7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Firmat e hoxhallarëve dhe përbaltja e dinjitetit të tyre! – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Mbledhja e firmave të mbi 200 hoxhallarëve ose atyre që shërbejnë si imamë nëpër xhami, ka zgjatur mbi tre muaj, dhe është tërësisht iniciativa jonë si hoxhallarë dhe është bërë me përpjekjet tona individuale, pa asnjë ndërhyrje apo prapavijë nga dikush tjetër. Për arsye kohe dhe mundësie ajo është ndalur deri tek 202 firma, por që jemi të bindur se numri i atyre që janë pro saj është edhe shumë më i madh.

Kjo kërkesë në thelb kërkon një statut më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues, që pajton me frymën komunitare demokratike dhe gjithëpërfshirëse që duhet të ketë institucioni i KMSH; i nëpërkëmbur tashmë keqas nga drejtuesit sektar aktual të saj.

Gylenistët uzurpues dhe të katapultuar në krye të KMSH, përmes makinacioneve të tyre makiaveliste, e kanë gati të pamundur ta besojnë se imamët kanë firmosur me vullnetin e tyre një kërkesë të tillë. Ose më saktë duke qenë se janë një grupim okult, që vepron vetëm me urdhër nga lart dhe nuk kanë individualitet personal pothuajse fare, në biseda private kanë hedhur baltë se gjoja firmat janë falsifikuar apo janë marrë me presion!

Këto akuza sigurisht që jo vetëm nuk janë aspak të vërteta, gjë që verifikohet lehtësisht përmes numrit të telefonit që çdo firmëtar ka vendosur në kërkesë, por me një akt të tillë ne do të përdhosnim dinjitetin e integritetin tonë fetar dhe moral të kauzës së drejtë që kemi ngritur dhe do të binim në të njëjtin nivel me ata të cilëve ne ua drejtojmë këto kërkesa.

Kur nuk ke turp, bëj çfarë të duash, thotë urtësia profetike. E ne shyqyr Zotit nuk kemi ndërmend të nxijmë fytyrën tonë para Allahut dhe njerëzve duke bërë manipulime të tilla të ulëta dhe të turpshme. Jo rrallë herë ata që kanë mizën vetë nën kësulë i akuzojnë të tjerët për pandershmëri të tilla.

Edhe pse deri tani nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare për kërkesën e hoxhallarëve dhe imamëve që shërbejnë nëpër xhamitë e Shqipërisë, uzurpatorët e kryesisë së KMSH duket se janë tronditur jo pak nga kjo kërkesë dhe numri i madh dhe larmia e atyre që e ka firmosur atë. Dhe kjo jo thjesht për faktin se shumica absolute e hoxhallarëve nuk i duan dhe nuk ndjehen aspak të përfaqësuar prej tyre, sepse këtë ata e dinë shumë mirë, por më së shumti për faktin se si guxojnë kaq shumë imamë dhe hoxhallarë t’i drejtojnë atyre një kërkesë pa u marrë më parë leje, një kërkesë që në thelb rrezikon pushtetin e tyre eskluzivist dhe diktatorial të KMSH.

Të bindur se ata janë gati zotër dhe pronar të vetëm të KMSH, nuk e pranojnë dot që dikush të “ngrejë krye” ndaj tyre qoftë edhe duke iu drejtuar një kërkesë të drejtë dhe mjaft normale në thelb.

Gylenistët kanë instaluar një sistem sa moskokëçarës, po aq edhe diktatorial dhe shantazhues në KMSH. Duke e nisur që nga rrogat qesharake dhe mungesa e sigurimit shëndetësor, dhe duke vazhduar deri tek arroganca dhe prepotenca me të cilën i trajtojnë ata shpesh imamët. Tek një numër jo i vogël imamësh ata kanë krijuar ndjesinë e shantazhit, që kush guxon të flasë e pëson dhe vetëm ai që hesht apo serviloset përfiton dhe nuk preket.

Firmat e marra shkërmoqin pikërisht këtë klimë që ata kanë injektuar me sjelljen e tyre, ndaj dhe të tërbuar nga kjo gjë, myftiu i Tiranës është shprehur në privat se nuk na e ndjen aspak për ato firma, duke treguar në fakt paturpësisht se sa pavlerë janë hoxhallarët tek ata dhe sesi ata e nëpërkëmbin dinjitetin dhe nderin e tyre.

Kështu që kjo klimë duhet të marrë fund një herë e mirë. Mjaft më na drejtuan njerëz që nuk na përfaqësojnë, njerëz të katapultuar, njerëz që nuk i kemi zgjedhur dhe as votuar, por na janë imponuar kundër vullnetit tonë.
Dhe mjaft është mjaft. Boll më duruam disa njerëz që besnikërinë më të madhe të tyre e kanë ndaj kultit të Gylenit dhe organizatës së tij transnacionale, sesa ndaj vetë parimeve të Islamit dhe këtij vendi.

Kështu që na duhet ta përsërisim këtu edhe një herë sfidën publike që u kemi bërë atyre, duke ju thënë se: nëse jeni burra dhe keni një fije ndershmërie dhe amaneti dhe mendoni vërtetë se jeni aty me meritë dhe na përfaqësoni, atëherë rregulloni statutin, bëni zgjedhje të rregullta, pa manipulime dhe le të dalin në krye ata që e meritojnë dhe i do xhemati dhe hoxhallarët, përndryshe nëse refuzoni pranoni turpin dhe faqen e zezë të uzurpuesve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit