-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ezani – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Rudian Zekthi

 

I. Para disa ditësh organet ligjzbatuese të vendit kanë nisur procedim penal me akuzat për racizëm dhe nxitje të urrejtjes për një tifoz të ekipit të futbollit të Tiranës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit Laçi-Tirana ka drejtuar tekbirin* në kor të një grupi të këtyre tifozëve.

Duke qenë se autori i këtyre radhëve i përket të njëjtit grup me këta tifozë, pra, grupit të myslimanëve shqiptarë dhe prandaj, për të, te tekbiri ka shenjtëri, implikohet qoftë nga veprimi i këtyre tifozëve, qoftë nga reagimi i vrazhdë i Policisë (s’kuptohet sesi ka arritur në përfundimin e pakuptimtë se tekbiri bart racizëm apo urrejtje), që është po ashtu institucion i shoqërisë që po ashtu ai i përket.

Ky implikim shtrihet në disa rrafshe dhe shkakton turbulli, e pashmangshme, në fakt, duke qenë se ky akt i këtij grupi tifozësh bën pjesë tek aktet ambige, me status të paqartë: ato s’mund t’i pranosh pa i shoqëruar me koment apo klauzolë, por po ashtu s’mund t’i refuzosh apriori pa koment dhe klauzolë.

Së pari, tekbiri është një formulim bazik në fenë islame, qëndron në themel të doktrinës së saj dhe si i tillë është shprehje e shpirtit të kësaj feje: pa besimin se Zoti është më i madhi, në kuptimin më i rëndësishmi, kjo fe humbet arsyen e saj të të qenurit.

Dhe këtë bindje, kjo fe e ka rrugën kryesore për të depërtuar në mendjet dhe zemrat e njerëzve, rrugën kryesore për t’i formuar dhe zhvilluar ata. Dhe një mysliman është i tillë nga përparësia dhe vërtetësia e përbrendësimit të kësaj bindjeje: kjo e dallon nga të tjerët, nga ateistët po e po, por edhe nga besimtarët e feve të tjera, madje edhe nga myslimanët sipërfaqësorë.

Është e drejta e këtij grupi të mbrojë dhe kultivojë bindjet që e themelojnë atë si grup dhe kjo në mënyrë të vetëkuptueshme është një e drejtë kushtetuese dhe në mënyrë të natyrshme manifestohet (me vetëm njëzet e tre vjet ndërprerje, pra, nga 1967 deri më 1990-n) në hapësirën publike të shoqërisë shqiptare nëpërmjet këndimit të përditshëm të Ezanit, thirrjes së myslimanëve për namaz. Ezani nuk është gjë tjetër veç shpallje publike e këtij parimi bazë doktrinor të islamit, pra, që Zoti është më i rëndësishmi, duke qenë se Ezani fillon me shpalljen e tekbirit e praktikisht dhe mbaron me të.

Duke qenë tekbiri shprehje e aspiratave të grupit të myslimanëve shqiptarë, çdo refuzim arbitrar i tij, pashmangshmërisht mund të interpretohet si refuzim i këtyre aspiratave dhe si bllokim i mundësive të këtij grupi për të synuar rritjen e vet dhe zhvillimin e kapaciteteve të veta. Prandaj, refuzimi dhe ndëshkimi pa asnjë referencë dhe pa asnjë sqarim i një akti, që në thelb është transmetues i së njëjtës të vërtetë sikurse dhe Ezani, duke nënkuptuar lirshëm që tekbiri – ky shprehës universal i themelit të fesë islame, është problematik, bëhet edhe ky (ndëshkim) një akt ambig, pra, i cili vetëm se e shton në vend se ta davaritë turbullinë e aktit që kërkon të korrigjojë. Prandaj, edhe ky ndëshkim nuk mund të kalojë pa u shoqëruar me koment dhe interpretim.

Ky ndëshkim i organeve ligjzbatuese mund të kishte sens në një kuptim që mund të pranohej edhe nga vetë personat e ndaluar: pra, si ndëshkim për profani, thënë ndryshe për zhdenjim të tekbirit duke e zhvendosur atë nga sfera e doktrinores, rituales dhe konceptuales në sferën e zbavitjes dhe vulgaritetit. Apo nëse shoqërohej me interpretimin se po ndëshkohet mungesa e stilit në shpalljen e tekbirit dhe jo tekbiri vetë.

Por i pashoqëruar nga këto didaskali, veprimi ndëshkues i Policisë mund të interpretohet ose si një rutinë fatkeqe justifikuar nga padija, pra, nga mosnjohja e mesazhit të tekbirit, ose si një çoroditje – veprim dosido i ndërmarrë nxitimthi si reagim imediat, ose përkundrazi një veprim represiv i përllogaritur pikërisht si goditje preventive e aspiratave më të larta të grupit të myslimanëve shqiptarë. Cilido qoftë nga këto versione shpjegimi i veprimit të Policisë, ky veprim duhet të korrigjohet, por nëse është versioni i fundit i represionit të aspiratave, thjesht korrigjimi nuk mjafton, por kërkohet një reflektim i thellë që të shmanget qoftë moszhvillimi i myslimanëve, qoftë arbitrariteti i institucioneve.

II. Sepse në të vërtetë nga sa thamë më lart, nuk mund të mos shtrohet pyetja: përveç myslimanëve, a e di pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare se cili është kuptimi dhe mesazhi i Ezanit? Pra, fakti që nga natyra e tij ritualistike, Ezani shpallet në gjuhën arabe, mos ka bërë që Ezani nga një akt i lartë i kumtimit të mesazhit islam, të ketë rënë në nivelin e një komunikimi pragmatik, që thjesht njofton kohët e faljeve? Thënë ndryshe: a është desemantizuar Ezani, dhe nga një tekst vizionar është shndërruar në një sinjal i zbrazur nga kuptimi?

Për fat të keq, përgjigja për këto pyetje është e njëjtë: po, Ezani është një tekst i desemantizuar, kuptimin e të cilit e dinë vetëm besimtarët e xhamive. Posa që është kështu, shfaqen menjëherë dy probleme të rënda:

1. Shoqëria shqiptare e pranon Ezanin si pjesë të fluksit të mesazheve që qarkullojnë në këtë shoqëri, vetëm përmes këtij desemantizimi, pra, përmes mënyrës faktike sesi Ezani çngjyroset nga kuptimi dhe i mbetet vetëm natyra sinjalistike e lajmërimit për një tubim të mbyllur dhe periferik të një pjese të shoqërisë.

Sepse sado vulgar të jetë akti i tifozëve, ai në vetvete ka pasur këtë efekt semantizues: ka rikujtuar se tekbiri është një formulë me kuptim dhe jo një sinjal i rëndomtë bashkërendues. Nëse është kështu, shoqëria shqiptare ende nuk e ka kaluar testin e ekumenizmit të saj, pra, duket se sapo ajo, që është e rëndësishme te ritet kalon në jetën e përditshme dhe rivitalizohet në një mënyrë apo tjetrën në pjacë, shoqëria me institucionet e saj të censurës dhe kontrollit ndërhyn, duke pezulluar e ndëshkuar.

2. Myslimanët shqiptarë kanë rënë pre e inercisë së ritualeve, dhe nuk kanë vënë re se, në fakt, shoqëria shqiptare, nuk e di se cila është e vërteta themelore e myslimanëve, pra, nuk e di ende atë që ne myslimanët e konsiderojmë si themelin e të gjithë diturive dhe të vërtetave: që Zoti është më i madhi, dhe që më i madhi do të thotë më i rëndësishmi, madje, i vetmi i rëndësishëm në vetvete dhe që prej asaj që përcakton dhe vendos Ai buron rëndësia e gjithë gjërave të tjera (dhe që jashtë këtij përcaktimi çdo rëndësi është e rreme).

Fakti që pjesa tjetër e shoqërisë nuk e di këtë të vërtetë është me siguri shenjë paditurie thelbësore. Por më i rëndë është fakti, që ne myslimanët nuk po e kuptojmë që mosdija prej shoqërisë e së vërtetës për rëndësinë e Zotit e bën këtë të vërtetë praktikisht të parëndësishme jo vetëm për shoqërinë (që në njëfarë mënyre e ka zgjedhur dhe pëlqyer këtë padituri), por edhe për ne, myslimanët shqiptarë: ajo e humbet rëndësinë e saj nëse vetëm sa thuhet brenda xhamive dhe vetëm sa thërritet e desemantizuar (shkuptimësuar) jashtë xhamive vetëm përmes Ezanit.

Ky është problemi: ne si grup duhet ta bëjmë të rëndësishme të vërtetën e tekbirit, duke gjetur mënyra të tjera nga tekbiri i Ezanit (i cili hëpërhë rezulton i desemantizuar) dhe po ashtu natyrisht, nga tekbiri i tifozëve në stadium. Qe do të thotë, që në kushtet kur Ezani është desemantizuar, të risemantizojmë si Ezan çdo ligjërim dhe akt që bëjmë.

III. Ky është kontributi më i madh që mund të japim ne për këtë shoqëri, gjithmonë duke pasur parasysh që në fakt vetë shoqëria nuk është e përgatitur për këtë kontribut, pra, jo thjesht nuk po e kërkon prej nesh, por edhe nëse ne ia ofrojmë nuk duket ta mirëpresë, e bindur siç është që e vërteta e tekbirit është anakronike dhejoproduktive.

Fakti që shoqëria nuk e përfytyron dot si të rëndësishëm këtë kontribut është vetëm njëra anë e medaljes; ana tjetër e medaljes është që edhe myslimanët shqiptarë janë të papërgatitur për ta dhënë këtë kontribut. Dhe arsyeja se përse janë të tillë, është pikërisht kjo: nuk kanë arritur dot të zhvillohen deri më tani në lartësinë e këtij kontributi, përderisa nuk janë përfshirë në praktikën e lartë të ballafaqimit të së vërtetës së tyre shprehur nga tekbiri, me të vërtetat e shoqërisë jashtë tekbirit.

Pra, që të zhvillojmë shoqërinë, ne myslimanet duhet të zhvillojmë veten dhe që të zhvillojmë veten duhet t’i demonstrojmë shoqërisë epërsinë dhe begatinë e tekbirit. Askush dhe asgjë nuk ka të drejtë të na privojë nga ky angazhim, përveç paaftësisë sonë që të zhvillohemi vetë të parët, duke u thelluar te tekbiri dhe duke nxjerrë prej tij një vizion për shoqërinë, botën dhe individin.

Pra, sesi kuptimi për botën, shoqërinë dhe individin, mbështetur tek premisa e një Krijuesi absolut, më i pranishëm tek krijesat sesa ato vetë tek vetja e tyre, është thelbësisht i ndryshëm nga kuptimet për botën, shoqërinë dhe individin që e shmangin këtë premisë.

Sikurse, nga ana tjetër, cilido person grup apo institucion brenda shoqërisë shqiptare është po ashtu në të drejtën e vet të tregojë se cila është, sipas tyre, alternativa e zhvillimit të kësaj shoqërie dhe e grupit të myslimanëve si një pjesë e kësaj shoqërie. Sepse nuk është opsionale, por detyrim që shoqëria të na tregojë me vërtetësi sesi mendon t’i zhvillojë fëmijët e myslimanëve shqiptarë, në mënyrë që ata të bëhen myslimanë të rëndësishëm dhe shqiptarë të rëndësishëm.

Detyrim që deri më këtë moment nuk e ka përmbushur dhe nuk ka asnjë shenjë se mund ta përmbushë. Duke qenë se kjo çështje, e inspirimit dhe drejtimit të shoqërisë prej grupeve që e përbëjnë, nuk është me radhë, por me rivalitet permanent, vetiu edhe grupi i myslimanëve shqiptarë duhet të përfshihet në këtë rivalitet.

Dhe në një farë mënyre, më mirë që kalon përmes rivalitetit, sepse po të ishte me radhë, me këtë dështim për vizion dhe inspirim të grupeve që e kanë drejtuar shoqërinë shqiptare, radha e myslimanëve për të ofruar vizionin e tyre ka ardhur me kohë, por nuk jemi ende në lartësinë e kësaj detyre. (Dhe ndoshta mund të fillojmë me këtë kontribut në semantikën dhe leksikun e shqipes): Tekbir është term që tregon praninë në ligjërim dhe mendim të bindjes se Zoti është më i madhi, më i rëndësishmi.

(Ky term, gjuhës shqipe i mungon dhe, për pasojë, i mungon edhe mendimit shqiptar dhe kulturës shqiptare: huazimi përmes myslimanëve dhe islamit rrit kapacitetin e mendimit shqiptar dhe kulturës shqiptare).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit