Njeriu është një qenie shoqërore dhe e detyruar të jetojë në shoqëri. Për rrjedhojë, nuk mund të sillet si të dojë. Ai është i detyruar të sillet sipas disa rregullave dhe normave të caktuara. Etika, si tërësia e rregullave dhe e normave që përcaktojnë sjelljen e njeriut në shoqëri, është pjesë përbërëse e moralit.
Shoqëria është shumë e interesuar për zbatimin e rregullave dhe normave të etikës për të mirën e saj. Një vend të rëndësishëm në moralin e shoqërisë dhe në mbarëvajtjen e saj ka edhe feja. Ndihmesa e fesë në përmirësimin e moralit të shoqërisë, është jo vetëm shumë e madhe, por edhe vendimtare. Feja me pak fjalë, mund të përcaktohet si shuma e rregullave dhe e parimeve të cilat janë dërguar nga Zoti për ta udhëhequr njerëzimin drejt lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.
Etika publike është e themeluar në bazë të mbrojtjes së pasurisë dhe pasardhësve. Kjo etikë nënkupton mbrojtjen e shëndetit, mendjes dhe shpirtit nëpërmjet vendosjes së disa rregullave, që garantojnë sjelljen e mirë në shoqëri. Ndëshkimet, të cilat kanë për qëllim nxitjen e punëve të mira dhe parandalimin e punëve të këqija, përbëjnë mbrojtjen me mënyra të tilla që të mbajnë larg realitetit të shoqërisë dhe individit elementët negativë. Pesë janë qëllimet kryesore të legjislacionit të fesë islame: Ruajtja e besimit, e jetës, e pasurisë, e pasardhësve dhe e mendjes. Është për t’u theksuar se në të gjitha fetë, këto elemente bazë konsiderohen si të drejta themelore të cilat duhen të mbrohen.
Është fakt i qartë se njeriu është krijesa më e vlerësuar. Në Kuran thuhet: “(bijtë e Ademit)… dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”[1] dhe në një tjetër ajet: “Ne e kemi krijuar njeriun në trajtën më të përkryer”[2]. Elementi i cili i bën njerëzit që të kenë një rëndësi dhe vlerë të tillë, është struktura shpirtërore dhe ajo fizike. Me vëmendjen në konstruktin fizik, ne bashkohemi në shumë karakteristika me krijesat e tjera. Ashtu si organizmat e tjerë, edhe trupi ynë është i përbërë nga qeliza, gjene dhe inde. Por ajo që na bën të veçantë është aftësia jonë e të menduarit, të besuarit dhe e përfitimit të dijeve si dhe fakti që ne jemi të vetëdijshëm për këto aftësi.
Prandaj thuhet se njerëzit janë qenie të ndërgjegjshme. Ata janë krijuar me të dyja tendencat: të mirën dhe keqen dhe të aftë të zgjedhin. Atyre u janë dhënë të dyja, edhe arsyeja edhe liria për të bërë këto zgjedhje. Kështu ata duhet të dallojnë të bukurën dhe të dobishmen me mendjen e tyre dhe të zgjedhin atë me vullnetin e tyre të lirë. Fakti që ata janë krijesa të përgjegjshme për punët që kryejnë, rrjedh pikërisht nga këto cilësi.
Veprimet e arsyeshme dhe vlerat positive nuk mund të vijnë gjithmonë si rezultat i vetëdijes personale. Ato duhet të bëhen gjithashtu vlera morale dhe shpirtërore. Morali përmban një sërë parimesh të larta lidhur me sjelljet e njeriut, të cilat që të gjitha burojnë prej nivelit të lartë shpirtëror. Duke u mbështetur në këtë, mund të themi se personat që nuk kanë siguruar afrimitetin e duhur me shpirtin e tyre, e kanë mjaft të vështirë t’i bëjnë të vetat rregullat morale për një kohë të gjatë. Në ditët tona, morali nuk kuptohet ashtu siç e kuptonin të parët, si një tërësi virtytesh. Njeriu i ditëve të sotme kërkon ta kuptojë atë më shumë në formën e etikës dhe edukatës shoqërore. Eh, sikur ta shihnim moralin te çdo njeri, qoftë edhe në këtë formë!…
Besimi islam në një Zot të vetëm, e vë individin në pozitën e përgjegjësisë para Tij, për rrjedhojë, duke ia lartësuar ndërgjegjen dhe moralin në shkallën më të lartë, siguron mbrojtjen e të drejtave të individit, dashurinë dhe respektin reciprok, marrëveshjen dhe paqen shoqërore. Një mysliman edhe gjatë zbatimit të xhihadit, nuk mundet, kurrsesi, të prekë apo të cënojë nderin dhe dinjitetin njerëzor. Profeti ynë i nderuar edhe në rastet kur ka qenë i detyruar të luftojë, gjithmonë ka theksuar se myslimani duhet të ruajë kufijtë dhe rregullat që i përcakton feja. Profeti në krye dhe të gjithë kalifët e tjerë, sa herë që dërgonin ushtri ndokund, u përcaktonin mirë grupin që kishte statusin e kundërshtarit në luftë dhe u këshillonin gjithmonë: “Mos luftoni me një njeri të pa armatosur, mos prekni gratë dhe fëmijët. Mos prekni të moshuarit dhe mos digjni pemë”[3]. Kush dëshiron ta përsosë moralin e tij, le të marrë shembull prej natyrës dhe sjelljeve të shkëlqyera të figurës së Muhamedit (a.s.), i cili që prej 14 shekujsh e njohu njerëzimin me cilësitë më të larta të moralit. Figura e tij ofron edhe sot rregulla dhe direktiva mbi moralin të cilat i mungojnë shumë njeriut bashkëkohor, i cili, duke ndjekur dhe duke imituar lloje të ndryshme të etikës, është zhveshur nga normat humane. Kjo do ta ndihmojë njeriun e sotëm që të kuptojë dhe të bëhet qenie humane sipas etikës së Muhamedit (a.s.) dhe vëllezërve të tij, pejgamberëve të tjerë.
Problemi më i madh me të cilën përballohet sot shoqëria moderne është etike. Është e pamundur për një shoqëri së cilës i mungojnë shtyllat etike të qëndrojë në këmbë. Perëndimi, i cili vuan nga marramendja falë suksesit të tij material, e ka lejuar materializmin dhe superioritetin tregtar që vjen krahas tij, të mbizotërojë mbi çdo gjë tjetër. Sot po adhurohet paraja e njeriu dhe vlerat e tij janë lënë pas dore. Në Shqipëri shihet haptazi një shkujdesje ndaj jetës dhe dinjitetit njerëzor duke e kushtëzuar çdo gjë me para. Për fat të keq ky fenomen ka hyrë deri në fushën e mjekësisë, duke e ditur më së miri se shëndeti është tepër i rëndësishëm për njeriun. Por objektivat duhet të shihen tek humanizmi, qytetaria dhe shoqëria e mirë. Dhe këto cilësi më së miri t’i jep një besim i shëndoshë. Në rrënjët e zhvillimit të shoqërisë dhe progresit qëndron ndjenja e besimit, prandaj mirëqenia sociale nuk mund të arrihet pa një ndjenjë të tillë.
Njerëzimi si dje dhe sot, në shumicën e vet ka jetuar dhe jeton në ankth dhe vuajtje. Dihet se shkaku kryesor i kësaj është dashuria e madhe për këtë botë dhe harrimi i Zotit e i botës së përtejme. Vetëm sistemi hyjnor është ai që e zhvillon dhe e përsos njeriun bashkë me të gjitha mendimet, ndjenjat dhe mundësitë shpirtërore të tij, e që e bën të arrijë virtytin dhe përjetësinë.
Islami është një sistem i plotë jete. Ai e tregon karakterin e tij hyjnor në jetë dhe e udhëheq atë përmes një drejtimi etik. Ai i ngre kornizat, kufijtë shtetërorë dhe kufizimet që qeverisin lëvizjen dhe qëllimin e jetës, duke e mbajtur gjithmonë njeriun në rrugë të drejtë dhe duke e mbrojtur atë nga kurthet dhe humbja e udhës. Për këtë qëllim, Islami përbëhet prej parimesh që pasurojnë mendjen, prej adhurimesh që pastrojnë zemrën, prej vlerash që pastrojnë shpirtin, prej ligjesh që vendosin drejtësinë dhe sjelljeve që zbukurojnë jetën.
Dorian Demetja
[1] Isra, 17:70
[2] Tin, 95:4
[3][3] Buhari; Muslim