3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Erdoğan: Kontinenti afrikan do të ketë rol vendimtar në shekullin 21
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të vizitojë Angolën, Togon dhe Nigerinënë në kuadër të vizitës së tij në Afrikë, kurse ndalesa e tij e parë do të jetë Luanda, kryeqyteti i Angolës

Më të lexuarat

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, para se të nisej për në Angolë, vendin e parë që do të vizitojë në kuadër të turneut të tij afrikan, kujtoi se ai ka bërë dhjetëra vizita në vendet e kontinentit afrikan vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kam bërë gjithsej 38 vizita në 28 vende afrikane, përfshirë ato kur isha kryeministër”, tha Erdoğan në një konferencë shtypi në Aeroportin Ataturk të Stambollit.

Në kuadër të vizitës së tij në Afrikë, Erdoğan do të vizitojë Angolën, Togon dhe Nigerinë, kurse ndalesa e tij e parë do të jetë Luanda, kryeqyteti i Angolës.

“Ne vazhdojmë t’i afrojmë Turqinë dhe Afrikën në të gjitha fushat. Kurrë nuk e shikojmë bashkëpunimin tonë me vendet afrikane si afatshkurtër ose nga fokusi i interesit”, tha presidenti turk.

Ai potencoi se tregtia e Turqisë me vendet afrikane është rritur ndjeshëm në periudhën e kaluar.

“Me vëllimet tregtare që tejkalojnë 25 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2020, Turqia dallohet si një partner strategjik i vendeve afrikane”, tha Erdoğan.

Ai kujtoi se Turqia ofroi ndihmë dhe mbështetje për shumë vende në botë gjatë pandemisë globale të koronavirusit.

“Ne kemi ofruar ndihmë në pajisje dhe materiale mjekësore në luftën kundër pandemisë për 159 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare. Kur të përfundojmë vaksinën TURKOVAC, ne gjithashtu do të përpiqemi të ofrojmë mbështetjen më të mirë të mundshme kudo”, tha Erdoğan.

Ai kujtoi se Forumi i 3-të i Biznesit Turko-Afrikan do të mbahet në Stamboll më 21 dhe 22 tetor, dhe se Stambolli gjithashtu do të presë Samitin e Partneritetit Turqi-Afrikë më 17 dhe 18 dhjetor.

“Ne duam të përmirësojmë marrëdhëniet tona me kontinentin afrikan në bazë të partneritetit të barabartë, me bindjen se roli i kontinentit afrikan do të jetë vendimtar në shekullin 21. Nuk jemi ndër ata që përpiqen të mbajnë rendin e vjetër kolonial me mënyra dhe metoda të reja. Duam të kemi sukses dhe të hapërojmë së bashku me vëllezërit tanë afrikanë”, tha Erdoğan.

Në delegacionin e presidentit Erdoğan janë ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, ministri i Tregtisë Mehmet Muş, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Fatih Dönmez dhe Drejtori i Komunikimeve të Zyrës së Presidentit të Turqisë, Fahrettin Altun.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit