0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Erion Veliaj për pak e pati fituar betejën me vesin

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi

Lotot dhe bastet njihen edhe si taksa ndaj të varfërve. Qasja populiste e qeverisë zor se do të zgjidhë këtë plagë të rëndë

Më 30 shtator të vitit 2017, ky ishte një nga titujt që qarkullonte në mediat shqiptare: “Erion Veliaj: E kemi fituar betejën me llotot dhe kafenetë”. E kishte BalkanWeb, Panorama, Tema, Mapo dhe një duzinë mediash të tjera. Ishte një nga ato njoftimet që të lënë me gojë hapur, sidomos kur mjaftonte që të hidhje një sy vërdallë për të parë se në çdo pallat kishte të paktën tre pika bastesh. Nëse e di se si funksionon kjo punë, është e lehtë që të kuptosh se titulli ishte shpërndarë nga zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës dhe lajmi ishte marrë thjesht me kopjim. Në fakt brenda në lajm edhe vetë Veliaj nuk e thoshte hapur që e kishte fituar betejën me lotot dhe kafenetë.

“Kemi filluar ofensivën ndaj kafeneve e bingove dhe për herë të parë kemi një bilanc pozitiv, në favor të këndeve të lojërave dhe këndeve sportive”, shprehej Veliaj. Edhe në njoftimet e mëpasme, të krijohej ideja sikur Veliaj kishte nisur një betejë të fortë ndaj lotove dhe kafeneve dhe ishte thuajse në prag të fitores, si një ‘gladiator’ i vërtetë. Sepse për atë që merr vesh pak nga politika, ky është qëllimi i një administratori të suksesshëm të qytetit: që të ofrojë alternativë më të mirë se vesi dhe krimi. Nga ana tjetër, nëse vërtet Veliaj do të ishte i suksesshëm, kjo do të nënkuptonte se u kishte ofruar qytetarëve ajër të pastër, parqe, punë dhe argëtim në vend të krimit dhe lotove. Nëse do u hidhje një sy njoftimeve për shtyp të Bashkisë së Tiranës, të krijohej gjithmonë e më shumë ideja se Veliaj po e fitonte betejën ndaj lotove dhe basteve derisa….

***

…derisa një gazetë gjermane, teksa raportonte për manipulimet e ndeshjeve futbollistike në Shqipëri, theksonte se “se çfarë rëndësie kanë bastet sportive në Shqipëri, këtë e tregon numri i pikave të basteve”. “Në Shqipëri ekzistojnë rreth 4 mijë pika të tilla”.

“Për një numër banorësh prej rreth 2.8 milionësh, kjo do të thotë një pikë për 700 banorë. Në Gjermani ka një pikë bastesh për 18 mijë banorë” shkruante RP. Lajmi mori dhenë dhe statistika nisi të bënte xhiron e medias shqiptare. Krejt papritur shqiptarët po diskutonin për atë që e kishin para syve çdo ditë. Operacioni i parë i nisur nga qeveria e Edi Ramës, i quajtur ‘Fundi i marrëzisë’, jo vetëm që nuk kishte dhënë fryte, por e kishte shtuar ‘marrëzinë’. Qeveria e gjeti një arsyetim, duke thënë se pikat e basteve vërtet janë të shumta, por kjo do të thotë se ato thjesht janë legalizuar. Por edhe kjo dukej më shumë si një shashkë për konsum publik, sepse në qytete si Elbasani raportohej se vërtet ishin rreth 400 pika bastesh të legalizuara, por ishin edhe gati 30 për qind të palegalizuara.

***

Erion Veliaj e di mirë se duhet të manovrojë në ujëra të turbullta. Ai ishte i pari që doli e foli për vendimin e qeverisë për mbylljen e pikave të basteve, duke harruar atë që kishte thënë më parë. Kjo sepse i intereson që të jetë mirë me njeriun që deri më tani ka në dorë ‘fatin e tij politik’.

“Nuk besoj se ka një nismë më të mirë të qeverisë shqiptare se iniciativa për të mbyllur të gjitha pikat e basteve e kazinove. Ej, jemi te njësia 8, e keni parë ku e ka bustin Vojo Kushi? Është i mbytur me pikat e basteve, nuk e gjen dot Vojo Kushin te Selvia”, -tha ai pak pasi mazhoranca mori vendim për mbylljen e basteve. Tani imagjinoni për një moment, ajo që dukej betejë gati në fitim e një kryebashkiaku ndaj lotove dhe basteve, paska qenë së paku një fiasko. Sepse nëse ‘Selvia’, që është zemra e Tiranës, paska qenë e mbushur me pika bastesh, imagjino se çfarë ndodh pak më tutje. Një ditë më vonë, ndërsa po fliste për projektin që do të bashkojë sheshin ‘Skënderbej’ me Pazarin e Ri, Veliaj tha se bizneset e pikave të basteve në këtë zonë do të zëvendësohen me biznese të tjera që do i shtojnë gjallërinë e bukurinë zonës më të pasur në Tiranë. Si u bëka zëvendësimi i bizneseve? Me urdhër nga lart?

***

Qeveria ka vendosur që të luftojë vesin e bixhozit me urdhër nga lart, me shpresën që kjo, jo vetëm do të vendosë harmoninë nëpër familjet shqiptare, por edhe do të kanalizojë miliona euro në rrugë të tjera. Çudi! Tashmë gratë shqiptare do jenë të lumtura që burrat dhe djemtë e tyre do u shkojnë në shtëpi dhe të gëzuar do u thonë: ‘Na fal nënë, partia na i hapi sytë’. Teksa përmend shifra prej dhjetëra miliona eurosh, që do përfundojnë në xhepa qytetarësh, kjo të kujton një nga barsoletat që qarkullon në kultura e vende të ndryshme dhe që së fundmi e kam hasur në anglisht:

Zonja: A pi duhan?

Burri: Po.

Zonja: Sa paketa në ditë?

Burri: Tre.

Zonja: Sa harxhon për pako?

Burri: 10 dollarë.

Zonja: Sa kohë ke që pi duhan?

Burri: Të paktën 15 vite.

Zonja: Pra, pa llogaritur inflacionin, ke konsumuar 162 mijë dollarë në total. A e di se nëse do kishe kursyer, do e kishe blerë një Ferrari.

Burri: Oh, po ti a pi duhan?

Zonja: Jo.

Burri: Atëherë ku dreqin e ke Ferrarin?

***

Kjo është vërtet një barsoletë. Megjithatë pavarësisht se ka të pasur që nuk shkulen nga bixhozi dhe ka nga ata që luajnë për të provuar emocione, ka një fakt që nuk mund të mohohet. Lotot dhe bastet njihen nga ekonomistët si ‘taksa e të varfërve’. Në Shqipërinë e vogël, ku pavarësisht se Perëndimi jeton në epokën e ‘big data’, ky vërshim i lotove dhe të basteve është treguesi më i qartë i një varfërie të frikshme. Sa herë që dikush tund gogla në ekrane apo nëpër lokale, dijeni që një i varfër po harxhon më shumë se të tjerët. Edhe pse në vendin tonë nuk ka të dhëna, ka me qindra sondazhe e studime që tregojnë se bixhozi është thjesht një taksë më shumë mbi personat e varfër.

Mund të numërosh me dhjetëra të tillë.

-Në Karolinën e Veriut shitjet e lotove janë më të larta në kontetë më të varfra.

-Në Karolinën e Jugut, njerëzit që fitojnë më pak përbëjnë shumicën dërrmuese të personave që luajnë në loto.

-Njerëzit e varfër janë 25 për qind më shumë të prirur për të luajtur për para sesa për qejf, thuhet në studimin e Blalock, Just dhe Simon.

-Në Teksas, shumica e biletave blihen nga persona të papunë. -Përqendrimi më i madh i pikave të basteve në Konektikat është në qytetet më të varfra.

-Zonat me papunësinë më të madhe në Çikago gjenerojnë edhe shitjet më të mëdha të basteve.

-Një studim i Universitetit të Indianas në vitin 1994 ka zbuluar se shitjet e lotarive kanë tendencë që të rriten me shtimin e papunësisë.

-Të dhënat e Universitetit të Kornellit theksojnë se të dhënat historike tregojnë se kur ekonomia shkon keq, të ardhurat e lotarive rriten.

-Në vitin 2008, në kulmin e recesionit në SHBA, shumica e shteteve raportuan rekorde në shitjen e biletave të lotarive.

Nuk besoj se doni më shumë të dhëna për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Vetëm se varfëria nuk zgjidhet me urdhra e vendime. Le më pas kur mendon se me këtë vendim qeveria shpreson të zgjidhë edhe problemin e varfërisë, por edhe atë… të krimit. Se sa e zgjidh problemin e krimit historia e prohibicioneve, këtë bota e ka provuar me kohë…

Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit