Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX ka bërë të ditur se janë duke e monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës.
EULEX ka bërë të ditur gjithashtu se ka shtuar praninë e forcave të tyre në teren.
“Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët nga Polonia e Njësisë Policore të Specializuar tonë dhe pjesëtarët italian dhe lituanez nga Njësia e jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim. /Telegrafi/