1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Familja dhe shenjtëria e saj

Më të lexuarat

Shenjtëria e familjes dhe e lidhjeve farefisnore është e sanksionuar gjerësisht si në Kuranin Famëlartë, po ashtu edhe në Traditën Profetike të kodifikuar nga të gjithë Sahabet e Ndritur dhe kolosët e dijes islame që e përcollën të gjithë këtë korpus dijeje qysh nga Profeti Muhamed paqja e Zotit qoftë mbi të e deri në ditët tona. Koha dhe rrethanat ndryshojnë, porse vlerat e familjes mbeten të njëjtat për të gjitha vendet apo popujt. Babai dhe nëna janë bërthama, e vazhdimësisë së familjes dhe e të gjithë elementit njerëzor për kombet dhe popujt e ndryshëm. Kjo sanksionohet edhe në objektivat e larta të Ligjit Islam, ku është një nga të pesë mekasidet apo edhe synimet e Legjislacionit Islam – ruajtja e jetës dhe e vazhdimësisë së saj nëpërmjet lidhjes martesore dhe krijimit të një familje të shëndoshë, ku fëmijët të rriten të mirë dhe të shëndetshëm, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Prandaj fëmijëve ju nevojitet dashuria amnore dhe atërore, e cila ju mëkohet me qumështin e nënës për dy vjet e më shumë, si dhe me këshillat e kujdesin prindëror të babait dhe nënës gjatë të gjithë jetës familjare.

Familja është qeliza bazë e organizimit të shoqërisë dhe themeli i saj dhe jo individi. Edhe pse familja në shoqërinë njerëzore përbëhet nga individët, ajo absolutisht nuk është një bashkim individësh numerikë të veçuar e të pavarur, por një bashkësi, e cila ka lindur dhe lind, që nga gjeneza e saj, së pari nga një lidhje biologjike dhe më pas si rrjedhojë e kësaj lidhje gjaku ajo rrjedh natyrshëm në një lidhje sociale, emocionale dhe shpirtërore, pra në atë që quhet lidhje familjare. Mbi bazën e kësaj lidhjeje janë formuluar më pas edhe ligjet dhe normat e shoqërisë, të cilat mbrojnë pikërisht këtë njësi shoqërore, e cila në thelb dhe në gjendjen e saj natyrale është një lidhje biologjike mes një burri dhe një gruaje dhe e frytit të tyre biologjik. Kjo është gjendja e natyrshme e familjes, si e tillë ajo është edhe streha më e mirë dhe e natyrshme e një fëmije.

Porositë e arta nga Kurani Famëlartë dhe të Profetit Muhamed paqja e Zotit qoftë mbi të për familjen e farefisninë, fëmijët e sidomos për jetimin janë në fokusin e mësimeve të përditshmërisë së besimtarit. Kush i përkëdhel kokën një jetimi do të marri sevape për aq sa fije floku do të preki. Kjo është një nga shumë porositë e arta që na jep i dashuri jonë Muhamedi paqja e Zotit qoftë mbi të, ku ai vetë është rritur jetim.

Jo të gjitha gjërat gjatë ditës së një besimtari shkojnë mirë, ka sprova, probleme, telashe, porse në mbrëmje secili i kthehet familjes së tij dhe aty strehohet dhe gjen rehatinë pas lodhjes dhe vështirësive. Streha dhe rehatia e besimtarit është pikërisht familja dhe shtëpia e tij, ku ai fal namazin, lexon Kuranin dhe merret me mbarëvajtjen e punëve familjare. Të dy bashkëshortët përkujdesen për fëmijët dhe fëmijët shohin te nëna dhe babai i tyre shembullin më të mirë të bashkëjetesës familjare. Ky shembull ju shërben atyre për më vonë pasi të jenë lidhur në martesë dhe do të krijojnë vatrën e tyre. Këtu nis edhe edukimi i fëmijëve që nesër do të vijnë në jetë, ashtu siç na ka porositur Allahu në Kuran dhe Profeti Muhamed paqja e Zotit qoftë mbi të. Edukimi i fëmijëve nis me edukimin e prindërve të tyre qysh në moshë të vogël me urdhëresat e Zotit dhe të fesë sonë të nderuar.

Shenjtëria e familjes ngrihet dhe ruhet për ditë me mund e me vështirësi, por gjithsesi pa u lodhur, me dashuri për prindërit, me respektin për gjyshërit, dhe duke i ruajtur fëmijët tonë. Fëmija qysh në momentet e para që vjen në këtë jetë belbëzon fjalët ba e ma, dhe lind me natyrshmërinë e vet të rrënjosur nga vetë Zoti i Madhëruar me dashurinë për prindërit, një dashuri pa kushte kjo, e pastër dhe larg çdolloj papastërtie. E neve të gjithëve na takon ta ruajmë e ta çojmë më tej këtë dashuri, se pas besimit në Zotin një vjen respekti dhe dashuria për prindërit, që janë strumbullari i familjes.

Revista Kibla nr: 18

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit