3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Faktet nga Kur’ani dhe Suneti që tregojnë se është detyrë të pranohet hadithi “ehad” në çështjet e Akides

Më të lexuarat

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Faktet nga Kur’ani dhe Suneti që tregojnë se është detyrë të pranohet hadithi “ehad” në çështjet e Akides 

“Nuk është e përshtatshme për besimtarët të dalin për luftë të gjithë. Nga çdo grup i tyre vetëm një pjesë duhet të marshojë, me qëllim që të njihen me fenë (Islamin), të mund të këshillojnë njerëzit e tyre kur të kthehen tek ata dhe të mund të jenë të vetëdijshëm (për të keqen).” Et-Teube: 122.
Në këtë ajet Allahu i ka urdhëruar fiset, të dërgojnë një palë prej tyre për të mësuar çështjet e fesë, me qëllim që kur të kthehen t’ua mësojnë njerëzve të fisit ato. Fjala “taife” që është përmendur në ajet, nga ana gjuhësore përdoret për një person e më shumë, që do të thotë se sikur një fis të çojë vetëm një person për të mësuar çështjet e fesë, pasi të kthehet në mesin e tyre, e kanë detyrë të pranojnë prej tij çdo gjë të fesë, qoftë në çështjet e Akides apo të Fikhut. Madje çështjet e Akides janë më me përparësi për t’i pranuar, sepse janë më të rëndësishme. Ajeti është argument i qartë për pranimin e hadithit “ehad” që transmetohet nga një ose më shumë persona, pa bërë dallim ndërmjet çështjeve të Akides dhe të Fikhut.
Këtë e konfirmon edhe hadithi që ka transmetuar Buhariu në “Sahihun” e tij nga Malik ibnul Huvejrith i cili thotë: “Erdhëm tek Profeti (salallahu alejhi ue selem), ndërkohë që ishim të rinj dhe pothuajse në të njëjtën moshë. Pranë tij qëndruam njëzet ditë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ishte i mëshirshëm, zemërbutë e i dhembshur, prandaj kur mendoi se na mori malli për familjet tona, na kërkoi ta lajmëronim për njerëzit që kishim në shtëpi. Pasi e lajmëruam na tha: ‘Kthehuni në familjet tuaja, qëndroni mes tyre, mësojuni atyre fenë, urdhërojini ata dhe faluni siç më keni vërejtur mua duke u falur’.”
Pra, Profeti (salallahu alejhi ue selem) i urdhëroi të kthehen në familje dhe t’u mësojnë çështjet e fesë. Më të rëndësishmet e çështjeve të fesë janë ato të besimit, kështu që në qoftë se do të ishte i saktë mospranimi i hadithit “ehad” në Akide, këta djem nuk do t’u flisnin familjeve për besimin dhe ata nuk do ta kishin detyrë të pranonin çdo gjë prej tyre.
Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë:
“O ju që keni besuar! Nëse një njeri i poshtër e i lig ju vjen me ndonjë lajm, sqarojeni e bëjeni të qartë, që të mos dëmtoni njerëzit nga padija e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” El Huxhuratë: 9.
Ajeti tregon se kur na vjen një mëkatar me ndonjë lajm, nuk e pranojmë menjëherë prej tij, por e shqyrtojmë dhe e verifikojmë. Në të kundërt, kur na vjen me çfardolloj lajmi një njeri i drejtë dhe i besueshëm, argumenti nëpërmjet tij konsiderohet i përcjellur dhe është detyrë ta pranojmë prej tij menjëherë, pa qenë e nevojshme ta shqyrtojmë e verifikojmë. Padyshim që në lajmet e njerëzve të besueshëm, përfshihen edhe çështjet e besimit.
Ka ardhur në “Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit se banorët e Jemenit erdhën te Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Dërgo me ne një burrë që të na mësojë Islamin dhe Sunetin!” Profeti kapi përdore ebu Ubejde ibnul Xherrah dhe tha: “Ky është besniku i këtij Umeti.”
Gjithashtu Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka dërguar dhe të tjerë prej sahabëve në vende të ndryshme për t’u mësuar njerëzve Islamin, si Ali ibn ebi Talib, Muadh ibn Xhebel dhe ebu Musa el Eshari. Hadithet e tyre gjendet te Buhariu, Muslimi e të tjerë libra të hadithit. Ata u mësuan njerëzve çështjet e fesë, ku përfshiheshin padyshim edhe ato të Akides dhe njerëzit ishin të obliguar të pranonin prej tyre. Nëse nuk do të ishte detyrë pranimi i lajmit të përcjellë nga një person apo dy e më shumë, që nuk arrin gradën “muteuatir” (hadithi “ehad”), Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk do t’i dërgonte në këtë formë e me këtë numër dhe njerëzit nuk do të ishin të obliguar të pranonin prej tyre.
Disa aspekte që hedhin poshtë mendimin e atyre të cilët nuk bazohen në hadithin “ehad” për çështjet e Akides:
– Mospranimi i hadithit “ehad” në çështjet e Akides apo thënia se nuk është detyrë të punohet me të në Akide, është diçka e shpikur që s’e kanë njohur selefët e këtij Umeti. Çdo gjë e tillë është e refuzuar, sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë në hadithin e transmetuar nga Aishja në “Sahihun” e Muslimit: “Kush shpik në fenë tonë atë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar dhe e papranueshme.”
– Thënia e tyre se hadithi “ehad” nuk vlen për argument në Akide, është në vetvete një çështje prej Akides që ka nevojë për argument të prerë. Një argument të tillë, kurrë s’mund ta gjejnë. Në këtë mënyrë ata kanë kundërshtuar vetveten dhe kanë rënë në kundërthënie.
– Sikur të kishte ndonjë argument të formës së prerë (“jekin”) që nuk pranohet hadithi “ehad” në Akide, do ta kishin njohur sahabet dhe do ta kishin deklaruar. Po ashtu edhe ata që erdhën pas tyre prej të parëve të këtij Umeti. Përderisa ata nuk e kanë njohur një argument të tillë, kjo tregon se ai nuk ekziston.
– Mospranimi i hadithit “ehad” në Akide bie ndesh me metodën e sahabëve, të cilët e pranonin hadithin e atij që u përcillte fjalët e Profetit (salallahu alejhi ue selem), duke qenë të bindur në to. Asnjëri prej tyre nuk e refuzonte lajmin e vëllait të tij me pretekstin se hadithi i përcjellë prej tij është “ehad”.
– Faktet që dëshmojnë për detyrën e pranimit të argumenteve të Kur’anit dhe Sunetit, përfshijnë temat e besimit dhe rregullat e ligjet e Sheriatit. Përjashtimi i temave të Akides kur hadithet janë “ehad”, është një përjashtim pa argument.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit