi.

Tragjedia është se, ndryshe nga sa ndodh në Europë, myslimanët në SHBA janë të mirëasimiluar. Më kujtohet një bisedë me një imigrant maroken në Norvegji, vitin e kaluar, i cili kishte një vëlla në Nju Jork. E pyeta se ku dallonin eksperiencat e tyre. Ai mu përgjigj: “Këtu, unë do të jem gjithmonë mysliman, ose maroken, por im vëlla është tashmë amerikan”.

Në një ese të botuar në Foreign Affairs, shkrimtari britanik Kenan Malik shkruan se në Francë, në vitet ’60 dhe ’70, myslimanët nga Afrika e Veriut nuk shiheshin si, apo nuk thirreshin myslimanë. Ata përshkruheshini si afrikano-veriorë apo Arabë. Por kjo gjë ndryshoi në dekadat e fundit. Ai citon një regjisor që ka thënë: “Çfarë i bashkon, në Francën e sotme, punonjësn algjerian besimtar që ka dalë në pension, regjisorin franko-mauritanez laik që jam unë, punonjësin sufit të bankës nga Mantes-la-jolie, punonjësin social nga Burgundy që është konvertuar në Islam, dhe infermierin agnostik që nuk ka vënë kurrë këmbë në shtëpinë e gjyshërve të tij në Oujda?”. Përgjigja e tij: “Ne jetojmë në një shoqëri që mendon për ne si Myslimanë”.

Kur fillon të etiketosh një popull të tërë, përmes tipareve si raca dhe feja, dhe më pas e sheh gjithë grupin si të dyshuar, do të krijohen tensione. Në një artikull shumë domethënës mbi ushtarët myslimanë amerikanë, “The post” intervistoi marinsin Emir Haxhiç, një refugjat nga Bosnja, i cili shpjegonte se si lufta brutale civile mes komuniteteve fetare nisi në Ballkan, në vitet 1990. “Kjo është më e frikshmja në lidhje me gjërat që po thotë Trumpi”, tha Haxhiç. “Unë e di se çfarë ndodh kur fillon të nxitësh mosbesimin mes fqinjëve dhe miqve të tu… I kam parë t’i kundërvihen njëri-tjetrit”.

Unë mbetem optimist. Trumpi e ka zënë në befasi vendin. Njerëzit nuk dinë si t’u përgjigjen propozimeve të paqartë dhe jofunksionues (“Duhet të bëjmë diçka!”), statistikave të pasinqerta, insinuatave të errëta për komplote (‘Ka diçka që ne nuk e dimë”, thotë ai për presidentin Obama) si dhe apelit ndaj paragjykimeve të njerëzve.

Por nuk jetojmë në vitet 1930. Njerëzit nga të gjithë anët e spektrit po e dënojnë Trumpin – ndonëse ka disa mbështetës mes kandidatëve republikanë. Amerika nuk do të qëndrojë e tmerruar. Edhe pas San Bernardinos, numri i amerikanëve të vrarë prej terrorizmit në tokë amerikane 14 vjet pas 11 shtatorit është 45 – mesatarisht tre vetë në vit. Numri i atyre që janë vrarë në përplasje me armë vetëm këtë vit do të jetë 11000.

Në fund, SHBA do të refuzojë këtë frikëndjellje dhe demagogji, ashtu siç ka bërë në të kaluarën. Por ne po kalojmë një test të rëndësishëm karakteri, politik dhe moral. Shpresoj që, pas disa dekadash, njerëzit do të kthejnë kokën pas dhe do të thonë: “Çfarë bëre ti, kur Donald Trumpi propozoi teste të fesë në Amerikë?”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit