0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Faleminderit armiqtë e mi

Më të lexuarat

Nga: dr Selman Aude

Faleminderit armiqtë e mi

Produkti më i keq në jetë, është produkti i armiqve! Për diçka të tillë, nuk të lipset më shumë sesa idiotësia, moskokëçarja dhe keqmenaxhimi i situatës për të mbledhur përreth një lum kundërshtarësh, armiqsh, dashakeqësh dhe hatërmbeturish.
Përvoja ime në jetë më ka mësuar që kundërshtarëve tu përgjigjem me durim dhe maturi duke përdorur recetën hyjnore sipas të cilës e keqja duhet larguar me të mirë. “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)
Përvoja më ka mësuar që mos ua var fort atyre që nuk mund të jenë tjetër veçse kundërshtarë dhe armiq. Në fund të fundit, ky është një ligj hyjnor në jetë, kurse ata janë taksa e punës së frytshme dhe serioze.
Faleminderit armiqtë e mi!
Ju më keni mësuar si ti vë veshin kritikës, madje edhe atë të hidhurën, pa u hutuar dhe pa e humbur fillin. Ju më mësuat si të ndjek linjën time pa hezituar, edhe pse mund të dëgjoj fjalë jo të hijshme që nuk përkojnë me realitetin.
Ky është një mësim i vyer i cili nuk mund të merret teorikisht, sado të orvatet robi, veçse duke iu vardisur dikush që e ushtron, dikush që e bën të shijojë fillimisht hidhësirën, me të cilën fillon e mësohet më pas.
Faleminderit armiqtë e mi!
Ju keni qenë shkak për vetë disiplinim dhe mos rendje pas lëvdatave të dashamirësve. Zoti u solli me qëllim që të ekuilibroni peshoren, që robi të mos fluturojë për shkak të lëvdatave të tepërta dhe vetëpëlqimit të pavend, nga ata sy të cilët nuk pikasin veçse të bukurën. Ju, vendosni ekuilibrin, pasi sytë tuaj nuk shohin veçse anën tjetër të monedhës, atë të shëmtuarën, por edhe kur shihni të bukurën, e shëmtoni medoemos.
Faleminderit armiqtë e mi!
Nëse nuk do të ishte zjarri dhe flakët, nuk do e shijonim dot kurrë aromën e këndshme të temjanit.
Faleminderit armiqtë e mi!
Juve u takon merita – edhe pse jo qëllimisht – në vendosjen e ekuilibrit dhe drejtësisë në mendimet e mia. Ndonjëherë njeriut i jepen të drejta dhe ndere të cilat nuk i meriton. Me atë që keni bërë, ju keni ruajtur ekuilibrin, mesataren dhe aftësinë time për të reflektuar. Ndonjëherë njeriut i vishen lavdi e merita që i kapërcejnë aftësitë dhe kapacitetet e tij. Në këtë rast, ju keni shërbyer si vendosës të ekuilibrit, jeni treguar të aftë në identifikimin dhe korrigjimin e të metave, si dhe më keni mundësuar të forcoj aftësitë e mia reflektuese.
S’ka pse t’u mbetet hatri nëse u kam kthyer shpinën dhe nuk jam marrë fare me ju. Nëse njeriu merret me replika e kundër replika, e privon veten nga dobitë e studimit dhe hulumtimit konstruktiv, duke u zhytur ne polemika e debate të cilat nuk e lënë rehat duke u ndjerë gjithmonë si mbi gjemba. Ku i dihet, kundërshtari yt gjithmonë mund të ketë sado pak të drejtë.
Hatim El-esam, Zoti e mëshiroftë thoshte:”Kam përvetësuar tre tipare me të cilat përballem me kundërshtarët e mi.” Dikush e pyeti:”E cilat qenkan këto?” Hatim u përgjigj:”Gëzohem sa herë që kundërshtari im ia qëllon, hidhërohem kur gabon dhe ruhem që të mos e shpërfill atë.” (Ebu Neim fil Hilje 8/82)
Faleminderit armiqtë e mi!
Në fakt, ju jeni energji e vendosmërisë dhe vullnetit tim, ju keni aktivizuar sfidën, keni çelur garën dhe nxitur rivalitetin. E për rrjedhojë, njeriu s’gjen rrugë tjetër veçse të shtrëngojë rripin dhe të kërruset mbi libra, pasi i duhet të ngjisë lartësitë dhe të korrë lavdi. Rivaliteti është një ligj fetar dhe caktim hyjnor. Thotë Zoti në Kuran:”Për këtë, le të rivalizojnë ata që rivalizojnë.” (Mutaffifin, 26)
Fisnikëria e rivalitetit varet nga fisnikëria e mjeteve, metodave, qëllimit, zemërdëlirësisë dhe sinqeritetit.
Faleminderit armiqtë e mi!
Ju më keni ushtruar të jem i durueshëm dhe i vetëpërmbajtur, më jeni imponuar që të keqes ti përgjigjem me të mirë, ose më e pakta me heshtje.
Faleminderit armiqtë e mi!
Peshorja ime e punëve të mira nuk do kishte fatin të peshojë shumë vepra të mira e të ndershme. Falë jush, kjo peshore do të peshojë durimin, vetëpërmbajtjen, tolerancën dhe zemërgjerësinë time.
Armiqtë e mi!
E kuptoj që disa fjalë mund t’ju vrasin veshët dhe shkaktojnë pakënaqësi, por betohem në Zotin që nuk kam dashur t’u lëndoj… Madje, t’ju them të drejtën: Ju jeni miqtë e mi të vërtetë…
Ju jeni vëllezërit e mi për hatër të Zotit, me gjithë mospajtimet që ekzistojnë mes nesh. Sikur të fokusoheshim në pikat që na bashkojnë, do shihnim se janë më shumë se ato që na ndajnë!
Ne na bashkojnë bazat dhe parimet e përgjithshme të besimit, shtyllat e islamit dhe thelbi i kredos (akides). Përse duhet të lodhemi e të prodhojmë koncepte të cilat na ndajnë, nxisin konfliktin dhe na shtyjnë kundër njëri-tjetrit?
Nëse prej gjuhës time, apo prej gjuhës tënde ka dalë diçka, le ta harrojmë e të mos merremi me të kaluarën. Le ti kthehemi të ardhmes me optimizëm, le të prodhojmë lavdi, le të bashkëpunojmë për mirësi dhe devocion, le ta këshillojmë njëri-tjetrin për durim, le të rikthejmë vlerën e vëllazërisë për hatër të Zotit mes nesh, e  cila na garanton lumturinë më të madhe në këtë botë.
Unë nuk u kam etiketuar si “armiq” për faktin se ashtu u konsideroj. Jo… Por e kam bërë për vetë faktin se prej jush, ka njerëz të tillë që insistojnë të jenë të tillë, duke bërë çmos për këtë. Në fakt, ne nuk jemi veçse vëllezër dhe miq, e pranoni apo e refuzoni.
Zoti u faltë dhe u mëshiroftë! Zoti na drejtoftë neve dhe juve në udhën e drejtë! Zoti na ndihmoftë të kuptojmë mangësitë dhe defektet tona, si dhe pikat e forta dhe ato të dobëta! E lusim Zotin të mos na braktisë në fuqinë e vetes tonë, qoftë dhe sa hap e mbyll sytë!
Faleminderit miqtë e mi!
Paqja qoftë me ju!
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit