Kompania Facebook njoftoi se ka ndaluar përpjekjet e hakerëve në Kinë për të spiunuar mbështetësit e pakicës ujgure që jetojnë jashtë këtij vendi. Një grup i hakerëve, me burime të mira në Kinë, shënjestruan qindra aktivistë ujgurë, gazetarë dhe disidentë që jetojnë jashtë, duke u përpjekur t’i mashtrojnë ata duke klikuar në faqe të internetit të bllokuara me kod të dëmshëm, tha Facebook. Shënjestrat kryesore ishin ujgurët nga Ksinjiangu në Kinë që tani jetojnë në Australi, Kanada, Kazakistan, Siri, Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, sipas Facebook. Hakerat krijuan llogari të rreme në Facebook duke pretenduar se ishin gazetarë, aktivistë ose simpatizantë të komunitetit ujgur, kështu që njerëzit të bënin ndërveprim me ata. “Taktika ishte e tillë që një herë synohej të fitohej besimi dhe pastaj ta përdorin atë si një mënyrë për t’i mashtruar ata”, tha shefi i politikës së sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën një milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht myslimane janë burgosur në kampe në Ksinjiang. Autoritetet kineze akuzohen gjithashtu për sterilizimin me forcë të grave dhe imponimin e punës së detyruar. Kina ka mohuar akuzat, duke thënë se ato janë qendra trajnimi profesional dhe shërbejnë për luftimin e ekstremizmit.
/REL