Evakuimi i civilëve në Aleppo po vazhdon me ritme të shpejta dhe pa incidente, pasi armëpushimi është respektuar edhe gjatë mbrëmjes së të enjtes. Sipas Kryqit të Kuq, të gjithë vullnetarët po punojnë fort për të mbajtur të njëjtin vrull dhe ritëm pune.
Më shumë se 3 mijë njerëz, përfshirë fëmijë dhe 40 të plagosur, u larguan në ditën e parë të evakuimit nga pjesa lindore e qytetit të dytë më të madh sirian, por sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara më shumë se 50 mijë civilë vijojnë të mbeten të bllokuar.
Atë që Assad e quajti moment historik, nisjen e operacionit nga qeveria, të shumtë janë ata që fajësojnë presidentin e Sirisë, se ai mban përgjegjësinë e mijëra jetëve që kanë humbur në Siri. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar ashpër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë Qeverinë e Damaskut.
“Ajo që regjimi i Assad po kryen nuk është asgjë më pak sesa një masakër. Dhe ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj. Ato nuk kanë qenë incidente lufte , por sinqerisht të qëllimshme. Një politikë cinike për të terrorizuar cilvilët”, deklaroi John Kerry.
Ndërsa kjo çështje delikate ka vëmendjen e gjithë botës, presidenti i zgjedhur Donald Trump përsëriti se ai do të krijojë zona të sigurta në Siri të cilat do të financohen pjesërisht nga shtetet arabe.
Në një samit të BE-së, kancelarja gjermane Angela Merkel e përshkroi situatën në Aleppo si shumë të trishtë dhe tha se i vjen keq sesi diplomacia europiane dështoi kështu.
Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk kërkoi hapjen e menjëhershme të korridoreve humanitare për të lejuar ndihmën që të mbërrijë në Aleppo, ndërsa Britania po mundohet t’u vijë sadopak në ndihme banorëve të qytetit me një fond prej 25 milionë dollarësh.